Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Neritan Liçaj: - "Kur të mundin djemtë"

Neritan Liçaj: - "Kur të mundin djemtë"

Shkruar nga Violeta MURATI - Jeta



I duhet të vrapojë dhe të mendojë nxitueshëm gjatë gjithë kësaj kohe. Aktori Neritan Liçaj prej javësh ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në rolin e Xhim Poterit. Por ajo që zgjedh ta rrëfejë me shpejtësi të jashtëzakonshme është përsëdytja e babait. Është bërë baba pak ditë më parë. Emrin ia ka vënë ende pa lindur. Një emër shqiptar ka një zë të fortë për të ta imponuar Jonin e vogël. Kjo periudhë e ka mbushur me shumë obligime, nxitje për rolin në shfaqjen e re të regjisorit Mehmet Xhelili, nxitje pas bashkëshortes shtatzënë deri në lindje…e megjithatë Neritani e quan si një nga periudhat më të bukura të jetës së tij, kur koha mbushet me kaq intensitet.

Modeli i babait nuk i ka dhënë vrazhdësinë e të qenit shtyllë e shtëpisë, por bashkëshortin që duhet të vëzhgojë gjithçka e të kujdeset. Po, e pranon pa kurrfarë droje se ka bërë dhe punët e shtëpisë, se ka pastruar, se ka bërë pazare. Nuk e ul kokën për të kujtuar dhe më pas ta shohë veten si zot shtëpie. Neritani thotë se djemve të tij do t’u ofrojë babain model, për t’ju qëndruar si njeriu i tyre më i afërt, si shok e mik, dhe jo babai patriarkal për t’i bindur fëmijët të bëjnë siç do ai. Megjithatë, Xhimi i skenës së teatrit ia ka zënë ca frymën, duke kujtuar vetveten e viteve ’90,

Për të dytën herë me djalë?

Po, për të dytën herë me djalë. Është në emocion i madh. Ishte një lodhje, por mbi të gjitha është një kënaqësi dhe gëzim i madh. Në fakt kisha dëshirë një djalë, por jam shumë i kënaqur me çfarë më jep Zoti. Kush është baba e kupton fare mirë se çfarë periudhë e lodhshme është, por që të jep një kënaqësi të pafund lindja e një fëmije.

Është një kohë shumë e zënë, po të kemi parasysh edhe rolin e findit në Teatrin Kombëtar...
Ka qenë kjo periudhë tepër e vështirë për mua. Ndërkohë që punonim për projektin, këtu flitet sërish për një marrëdhënie familjare, një bashkëshorte shtatzënë dhe që presim një fëmijë të lindë etj. Pra, ishte një periudhë intensive dhe tepër e lodhshme. Por që u përballua me sukses. Dhe për mua është një kënaqësi e madhe të kesh një jetë kaq intensive.

Për çfarë ke dëshirë tani të flasësh më parë, përsëdytjen e babait, apo rolin e shfaqjes?

Më mirë një baba, është më afër njeriut.

Atëherë, cili është modeli i babait të të dy djemve, tek aktori?
Është e vështirë të shpjegohet. Së pari, të bëhesh me dy djem është një emocion një obligim, një përqendrim, konsum emocionesh, konsum po ashtu psikologjik. Që të gjitha bashkë.

Zakonisht atributet për rritjen e një fëmijë ia japin nënës… ndërsa babai është shtylla e shtëpisë. Kjo marrëdhënie si është ndërmjet jush?
Sigurisht, e pranoj që nëna është roli më i rëndësishëm në jetën e një fëmije. Por, ashtu si e konceptoj unë marrëdhënien baba fëmijë, apo grua dhe bashkëshort, edhe babai ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sepse është jo vetëm shtylla e shtëpisë, jo vetëm bashkëshorti, jo vetëm babai, por është ai njeriu që duhet të jetë i kujdesshëm për gjithçka. Duke filluar që nga gjërat në dukje banale, të vogla, si pastërtia, rregulli të pasurit në qendër të fëmijës dhe bashkëshortes etj., deri tek ato gjëra më të rëndësishme, që janë edukimi dhe instruktimi i fëmijës.

