Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Humoristet fierake nuk e ndiejne peshen e moshes

Humoristet fierake nuk e ndiejne peshen e moshes




Pesë humoristët fierakë që për koeçidencë, kanë lindur në muajin mars kur troket stina e bukur e pranverës, tregojnë se çdonjeri prej tyre është në punë e sipër, paçka se mbi supe mbajnë 52, 55, 60, 67, 74 vite të jetës.



Si ndiheni në pranverën e ditëlindjes suaj dhe si ju ka gjetur pranvera e sivjetshme?



FUAT BOÇI, Artist i merituar, Qytetar Nderi i Fierit:

Meqë kam lindur buzë pranvere, në mars dhe i përkas shenjës së peshkut, pasioni im i dytë mbetet peshkimi. Së shpejti, bashkë me çeljen e luleve të para, do të nis edhe sezoni i tij i ri, që sigurisht, do të më gjejë pjesë të tij. Ndërkohë, edhe xhepat po i mbush me humor të veçantë. Pas angazhimit tim si drejtor i spektaklit “Miss & Mister Fieri 2005”, sapo kam nisur nga puna për përgatitjen e një reportzhi humoristik me personazhe nga jeta aktuale e shoqërisë sonë, monologje, anekdoda dhe materiale të tjera humoristike, që shpresoj të shfaqen brenda hapësirës së stinës së pranverës, në television.



TODI LLUPI, Artist i merituar:

- Për mua, pranvera është stina më e bukur, edhe sepse kam lindur në këtë stinë. Një thënie e vjetër thotë : “Të varfërit shohin majtas-djathtas, ndërsa të pasurit, lart-përpara”. Unë u përkas të parëve. Ndonëse po lehtësohem nga heqja e rrobave të dimrit, ndjej që po “rëndohem” me role të reja. Pas shfaqjes “Kulturë amerikane”, i kam hyrë “autostradës” së dramave dhe komedive nga aktualiteti i shteteve të Ballkanit. Gjithsesi, e shoh se gjithçka do ta bëjmë me këmbë në tokë.



HAJRIE RONDO, Artiste e merituar, Qytetare nderi e Delvinës:

- Dita e parë e pranverës më sjell, përveç kënaqësisë që të fal kjo stinë, edhe një ndjenjë tjetër të bukur, pasi unë në këtë ditë kam ditëlindjen dhe marr shumë urime, por njëherazi edhe trishtohem kur mendoj se iku dhe një vit nga jeta ime. Pranvera është një stinë e veçantë që fshin ditët e hirta të dimrit dhe sjell gjelbërimin që unë e kundroj tek pemët e bahçes së komshiut poshtë ballkonit të shtëpisë sime, ku lulet e para sapo kanë nisur të çelin. Në këtë stinë, krahas angazhimit të përhershëm si aktore e teatrit “Bylis” të Fierit, jam në prag të përgatitjes për rolet që më kanë ofruar dy trupa teatri të njohura në vendin tonë. Gjithashtu, së afërmi, do të punojmë për pjesën e dytë të komedisë “Tifozët”. Me pak fjalë, kjo do të jetë një pranverë e begatë, megjithëse më duhet ta pranoj se kur punoj, mua të gjitha ditët më duken pranverë.



VASIL VASO:

- Eh, pranvera! Kush nuk u ndie mirë në këtë stinë që vjen menjëherë pas dimrit të ftohtë dhe fare pranë stinës së verës?! Jo më kot njerëzit, kur ke ditëlindjen, të urojnë ; “Gëzuar 20, 30, 40, 50... pranvera!”. Përveç shfaqjes së fundit një muaj më parë dhe përkthimit të dy komedive të autorit grek Dhimitër Psathai, këto ditë, së bashku me regjizorin Klajdi Marku, shkuam në Korfuz ku u shfaq një komedi me aktorë të trupës sonë dhe aktorë të teatrit ishullor. Gjithsesi, në ditët e pushimeve, shkoj shpesh në shtëpinë time në fshatin Sotir të Gjirokastrës, ku çlodhem dhe ku dita e re më gjen duke punuar pjesë humoristike apo përkthime.



FATMIR XHELILI:

Pranvera sjell ngrohtësi ndjenjash, por edhe një klimë të ngrohtë. Kjo stinë ndërron jo vetëm gjakun, por edhe veshjet dhe ashtu si sythet e pemëve, dalëngadalë shfaqen format e dukshme të seksit femër. Kemi mjaft plane tani në pranverë. Për ne aktorët, kur ka punë, ka shfaqje, ka spektakël, pra, ka pranverë. Së shpejti unë do të luaj një rol në një dramë të regjizorit të mirënjohur Gëzim Kame, i cili do të verë në skenën e : “Bylisit” një vepër të kohës që jetojmë.



Fadil Shehu

Nessun commento:

Posta un commento