Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Flet aktori Vasjan Lami: - "Teatrin do ta ndjek deri në fund të jetës"

Vasjan Lami

Flet aktori Vasjan Lami: - "Teatrin do ta ndjek deri në fund të jetës"

Iva MUSARAJ

Të gjithë e njohin se kush është Vasjan Lami. Mjafton të përmendim se ai është një aktor i njohur i skenave dhe teatrove shqiptare dhe menjëherë të shkon ndër mend se kush është ai. Vasjan Lami njihet nga të moshat e mëdha, por ai njihet dhe nga teleshikuesit apo dhe artëdashësit më të rinj në moshë. Lami ka 56 vjet mbi supe, por ato nuk i duken lehtë sepse është shumë i zoti për të "fshehur" moshën e tij. Ka mbaruar konservatorin në degën e dramës. Ai ka interpretuar rreth 10 role kryesore. Ku ndër to më të spikaturit janë: "Plaku dhe hasmi" në vitin 1981 më pas vijojnë, "Një vit i gjatë", "Telefoni i një mëngjesi" , të vitit 1987. Në vitin 1999 "Valsi i ngrirë në Prishtinë" dhe një tjetër punë e tij, e cila është dhe më e fundit, është "lule të kuqe, lule të zeza". Karrierën e tij e nisi me filmin e tij të parë, "Fusha e blertë, fusha e kuqe". Vasjan Lami ka interpretuar dhe role të ndryshme në Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku ka luajtur në drama të ndryshme, ai gjithashtu ka interpretuar dhe role në teatrot e Durrësit, si dhe të Fierit, në të cilët është ngjitur në skenë me role të ndryshme. Vasjan Lami u prononcua për gazetën "Sot" dhe tregon gjithçka për filmin e tij më të fundit "Lule të kuqe, lule të zeza".

Filmi juaj i fundit kishte një karakter ndryshe nga ata që jemi mësuar të shohim, sa i kënaqur ndjeheni me këtë fakt?
Ky film është e vërtetë që ishte ndryshe nga të tjerët. Ndonëse nuk ishte e vështirë për të gjetur material, pasi filmi bënte fjalë për, ngjarjet dhe shpërbërjen e shqipërisë në vitin 1997.

Çfarë trajtonte ky film nga Shqipëria e 1997-tës?
Personazhi kryesor i filmit është një ish-polic. Kam pasur rastin të interpretoj dhe rolin e një ish-polici të kohës së komunizmit. Ky ishte një uniformë blu shteti, i cili shumë kohë më parë kishte ruajtur rendin publik, por që prej kohësh nuk kryente më atë funksion. Ky polic, i hequr nga puna priste të rivihej në pozicionin e policit. Ai ishte një njeri që vegjetonte në një fashat të largët të shqipërisë. Në atë zonë të humbur në një cep të shqipërisë ishin disa personazhe, të cilët "shtynin" dhe e përballonin jetën "shtëngueshëm" në atë provincë ku zhvilloheshin ngjarjet. Mirpo si karakter duhej një personazh sa tipik dhe sa i veçantë kështu që mu desh të krijoja një polic, i cili të ishte më afër meje. Si personazh ishte tepër interesant.

Me cilin bashkëpunuat në këtë film dhe si ishte ky bashkëpunim?
Në këtë film kam bashkëpunuar me të madhin Mevlan Shanaj dhe ky bashkim i yni ishte i mrekullueshëm. Kjo është një gjë e mirë, pasi është regjisori ai, i cili krijon dhe harmonozon atmosferën artistike, marrëdhëniet në grup.

Keni hasur vështirësi gjatë filmit?
Një vështirësi e madhe ishte problemi i parave. Filmi "Lule të kuqe, lule të zeza", është bërë vetëm me para shqiptare, pasi nuk mundi të gjente donatorë të huaj. Ishte shumë i shtrëngueshëm nga ana ekonomike, por që regjsori i filmit, Mevlan Shanaj zgjodhi një ekip miqshë. Ai bashkëpunoi me Bujar Lakon, me mua dhe ne kemi pasur një marrëdhënie shoqërore, zgjodhi një operator të talentuar, me të cilin gjithashtu kemi miqësi të vjetër. Në përgjithësi grupi i aktorëve ishte shumë i mirë dhe u xhirua me njerëz, të cilët krijuan një staf të mrekullueshëm si, Yllka Mujo, si dhe shumë kolegë të tjerë të mi, gjëra që bërën dhe vazhduan procedurën e këtij filmi. Pavarësisht vështirësive ekonomike ne nuk e ndjemë fare sepse ia kemi kaluar shumë mirë nga ana filmike, shoqërore dhe miqësore.