Pikërisht në këtë përfshirje, cila është koha juaj e zënë me fëmijët, sa merresh me ta? Apo ju duhet të thyeni nga vetja për të mos qenë një baba patriarkal?
Merrem jashtëzakonisht shumë me fëmijët. Nuk jam një baba patriarkal. Nuk jam baba tipik shqiptar. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që presioni ynë është i tillë që kur ke një shfaqje për të bërë, është një periudhë intensive pune aq sa zgjat projekti, një ose dy muaj. Ndërsa pjesën tjetër je i lirë. Ime shoqe ka orare ditore shumë më intensive sesa unë. Për këtë arsye kam pasur fat që të jem shumë pranë fëmijës, gjatë gjithë periudhës së lirë. Kam qëndruar shumë më të, pra djali i madh, sepse i vogli sa erdhi. Pra, jam përpjekur të jem krah bashkëshortes sime, jo vetëm në edukimin e fëmijës, por dhe në mbajtjen e shtëpisë, në pazare, në ushqime në pastrimin e shtëpisë... Jam përpjekur të jem baba i mirë.

A ke dëshirë të të bëhen djemtë e tu siç do ti- është ky një fakt prej të cilit është nxitur dhe regjisori Anagnosti në filmin e tij, duke e parë si një mentalitet shqiptar?
Absolutisht jo. Në radhë të parë nuk dua të jem autoritar në familje. Jo! Me fëmijët e mi dua të jem shok, mik më i afërti i fëmijëve të mi. Por jo që të kërkoj tek ata për t’i bërë si veten, të bëjnë ata atë çka dua unë. Detyra ime është që t’i edukoj, t’i bëj qytetarë të mirë dhe njerëz të mirë.

Për emrin keni menduar?
Po, vetëm emra shqiptarë, do t’ia vë Jon, ndërsa djali i parë e ka Mark emrin.

Të hidhemi tek karriera. Nga babai, që i mban akoma emocionet e ndezura, në rolin e Xhimit, një shfaqje që po ndiqet prej javësh në Teatrin Kombëtar. Atje një botë psikologjike e brendshme krejt tjetër e Neritanit në teatër…
Të flasim për Xhimin? Për Xhimin duhet të bëjmë pak fare histori. Ai ka shumë elementë autobiografikë nga autori Xhon Osborn, e shkruar rreth viteve ’60, pas Luftës së Dytë Botërore dhe revolucioni demokratik në Amerikë, koha e lëvizjeve feministe etj. Pra, është në frymën e revolucioneve të mëdha shpirtërore. Osborn është një nga parardhësit në dramaturgji të këtyre revolucioneve. Eshtë pikërisht mishërim i rregullave strikte që ka pasur shoqëria e atëhershme dhe një urë kalimi mes rregullave të reja njerëzore që u vunë në shoqërinë britanike, evropiane dhe amerikane. Meqë ka elementë autobiografikë, ka brenda esencën njerëzore, atë çka e bën njeriun. Ka shumë përafrime mes autorit Xhon Osborn dhe Xhim Poterit, ku mosha e tyre është pothuaj e njëjtë. Osborn ka mishëruar veten e veten, sidomos në marrëdhënien e dashurisë, si esencë njerëzore.

Nëse heqim një paralele në trinitet, Xhimi si rol, Xhon Osborn si autor dhe aktorit Neritan Liçaj, çfarë përplaset në këtë lidhje?
Po, ekziston një paralelizëm i vogël. Kur unë kam pasur kontaktin e parë me këtë dramaturgji me Osborn dhe Xhimin, pra rolin, ka qenë viti 1991. Pak a shumë ka qenë e njëjta periudhë me vitet ’60 në Evropë d.m.th kalimi nga një sistem në një tjetër. Fakti i një njeriu të mos realizuar ose e të mos gjeturit të vetes brenda një realiteti, të cilin atë e revolton, që do ta ëndërrojë, por që është tepër e vështirë. Pra, është kjo përplasje që ndodh mes Xhon Osborn, Xhimi Poterit edhe Neritanit të asaj periudhe. Eshtë kjo edhe tani, por në një mënyrë pak më të sofistikuar, ku ne prapë jemi në periudhë tranzicioni që iu përshtatemi atyre viteve.

