Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Drita Agolli: Teatri Shqiptar po përfaqsohet me vepra dekadente

Drita Agolli: Teatri Shqiptar po përfaqsohet me vepra dekadente



Aktori është mbreti i skenës, jo regjisori edhe pse ai është në të gjithë frymëmarrjen e spektaklit. Teatri është një ansambël i tërë, është skenografi, muzikanti, aktorët edhe punëtorët. Atëherë nuk e kuptonin rolin e regjisorit, por edhe sot nuk kanë arritur t’a kuptojnë akoma. Drita Agolli është regjisorja e parë femër në Shqipëri. Ka lindur në Maqellarë të Peshkopisë në vitin 1927. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare është aktivizuar në organizatën e Rinisë Antifashiste. Pas çlirimit ajo ka punuar për pak kohë në presidiumin e Kuvendit popullor. Në vitin 1950 u pranua si aktore e Teatrit Popullor ku interpretoi disa role. Në vitin 1954 ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukureshtit,në Rumani, për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator të vitit 1956 vijoi studimet e larta në ish Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin “Gitis” për regji teatri. Këto studime i mbaroi me rezultate maksimale në vitin 1960. kur u kthye në atdhe u emërua në Teatrin Popullor si aktore dhe si pedagoge e jashtme në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”. Ku u themelua Instituti i Lartë i Arteve në vitin 1965 u emërua si pedagoge definitive në degën e dramaturgjisë, ku punoi përkrah personaliteteve të artit dramatik siç janë: Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Esat Oktrova etj. Në vitin 1974 emërohet shefe katedre e Degës së Dramaturgjisë dhe në vitin 1985 për veprimtarinë e saj të gjerë si aktore, regjisore dhe pedagoge në fushën e artit dramatik nderohet me titullin “Artiste e merituar”. Më pas në vitin 2001 nderohet edhe me titullin e lartë “Mjeshtre e madhe”. Si aktore ka interpretuar disa role, ndërsa si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit Popullor, të Operës dhe në mjaft teatro të rretheve, 13 drama, përveç premierave të vëna në skenë me studentët e Institutit. Një nga meritat e saj në fushën e pedagogjisë është përgatitja e disa breza aktorësh, të cilët sot konsiderohen si thesar të artit dramatik e kinematografik shqiptar. Për regjisoren Drita Agolli janë botuar një sërë artikujsh kritikë. Ndërmjet tyre përmendim : Cuca e maleve në skenën tonë”, e botuar në gazetën “Bashkimi”, “Shfaqje që të rrëmben me forcën e saj ideo-artistike”, botuar kjo në gazetën “Mësuesi”, “Trefytyeshmëria e aktorit” në revistat “Skena” dhe “Ekrani”, “Nga salla: vlerësime për skenën”, botuar në gazetën “Drita” , “Më shumë role sesa vite” edhe ky artikull është botuar në revistat “Skena” dhe “Ekrani” dhe për t’a mbyllur këtë mori artikujsh përmendim edhe “Kur zgjohet lashtësia”, botuar në gazetën “Zëri i Popullit”.

Si e u bëtë regjisore dhe si ndiheni sot nga e gjithë puna juaj?

