Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

giovedì 26 febbraio 2009

Regjisorët shqiptarë nënçmojnë intelektin e publikut

Kinemaja e sotme shqiptare bën një gabim fillestar kur tenton të thotë shumë duke thënë pak ose aspak. Nuk ka filma me porosi të qartë, mungojnë filma që zbavisin dhe temat e shtjelluara nga regjisorët shqiptarë në shumicën e rasteve nënçmojnë intelektin e publikut.


Edhe publikut të huaj kinemaja shqiptare nuk i thotë shumë, e them këtë, nëse merret parasysh niveli i interesimit që publiku i huaj ka për tregimet nga Shqipëria dhe Kosova.
Në këtë aspekt, "Tirana, Viti Zero" bën përjashtim dhe prandaj jam i mendimit se ky është filmi më i mirë shqiptar.


Janë disa faktorët që e mbajnë kinemanë shqiptare në suaza lokale dhe nuk i krijojnë mundësojnë e depërtimit në festivale të rëndësishme dhe një nga këta faktorë, në mos po kryesori, është niveli i ulët artistik.


Skenaret në shumicën e rasteve janë të dobëta dhe nuk burojnë nga realiteti, gjë që mendoj se do të duhej parimisht të ishte kështu po ta krahasojmë veten me shtetet në rajon dhe sukseset e tyre, Rumania, Bosnjë dhe Hercegovina dhe në vitet e fundit Turqia.


Mungesa e kineastëve shqiptarë në forume të rëndësishme evropiane për bashkëprodhim të filmave si në festivalet e Roterdamit, Berlinit, Selanikut etj., bën që kinemaja shqiptare të mbetet pa vlerësim kritik në fazat fillestare të projekteve, sikurse edhe pa fonde të nevojshme për realizim të tyre.


Unë nuk kam dijeni të mjaftueshme sa i përket politikave të Qendrës Kombëtare Kinematografike, por mendoj se QKK nuk do të duhej të finacojë ekskluzivisht filma shqiptarë, por të jetë e hapur për ko-produksione të mundshme, sepse edhe ajo i ndihmon mbetjes në suaza lokale.


Në këtë panoramë të kinemasë shqiptare ka shumë pak kineastë, dhe e aq më pak kritikë të mirëfilltë filmi. Andaj ne shpesh jemi në huti se cili është film i mirë e cili dështim.


Të rinjtë duhet t'i ekspozohen kinemasë në forma të ndryshme. Kinema nuk janë vetëm blockbuster-at hollivudianë apo dokumentarët e stërvjetëruar nga Explorer. Duhet përmirësuar edukimi dhe duhen provuar mënyra alternative të shfaqjes së filmave.


Dua t'ju përmend një rast të mirë që është përvoja e Dokufest-it në Prizren. Ka një projekti i titulluar "Doku t'hanën" ku çdo të hëne shfaqen dokumentarët kreativë për nxënësit e shkollave të mesme të pasuara me debate rreth filmave.


Duhen organizuar punëtori për studentë të akademive të filmit me autorë të njohur dhe nuk duhet frikësuar nga ta. Nuk kushtojnë shumë dhe dobia është e madhe. Studentët të organizojnë një festival të filmit studentor si mënyra më e mirë për njohjen me punët e kolegëve të tyre. Vetëm kështu mund të tejkalohet hendeku në të cilën ndodhemi tani dhe mund të krijohen parakushtet për daljen në skenë të plejadave të ardhshme të kineastëve.


Drejtor Artistik i Festivalit Ndërkombëtar në Prizren

http://www.shekulli.com.al/2009/01/regjisoret-shqiptare-nencmojne-intelektin-e-publikut.html

Nessun commento:

Posta un commento