Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Ramiz Rama aktor i Teatrit “Migjeni”: Shkodra, më vjen keq për të

Ramiz Rama aktor i Teatrit “Migjeni”.


Intervista: Jeni artist profesionist, domosdo bota e letrave të tërheq. E di se cila gazetë prej vitesh evidenton vlera të veçanta të individëve të veçantë?

R. Rama: - Sinqerisht që simpatizoj gazetën tuaj. Mbetet më e veçanta në këndvështrime origjinale, e pa ngarkuar me politikën lodhëse, marramendëse që shumë gazeta e trumbetojnë. Bëhen sa të pa besueshëm aq edhe qesharake. Ju trumbetoni hera-herë politikanë, por gjithnjë duke ruajtur humorin therës ndaj burokracisë shtetërore. Gazeta “Shkodra” më kënaq vërtet, kur shoh miq, kolegë, në faqet e saj.

Intervista: - Si dhe kur hytë në botën e artit?

R. Rama: - Që herët, qysh 8 vjeç. I ndjeri, i mirënjohuri Tofik Gjyli (një ish shkrimtar i talentuar për fëmijë) i kërkon mësueses time Gjyliana Kçira, një fëmijë për një emission në Radio Shkodra për recitime vjersha e monologje. Interpretimi qe aq i mirë, sa qysh at’here e mbrapa nuk m’u ndanë interpretimet në Radio si dhe në shkollë.

Intervista: - Rritet Ramizi, rriten rrolet, miq e shokë profesorë që të dhanë udhë?

R. Rama: - Unë kisha shumë ëndra e dëshira si të gjithë. Dëshiroja të bëhesha aviator, të lundroja në det, të shetisja kudo, por ja që jeta është ndryshe. Miqtë e mi, profesorët e mi Sadete Vigani, Gjosha Çarkaxhija, Jup Kastrati, Nuri Çaushi, Xhemal Broja etj më rrinin mjaft afër dhe më aktivizonin në çfaqjet e ndryshme.

Intervista: - Kur filloi jeta e vërtetë artistike? Rolet e para që ke luajtur?

R. Rama: - Në Liceun Artistik Tiranë. Kisha fatin por edhe se dija që nesër shokët e mi: Bexhet Nelku, Serafin Fanko, Viktor Bruçeti etj, etj sëbashku me mua do të bëheshin artistë të vërtetë në sallat e teatrove dhe ekranet e kinemave apo edhe të televizionit. Ëndra që në atë moshë shumë pak i vlerëson, por sot ç’krenari që ndjen. Roli i parë serioz që unë dola me mjaft sukses ka qenë ai i Xhindit (një hyjni keqbërëse) në qytetin e Kukësit. Trajtohej martesa e një plaku me një vajzë të re. Kaq mbresëlënës ka qenë ai rol sa që për 3 vjet jetova në Kukës nuk më thirrnin me emër por më flisnin Xhindi!...(qesh)

Instituti i Lartë i Arteve qe një shkollë tepër e fuqishme, u rrita si shtat por edhe si actor. Më kujtohet mbrojtja e Diplomës me pjesën “E bardha dhe e zeza” të Fadil Paçramit, si dhe pjesa tjetër “Dy zotni nga Verona”. U cilësova ndër më të mirët. Në vitin 1966, në Korrik fillova punë pranë tetrit “Migjeni”, një ëndër që e prisja prej vitesh. Regjizori i madh i at’hershëm Mihallaq Luarasi, që drejtonte trupën e Shkodrës, më caktoi një rol tek drama “Cuca e maleve” e Loni Papës, rolin e Pjetër Zekës, që e keni parë edhe në film, komentet kanë dhënë vlerësime optimale.

Intervista: - Do të donim të denim disa nga rolet më të spikatura, për një njohje më të gjerë nga lexuesi ynë.