Unë kam pasur rastin të shkoj në shumë shtete edhe pse nuk kam dashur. Kudo që kam shkuar kam përfituar. Në Rumani unë hyra në institutin e “Belarteve” për t’u specializuar për kostumografi dhe skenografi. Pastaj u transferova në Moskë. Gjatë kësaj rruge shkova dhe në Berlin dhe pata mundësinë të shikoja teatrin e Brehtit, trupën e saj teatrale. Meqë në Moskë nuk kishte institut për këto, të cilat unë u studioja atëherë bashkëshorti im bisedoi me ministrin e kulturës së asaj kohe dhe ai më rekomandoi Institutin Gitis. Këtu unë shikoja edhe interpretime të pjesëve me vlera të mëdha botërore. Në këtë institut unë mbarova studimet për regji. Kur njeriu ka një protestë, një revoltë të brendshme gjen një mjet për t’u shprehur dhe unë kam nisur të shkruaj për të shprehur këtë revoltë të vetvetes. Kjo më ka ndihmuar që të mos rri pa bërë asgjë por të angazhohem vazhdimisht me diçka. Kur erdha këtu isha regjisorja e parë, edhe pse ka pasur të tillë në kohën e rilindjes. Kam qenë e specializuar ne degën e regjisë, ndaj puna ime ka qenë njëkohësisht e vlerësuar dhe shumë e lodhshme. Nuk e ushtrova që në fillim profesionin tim, por u caktova si aktore dhe më pas pedagoge në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Kam qenë ndër pedagoget e para në Institutin e Lartë të Arteve. Këtu isha udhëheqëse artistike dhe pastaj u bëra dhe shefe katedre. Gjatë kësaj kohe luaja edhe pjesë në skenë. Kisha shpresa të isha edhe regjisore e teatrit. Kjo ishte një goditje për mua në anën e ndjenjave, edhe pse ishte pozitive. Për pjesët që kam vënë në skenë, më kanë folur shumë mirë. Këtu jam vlerësuar, kritika më ka vlerësuar shumë, por tani jam e zhgënjyer.

Ju keni qenë edhe aktore, mund të përmendni disa nga rolet Tuaja?
Sapo kam mbaruar studimet, me të ardhur në Shqipëri jam caktuar aktore në Teatrin Popullor. Aty kam luajtur disa role si aktore. Por aktrimi im ka qenë i shtrirë edhe në Moskë edhe në vende të ndryshme të Shqipërisë. Dua të përmend këtu rolin e Merieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, Biankën tek “Otello” nga Shekspiri, Gertrudën tek “Hamleti” edhe kjo vepër e Shekspirit. Kam vazhduar interpretimet më pas në vitin 1961 ku kam pasur rolin e Kleas tek “Dhelpra dhe rrushtë” vepër e Figueredo, Ortensian tek “Zonja e bujtinës” e Goldonit. Në vitin 1962 kam luajtur rolin e Dritës, njësoj sikurse edhe quhem, mbase prandaj është edhe një arsye më shumë që më pëlqen tek “Mbi Gërmadhat” e Fadil Paçramit, Anardën tek “ Qeni i Kopshtarit” nga Lope de Vega. Nuk mund të lë pa përmendur edhe “Xhaxha Vanja” veprën aq të madhe të Çehovit ku kam luajtur Elenën dhe së fundmi ka qenë edhe Donna Luçia tek “Karnavalet e Korçës”. Më ka pëlqyer edhe të jam aktore, edhe pse nuk kam studiuar për një degë të tillë, por gjithsesi rolet e mia i kam dashur dhe i kam luajtur me pasion dhe ndaj janë ende në mendjen time. Unë kujtoj çdo rol apo pjesë të veprës me shumë nostalgji dhe dashuri si për ato role teatrale, por edhe për ato kinematografike.

