Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Djali i aktorit të madh, Prokop Mima, rrëfen jetën e babait

Djali i aktorit të madh, Prokop Mima, rrëfen jetën e babait

Florjon Mima: Kush ishin miqtë e tim eti - “Pse e përzunë nga teatri babanë tim”



Blerina Goce


Ndihet krenar që është i biri i Prokop Mimës dhe beson se i ngjan shumë në karakter. Në 85-vjetorin e lindjes së të atit, Florjon Mima i ruan ende të gjalla kujtimet për babanë, por i vjen paksa keq kur kujton ato vite, kur aktori i njohur duhej të mjaftohej vetëm me duartrokitjet e publikut dhe denigrimin e vazhdueshëm nga sistemi. "Kaloi një jetë pa i qeshur buza, gjithmonë me merita të mohuara", thotë Mima, në një intervistë për "Tirana Observer", duke sjellë ndërmend porosinë e të atit për të mos u përfshini në politikë, "edhe kur të vijë dita që të gjithë shqiptarët të përfshihen".

Si e kujtoni babanë tuaj dhe në ç' mënyrë e sillni ndërmend atë?
Tipari kryesor i tij ishte thjeshtësia. Ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Kjo më ka ngelur në mendje nga fëmijëria ime deri ditën që vdiq. Modestinë, përkushtimin ndaj punës dhe ndaj njerëzve mund t' i përkufizoj si tiparet kryesore të tij. Njeri që u mundua që të gjitha virtytet e tij të na i përcillte edhe ne fëmijëve të tij, por nuk ishte imponues. Jashtëzakonisht liberal në marrëdhënie me fëmijët dhe ndoshta kjo vinte nga kultura perëndimore që kishte marrë. Ai nuk kishte studiuar për aktor, por për farmaci me një bursë të qeverisë italiane të asaj kohe, në Padova. Shkoi deri në vitin e katërt në këtë universitet, pastaj pa përfunduar shkollën u detyrua të kthehej, sepse Italia kapitulloi. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, u detyrua që për të mbijetuar të bëhej aktor. Fillimisht filloi të luante dhe angazhohej me teatrin amator. Babai im, ashtu si Sandër Prosi ishte nga ata që u bënë aktorë prej hallit.

Po roli që babai juaj kishte më për zemër cili ishte?
Donte më shumë Xhivolën te "Arturo Ui", që e kishte shqipëruar kunati i tij, Robert Shvarc, dhe mesa di unë, Berti kur përkthente e kishte përcaktuar Kopin në këtë rol. Këtë rol e kishte me shumë qejf. Punonte gjithë ditën, sepse aty kishte edhe një "peng" që duhej të çalonte dhe bënte vazhdimisht prova që të krijonte reflekset e këmbës që ta hidhte në mënyrë të njëtrajtshme gjatë gjithë shfaqjes. Aktorëve kur iu bëhet kjo pyetje, përgjigjen e kanë thuajse të gjithë njëlloj, që aktori i ka rolet si fëmijët dhe i do të gjithë njëlloj. Në fakt, Kopi i ndante këto role dhe thoshte Xhivolën e dua më shumë. I kishte hyrë në shpirt si personazh, punonte me detajet e tij për ta nxjerrë sa më të keq, si kasap. Të mos harrojmë se ai ishte krahu i djathtë i Hitlerit dhe besoj që e ka arritur.

Sa i përkushtuar ishte pas punës babai juaj? Çfarë detajesh kujtoni nga kjo pjesë e jetës së tij?
Nga fëmijëria ime mbaj mend dy tipare të tij, që më janë ngulitur edhe mua. E para që nuk kishte pushim. Edhe kur ishte në periudhë çlodhjeje dilte në bahçe dhe merrej me lulet. Edhe sot e kësaj dite nuk kam arritur të shoh lule të mrekullueshme si ato që kultivonte babai. Lulet ishin fiksimi i tij, por në kohën që merrej me lulet bënte prova për zërin, duke shqiptuar rrokje, gruprrokje në mënyrë që të ishte sa më i kthjellët. Një nga tiparet të cilin ia mbajnë mend miqtë e kolegët e tij është zëri. Por nuk gjykoj që ishte i lindur si aktor. Ai më shumë e kultivoi atë me punë, me punë e vetëm punë.

Përveç luleve dhe të ushtrohej në punën si aktor, me çfarë i pëlqente të merrej tjetër babait tuaj?
Pasioni i dytë që kishte përveç luleve ishte peshkimi. Dimër e verë ai i kushtohej çdo të shtunë e të diel, me ato mundësi rrethanore që ishin. Dikush i sillte ndonjë fildispanjë apo diçka jashtë shtetit, se në atë kohë as grepa nuk kishte dhe punonte jashtëzakonisht shumë. Të vetmet periudha kur ne e gëzonim atë dhe rrinim bashkë ishin 21 ditë leje që merrnim nga 1 gusht-21 gusht e shkonim në Durrës. Por edhe atëherë, ai ishte gjithmonë duke peshkuar dhe ne e ndihmonim mbrapa për karremat e me radhë.

