Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

giovedì 26 febbraio 2009

Pa kujtesë, pa histori, pa kontribute

Nga Dr.Përparim Kabo
30 vjet më parë, në vitin 1978, bash në 100-vjetorin e “Lidhjes së Prizërenit”, Televizioni Shqiptar tronditi pozitivisht! Kur u shfaq filmi me metrazh të gjatë “Udha e Shkronjave”, një produksion ...


.... bardh e zi, të gjithë shtangëm dhe u ngazëllyem, pasi ishte realizuar një vepër e mirëfilltë arti. Një skenar i gjetur, ku vepra letrare e njohësit të përkortë të historisë, Dhimitër Shuteriqi u plazmua në gjuhën e imazhit, dhe kështu filmi i kineastit Vladimir Prifti sendërtoi një kulm unikal e me profil krejt të veçantë për të si krijues, por dhe për kinematografinë tonë në tërësi.
Një imazh natyror i mrekullueshëm, situata njerëzore e ngërthyer mes humanizmit, sinqeritetit dhe besës; e përbri me të ishte intriga, shponte thika pas shpine dhe përgjonte helmi i pabesisë.
Po ndaheshin dy botë pas një kalvari historik, ku një popull donte të tregonte se nuk kishte humbur si civilizim dhe si identitet. Ndërsa, fqinji donte të kthente pas rrotën e historisë duke ngatërruar fenë me kombin dhe nën patologjinë e “idesë së madhe”, të tregonte se i kishte mbetur ora historike në Bizantin e largët.
Kishte qenë viti i trazuar 1909, ku pas “Kongresit të Manastirit” (që sapo i festuam 100-vjetorin më shumë me dekoracion se sa me hulumtim të thelluar shkencor), ishte pasuar nga “Kongresi i Elbasanit”, që finalizoi krijimin e “Shkollës Normale”, e para e këtij lloji si shkollë shqipe që do të përgatiste mësuesit. Mësimdhënësit e saj ishin Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Luigj Gurakuqi (drejtori i parë i saj), Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza dhe Haviz Ibrahim Dalliu.
Ajo ishte shkollë laike në kurrikul dhe pranonte nxënës nga të gjitha besimet fetare. 50 nxënës erdhën nga Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit. Me plotë gojën, duhet të themi se po niste një kohë e re: “Një hov të ri përpjekjeve për shkollën dhe shkrimin shqip u dha Kongresi i Elbasanit, që u mblodh më 2-8 shtator 1909.
Në kongres morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.
Punimet e Kongresit u drejtuan nga një kryesi e zgjedhur nga delegatët dhe e përbërë nga Dervish bej Biçaku (kryetar), Mithat Frashëri (nënkryetar) dhe me sekretarë, Simon Shuteriqin dhe Josif Haxhi Mimën (“Kongresi i Manastirit”, Shaban Demiraj Kristaq Prifti, Botimi i Akademisë së Shkencave, faqe 127).
Librat që të printoheshin donin germat dhe ato ishte vendosur të ishin latine, ndaj Thaskal (mësues) Todri i kishte sjell nga Europa (Alemania) me paratë e tija. Por, kisha greke dhe grekofilët shpirtshitur shqiptarë, e prenë në besë dhe e vranë pas shpine që gjuha e “mallkuar” shqipe si edhe nëmnin ata, të mos flitej.
Edhe sot i kam të gjalla (dhe jam i sigurt po thuaj të gjithë ata që e duan shqipen dhe atdheun), sekuencat e filmit dhe lojën brilante
të Aleksandër Prosit (Dhaskali), Ndrek Lucës (Ndrio) dhe Bujar Lakos (Tunxhi). Një “triumfirat i tradhtuar së brendshmi”, një pabesi e fshehur në “fjalë kujdesi” nga njëra anë, dhe një d1%lirësi fshatare që zgjohet bashkë me kambanat e kushtrimit!
Shpirti njerëzor ka nevojë për dije, dhe të qenit shqiptar do të vijë nga gjuha, që ndriçimi të afrohet me iluminizmin europian të Revolucionit Frëng.
Aso kohe, censura komuniste që i shërbente vetëglorifikimit të sistemit, kritikoi pse përmendej në film ky Revolucion i “liri, barazi, vëllazërisë”, pasi për të kishte vetëm “demokraci proletare”, e duhej përmendur vetëm “Revolucion Proletar me dhunë”.