Pas aktrimit keni ushtruar profesionin Tuaj të vërtetë, atë të regjisores. Cilat janë ato vepra ku Ju i keni falur artit teatral dashurinë që ka artisti?
Puna e një regjisori është e vështirë, por njëkohësisht edhe shumë e bukur. Ai i jep një fytyrë aktorit duke e përqendruar dhe duke e lidhur gjithmonë e më ngushtë me veprën. Unë nuk kam vënë shumë shfaqje në skenë, ato janë vetëm 14. Përmend këtu “Shtrëngata” e Cao, “Roje nënë Lampat e Neonit” nga Shen Shi-Men dhe Lu Shin-Çen, “Toka e zjarrtë” dhe idenë e këtij romani e kam dramatizuar vetë unë. Është romani “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës një ndër pjesët me të cilën unë me një karrocë kam shfaqur tërë veprën madje edhe gruaja shtatëzanë ka lindur në këtë karrocë. Në atë kohë u vlerësua shumë edhe nga publiku edhe nga koha pati vlerësimin, të paktën mendoj unë që e meritonte. Më pas në vitin 1978 kam vënë “Pabesia” dhe në 1979 ka qenë “Luiza Miller” e Shiler. E veçantë për mua ka qenë edhe opera “Vjosa” me kompozitor Tish Daia, po e një niveli të lartë ka qenë edhe pjesa e shkruar nga Sulejman Pitarka “Familja e Peshkatarit”. Në vitin 1983 ka qenë “te Ura” e Mihallaq Jero, po një vit më pas “Djali Plangprishës”. Deri në vitin1988 e kam ndërprerë dhe në po këtë vit kam ardhur me një pjesë të Minarollit “Shënomëni dhe Mua”, Kam vënë në skenë edhe një pjesë të Garsia Lorka tek “Marianida Pineda”. Vepra e fundit ka qenë nga Luixhi Pirandelo në vitin 2000 “Njeriu, Virtyti dhe Kafsha”. Kjo ka qenë veprimtaria ime si regjisore. Çdo pjesë për të cilën kam punuar, kur e kam parë në skenë kam ndjerë emocione, që mund ti ndjejë vetëm një artist pasi artisti është shumë i lidhur me pjesën dhe rolin që merr përsipër. Aq më tepër unë vetë jam shumë e ndjeshme ndaj çdo fenomeni, ideje apo problemi që ka vepra, por njëkohësisht duke ju bashkangjitur veprës edhe realitetit. Nuk mund t’i shpëtojmë dot një realiteti të cilin e jetojmë vazhdimisht.

Çfarë përfaqëson për Ju arti i teatrit?
Arti është bukuria shpirtërore, kultura. Çdo art ka rëndësinë e tij. Por arti teatror është krejtësisht i veçantë. Për shembull, në film një personazh apo figurë mund të merret disa herë. Në filmin “Skënderbeu”, regjisori i tërhoqi vëmendjen aktores që interpretonte motrën e Skëndërbeut dhe kur e pa që asgjë nuk po shkonte siç duhej në fund e qëlloi. Pas këtij momenti, ajo e mori sërish veten dhe vazhdoi provat. Ky ishte një moment dëshpërimi. Kurse në teatër aktori hyn në skenë, interpreton dhe komunikon me spektatorin vetë, i gjallë. Aktori duhet të jetë avokat, prokuror i rolit dhe të përcjellë mendimet. Pra ai ka dy misione të rëndësishme. Teatri pasqyron dhe njëkohësisht është edhe qenia e gjallë. Mora si shembull filmin sepse, edhe arti vizual është një art ndryshe nga teatri duke filluar që nga muzika e deri tek dëgjimi. Prandaj secila prej tyre ka specifikën e saj. Teatri ka si detyrë kryesore të japë emocione dhe mendime. Në një pjesë që vihet në skenë regjisori është kryesori, ai që drejton ansamblin. Regjisori për rreth 2 orë e thith spektatorin, në qoftë se interpreton veprën siç duhet dhe e çon në epoka, në periudha, në realen dhe spektatori që e dëgjon në skenë duhet të mbajë qëndrim në lidhje me problemet dhe ngjarjet që shtrohen. Teatri është një kulturë më vete dhe këtë kulturë ai do t’a japë për një kohë të caktuar. Dhe për këtë arsye duhet të jetë shumë i disiplinuar aktori dhe shumë serioz, njëkohësisht në atë që thotë tërthorazi duke disiplinuar dhe sallën me spektatorë. Kryesorja është edhe ideja e pjesës që vë në lëvizje të gjitha veprimet, konfliktin, marrëdhëniet, atmosferën e të gjitha të tjerat së bashku. Ky është teatri. Ai është i emocionit dhe i mendimit. Teatri ka krejtësisht një karakter ndryshe nga artet e tjera, prandaj ka edhe specifikën e tij që duhet të theksohet. Spektatori nuk shkon në teatër të angariset, jo të qeshë, por të përfitojë sa më shumë. Kultura dhe arti janë pararoja e shoqërisë dhe kundrejt kësaj pararoje ne duhet të jemi serioz dhe të ndërgjegjshëm. Në atë kohë ishte një estradë, një cirk, një teatër. Jo vetëm lozhat, por edhe papafingot ishin të mbushura, kur shfaqej një teatër. Ai ishte jashtëzakonisht i preferuar. Edhe pjesët që kemi vënë ne në skenë,jo vetëm unë, ishin shumë të zgjedhura, ishin kryevepra. Problemet dhe ngjarjet që shtron ai, spektatori duhet t’i shijojë dhe të ndjejë po aq sa edhe aktorët. Teoricienët thonë se në komedi duhet të jesh shumë më serioz. Sa më serioz të jesh në momentin komik aq më shumë do të qeshësh.