R. Rama: - Të flasësh për vete ndjehesh disi ngushtë. Role janë shumë, drama, filma, komedi e plot gjini të tjera, por unë do të veçoja: rolin e Mbretit Blu, tek drama “Gjaku i Arbërit” (F. Krajës), rolin e Prêkës, tek drama “Shpartallimi” (F. Krajës), rolin e Bektash Shkozës, tek “Fytyra e dytë” e D. Agollit, rolin e shefit administratës, tek “Luani i shtëpisë”(Komedi), rolin e Alush agës tek “Fundi i një komedie”, rolin e Niqiforit, tek komedia “Shoku Niqifor” e P. Kullës etj, etj. Te filmat, që në filmin e parë shqiptar “Fortuna” e më pas “Ditë që sollën pranverën”, “Flaka e maleve”, “Prilli i thyer” etj. Kam pasur ndërë dhe marrë përvojë nga të mëdhenjtë Tinka Kurti, Adem Kastrati, Ndrel Luca, Bep Shiroka, Elez Kadrija, Lec Shllaku, Ymer Bala, Agron Dizdari e deri tek regjizori Fanko.

Intervista: - Si ndjehet artisti sot, drmaturgjia, kinematografia ishin apo janë sor më lart?!

R. Rama: - Dobët, dobët vërtet për mendimin tim. Ka një degradim. S’dua të ul vlerat e të rinjve, por sot “paraja po shpon detin”. Arti është art dhe nuk bëhet për para, por ama as nuk bëhet pa para. Dje kishim vërtetë shumë politikë, por sot janë shumë të pakta në arritje figurat me ato që kishim. Vinire: teatrot gjithnjë janë thuajse bosh!

Intervista: - Pak thyerje në koncept, për një pushim të vogël, a të pëlqen politika?

R. Rama: - As të them po e as jo, por është fatkeqsi që të gjithë duam të bëhemi politikanë. Në fakt nuk bëjnë asgjë. Tash 13 vjet tranzicion, s’kalohet vetëm me mise bingo! I vetmi film që na dha shkëndija të një realiteti të vërtetë tonin ishte filmi “Njerëz dhe Fate”. U kënaqëm e ishalla vazhdon.

Intervista: - Shkodra është thirrur dikur “Djepi i kulturës shqiptare”, por sot sa i përmbahet kjo thënie asaj?

R. Rama: - Më vjen keq, jo. Ka mbetur si një fëmijë në djep. Dobësitë e sponsorizuesve dhe niveli kulturor i mjaft mediave lokale është shumë larg kërkesave të kohës. Mungon impulsi i vërtetë. Të vjen keq.

Intervista: - Si të duket teatri “Migjeni”, si aktor së fundi pensionist,ç’ndjen për të?!

R. Rama: - Sot në media shohim shumë filma, ka edhe shumë cilësorë, por ka edhe mjaft abstrakt. Dhe këtu është një pjesë e qenies sime, sidomos vitet e fundit e kërkon këtë rrymë në interpretim. Port a quash art abstraksionin , kur s’kupton asgjë, për mua nuk është art. Ndoshta e kam gabim, por se si mpihesh duke parë artistë të tillë si Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, të ndjerët Sandër Prosi, Lazër Filipi, Prokop Mima, Sulejman Pitarka, e plot e plot të tjerë, që janë figura aq edhe personalitete të kulturës sonë kombëtare. Artin e lam për zemër, si futbollin, si Vllazninë time e brazilianët e mi Ronaldon e madh që më kënaq me golat spektakolarë.

Intervista: - Ç’dëshiron të thuash së fundi?

R. Rama: - Faleminderit “Shkodrës” që di të botojë intervista të vërteta, të plota, të bukura e tërheqëse, për botën e artit që i falëm jetën. Më vjen keq për Shkodrën, qytetin tim ku u linda e u rrita, ku po plakem e do të vdes. Uroj që ajo në art e kulturë të marrë vrull e të dalë në krye ashtu siç ka qenë kurdoherë në shekuj e para. Por sa na keni, hidhini sytë nganjëherë edhe nga ne, për hajër do të na keni. Edhe pleqtë kanë rolet e tyre ne jetë edhe në skenë e filma, apo jo…qesh.


------------------------------------------------------------------------------


intervistoi.
Bujar Ferhati,

Nessun commento:

Posta un commento