Çfarë ju thanë kur mbaroi filmi, ju përgëzuan?
Për personazhin u thanë fjalë të mira. Dhe unë ndjeva një kënaqësi. Çdo aktor kur merr përsipër një rol, mundohet të gjejë diçka ndryshe nga ato që ka bërë dhe me këtë sens mendoj se ai personazh që unë interpretova ishte ndryshe dhe është normale që aktori në çdo personazh fut veten e tij. Në momentin ku ai krijon një lloj ngjyre nga një interpretin në tjetrin kjo është një kënaqësi për aktorin. Mendoj se ky rol u prit mirë.

Sa para u shpenzuan për këtë film?
Tarifat ishin minimale, por në varësi të ofertës vjen dhe kërkesa. Në Shqipëri po bëhet një film në vit dhe kënaqësia dhe satisfaksioni profesional e mbyti atë kërkesën ekonomike. Nuk shkuam për para, sepse me aq para sa shpenzuam për qëndrimin tonë atje nuk arritëm t'i merrnim dot. Pra shpenzuam më tepër se sa morëm. Megjithatë vlera profesionale dhe morale ishte e pallogartishme me paranë.

Ju keni interpretuar shumë role moralizues, por ndonjëherë dhe personazhe negative. Ju ka vrarë ndonjëherë ndërgjegja se jeni bërë moralizues apo dhe negativ?
Është interesante sepse ne këtë sens unë kam interpretuar në filmin "Hije që mbeten pas". Personazhi im në atë film nuk është moralizues, por është thjesht një personazh pozitiv, klasik i kohës së komunizmit, pra një inxhinier, i cili nuk pranon të shkojë jashtë shqipërisë sespe nuk donte të braktiste profesionin e tij të inxhinierit dhe zgjedh të punojë në një uzinë. Për mendimin tim, ky nuk është një personazh moralizues, por është naiv. Kur më thonë që ai ishte vërtet një personazh shumë i mirë unë i përgjigjem, por dhe shumë budalla. Sepse nuk është normale që dikujt t'i ofrosh një vend pune jashtë Shqipërisë dhe ai ta refuzojë për të punuar në ndonjë uzinë.

Çfarë prisni tani nga kinemaja dhe teatri, në kuptimin e lavdisë dhe famës, pra në prespektivën tuaj ju çfarë prisni?
Nuk mund të thuash që teatri dhe kinemaja po vdes, nuk ka artist që të mos jetojë me ëndërrën për të bërë diçka më shumë se çfarë ka bërë. Është normale që të gjithë artistët presin të bëjnë diçka që nuk e kanë bërë ose të bëjnë diçka më të mirë, më të ndryshme dhe më të bukur që kanë bërë. Unë tani po merrem dhe me regji dhe kam disa vite që kam vënë në skemë një dramë, e cila nuk ka dalë keq. Pra një dramë të Diana Çulit "Memesis". Këtë dramë e vura në Teatrin e Durrësit me aktorë të Teatrit Kombëtar dhe aktorë të trupës së Durrësit. Kjo ishte një dramë interesante, e cila u prit mirë. Bëra një lloj eksperimenti sepse në atë dramë shkriva së bashku teatrin dhe filmin. Pra kishte materiale filmike të xhiruara dhe ndërkohë që prezantoheshin ishte një gjetje, pasi personazhi i retrospektivës nga ekrani komunikonte me personazhin real në skenë. Në këtë gjetje të bukur dhe të veçantë pati një bashkëpunim të mirë me aktorë dhe kolegë si, Tinka Kurti, Marjeta Ljarja, Roza Anagnostin, Fatos Selën si dhe me aktorët e Durrësit siç ishin, Lutfi Hoxhën, Xhelal Tafain, Hysen Bashkhysën, Guliem Radojën, i cili është i Tiranës dhe i Durrësit e shumë të tjerë. Kjo ishte një punë që mua më dha shumë satisfaksion. Gjithashtu kam bërë dhe një film me metrazh të shkurtër i cili është prezantuar, "Lypja". Këtë e bëra më tepër për kënaqësi sepse dua të merrem me regji filmike dhe ajo ishte një përvojë shumë e bukur për mua, sepse ishte një gjetje interesante. Kam dhe disa projekte, që po gjeta donatorë do t'i realizoj, kam shumë dëshirë t'i bëj.

