Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Ç’po bëhet me Teatrin Kombëtar

Ç’po bëhet me Teatrin Kombëtar?!

HISTORIA E DËMSHME E NJË ZVARRITJEJE PAFUND

Nga Mihal LUARASI - Tema

Teatri Kombëtar, ky i pafati i përjetshëm, peng i marrëzive burokratike dhe i pavendosmërisë inkompetente të atyre që, fatkeqësisht, gjithmonë kanë patur në duar fatin e tij, po lëngon tronditjen e rradhës!
Farën e së keqes e të përçarjes që mbolli Londua në oborrin e TK, duke e mbuluar me gjethe e me lule shumëngjyrëshe, nuk e di se kush mund të jetë ai drejtor magjistar që mund ta shkulë e ta kthejë teatrin në normalitet.
Edhe socialistët vetë, sikur të ishin ende në pushtet, do ta kishin shkarkuar beniaminin e tyre, sepse i diskredituari, diskrediton edhe ata që e emërojnë dhe e mbajnë në një vend ku ai bën dëme!
Në këta gjashtë muaj të qeverisë së re, janë shkarkuar disa drejtorë të emëruar nga partia e tyre, paçkase, ndonjëri, nuk ka qënë i paaftë. Në rastin tonë, i sipërpërmenduri, i plotëson të gjitha kushtet, si militant ekstremist, që vendosi çensurën e partisë së tij në Teatrin Kombëtar dhe si i paaftë për të drejtuar një institucion të kësaj rëndësije për kombin tonë. Komb që zotërija e tij, nuk ia di as adresën.
Angazhimi i domozdoshëm i Teatrit Kombëtar, ndaj problemeve të vendit dhe të kombit, të mënjanuara me dashje të dënueshme prej drejtorit që e zhvendosi boshtin ideoartistik të këtij institucioni në kahun e një teatri intratenimenti, pa mesazhe pozitive, duhet të vihet në vend. Përzgjedhja e rastësishme, e atypëratyshme e disa veprave të “ajkës” së dramaturgjisë bulevardeske që nuk i thonë asgjë shikuesit shqiptar, përkundrazi e irritojnë, ka dështuar. Duke e lënë
këtë njeri të papërgjegjshëm, qoftë edhe për një kohë tjetër fare të shkurtër, në krye të TK, s’do të bëhet tjetër veç thellimi i mëtejshëm i krizës egzistuese.
Në këta gjashtë muaj, zotërinj të ministrisë së Kulturës dhe të çdo istancë tjetër që ka kompetenca, ju mundët të gjeni zëvendësuesa për Shaban Sinanin dhe Moikom Zeqon, çuditërisht, nuk po gjeni dot zëvendësues për një nulitet!
Po e quajmë, të pranueshme vështirësinë e të zgjedhurit të një njeriu që të ketë trimërinë për të futur dorën në atë fole grenxash, që është kthyer Teatri Kombëtar prej Kiço Londos, por nuk bëtë as hapin e domosdoshëm e të thjeshtë për të caktuar atje një bord artistik që, si ligji egzistues ashtu edhe një vendim i K. ministrave, e bën të detyrueshëm, i cili do të kish shërbyer si deterent (frenues), i mëndjeshkrepjeve të drejtorit, që vazhdoi i pashqetësuar në linjën e tij destruktive, për të cilën jemi shprehur “njëqind herë”, në shtyp.
Nuk dua të mendoj aspak, se kjo ngadalësi e pakuptueshme, kjo zvarritje qesharake, ka në origjinë të vet shpërfilljen ndaj artit teatror dhe veçanërisht të Teatrit Kombëtar, por, sidoqoftë, një shije të hidhur na i ka lënë.
Gjashtë muaj, janë një kohë e humbur, që mund të ishte përdorur si fillim i kthesës së pritëshme në rrugën e reformimit të sistemit teatror të vendit. Kthesa në Teatrin Kombëtar do të ishte hapi i parë i reformës, sepse ky teatër është modeli, shembëlltyra e artit skenik shqiptar.
Dhe kthesa, reforma, mund t’i hedhë fare mirë hapat e parë, edhe pa u miratuar ndonjë ligj i ri nga parlamenti, ku ligjeve u duhet të kalojnë nëpër rrugën normale dhe atje, ka rradhë.
Dinamika e mirë, që po e karakterizon veprimtarinë transformuese të qeverisë së tanishme, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, shpresojmë që, sa më shpejt, të reflektohet edhe në fushën e kulturës dhe arteve, sepse neglizhimi i problemeve të tyre, mund të ketë pasoja të paparashikuara, nesër.