Filmi në bardh e zi ishte i realizuar mjaft mirë edhe në kostumografi, në ambient etnografik dhe me një kolonë muzikore të mrekullueshme, që nëse nuk gaboj, ishte e Kujtim Laros, këtij Enio Morikone shqiptar. Sot, pas 30 viteve, filmin nuk mund ta shikojmë. Ai është “censuruar” nga pafuqia, është zbehur dhe mezi mbahet. Ka mbetur në errësirë, sepse duket se dikush apo diku e duan në errësirë dhe heshtje, në memecllëk dhe shurdhëri, jo thjesht filmin, por atë periudhë të historisë sonë kombëtare. Nuk ka arsye tjetër! Amnezia paguhet në tregun e tradhtisë dhe shërben për historinë e shkurtër të xhuxhave!
Rihedhja në teknologjinë e kohës në mënyrë dixhitale kushton 10.000 euro. Këto para nuk qenkërkan, nuk gjendeshkan, apo mos vallë nuk nevoiteshkan, pasi ky film, kjo vepër arti, kjo kujtesë historike mund të zemëroka dikë, që po kërkokërka varret në trojet shqiptare, për t’i rivarrosur në tokat tona që ata i quajnë të tyret?!
Drejtuesi i sotëm i RTSH-së e njeh kinematografinë, sepse në atë fushë aktiviteti ka kaluar vite, ka kontribute, por edhe ka fituar emër dhe identitet. Ai hesht, megjithëse i është bërë e ditur gjendja kritike e filmit që po humbet pa kthim!
Kujtesa historike lëngon, patologjitë e sotme, si snobizmi dhe të qenit kozmopolitë duke mbuluar origjinën, i ka sjellë shumë aktorë përgjegjës të ekzekutivit, kulturës dhe artit në pozicione dhe qëndrime të padenja, shpesh entuziaste për gjëra boshe dhe jo rrallë, dashamirës për vlera vetëm të artit të huaj dhe artistëve po të tillë. Nuk e di se sa, por dyshoj se Katja Riçareli, në koncertin e fundit të ‘Tre Tenorëve’ do t’i ketë “përlarë nja 10.000 euro”, po kështu Maria Cucinotta që tanimë punon edhe si producente, dhe që sigurisht nuk vjen pa para në Shqipëri.
Ndërsa, as personazhi historik Dhaskal Todri, as Aleksandër Prosi, as Ndrek Luca dhe as Bujar Lako, nuk e kanë fatin; jo që të shpërblehen me aq para, por tanimë as edhe të shihen më nga brezat e rinj.
Ata që sot dëgjojnë për Bollanot &Co, për Fazlliçët dhe të drejtat e tij të nëpërkëmbura, këtij “qytetari global” që di të blejë (t’i falen hektarë tokë nga pronat shtetërore) dhe di të shesë me operacione ligjore të ambalazhuara edhe juridikisht nga studio dhe avokatë profesionistë, duhen mbrojtur.
Atdheu dhe historia mund edhe të përfundojnë, ose në haresë ose në ankand, sepse ne “jemi globalistë” bërtasin operatorët e treg-politikës në media; duke gabuar dy herë.
Një herë si shqiptarë, dhe herën e dytë si specialistë, duke treguar se sa pak dhe sa shtrembër e kanë kuptuar globalizmin dhe mekanizmat e tij. Ndoshta, do të duhet të lexojnë të paktën dy libra, “Kriza e kapitalizmit Global”, të George Soros dhe “Ta bëjmë Globalizmin të punojë”, të Jozef Stigliz, dhe jo ta zbresin stekën e arsyetimit pro apo anti-globalistë, tek emisioni Top Show! Historia studiohet nëpër libra, por edhe shijohet nga vepra arti që ju kushtohen ngjarjeve kulmore të saj. Aq më tepër kur mungojnë pamjet reale si dokumentacion i kohës.
Kur sheh “Pasioni i Krishtit” i Mel Gibson, ndjen mrekullisht përmes imazhit atë që ke lexuar në Bibël, por jo të gjithë e lexojnë atë traktat kozmogonik, aq më tepër brezat e rinj.
