Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

giovedì 26 febbraio 2009

Ylli Pepo: Eshtë koha për telenovela shqiptare

Ylli Pepo: Eshtë koha për telenovela shqiptare

• Fatet e njerëzve e rikthejnë sërish në sheshxhirim.

ANILA MEMA

Mëngjesi e dreka e gjen në terren, në pub-et e Tiranës, në lokale, në rrugë, biblioteka, e kudo interesohet për të fokusuar një ngjarje, një episod, qoftë edhe një seri. Ndërsa pasditja veç studiove të TVSH-së, nuk ndodhet kurrkund tjetër. Janë kohë të vrullshme për të, intensive dhe nëse të duhet, vështirë ta kapësh. Celular nuk mban. Mëngjesin herët telefonojeni në shtëpi, veçse para orës nëntë. Më pas rituali i ditës fillon e mbaron me xhirime. Regjisori i njohur Ylli Pepo, do të rikthejë sërish në ekranin shqiptar telenovelën shqiptare. Mos kujtoni se është fjala për “Njerëz dhe fate”?! Jo! Tani pas shtatë vitesh, një tjetër serial tërësisht shqiptar po merr jetë. Titulli paraprak është “Dhimbje dashurie”, por deri në përfundim nuk i dihet. Eshtë dhjetë orë xhirim, ose dhjetë seri. Do transmetohet në TVSH, pse jo në ndonjë tjetër ekran. Ka kohë për t’u vendosur. Eshtë seriali i dytë shqiptar që realizohet nga i njëjti regjisor, Ylli Pepo, me të njëjtin staf që xhiroi edhe “Njerëz dhe fate”, me drejtor fotografie Astrit Omerin, me producent Arben Lamin, drejtor të zërit, Kristaq Kriston, me regjisore të dytë Eli Bicin, e bazuar mbi skenarin e dramaturgut të vjetër dhe të njohur Bashkim Kozelin. Me montazhin po punon Andon Beqari, ku në fund do të ketë edhe një përmbledhje një orë e gjysmë, që do të promovohet në “Millenium 2”. Por duhet të prisni vjeshtën të ndiqni telenovelën e dytë shqiptare, kështu tregon regjisori Ylli Pepo, sipas të cilit ka ardhur koha për telenovela shqiptare.

Telenovelat shqiptare janë të palëvrueshme në tregun tonë, në një kohë që shikueshmëria e atyre të huaja që shfaqen në ekranet shqiptare kap shifra të larta. Pse nuk xhirohen të tillë filma në Shqipëri?
E vërteta është se unë akoma nuk e kuptoj pse nuk bëhen telenovela këtu tek ne. Pas telenovelës së parë, “Njerëz dhe fate” kolegë të mi apo institucione që merrem me prodhimin e filmit nuk e kanë stimuluar këtë gjë. Njerëzit janë të mbërthyer pas telenovelave dhe këtë e vërteton dhe shikueshmëria e lartë e telenovelave të huaja. Kjo është një gjini që ashtu si “Big Brother”, apo spektaklet e “Miss Albanisë”, ka zënë një nga vendet kryesore, për të mos thënë vendit kryesor në televizionet tona. Edhe Zambia apo Vietnami, prodhojnë pafund telenovela, përveç Shqipërisë, mos të përmend rreth e rrotull nesh vendet që realizojnë telenovela. Këtë pikëpyetje e kam pasur gjithnjë të them të drejtën dhe nuk di t’i jap përgjigje!

A është koha për të bërë telenovela sot dhe sa arrin kostoja e një telenovele, në krahasim me filmat artistikë, çfarë diference kanë?
Ky lloj filmi në Shqipëri nuk është i kushtueshëm, është shumë më pak i kushtueshëm se filmat artistikë. Do të thosha se telenovelat bëhen me ¼ e një kostos që arrin një film i zakonshëm. Dhe kjo është fare e vërtetë. Me 150 milionë lekë mund të bësh të tillë filma serial. Pa diskutim tani është koha për të bërë telenovela, sepse nuk janë aq të shtrenjta sa ç’duken! Përfitimi është më i madh nëse do t’i krahasojmë me prodhimet e huaja që blejmë nga jashtë. Telenovelat nga jashtë blihen lirë, ndoshta ky është një shkaqet dhe spaciot e televizioneve mbushen me ato që vijnë me çmim të lirë, por pronarët e televizioneve harrojnë se një telenovelë shqiptare mund të prodhohet dhe jepet herë pas here më shumë se një telenovele e huaj. Publiku ka vërtetuar që edhe me filmat e vjetër shqiptarë është akoma i pasionuar dhe i ndjek. Kjo gjë do të ndodhë më tepër me telenovelat shqiptare që trajtojnë tematika nga jeta e sotme, jeta shqiptare dhe jam i sigurt që kanë një shikueshmëri më të lartë se filmat për të cilët njerëzit kanë nostalgji. Telenovela konsumohet është ushqim i përditshëm. Telenovela konsumohet është ushqim i përditshëm dhe këtu mund të themi se ka një ndryshim nga filmat artistik. Telenovela zakonisht buron nga ngjarje të ditës që merren si të thuash një ngritje në art e përditshmërisë sonë, kurse në filmat artistikë trajtohen edhe ngjarje nga e kaluara, nga historia, në përgjithësi filmi është memoria e kombit.