PARADOKSI I NJË SITUATE ABSURDE

Nga një lëvizje e gabuar dhe e paqartë e Ministrisë së Kulturës, për buxhetin e Teatrit Kombëtar, Kiço Londua u transoformua, si me magji, nga kandidat që priste shkarkimin, në akuzues mediatik kundër qeverisë. Në momentin e duhur, një drejtor që, institucionalisht duhet të ish i depolitizuar, u bashkua me fushatën e zhurmëshme të partisë së tij, duke e kamufluar militantizmin e vet me “keqardhjen për buxhetin e shkurtuar të Teatrit Kombëtar”. Kiços nuk iu “dogj barku” për buxhetin e 2006-tës, sepse e di fare mirë se në këtë vit, ai nuk do të jetë më aty.
I gjendur në mes të baltës të krijuar nga ai vetë, papritur, Londua u kthye në “mbrojtës i Teatrit Kombëtar”!
Sikur gazetarët të marrin mundimin e t’u hedhin nga një sy gazetave të tyre të dy-tre vjetëve të fundit, në numurat ku z. Londo ka mbajtur konferencat e tij të famëshme të shtypit, do të zbulojnë, se shumica e premtimeve të tij të bujshme, nuk janë mbajtur; se shumica e veprave dhe autorëve të shpallur për t’u vënë në skenë nuk janë vënë; se regjisorët e ”mëdhenj” të huaj që do t’i sillte qysh parvjet dhe vjet, ishin vetëm broçkulla dhe tashti, që ndodhi incidenti me buxhetin, derdh lotë krokodili, se me këtë buxhet të vogël ai nuk i thërret dot regjisorët dhe trupat e huaja dhe nuk i realizon dot projektet e tij “të mëdha”! Në kokën e tij nuk ka patur kurrë projekte të mëdha e as të vogla, se ka drejtuar me improvizime sot për sot, e jo me plane perspektive.
Këto ditë të ndezura e të nervozuara, Kiço Londua, në hovin që ka marrë për të “mbivlerësuar” arritje të paqëna me “statistika” të gënjeshtërta, ka paturpësinë të denigrojë Teatrin e Operës dhe Baletit, teatrin që ka bërë dhe po bën të gjitha ato që zotëria e tij nuk i ka bërë për tre vjet dhe që pretendon që do ti kishte bërë sivjet, sukur buxheti të mos ish i vogël!
Buxhet të cunguar morri edhe Teatri i Operës dhe Baletit, por Zhani Ciko, me qetësinë e njeriut të kulturuar, filloi të mendojë si mund ta kapërcejë këtë situatë, pa dëmtuar programet e tij serioze vjetore. Ky drejtor, nuk doli të bërtasë nëpër media se ministria po na shkatërron, por vazhdoi punën dhe pikërisht në këto ditë që Kiçua po i kalon me llogje dhe me nxitje, i dha publikut spektaklin fantastik “I dashur Mozart” me vlera të larta artistike, me bashkëpunime ndërkombëtare siç ka vepruar qysh ditën e parë që u vu në krye të atij institucioni, ku punojnë 190 artistë dhe jo vetëm 32 saç ka TK, ku prej të cilëve aktivizohen dhe fitojnë para, më pak se 10 aktorë!
Por, le ta shqyrtojmë me qetësi gjendjen e Teatrit Kombëtar. Aktorët e organikës dhe ata të tjerët që nuk janë efektivë atje, por lidhen me fije të pashkëputëshme me të, i dinë mirë problemet e atij teatri. Probleme që nuk njihen mirë nga publiku e aq më pak, nga mediat. Prandaj bëhet e nevojshme, që të mos lejohet më të flitet e të shkruhet me hamendje e me përafërsi për to. Dhe, që kjo të mos ndodhë më, duhet zbuluar mekanizmi i funksionimit financiar të teatrit.
