Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Një aktor pohon plagjiaturën në teatër

Një aktor pohon plagjiaturën në teatër

Neritan Liçaj, protagonist i monodramës bazuar në veprën e nobelisit gjerman Hajnrih Bël, tregon përvojën me teatrin alternativ dhe mban një qëndrim kritik ndaj gjendjes së Teatrit Kombëtar dhe pseudoregjisorëve
Në Teatrin Kombëtar ka artistë që shohin punën e vet, ka të tjerë që shohin punën e të tjerëve, po ka edhe aktorë si Neritan Liçaj që pas suksesit të monodramës "Me syrin e një kllouni" hap një diskutim për ato punë që duhen ndrequr e duhen kthyer në të mira të përbashkëta të teatrit.

[img]http://www.shekulli.com.al/tpllib/img.php?im=cat_53/16779.jpg&w=300&h=161[/img]

Do ishte megjithatë e padrejtë t'i vihej mikrofoni këtij aktori që vazhdojnë ta quajnë të ri dhe të talentuar, kur është 38 vjeç dhe aktiv në skenën e Teatrit Kombëtar, pa thënë dy fjalë për veprën dhe personazhin e Hajnrih Bëlit që ai interpretoi së fundi dhe që duke parë pritjen e publikut, ka gjasë që TK t'ia hapë prapë dyert.

Ata që kanë lexuar romanin e nobelistit gjerman Hajnrih Bël, nuk kishin për të gjetur në premierën e monodramës me regji të Ema Andresë, atë atmosferë bufeje, hotelerie dhe lagështi shtëpie ku jeton një artist i rënë nga vakti si Hans Shniri. Po të ishte për këtë zgjedhje Ema Andrea do ta kishte të lehtë të merrte nga rekuizita e Teatrit Kombëtarë ato bufetë e dala boje, shishet me konjakun fals apo kolltukët që marrin për kësi rastesh nga administrata e teatrit dhe i ngjisin në skenë.

Vepra e dramatizuar nga Ardian Klosi, përkthyesi në shqip i "Kllounit" të Bëlit, ishte shqepur dhe qepur nga e para nga Andrea me një koncept regjie që eviton demodenë, që vë në plan të parë gjuhën e kllounit me mjetet e kllounit, pra me maskë, pantomimë, me të qeshur dhe të qarë pa zë, me marrje dhe dhënie me objektet kur bëjnë sikur kanë mbushur dhomën e zbrasur të Shnirit. Kushdo që pas kësaj do t'i jepte një vlerësim Andresë, e cila edhe interpretoi pa qarkulluar në skenë bashkëbiseduesit e Kllounit, babain, nënën, të dashurën etj., le ta lërë të hapur diskutimin. Andrea po kalon në përvoja që po tregojnë se ajo e di që ka më shumë se dje për të dhënë.

Ndriçimi, kostumografia dhe skenografia, kjo e fundit e realizuar nga piktori Edi Hila dhe ku dominon e bardha, i jepte një freski dhe gjendje racionale aq dhe të diferencuar kontrastesh, botës së tronditur të personazhit. Gjithë kjo e mësipërmja u identifikua nga Neritan Liçaj, megjithëse natën e tretë shprehu shenja lodhjeje në interpretimin e tekstit. Liçaj është aktor që nuk e fsheh gjendjen kur s'është brenda rolit dhe nuk vazhdon të bëjë sikur. Kurse me kllounin e Bëlit ai kishte një takim të saktë të "maskës" së aktorit me personazhin vetë. Liçaj improvizon në kufijtë e fabulës pa rënë në grackën e aktorit kur i demonstron publikut "unë jam këtu dhe e di që ti po më ndjek".

Dhe këtë sinqeritet të llogaritur skenik ai e shfaq dhe në këtë intervistë, kur vjen fjala për raportet e Teatrit Kombëtar me teatrin alternativ, tek plagjiatura regjisoriale, tek kompromisi i aktorëve dhe tek ca ndryshime të domosdoshme që TK i ka ardhur koha t'i bëjë.

Intervista

Po përjeton periudhë të artë si aktor në kinema dhe në teatër. Megjithëse me monodramën "Me syrin e një klouni" për herë të parë të besohet një rol protagonisti fund e krye.