Nga eksperienca juaj e parë me realizimin e telenovelës “Njerëz dhe fate”, si priten prodhime të tilla artistike në vend?
Mendoj se priten shumë mirë. Pavarësisht se tani është shtuar larmia e programeve, televizionet po ashtu janë zgjeruar, konkurrenca padyshim do të jetë më e madhe kësaj here, por niveli shpresoj është më i lartë se sa hera e parë kur realizuam “Njerëz dhe fate”. Për realizimin e saj ka pasur edhe probleme si një produksion i parë. Por kësaj radhe të metat e konstatuara sigurisht korrigjohen në një punë të dytë. Teknologjia është e njëjtë për të dyja! Unë mund të bëja një krahasim nga fusha e sportit. Një film është një garë 100 metërshe ku dalin sprintorët kurse një film serial, telenovela është njësoj si të bësh garën e maratonës.

Çfarë do të presim nga seria e parë e këtij seriali dhe kur do të kemi mundësinë ta shohim?
Aktualisht, ju keni ardhur në një kohë pune intensive për ne. Jemi në kulmin e punës ku pothuajse kemi xhiruar gjysmën e filmit, gjysmën në terren konkrete, si në pub-e, lokale, rrugë, studio piktorësh, biblioteka etj., ndërsa gjysma tjetër po xhirohen në studiot e radio-televizionit. Filmi do të bëhet gati shpejt, por mendohet që do jepet nga vjeshta kur dhe shikuesit janë më të shumtë para ekranit. Në serinë e parë do të fillojë me prezantimin e personazheve që do t’i shohim në një kohë, gjatë kapërcimit të dy epokave, në kohën kur ndaheshim nga diktatura, komunizmi me kohën kur fillon demokracia. Ka qenë një kohë vërtet shumë intensive, shumë e vrullshme dhe ne po përpiqemi që serinë e parë ta sjellim ashtu siç ka qenë. Me atë ngjyrë, me atë kolor, me atë intensitet që e kanë jetuar shqiptarët atë kohë.

U fol kohë më parë që do xhiroheshin seritë e reja të “Njerëz dhe fate”. Ç’po ndodh me të?
Ne kemi mbaruar 20 seritë. Ruzhdi Pulaha ka shkruar 10 seritë e reja që janë dorëzuar si projekt në drejtorinë e projekteve në RTSH dhe ne presim që të aprovohen, miratohen, për të vazhduar ato seri që vërtetë patën një impakt shumë të mirë te shikuesit shqiptarë.


“Lidhëset e këpucëve” Regjisori Ylli Pepo aktualisht ka në proces dy filma dokumentar. I pari titullohet “Lidhëset e këpucëve” me skenar të Ahmet Shqarrit dhe flet për sportistët tanë të vjetër. “Ne i kemi marrë ata në vendet ku jetojnë sot dhe tregojnë historitë e jetës së tyre, që janë vërtet emocionuese për këdo, pasi janë anë të dy medaljeve: të famës por të një jete të mbyllur dhe të rëndë jashtë stadiumeve. Në qendër është një nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë të të gjitha kohërave që ka luajtur me ekipin e Romës, i cili vjen dhe tregon mbi jetën dhe mbi mënyrën se si ka hyrë në rrugën e sukseseve në atë kohë, kur Italia ishte kampione bote”, tregon Pepo. Etnografja norvegjeze Filmi i dytë dokumentar me të cilin regjisori Ylli Pepo po punon aktualisht është me skenar të gazetares veterane, Suzana Zyrakja, që bën fjalë për një figurë shumë të njohur humaniste norvegjeze, Berit Becker, një etnografe me shumë peshë në Norvegji, e cila ka punuar dhe ka bërë kërkim në malësitë e Shqipërisë dhe veçanërisht në Kosovë. “Në mënyrë të veçantë është angazhuar për të drejtat e njeriut, si një nga themelueset e komitetit shqiptar të Helsinkit. Pikërisht për këtë figurë të njohur, flasin bashkëkohës të saj, njohës të saj, që nga akademikë norvegjezë deri te personalitete të jetës shqiptare, me të cilët ajo pati bashkëpunuar”, tregon regjisori

Nessun commento:

Posta un commento