Kur sheh “Fundi i marrëzisë”, kupton se ç’ishte nazizmi dhe kush ishte Hitleri e ç’përfaqësonte “Mein Kamph” (“Lufta ime”, vepra e Adolf Hitler). Kinematografia amerikane, europiane, kineze, japoneze, neo-zelandeze, i kanë kushtuar dhe po shpenzojnë ende jo pak për ngjarjet historike, që nga perandorët e Romës, mbretërit dhe mbretëreshat e Anglisë, perandorët e Kinës dhe Japonisë apo Buda i budistëve të urtë. Bile, mongolët me vite mblidhnin fonde për të xhiruar një film për Çinxhis Kahnin, heroin e tyre. Ne jo që nuk xhirojmë më filma historikë epope, sepse ata duan edhe goxha para, por nuk ruajmë edhe ata që kemi!
Për festat e nëntorit takova dhe u çmalla me mikun tim, Aref Mathieu, me gjak nga Mati dhe banim në Paris.
Një personalitet me kulturë poliedrike, lëvrues i palodhur i “Tezës pellazgjike”, autori i sentencës se shqipja është “Fosile e gjallë” e pellazgjishtes. Më kërkoi filmin Skënderbeu në DVD. U gjeta i pafuqishëm për t’ia dhuruar në Ditën e Flamurit në 28 Nëntor.
***
Ndërsa në treg gjen lloj-lloj broçkullash, gjoja këngë, gjoja humor apo gjoja nostalgji që ndalon deri tek disa këngë të periudhës së diktaturës; ku i këndohej “Trimit mbi trima” që mprehte shpatën për situatën ose çiftëzohej në dy luanët që kishte bota, njërin Azia njërin Europa.
Shoqëria globale multi-kulturore, edhe pse duket e joshur nga tregu dhe relaksi, ajo i kushton kujdes, gati kapilar, njohjes së historisë botërore dhe atyre rajonale, lokale apo nacionale nga brezat e rinj që lexojnë pak.
Dhe, ky shërbim vjen nga filmi, ushqehet nga teatri, ndjesohet nga piktura, mëkohet nga muzika etj.
Ne kujtohemi për historinë kur shkruajnë apo flasin të tjerët, bile edhe kur ata hulumtojnë në thellësi duke sjellë faktologji të patakuar më parë, ne në vend që të lexojmë veprën dhe të verifikojmë burimet, hidhemi përpjetë se po na vidhet apo shtrembërohet historia. Ne e duam historinë jo për ta mësuar, por për t’u mburrur.
Por, një qëndrim i tillë nuk është i drejtë, sepse e para të shpie tek përgjegjësia dhe kontributet, ndërsa e dyta tek krahasimet pa sens, ku Skënderbeu dhe vepra e tij krahasohet me futjen në NATO, me logjikën naive që atë e bëri ai, Gjergj Kastrioti, këtë po e bëjë unë, udhëheqësi i “sotëm legjendar” që vet-urohet të udhëheq 30 vjet.
Qëndrimi ndaj historisë kërkon seriozitet, përgjegjësi, kujdes dhe investime. Më ka ndodhur në një udhëtim jashtë vendit, që të kem qenë brenda një harku kohor të shkurtër edhe në Holandë, edhe në Gjermani. Për koincidencë, miqtë holandezë më treguan në vend nga afër, shtypshkronjën e tyre të pare; duke pretenduar të ketë qenë më e herët se e Gytenbergut në Gjermani. Ndërsa, kur vajta në Gjermani miqtë gjerman mbronin me fanatizëm se shtypshkronja e tyre kishte qenë më e vjetra.
Për vendet e vegjël dhe me zhvillim të ulët ekonomik, aq më tepër është e rëndësishme të njihen e publikohen vlerat dhe kontributet historike, si të asaj të afërt dhe asaj të largët; nga gjeneza deri në ditët tona. Historia vritet nga fragmentarizmi abuziv dhe nga studimi gjysmak, pasi ajo nuk është “kronos ngjarjesh”, por është shkencë e dokumentuar që mund të ridimensionohet sa herë që ka prurje të reja faktologjie dhe dokumentacion autentik të pa takuar më parë.