Kush është roli i regjisorit tek një vepër, e cila vihet në skenë?

Roli i regjisorit nuk është i pakët. Ai duhet të ketë shumë kulturë, të jetë shumë vëzhgues në gjithçka që ndodh rreth tij në ngjarjet, në episodet, në portretet dhe ashtu siç është regjisori, ashtu ai duhet të ushqejë edhe aktorin. Regjisori duhet të jetë gjithmonë lexues dhe vëzhgues. Sigurisht që kam punuar me skenograf, por kam punuar edhe si ndihmëse e skenografit, pasi edhe kam studiuar për skenografi për dy vjet. Mua nuk më pëlqejnë dekoret e mëdha. Më përpara edhe regjisorët e mëdhenj me një sfond, me dy apo tre objekte kanë interpretuar. Në fund të gjithçkaje mbetet interpretimi. Shpenzimet sot për të vënë një shfaqje janë të mëdha, kjo nuk është e nevojshme, sepse edhe dekoret nuk duhet të jenë të shumta, flas për ato që kam parë dhe lexuar dhe nuk duhet t’i largohemi asnjëherë reales. Aktori është mbreti i skenës, jo regjisori edhe pse ai është në të gjithë frymëmarrjen e spektaklit. Teatri është një ansambël i tërë, është skenografi, muzikanti, aktorët edhe punëtorët. Atëherë nuk e kuptonin rolin e regjisorit, por edhe sot nuk kanë arritur t’a kuptojnë akoma. Nuk duhet t’a ngarkosh skenën e shfaqjes. Lëre të thjesht, me një sfond, zhvilloje skenën dhe jep dy apo tre objekte. Dekori nuk është gjithçka për skenën. Dekor i saj është aktori. Regjisori është në tërë frymëmarrjen e spektaklit dhe të gjitha janë në dorë të tij. Regjisori nuk mund të bëj dot pa skenografin, muzikantin, kostumografin apo pa aktorin. Ky është një ansambël i tërë.

Si ka qenë arti i teatrit në vitet ’85 dhe si e shihni Ju këtë tani?
Ato pjesë i përkisnin një repertori të veçantë dhe përcillnin ide dhe mendime të ndryshme tek spektatori. Kurse sot një spektakël natën e parë ka një publik prej 50 vetash, të nesërmen 30 dhe pas një farë kohe ai vdes. Nuk është kuptuar akoma që ne jemi të pasur si komb me arte të zhanreve të ndryshme. Akoma dhe sot ende disa njerëz nuk e kanë kuptuar se ç’është teatri. Në atë kohë arti, brenda tij dhe teatri ishin të ndikuara nga politika. Preferoheshin më shumë pjesët shqiptare të dramaturgëve me emër. Ajo kohë ishte kundra modernizimit edhe në art. Ishte një komunizëm paksa strikt. Kishim dhe jetonim me teorinë e Marksizëm - Leninizmit. Edhe në atë kohë smira në art ka ekzistuar, por që nuk lejohej dhe ushqehej. Ka pasur gjëra të këqija ka pasur edhe të mira dhe ne nuk mund të mohojmë 50 vite të historisë së kombit tonë. Ato vite kanë qenë të mira, por edhe të këqija. Shqipëria nuk mund të bëhej fener i komunizmit.