Është vërtet periudhë e mirë për mua dhe ofertave u jam përgjigjur me gjithë forcat e mia. Kjo pjesë është puna e parë e imja ku unë përballem vetëm, vetëm si aktor me publikun. Një emocion i madh edhe për mënyrën si u trajtua "Kllouni". Fakti që thyhet muri i katërt me hapjen e perdes, me sikuret, me kontaktin me publikun etj., ti lidh një raportdirekt me publikun. Ky është emocioni.

Hajnrih Bël që ke lexuar apo Bëli që ke interpretuar, ku është thyerja?

Ka ndryshim vetëm që është përshtatur për skenë. Sigurisht romani ka shumë informacion, është më i pasur, sepse është letërsi. Por vlerësoj faktin që Ardian Klosi pikërisht atë emocion që jep romani, ka ditur ta japë në mënyrë koncize për skenën. Sepse megjithë atë larmi që ka vepra ta japësh me pak personazhe, ta sintetizosh për teatër pa i humbur mendimin autorit, për mua është një vlerë e madhe.

Gjermania e viteve 60 apo historia e një vendi në tranzicion dhe gjithçka ka ndodhur deri atëherë, është vështirë të tregohen në mënyrë dramatike, apo qoftë dhe komike. Çfarë atëherë e bën të besueshëm Kllounin?

Kontrastet. Skena dhe kllouni është i ndarë në bardhë e zi. Është gjë e bukur të tregosh një Gjermani mes kontrasteve të mëdha. Madhështinë e kësaj vepre e shoh tek fakti që një dramë njerëzore Hajnrih Bël ia vesh një kllouni i cili është një personazh që qesh atëherë kur duhet të qajë, si atëherë kur thotë unë nuk kam bukë, nuk kam të ardhura. E bardha është dukja, aparenca e Kllounit ndërkohë që e brendshmja është e zezë, është rrënimi i tij, bota e tij shpirtërore, jeta e tij copash siç ka qenë realiteti gjerman direkt pas Luftës së Dytë Botërore.

Shpesh qarkullojnë fjalë që regjisorët shqiptarët punojnë me kaseta, pra bëjnë plagjiaturë. Aktorë që kanë pasur përvojë e thonë lart e poshtë këtë gjë. Atëherë a mund të tregosh si ka qenë përvoja jote me Ema Andrenë, si u ndërtua kjo alternativë?

Në përgjithësi ne punojmë me teatrin realist, me logjikën realiste të përditshme të jetës. Nëse do ta trajtonim në mënyrë realiste "Kllounin" kjo do të ishte e lodhshme për publikun, do binte në melodramë. Ema e bën veprën aktive, personazhet e jetës së Kllounit vijnë në skenë nëpërmjet Emës nga ana e publikut. Ajo fut në skenë një "publik", një masë njerëzish konformistë që hyjnë në jetët tona dhe të nxjerrin jashtë. Nxjerrin jashtë në trotuar një njeri antikonformist si kllouni. Kjo bën që të ketë ngjarje konkrete në skenë, sepse frika në një monodramë është që nuk ndodh asgjë. Por Ema ka bërë të kundërtën.

Sa për pjesën e pyetjes a kopjojnë regjisorët tanë, them se është gjë që duket, kur një regjisor e ka krijimin e vet, dhe kur një regjisor që unë nuk po e them se ka kopjuar, por që ka marrë spunto nga diku. Ky i fundit është lloji i regjisorit që të imponohet, thotë bëje! Dhe kur e sheh që kjo nuk funksionon, sepse aktori është i pamotivuar, nuk buron, atëherë e lë aktorin ta mbajë atë që i ka "dhënë". Ndërkohë që një regjisor që është në kërkim, ka një ide, heq, plotëson vazhdimisht, pra ka një proces të mirëfilltë krijues. Kjo më ka ndodhur me Ema Andrenë dhe me Eric Vigner tek "Berberi i Seviljes". Duket kur regjisori krijon dhe duket kur i ka idetë e marra, prandaj unë dhe aktorë të tjerë themi që ka raste që kopjohet.

Nuk mendon se në këto dy skena prurjet më të mira vijnë nga jashtë oborrit të Teatrit Kombëtar?