Aktorët e këtij teatri marrin një rrogë fikse mujore (min. 200 mijë, max. 280 mijë lek). Veç kësaj paguhen për çdo shfaqje, në bazë të asaj që është quajtur “shpërblim për cilësinë artistike”, nga një minimale prej 70 mijë lekësh në një maksimale prej 200 mijë lekësh të vjetra në natë. “Cilësia” është vetëm një koperturë që nuk hyn fare në hesap. Masa e shpërblimit caktohet nga drejtori në varësi të madhësisë së rolit dhe emrit të aktorit.
Për shumicën absolute të aktorëve fitimi mbi rrogën prej këtij mekanizmi, është i papërfillshëm, kurse për disa prej tyre, fitimi arrin në shifra të larta. Diferenca që, natyrisht duhet të egzistojë në shifra të arsyeshme, midis më të lartës dhe më të ultës, aktualisht është tepër e madhe.
Për mendimin tim ky sistem që ecën mbi dy shina, është anormal. Nuk e di se si e ka zgjidhur apo si po e zgjidh, këtë problem, komisioni i vogël që po bën ligjin. Ky është thelbi i krizës aktuale.
Artistët e skenës, shpesh qahen se “politika nuk e përfill teatrin, se është indiferente ndaj tij.”
Politika nuk do të na dëgjojë, po qe se i drejtohemi asaj, vetëm atëhere kur preken intereat tona vetiake (interesat vetiake të disave), siç po ndodh tani, kur lexuesit e gazetave pandehin gabimisht, se me këtë shkurtim buxheti, aktorët do të mbeten pa rroga!
Le ta ngrenë zërin aktorët për çështjen e mungesës së kombëtarësisë në TK; për çështjen e dramës shqipe; për identitetin dhe fytyrën origjinale, të papërsëritëshme, që duhet të ketë teatri ynë siç e ka çdo teatër tjetër kombëtar në botë!
Po t’i kishin bërë këto më parë, sot do të kishin më tepër sy e faqe, për të folur dhe për të kërkuar. Shumica e aktorëve, nuk janë të kënaqur me aktivizimin minimal ku kanë rënë këto vite, por nuk e kanë ngritur zërin për të ndrequr këtë endikap, sepse rroga nuk u është prekur! Pra, çështja është reduktuar tek paraja. Vini re: cilët janë aktorët dhe regjisori që po bërtasin më fort për buxhetin e shkurtuar? Janë më të privilegjuarit, ata që kanë fituar më shumë, vjet edhe parvjet! Shumica, heshtin.
Në këtë situatë, heshtja është po aq e gabuar sa edhe bërtitja. Sikur trupa, kolektivi, i Teatrit Kombëtar, të mblidhej për të diskutuar, për të arsyetuar të gjithë bashkë për problemin që lindi nga një buxhet i pamjaftueshëm, edhe zgjidhja e mirëkuptimi me shtetin nuk do të mungonte. Por nuk u veprua kështu. Kiço Londua, donte konfliktin, ndeshjen. Për këtë qëllim thirri në konferencën e shtypit, vetëm një pjesë të seleksionuar të trupës, që nuk përbënte as 30 për qind të saj dhe e “shiti” para mediave si “aktorët e Teatrit Kombëtar”.
Ky është rezultati i menaxhimit të mbrapshtë i këtij drejtori.

Nessun commento:

Posta un commento