Vlera të pallogaritshme kulturore dhe materiale ka në fondin e Institutit të Kulturës Popullore. Kur ndoca vite më parë studiuesi serioz dhe tejet i kualifikuar Sokol Shupo (për koincidencë fjala sokol mbetet po ta krahasojmë me Ramadan Sokolin), siguroi një projekt austriak dhe fondet për dixhitalizim të fondit zanor; në vend që ta falenderonin; ai u pengua dhe u shqetësua me shkrime shterp në shtyp! Çfarë rezultoi? “një vrimë në ujë”!
Sot flitet për koncesione me skemën “Shqipëria një euro”.
Dhe, kjo praktikë pakujdesie dhe naiviteti në treg, rezulton edhe për të dhuruar tokë; bile edhe të huajve, por nuk flitet për koncesione në fushën e kulturës dhe librit; ku të shkruhet albanologjia dhe etnografia, historia apo kulturologjia jonë.
Në Janar 2009, ka një përvjetor të plotë albanologu i shquar akademik, Jup Kastrati, por e bija e tij është e shqetësuar se nuk gjen fonde për t’i përfunduar botimin e veprës. Ndërsa, familja e Gjon Shllakut mban prej vitesh përkthimet e tij të Euripidit dhe dramat e tij, të gjitha të realizuara në burg. I ndjeri Shllaku ka lënë edhe një fjalor me rreth 20.000 fjalë të greqishtes së vjetër që shpjegohen vetëm me shqipen. Por, fonde për to nuk ka!
Na i ka marrë paratë pseudokultura dhe relaksi, ku gjen hare dhe jargë, takon pisllëk dhe prek epsh, por jo zhvillim dhe vlera! Sa keq! Modernët e sotëm në çati të kulturës nuk duhet ta lejojnë veten të viktimizohen prej atyre që e duan historinë prostitutën e radhës! Shqipëria nuk është jetime dhe historia e saj nuk mund të shkojë në shtëpinë e fëmijëve, ku falen pako hipokrite.
Sa mire u veprua me veprën e Kol Idromenos “Motra Tone”, që u restaurua në Francë. Pse nuk vijon kjo praktikë në kinematografi e gjetiu? Aktualisht, në Itali është siguruar një buxhet me fonde nga shteti dhe burime alternative për të ruajtur fondin e filmave të vjetër italian që konsiderohen pasuri kombëtare e më gjerë.
“Duhet të kërkojmë një të mirë jo të dukshme, por të fortë, të qëndrueshme dhe të bukur, mbi të gjitha në brendësi; le ta nxjerrim në pah atë. Nuk është larg. Ne do ta gjejmë, mjafton vetëm të dimë se ku ta shtrijmë dorën për ta kërkuar” (Seneca, Dialogjet faqe 95-96, botimi shqip, Shtëpia Botuese ‘Plejad’).
* * *
Këto ditë, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë është thirrur për proces civil kineasti i shquar dhe mjaft pasionant Kujtim Çashku; sepse tani që ai ka krijuar një ambient tipik akademik të niveleve europiane në Universitetin e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, institucion ky i anëtarësuar në Lidhjen Botërore të këtyre lloj akademish; pikërisht tani, i thuhet: Na paguaj qira apo pengesa të tjera. Parku i gjelbër në oborr dhe ambientet ku emetohet kulturë nuk u dashkërkan! Po, kur i jepen Fazlliçit me koncesion 1 euro tokë (at) dhé, pse mos bëhen koncesione të tilla në akademizëm në art në kulturë?! Apo trashëgimia, kultura dhe historiografia nuk janë pjesë integrale e Shqipërisë!!?
Kur hebrenjtë, pas Luftës së Parë Botërore u kthyen në tokën e të parëve, palestinezët e çoroditur nga rënia e Perandorisë Osmane, ku edhe kishin bërë pjesë, filluan ta shisnin tokën.
Çifutët e blenë, dhe gjënë e parë që ndërtuan ishte një Universitet. Përse koncesioni 1 euro nuk funksionon për të ngritur Kampuse Universitare, ku shteti të jetë partnerë me iniciativën private dhe të kujdeset në politikat publike të shkollimit, edhe nëpërmjet këtij lloj bashkëpunimi privat-shtet!?
