Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

"Këmbanat e muzgut", shkruar nga Teodor Laço

"Këmbanat e muzgut", shkruar nga Teodor Laço

Muzgu i pushteteve në vitin 1946



Alma Mile

E ka më të lehtë të shprehë përmes pjanos atë që ndien. Ndërsa ai i thotë gjërat troç. Ajo është vajzë tregtari, tepër e fisme, ndërsa ai bir i një këpucari. I bukur, por ca i vrazhdë, madje deri-diku i pagdhendur. Amelia dhe Lluka janë dy personazhet strumbullarë të dramës "Këmbanat e muzgut", shkruar nga Teodor Laço. Prej pak ditësh në Teatrin Kombëtar kanë nisur provat në tavolinë. Duket se aktorët e kanë përvetësuar mirë tekstin dhe tani iu duhet ta interpretojnë. Një moment që kërkon shumë energji për t'u futur në palcën e karakterit. Aktorët e njohur Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi e Anila Bisha po ndërtojnë dialogjet me aktorët më të rinj Kreshnik Xhelilaj, Sonila Ulqinaku, Elona Hysenaj e Zhozef Shiroka. Regjisorët Alfred Bualioti dhe Andon Qesari, po mundohen ta nxjerrin veprën nga kornizat e kohës. "Në vështrimin e përgjithshëm është një vepër realiste, që evokon histori të vitit 1946, pas çlirimit të vendit nga nazifashistët. "Këmbanat e muzgut" në leximin tonë si regjisorë do të jenë këmbanat e alarmit të ndërrimit të pushteteve. Që do të thotë jo ndërrim pushtetesh me dhunë, gjak, spastrime e përjashtime. Duke iu referuar edhe kësaj periudhe të shkurtër të një shoqërie të hapur, të një shteti demokratik, të këtyre viteve që po kalojmë", - thotë Bualioti, ndërsa shton se pavarësisht periudhave, gjatë ndërrimit të pushteteve është e pamundur të mos e pësojë më i dobëti, që është populli. Theksi do të vihet më së shumti në ato momente që i flasin të sotmes. "Sigurisht jo vetëm përmes dramaturgjisë që po ta shikosh në vështrimin e përgjithshëm nuk të jep ndonjë dorë të madhe në këtë drejtim. Ndaj do të përdorim edhe mjete kontemporane në mënyrë që t'i rrokë spektatori. Edhe i riu i sotëm që nuk e ka idenë se si ka ndodhur represioni i pushtetit popullor në vitet '45-'46 ndaj njerëzve të ndershëm, ndaj tregtarëve që i plaçkitën, i burgosën, vetëm sepse ishin të pasur, të mësojë diçka". Ajo që po përpiqen të bëjnë regjisorët është që të shtrydhin sa të mundin një histori dashurie në periudhë kalimesh dhe të shfrytëzojnë të gjitha mjetet e mundshme, që vepra të tingëllojë bashkëkohore. Skenografia, besuar piktorit Ilia Xhokaxhi, është një prej tyre. Ngjarjet zhvillohen në një mjedis familjar. Është një shtëpi e madhe tregtarësh, me dy kate, por personazhet vërtiten kryesisht në holl, ku ka edhe një piano. Është pianoja e vajzës së shtëpisë e cila, sipas regjisorit, do të luajë dal vivo. Nuk është një piano që ilustron, por që zbërthen gjithë botën e saj emocionale, në raport me rrethanat, me dashurinë… Amalia, pianoja dhe të tjerët. Sipas konceptit regjisorial, shtëpia nuk ka dyer e dritare. Ka vetëm një derë dhe dy palë shkallë. Një palë janë të gjata. Janë shkallët e pushtetit, ku ngjitet djaloshi Llukë, bujtës në këtë shtëpi dhe shkallët e shkurtra të familjes. Dy botë që nuk puqen dot. Në sfond janë tre masshtabe, porta, që bashkohen dhe bëhet një ekran, ku do të artikulohet gjuha e videoprojeksionit. "Nuk bëhet fjalë për filmime të asaj kohe, pushkatime, etj.. Nuk synohet drejt dramës "alla dokumentar", por do luhet me elementë të simbolit. Një i tillë është kurorëzimi i dashurisë së Amalisë me Llukën, togerin e ri që vjen nga çlirimi, - thotë Bualioti.
Gjithçka ndodh pranë tryezës së shtëpisë, të mbuluar me një beze të bardhë që të jep përshtypjen e një shtrati. Ndërkohë në ekranin-portë shfaqen lule që çelin në pranverë. Përpara tavolinës bie një perde shiu. Një shi real në skenë, që simbolizon lotët që pasojnë këtë histori me fund të dhimbshëm. Më shumë se ndarje. (Djaloshin e marrin zvarrë, e dënojnë, sepse theu idealin, parimet dogmatike komuniste). Muzika e bën më të prekshëm këtë moment, sa individual, aq edhe universal. Një tjetër element ndihmës janë këpucët e pushtetarëve. Ato kërcasin kur ecin. Pë të realizuar këtë efekt, kostumografja Laedja Hajdari ka menduar që këpucëve të aktorëve t'u vihen poshtë pafka metalike. Çizmja e pushtetit. Ndërkohë që familjarët nuk ndihen. Kur Lluka ngjitet nëpër shkallë dëgjohet fort, gjë që nuk ndodh më vonë, pasi ai dashurohet me vajzën e shtëpisë. Atëherë ai bëhet njeri. Kupton se janë virtytet ato që e bëjnë njeriun dhe jo ngjyrat e pardesyve.

Drama "Këmbanat e muzgut" është një nga veprat fituese, të përzgjedhura nga Bordi i Teatrit Kombëtar, për sezonin artistik 2006-2007. Me këtë shfaqje përurohet skena e rikonstruktuar e TK-së.

Të rinjtë që luajnë moshën

Gjysma e aktorëve janë të rinj, por mbajnë peshën më të madhe të veprës. Tre prej tyre janë studentë në vitin e tretë, ndërsa tjetra është pedagoge pranë Akademisë së Arteve. Sonila Ulqinaku, luan rolin e Amelias, vajzës pianiste. Është aktore, por njëkohësisht edhe pianiste. "Është fat për ne. Pa të do ta kishim shumë të vështirë të nisnim punën. Na duhej një pianiste profesioniste", - thotë regjisori Alfred Bualioti. Rolin e togerit të ri Llukë e interpreton Kreshnik Xhelilaj, i cili përveç pjesëve që ka luajtur në Akademi ka edhe një eksperiencë si protagonist në filmin e Pirro Milkanit, "Trishtimi i zonjës Shnajder". Të tjerë aktorë të rinj janë Elona Hysenaj dhe Zhozef Shiroka. "Janë të rinj që do të luajnë moshën e tyre. Nuk donim të bënim eksperimente, duke marrë një 40-vjeçare, për të interpretuar personazhin tonë në moshë 20 vjeç. Por njëkohësisht bëjmë edhe promovimin e këtyre artistëve të rinj që mbarojnë shkollën", - thotë regjisori, ndërsa tregon se përzgjedhja e tyre është bërë mbi bazën e vlerësimit të pedagogëve, rezultateve në provime, apo eksperiencave të tjera. Bualioti nuk e fsheh faktin që kjo zgjedhje ka edhe rrezikun brenda, megjithatë ai mendon se do t'ia dalin.

Nessun commento:

Posta un commento