Sepse Teatri Kombëtar ka një fytyrë të vetën për të cilën ka shumë shtigje për diskutime. TK nuk e di pse i është ngulitur që është teatri i fjalës, teatri tradicional. Për mendimin tim ky teatër duhet të ketë alternativa, nuk ka pse të mbetemi gjithmonë tek teatri "klasik". Fakti që regjisorët e tjerë që vijnë nga jashtë dhe nuk vijnë me këtë trysni, i bën që të jenë më tërheqës, sepse provojnë mënyra dhe forma të tjera të cilat teatrit i mungojnë dhe që s'mund të thuash se janë më pak serioze nga mjetet e TK. Për mua nuk ka teatër të ri dhe teatër të vjetër, ka teatër të mirë dhe të keq. Ata që bëjnë politikat e teatrit duhet ta vlerësojnë këtë gjë. Nuk ka pse të mbetemi gjithmonë tek ky lloj teatri që i bën shfaqjet të duken të ngjashme me njëra-tjetrën.

Po me aktorët në këtë mes ç'ndodh?

Aktorët pësojnë të njëjtën gjë, luajnë të njëjtin teatër dhe nuk u jepet mundësia të provojnë mënyra, forma dhe shkolla të tjera teatrale. Për mua, të gjithë kolegët e mi e vuajnë këtë gjë. Në TK ka pak aktorë që janë në treg. Është një dhjetëshe që punojnë rregullisht. Kjo të shtyn të mendosh që institucioni duhet parë më seriozisht, në kuptimin e kultivimit dhe njohjes së vlerave. Nuk e kam fjalën për anën finaciare, sepse ka aktorë që marrin rrogën dhe nuk bëjnë asgjë. Të më falin ata që mund të mos u vijë mirë nga kjo deklaratë imja, por duhet riparë trupa, duhet riparë koncepti i trupës, duhet riparë komplet statusi i Teatrit Kombëtar, sepse nuk është mirë që një i ri i talentuar të rrijë jashtë dhe një i brendshëm të mos bëjë asgjë. TK s'mund të jetë asistent social. Artisti s'mund të pranojë vetë të marrë një asistencë sociale.

Megjithatë nuk mendon se prej kohësh janë shtuar aktorët konformistë që ndihen mirë në çfarë po ndodh sot me teatrin?

Ekzakt, sepse është politika e tillë. Dhe janë "të pakënaqur" nga kjo gjë. Po marr shembullin e një koleges sime të mrekullueshme që punonte paralelisht dy pjesë kur ne punonim me "Berberin e Seviljes". Ishte gjithë dritë kur punonte me "Berberin", sepse ishte një formë tjetër teatri.

Në nëntor do të jetë premiera "Sekretet e një të çmenduri". Tek ky film dhe tek ky teatër loja jote ka kërkuar që të zhvendosesh në disa karaktere esktreme.

Mua më pëlqejnë sfidat, të luaj esencialen e këtyre personazheve. Të luash kllounin do të thotë që duhet të kesh plotësuar edhe anën plastike dhe që ta bësh këtë duhet të kapësh anën funksionale të personazhit që në këtë rast bën edhe pantomimë, edhe zbavitje nëpërmjet plastikës. Për këtë punohet. Ema më ka bërë trajtim të mirëfilltë për këtë duke qenë se ajo është pedagoge e plastikës në Akademi. Ajo gjë që unë ia njoh për meritë vetes, është që kur i futem një pune, nuk kam frikë se po lodhem. Po kështu ndodhi edhe me filmin e regjisorit Spartak Pecani. Kemi shkuar në çmendinë, kemi marrë informacion nga mjekë, nga pacientë, kemi ndenjur me ta, kemi ndërruar cigare, kemi biseduar me psikologë, me psikiatër, duke u përpjekur që të marr njohuri mbi atë personazh që do të interpretoj. Unë jam i mendimit që po arrite të krijosh një kuadër të atij fenomeni që do të japësh nëpërmjet figurës tënde, atëherë është më e lehtë.

Çfarë ka ndryshuar nga koha kur s'ishe në treg si tani dhe paguheshe më pak?

Përveç ca parave më tepër asgjë nuk ndryshon, pasioni mbetet i njëjti. Faktikisht artisti duhet vlerësuar edhe nga ana financiare. Vazhdoj të mbetem natyrë idealiste, sepse në fund të fundit ai që del në skenë jam unë, dhe aty s'do t'ia dijë njeri paguhesh pak apo paguhesh shumë.

Nessun commento:

Posta un commento