Këto që po bëni ju dhe shumë të tjerë, ju duken si belbëzime shprese për një fillim të ri apo si përpëlitjet e fundit të teatrit?
Nuk mund të thuhet përpëlitje. Vështirësi ka si kudo dhe si të gjitha gjinitë e artit, mirpo ne po bëjmë çmos, pra po mbijetojmë si teatër. Me këto mundësi ekonomike jemi në pritje. Të jem i sinqertë, projekte vërtetë ka pasur. Për një aktor nëse ka mundësi dëshira për të marrë pjesë në të gjithë aktivitetet është e madhe. Pra jemi të gjithë si peshq me gojë hapur që kur del ndonjë rol, qoftë i dytë, apo i tretë mundohemi ta kapim. Por uroj dhe besoj se do të kalojë e gjithë kjo vështirësi ekonomike. Ne jemi në teatër dhe presim, dhe pse ka pasur vënie në skenë. Shpresojmë për një ndarje më sociale të punës që të mos mblidhet vetëm në disa aktorë puna.

Nëse do ju'a afronin të ishit drejtor teatri do të pranonit?
Nëse duhet të merresh me administrimin e një teatri duhet të lesh zanatin. Kushdo që do të vinte në atë post do të thoshte se do ta ndryshojë. Ndërsa unë kontributin për ta ndryshuar dhe për ta bërë më mirë administrimin e teatrit do ta bëja duke qenë nga jashtë. Pra nuk do ta lija profesionin për tu marrë me administratën.

Si e gjykoni faktin që kinemaja mund të ecë me ritme më të mira?
Me sa shikoj unë buxheti i shtetit për artin në total është shumë i vogël. Dhe unë shpresoj që pasi politikanët të mbarojnë interesat e tyre politike, të kthejnë vëmendjen e tyre dhe nga arti, sepse ai është skandaloz në raport me të gjithë shtetet e ballkanit. Shqipëria ka buxhetin më të vogël që ndan për artin dhe kulturën. Vërtetë ka probleme ekonomike në përgjithësi dhe niveli i jetesës është i ulët, por ky është një krim sepse krijohen defiçite disa vjecare dhe nëse neglizhohen 10 vjet për artin do të duhen 50 vjetë për të marrë vetën dhe të kompesosh këto boshllëqe që janë krijuar. Kjo është një injorancë dhe makutri e politikanëve që i shkaktojnë një defiçit shpirëtror dhe që i krijojnë të rinjve dhe generatës më të re të artit. Më pas këta enden kot nëpër rrugë dhe me punën e parë që i ofrojnë ata pranojnë pa pyetur më para veten. Pra me fjalët të tjera politika dhe politikanët duhet ta vlerësojnë më shumë artin.

Ju vjen keq që nuk jeni bërë aktor, por jeni bërë dikush tjetër, ose tregëtar?
Kam pasur rastin që të jem ndër të parët që të dal jashtë në vitin 1991, por në fakt kam shkuar vetëm për turizëm. Asnjëherë nuk kam pasur mendimin të shkoj dhe të punoj jashtë Shqipërisë, pra të emigroj. Kur ishte epidemia e biznesit të gjithë jemi marrë nga pak me gjëra të vogla. Pasioni për teatrin më ka mbajtur këtu në vendin tim.

Si i thoni gjeneratës më të re që duan të konkurojnë për në Akademinë e Arteve. Futuni se deti është i bukur apo mos u fusni se deti është i turbullt, i thellë dhe mund të mbyteni?
Jo unë do të përsëris atë që thashë më sipër, përgjithësisht për ata që kanë talent dhe i ushqejnë miqtë ose të afërmit të merren me art. Është krim që t'ia prishësh ëndërrat, t'ia prersësh ato pa i lindur akoma. Unë them vetëm që shteti duhet të investojë më tepër. Më vjen keq që këta të rinj nuk kanë mundësi të shpalosin talentin e tyre. Kurrësesi nuk do i thoja të që të largohen apo ta lenë si profesion, por kundrazi do t'i thoja që t'i japin më shumë forca, të punojnë më tepër për të siguruar të ardhmen e tyre, të kenë hapësira, të prezantohen që një ditë të gjejnë kënaqësinë dhe satisfaksionin, pra të realizojnë ëndërrat e tyre.

I keni marrë kohë familjes suaj për t'ia dhuruar teatrit, apo keni qenë një familjar i mirë?
Unë kam një familje, të cilën e marr me vete si breshka, pra kudo që shkoj ata kanë qenë gjithnjë pranë meje në profesionin tim dhe kur kam qenë me xhirime shumë larg, si në Vermosh e deri në Jug të Shqipërisë. Familja ime ka pasur kënaqësinë që të jetojë me mua dhe me xhirimet e mia, kjo gjë nuk ka qenë fare e rëndë. Ne jemi vetëm tre, pra unë kam gruan dhe një vajzë. Nuk ka qenë e vështirë për ta shpërndarë shqetësimin dhe gëzimin me familjen time.

Sot

Nessun commento:

Posta un commento