Sa i përkushtuar ishte ndaj rolit dhe mund të na rrëfeni për mënyrën sesi ndihej babai juaj para ose në fund të një shfaqjeje?
Ishte tip jashtëzakonisht i ndjeshëm. Mbaj mend njëherë që e kishin ngarkuar të ngrinte një trupë teatri në Librazhd, një tjetër në Gramsh, pra, zona të pazhvilluara nga ana artistike. Shkoi punoi me shumë pasion, e ngriti dhe di që ditën e fundit kur do jepej shfaqja, kishte aq emocione sa i kishte ikur zëri komplet. Ishte tip që jetonte me rolin. Jam larg skenës dhe nuk mund të them tamam ç' emocione ka provuar, por duke e gjykuar si tip, ashtu siç ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm në shtëpi, them që i tillë ishte edhe në skenë.

Ju tregonte për rininë e tij dhe fillimet në teatër?
Më tregonte kur arrita një moshë madhore, që mund të diskutonim bashkë. Kishte një lloj ftohtësie që unë e ndieja edhe nga shokët e mi, miqtë e mi, mësuesit, nga komshinjtë. Kishte diçka që kishte ndodhur me këtë njeri dhe unë nuk e dija. Kishte një enigmë shumë të madhe që unë nuk e dija. Pyesja vazhdimisht farefisin, hallat e mia dhe kur ka zënë shtratin e vdekjes kemi bërë një bisedë goxha të sinqertë. Atje më ka treguar gjithë rininë e tij. I vetmi faj i Prokop Mimës ishte që si mijëra të tjerë u renditën karshi Ballit Kombëtar dhe jo krah rinisë komuniste të asaj kohe. Edhe bursa që ai mori në Itali, bëri që detyrimisht të regjistrohej edhe te rinia fashiste. Por, Prokopi ishte totalisht i papërfshirë në këto aktivitete, qoftë me Ballin, qoftë me rininë fashiste dhe i vuajti gjithë jetën këto "dy krime" të pabëra, që sot nuk janë mëkate. Ai ishte një fëmijë 21 vjeç. Ai ishte i bindur që shumë shpejt demokracia do të vinte edhe në Shqipëri. Ai vdiq në 18 gusht të vitit 1986, por kishte bindjen se shumë shpejt regjimi komunist do të binte edhe në Shqipëri, por e thoshte me shumë keqardhje këtë. Kaloi një jetë pa i qeshur buza, gjithmonë me merita të mohuara. Kurrë nuk kërkonte më shumë sesa i takonte dhe porosia e tij në mënyrë indirekte ishte; mos u përfshini në politikë, edhe kur të vijë dita që të gjithë shqiptarët të përfshihen.

Mund të na tregoni ndonjë rast të veçantë kur babai juaj "është djegur" nga politika?
Kuptohet kishte shumë detaje dhe unë di plot të tilla, ku intrigohen edhe personazhe goxha të njohur të botës së artit, por e vërteta ishte që ishte vazhdimisht në një denigrim sistematik.
Në botën e artit priten të gjitha. Një nga rolet e tij më të mira ishte prifti te "Cuca e maleve", që ai vërtet e donte dhe vetëm për shkak të kësaj që vuante një lloj persekutimi të hekurt nga Organizata e Partisë dhe Partia Komuniste, Kopit iu hoq roli dhe iu dha dikujt tjetër. Ngjarje të tilla kishte me dhjetëra, por kurrë nuk ankohej, por unë e kuptoja sa vuante për atë që i bëhej. Ka marrë titullin "Artist i Merituar" në fund të jetës së tij artistike, shumë pak para se të dilte në pension. Edhe dalja në pension erdhi e detyruar. Aktorë të atij kalibri në atë kohë janë në kulmin e veprimtarisë artistike. Por e përzunë dhe shpesh debatonte me artistë të fushave të tjera. Shprehja që ai thoshte: Aktorit po i hoqe skenën ka vdekur. Ai vërtet vdiq shumë shpejt, pasi doli në pensionin e detyrueshëm, një ligj absurd i regjimit komunist.

Cilët ishin ata kolegë të cilët babai juaj i kishte më për zemër?
Kishte miq mjaft të mirë. Sandër Prosi ishte një nga miqtë e tij më të mirë. Ndrek Luca po ashtu, Pjetër Gjoka, Lazër Filipi, regjisori Pirro Mani, Mihal Popi, Roza Anagnosti, Ferie Alibali etj.

Po ata njerëz për të cilët kishte më shumë rezerva?
Këtu asnjëherë ai nuk përmendte emra. Ne e kuptonim kush ishin këta. Ishin përgjithësisht aktorët e lidhur me partinë ata që jetonin. Shumë prej tyre janë aktorë të mëdhenj, por me Prokopin ata marrëdhënien nuk e kishin në rrafshin profesional. Diskordanca vinte më shumë për shkak të pikëpamjeve politike dhe të shkuarës së tij haptas antikomuniste.