Si e cilësoni publikun Shqiptar?
Publiku është si t’a drejtosh. Rinia është e ardhmja jonë. Në qoftë se kjo rini nuk personalizohet, nuk merr kulturë, dije dhe rri nëpër lokale, atëherë asgjë nuk do të eci përpara. Madje një pjesë e tyre janë bërë mish i gjallë për biznes dhe unë nuk mund të pajtohem me këtë. Faik Konica ka thënë një shprehje shumë të bukur “ Ç’ju pëlqen tek femra? Personaliteti i saj”. Sot shkojnë ajo pjesë e vogël që ruan dhe ka mbajtur gjallë dashurinë për teatrin. Ka pjesë të dramaturgëve të mrekullueshëm. Ne marrim vepra për ti vënë në skenë, por marrim ato që janë skarco dhe i bëjmë kryevepra. Ç’më thotë mua ajo vepër, më përgjigjet në atë mision që ka teatri që arti është i mendimit dhe i emocionit? Çfarë edukate mund të marrësh nga një vepër e tillë? Dhe për mendimin tim kjo është një arsye thelbësore që publiku i teatrit është reduktuar paksa si shumë. Po të kisha mundësi teatrit shqiptar do t’i ndryshoja shumë. Në radhë të parë kryesore është që ne të kuptojmë misionin e teatrit. Edhe e qeshura në komedi ka një qëllim. Në komedi aktori duhet të jetë akoma më serioz se në dramë. Sa më serioz të jetë ai në figurën e tij, aq më shumë hyn në mendjen e njerëzve ajo që ka dashur të thotë autori me veprën. Problemet që shtron teatri nëpërmjet shfaqjeve duhet ti thithim jo të mbajmë qëndrim. Do kisha bërë një zgjedhje të pjesëve për të vendosur në skenë si ato të huajat edhe ato shqiptare. Por edhe për teatrin nuk investohet nga ana financiare.

Libri që është shkruar nga vetë Ju titullohet “I paemri”, pse ky titull?

“I paemri”. E kam titulluar kështu, sepse është superkoshienca, është ndërgjegjja, është personi dhe mbi të gjitha është gjithçkaja. Unë e kam ndarë botimin tim në tre pjesë, të cilat përbëjnë tre periudhat më të rëndësishme të veprimtarisë time profesionale. Pjesa e parë është ajo që tregon për jetën time si studente në degën e artit dramatik, në Moskë, ku unë përballoj me shumë vështirësi detyrat e një studenteje të re. Pjesa e dytë e librit ka të bëjë dhe tregon për problemet e mia kur filloj punën dhe zhgënjimi, i cili vjen tek unë që ditën e parë të saj. Unë jap me një figurë artistike dhe fus në skenë “Njeriu pa emër” dhe ky njeri është një dublim i vetes time, një ego tjetër. Në çastet më kritike të mia shfaqet ky njeri i paemër dhe me një përpjekje të brendshme, ai më nxiti, qetësoi dhe më dha kurajën për të shkuar përpara. Pjesa e tretë e biografisë time flet për jetën time si pedagoge dhe që spikat profesionalizmin, humanizmin dhe dashurinë time për të rinjtë duke dashur t’u jap atyre kulturën, edukatën personale dhe për t’u shtuar një botëkuptim më të gjerë artistik. Kjo sepse, unë të ardhmen e artit skenik shqiptar e shoh tek rinia. Unë jam për një art realist dhe këtë dëshirë timen e pasqyroj edhe tek ky libër. Unë e adhuroj artin kombëtar dhe kam dashur të nxjerrë në pah tek veprat që kam vënë në skenë pasuritë artistike dhe traditën që ka kombi ynë.

Keni programe për të ardhmen?
Kam propozuar tre pjesë shumë të mira për t’i vënë në skenë dhe ky propozim i imi nuk u pranua. Sa keq që nuk e kuptojnë këtë popull që ka vuajtur aq shumë. Shekuj e shekuj luftërash. Tani që po shkruaj për këto figura grash dhe e kam filluar, që me mbretëreshën Teuta nuk jam bazuar në ato që janë shkruar më përpara, sepse ato ishin të datuara dhe unë i kam lënë mënjanë këto data duke i marrë në realen, në konkreten. Kam përdorur edhe fantazinë si për shembull, Teutën e kam vënë në bregdet duke u futur më tej në kanalet e historisë. Për momentin ky libër mban titullin “Portrete grash”, por që ende nuk ka mbaruar dhe mund edhe t’a ndryshoj paksa.

Nessun commento:

Posta un commento