Ne kemi një Ministri që ka salduar në funksionin e saj turizmin,
kulturën, sportin, dhe rininë. Po me trashëgiminë kulturore historike, kush merret, që lidhet me shqiptarët e Shqipërisë, por edhe jashtë? Për arbrit e Italisë dhe gjetiu në Ballkan dhe për arvanitasit në Greqi, kush mendon dhe punon!?
Ka vende që këtë problem e kanë zgjidhur institucionalisht, sepse krahas Ministrisë së Kulturës kanë edhe Komitetin e Trashëgimisë Kulturore, që merret posaçërisht me këtë pasuri.
Më vjen të bërtas në kupë të qiellit kur mendoj që njerëz të biznesit harxhojnë jo 10.000; po disa dhjetëra mijë euro nëpër kazino në fund javë, para të fituara me korrektesë, por nuk mungojnë edhe fitime për shkak të mos pagimit apo shmangies nga detyrimet fiskale që do duhej të mbushnin buxhetin e shtetit.
Veçse, para për të mos humbur filmi “Udha e shkronjave” nuk paskërka! Medet, ku kemi mbërritur! Injorantët dhe paraja në një pushtet që kudo mund të të shpjerë, por vetëm drejt progresit dhe evropianizimit, jo! Ai që nuk e di nga vjen, nuk kupton se kush është dhe nuk është i zoti të parathotë se ku është nisur të vejë!
Shteti mund t’i detyrojë edhe kompanitë që bëjnë sponsorizime, të cilat nuk falin pará nga xhepi, pasi çdo donacion i këtij lloji zbritet nga tatimet, si dhe fitimet e tyre janë pagesa të njerëzve të thjeshtë që po varfërohen nga tarifa të çmendura. Sponsorizimet mund të orientohen në kontratë me shtetin, dhe jo të shkojnë për ca palo aktivitete ku vetëm art nuk ka! Atje gjen hipokrizi, shtirje dhe narcizëm me okë, por kulturë, JO!
Të më ndjeni Aleksandër Prosi e Ndrek Luca, se ndoshta ju lëndova atje në panteonin tuaj të kontributeve, por me sa duket paskësh pasur të drejtë Odhise Paskali, filozofi dhe skulptori i shquar, kur thoshte: “A do të na kujtojë njeri kur të mos jemi më!
Ka trokitur koha e amnezisë, sepse kalorësitë e sotëm mburravecë duan një histori për veten e tyre. Si mbreti tek tragjedia “Medea” e Euripidit, ata kanë si refren vetëm fjalët e tij:
“E dua atdheun, por më shumë se atdheun dua fëmijët e mijë!
Veçse, nuk duhet të harrojnë se Medea është tragjedi e kobshme dhe në tragjedi vdesin dhe mbretërit, ndërsa atdheu mbetet!
Historia i përqesh ata dhe shpurën e tyre injorante që lëpihet për poste si qen i zgjebosur dhe bishtin përpjetë!
Ngjarja e Dhaskal Todrit është e lidhur me periudhën kur shoqëria shqiptare po ndahej nga njeriu fetar dhe çapiste drejt individit civil. Ky kufi lidhet me lindjen e njeriut modern.
Fatkeqësisht, mendohet se modernizmi fillon kur ndërrohet qeleshja me borselinon! Jo, bashkatdhetarë, jeni gabim!
“…Megjithëse njeriu modern në tërësi edhe me vullnetin e tij më të mirë zakonisht nuk është në gjendje ta përfytyrojë aq të madhe sa edhe është faktikisht, rëndësinë që kanë pasur përmbajtjet e ndërgjegjeve fetare në mënyrën e jetesës; në kulturë dhe në karakteret kombëtare, prapë së prapë natyrisht nuk mund të jetë synimi im që në vend të një interpretimi të njëanshëm “materialist”, të vendos një interpretim po ashtu të njëanshëm spiritualist shkakor të kulturës dhe historisë”. Kjo është përgjigja që jep Max Weber, dhe ai nuk mund të anatemohet se nuk është shqiptar!(Max Weber, vepra Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit, faqe 250, botimi shqip. shtëpia botuese ‘Plejad’).
Historia është mbi secilin nga ne si përgjegjësi dhe vijimësi, ajo mbetet edhe pas secilit nga nesh, sepse ne jemi të gjithë të vdekshëm! Historia arkivohet për vlerat imortale!

balkanweb.com burimi

Nessun commento:

Posta un commento