Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Pulaha, dramaturgu i brengave të tranzicionit

Pulaha, dramaturgu i brengave të tranzicionit

Dramaturgu e skenaristi Rrushdi Pulaha, duket se i është qepur problemeve të shoqërisë shqiptare në vitet postdiktatoriale, duke sjellë të gjalla në dramat e skenaret e tij të filmave, brengat e shqiptarëve në tranzicion. Ndryshe nga romani "Rruga Budi 723", i shkruar në vitet e hershme të diktaturës, gjithçka në krijimet e tij të fundit flet për prostitucionin, trafikun e drogës, udhëkryqet e të rinjve shqiptarë, kriminalitetin që mund ta gjesh kudo, në çdo skenar që ai ka shkruar në këto 10 vjetët e fundit. Pas serialit "Njerëz dhe fate", filmit "Letra fatale" etj., tani në Teatrin Kombëtar pritet të shfaqet premiera e dramës "Babai". Një bashkëpunim ky i dramaturgut Rrushdi Pulaha, me regjisorin fierak Serafin Fanko. Sikundër mund të kuptohet edhe nga titulli i saj, në qendër është figuara e babait, dhe përballja e tij me mentalitetin tjetër, atë që një "shoqëri e hapur" servir. Por problemet për të vënë një shfaqje në skenë apo për të realizuar një film janë të shumta, ndaj edhe dramaturgu Pulaha shprehet: "Më parë vuanim nga censura ideologjike, tani nga kjo ekonomike, por kjo qenka shumë më keq, pasi nuk të le të marrësh frymë në asnjë moment, pra të mbërthen". Ndërsa përsa i takon linjës së tij krijuese, e cila në vitet e tranzicionit flet vetëm për problemet e tranzicionit, Pulaha shprehet: "Unë nuk kam të njëjtin subjekt, por të njëjtët probleme, dhe këtë janë probleme që vazhdojnë të tërhiqen zvarrë dhe nuk gjejnë zgjidhje".

Në të gjithë skenarët e filmave apo dramave tuaja, ju rrëfeni për tranzicionin dhe pasojat e tij... Pse?

Edhe në serialin televiziv "Njerëz dhe fate", kam menduar që të jetë një film sa më afër realitetit, me të gjithë ata probleme që ka jeta shqiptare në këtë tranzicion të tejzgjatur. Kjo ka ndodhur edhe për skenaret në teatër, të cilët merren me problematikat e kohës, edhe drama "Babai", e cila po vihet së fundmi në Teatrin Kombëtar. Kjo do të thotë se ky është edhe shqetësimi im më i madh në këtë tranzicion, pra ky ngërç i madh në shoqërinë tonë, duke filluar nga problemet politike, ekonomike, sociale dhe këto e bëjnë edhe më të komplikuar dhënien e zgjidhjeve të këtyre problemeve.

Në krijimet tuaja postdiktaturë linja e veprës është e njëjtë. Nuk keni "frikë" nga monotonia?

Unë nuk kam të njëjtin subjekt, por të njëjtët probleme, dhe këta janë probleme që vazhdojnë të tërhiqen zvarrë dhe nuk gjejnë zgjidhje. Trafikimi, prostitucioni etj., janë probleme që do të vazhdojnë shumë gjatë dhe nuk mund të ezaurohen në një pjesë që mund të shkruajmë. E rëndësishme është që të mos biem në përsëritje në mënyrën e trajtimit, në faket që sjell dhe në personazhe, të cilët duhet të kenë karaktere të ndryshme.

Meqë edhe ju përmendët zgjidhjen, keni tentuar të jepni të tilla në veprat tuaja, dhe sa e keni arritur të jepni rrugëzgjidhje për këta fenomene?

Ai është edhe qëllimi kryesor. Kur nis një punë duhet të ketë edhe një rrugëzgjidhje. Nëse flasim për "Njerëz dhe fate", unë vazhdoj të mendoj se ky serial do të vazhdojë, dhe dora-dorës personazhet do të fillojnë një nga një të marrin rrugët e tyre. Por duhet të pranojmë se zgjidhjet janë të ndryshme dhe shumë të vështira në kushtet tona, por nuk mund të ketë një film pa një zgjidhje ose histori pa një fund. Nëse fokusohemi tek seriali, personazhet e gjejnë gjatë rrugës një zgjidhje, pasi në vetvete ai trajton të gjitha problemet e rinisë, dhe hallakatjen e madhe që ajo të gjejë veteveten. Kërkojnë personalitetin dhe një të ardhme, dhe pse një pjesë e tyre nuk e gjejnë, por me aq "armë" sa arti ka në dorë, ne do tentojmë që të japim një rrugë për secilin. Por këto janë në varësi të zhvillimit politik, i cili influencon edhe më shumë në fushat e jetës sonë.

Drama "Babai", e cila do të vihet në Teatrin Kombëtar, do ta ketë premierën së shpejti. Pse është zgjedhur figura e babait, si personazh rreth të cilit vërtiten të gjithë?

Ai është një baba, i cili përfaqëson një kategori shumë të gjerë, me kompleksitetin dhe ngarkesat psikike dhe morale që mund të mbajë një njeri. Nuk është intelektual, por një njeri i zakonshëm, fshatar, dhe mbart një gamë të gjerë mentalitetesh, paragjykimesh dhe dëshirash, që reagon shumë ashpër kur ndodhet përballë situatës dhe i duhet të japë një zgjidhje. Drama më e madhe është deri atëherë sa arrihet të gjendet e vërteta e asaj që ndodh. Dhe në të ngrihen shumë pyetje: Cilat janë arsyet që vajzat tona prostituohen? Kush i mbështet dhe ushqen trafikantët? Pse djemtë tanë bëhen kriminelë? Cilat janë përgjegjësitë e familjes dhe të vetë personit? Dhe në këtë dramë kalohen situata shumë të vështira psikologjike nga personazhet, e të gjithë vërtiten rreth një gjëje, të gjejnë se cilat janë motivet që i çojnë njerëzit tanë rreth të tillë fataliteteve. Dhe del që në këto ndikojnë shumë faktorë, duke filluar nga shteti, e deri tek përgjegjësitë personale të çdo individi.

Cili qe ngërçi që kjo dramë nuk u vu në skenë për "Festivalin e Dramës Shqipe"?

Problemet financiare janë prezente, por kjo bën pjesë edhe në politikën e përgjithshme, që teatri kërkon dramën shqipe dhe ndërkohë i mbyll dyert dramës shqipe. Por mua nuk më erdhi asnjë regjisor dhe asnjë teatër, për të më kërkuar ndonjë prej dramave të mia. Por për këtë do të flasim më gjatë edhe pas premierës, pasi drama të jetë shfaqur dhe të shohim pritjen që do t'i bëjë publiku. Nuk mund të pretendosh të nxitësh dramën shqipe pa financuar, kjo është absurde. Por teatri është i prirur drejt pjesëve të huaja që nuk kanë edhe shumë impakt për publikun.

Bisedoi: Anisa YMERI - Korrieri

Nessun commento:

Posta un commento