Po nëse ngacmojmë pak, kam parasysh që po na flisni për dy njerëz që u shkruan në një histori, një aktor Neritanin që ka përjetuar në të njëjtën mënyrë vitet ’90. Mos është pak e kaluar si histori, kur koha ka në emergjencë të tjera aspirate?
Absolutisht jo. Sepse në radhë të parë kjo dramë trajton probleme jashtëzakonisht njerëzore dhe nuk trajton Osborn në këtë pjesë probleme apokaliptike të tipit nukleare, a probleme filozofike të mëdha që t’i përkasin njerëzimit. Kjo dramë merret me gjëra jashtëzakonisht esenciale, që është njeriu, dashuria, urrejtja, miqësia etj., gjëra që janë të gjithkohshme a të gjithbotshme. Këto janë gjëra që gjithmonë njerëzimin do ta ndjekin.

Po në aspektin regjisorial, është bërë si fenomen aktualizimi i veprës? Xhelili nuk shquhet për eksperimentin në teatër, pikërisht për këtë adaptim të kohës. Ju çfarë keni ndikuar mbi shfaqjen, duke pasur parasysh lojën tuaj aktoriale?
Është një gjë që më pëlqen shumë tek regjisori Mehmet Xhelili, ashtu sikurse tek disa regjisorë të tjerë të teatrit shqiptar. Ka diçka pozitive që kohët e fundit në krijimtarinë e tyre këmbëngulin dhe kanë filluar shumë të merrem me njeriun. Ato e kanë lënë tani dramën e absurdit apo dramën e madhe apokaliptike. Në fund kam punuar me Xhelilin dy pjesë ,që është “Art” dhe “Shikoj pas me zemërim”, të dyja janë pjesë jashtëzakonisht njerëzore. Gjëja që më pëlqen tek Xhelili është se ai gjithmonë zgjedh një dramaturgji që ka të bëjë me anën njerëzore, që është e prekshme dhe e përbotshme. Ai është i qartë në atë që do, dhe të trysnon, këmbëngul në kuptimin profesional.

Po në marrëdhëniet me dy aktoret e tjera Valbona Imamin dhe Monika Lubonjën, çfarë ka mbetur nga Xhimi?
Në radhë të parë dua t’i falënderoj, se ato të dyja ishin drejtuese të projektit, për faktin që besuan tek unë rolin e Xhimit. Kemi pasur një përkushtim të përbashkët në procesin e punës. Duke ditur ato se barra kryesore është Xhimi Poter, ato kanë qenë jashtëzakonisht profesionale dhe mikesha, sikurse ka qenë dhe partneri im në shfaqje aktori Genc Fuga.

Nuk keni qenë i përfshirë në piacën e aktorëve të teatrit, atij grupi që përbënin tharmin e teatrit…Si e keni parë teatrin nga jashtë?
Po është e vërtetë. Nuk dua t’ia faturoj këtë vetëm ish-drejtorit, Kiços, nuk është ky i vetmi. Na ka mbajtur larg përpara Gëzim Kame, Xhevdet Ferri apo Tonin Ujka etj. Problemi i madh i Teatrit Kombëtar është politizimi. Unë jam i vetmi nga aktorët e hyrë tani në Teatrin Kombëtar që nuk kam marrë rekomandim politik. Lënia mënjanë e imja nuk ndodh për shkak të aftësive të mia profesionale, me mua kanë punuar regjisorë anglezë, italianë, gjermanë, maqedonas etj. Këtu jo. Unë nuk hyj në klane dhe dëshira të dikujt që vjen për të lançuar klanin e një rrethi të caktuar. Këtu vazhdon teoria enverhoxhiane: të aftin mbyte, stimulo mediokrit. Është teori komuniste dhe nuk sundon vetëm në art, atë e gjen në të gjitha strukturat shtetërore. Të aftit i mohohet shansi, shtypet, ose lihet dhe i papunë. Stimulohet mediokri, dhe këtë e ke në akademi, në Teatrin Kombëtar, në film gjithandej.

Nessun commento:

Posta un commento