Kishte dëshirë që fëmijët e tij të vazhdonin rrugën e artit?
Kishte. Mbarimi i gjimnazit në atë kohë për meshkujt ishte një vit i detyruar stazhi dhe unë kam mbaruar në '80-ën dhe u caktova të punoj në tarracat e Tiranës, kurora e Tiranës e asaj kohe. Mbaj mend që në atë kohë kam bërë një bisedë me tim atë. Atëherë rregulli ishte që kush dilte mirë me mësime aplikonte për tri degë. Unë kisha dalë mjaft mirë. Pasioni im ishte letërsia. Lexoja shumë dhe shkruaja në atë kohë. Bëmë një bisedë dhe më tha: "Kam dëshirë që të bëhesh aktor. Mendohu, janë këto të mira, por ka edhe këto anë negative. Do të më kthesh përgjigje." Mirë, do të mendohem, i thashë dhe vendosëm që do t'i ktheja përgjigje pas një viti. Fiks pas një viti më thirri e më tha: Kemi lënë një gjë përgjysmë. - Po, më kujtohet- i thashë. Në fakt, unë nuk isha menduar thellë, por e gënjeva dhe i thashë: Nuk do të bëhem aktor. Më dha dorën dhe më tha: Paç fat. Siguroje jetën me krahët e tua, me nder, me faqe të bardhë kudo që të jesh. Pra, nuk ishte imponues. Po nga kjo kohë kam një detaj tjetër që në vijim të asaj që thashë më parë. Kur një fëmijë fillonte cigaren dhe hynte babai duhej patjetër të fikje cigaren se ishte shenjë respekti. Një gjë e tillë më ka ndodhur dhe mua, pikërisht kur kam mbaruar maturën. E mori vesh që pija cigaren dhe bëmë një bisedë shumë të shkurtër. "Unë të këshilloj të mos e pish, se të bën keq por nëse do ta pish nuk do ta pish në banjë, por do të vish ta pish me mua në kuzhinë. "Po, do ta pi", - i thashë, dhe që atë ditë e fillova cigaren. Pra, cigaren e kam "peshqesh" nga im atë dhe nga vullneti im i dobët për ta lënë.

Si e kujtoni babanë tuaj në fund të jetës së tij?
Në janar të vitit '86 u rrëzuar nga shkallët ku po bënte një krasitje në bahçe dhe që nga ai moment nuk u çua më kurrë në këmbë. Ajo ishte një periudhë shumë e keqe, pasi deri në 10 korrik ishte goxha mirë nga ana mendore dhe ai e kuptoi që nuk i bëhej dot derman dhe ra në pesimizëm. Pastaj nga data 10 korrik deri në 18 gusht ka qëndruar në gjendje kome, sa edhe vetë mjekët u habitën. Kjo është periudha e fundit e jetës së tij, që mua s' më vjen mirë ta përmend. Ishte shumë e dhimbshme dhe ai u shua dalëngadalë në moshë të re, vetëm 66 vjeç. Kuptohet në një vend tjetër, me më pak shumë kujdes, ai do të kishte mundur të jetonte pa frikë edhe 20 vjet të tjera, pasi ishte shumë i fortë. I dobët në trup, por i fortë.

Kishte ndonjë dëshirë që nuk e realizoi dot dhe i mbeti peng për aq sa jetoi?
Ëndrra e tij mesa unë kam kuptuar ishte që ai regjim që ishte instaluar në Shqipëri të largohej. Ai nuk mundi të shihte rënien e atij regjimi, por fatmirësisht pa vdekjen e diktatorit Hoxha dhe them që kjo i ka plotësuar një pjesë të ëndrrës së tij për të parë ata shqiptarë që i nxinë jetën pjesës më të madhe të shqiptarëve të tjerë të largoheshin. Nuk besoj se ka pasur ndonjë peng tjetër përveç kësaj.

Pasaporta

Emri:
Prokop
Mbiemri: Mima
Ditëlindja: 8 korrik 1920
Vendlindja: Durrës
Data e vdekjes: 18 gusht 1986

Rolet

Teatër:
"Topazi", "Cuca e maleve", "Hamleti", "Pas vdekjes", "Lumi i vekur", "Morali i zonjës Dulska", "Përkolgjinajt", "Intrigë e dashuri", "Arturo Ui", "Toka jonë", "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur".

Filma: 1975: "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur", 1979: "Emblema e dikurshme", 1980: "Intendenti", 1980: "Vëllezër e shokë".


Familja

"Nëna ishte mësuese matematike, jashtëzakonisht e rreptë. Në fakt, ajo e mbante shtëpinë. Për Prokopin ishte vetëm skena, bahçja me lule dhe peshkimi. Absolutisht gjë tjetër. Nëna ishte e hekurt, qoftë për të gatuar, qoftë për të larë e për të shpëlarë, apo për t'u kujdesur për fëmijët."

Lotet e Mimes

Ai vetë ishte mjaft komod. Nuk luftonte kurrë për tituj e ofiqe. Ai boll që kishte vendosur një raport me komunitetin e spektatorëve dhe ndihej mjaft mirë kur spektatori e duartrokiste. Qante vazhdimisht në mbylljet e shfaqjeve, salla shpërthente në duartrokitje dhe ai ishte shpërblimi i vërtetë që donte.


Marre nga Tirana-Observer

Nessun commento:

Posta un commento