Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

“Teatri nuk po kap dot kohën”

“Teatri nuk po kap dot kohën”


Në kushtet e jovendimmarrjes, bordi artisik i Teatrit Kombëtar monitoron veprat që ngjiten në skenë. Sipas njërit prej anëtarëve, deputetit Genci Sharku, teatri ka përpara rrugë të gjatë ndryshimesh Për Genci Sharkun, teatri ndodhet në kryqëzim. Duhet të ecë përpara. Si një kompjuter duhet të riformatohet nga e para, por njëkohësisht duhet të ruajë bazën e të dhënave. Duhet t’i kushtojë vëmendje krijimtarisë kombëtare e cila fatkeqësisht çalon shumë. Dikur instrumentist, sot deputet i Parlamentit Shqiptar, Sharku është anëtar i bordit të Teatrit Kombëtar. Bordi është vetëm këshillues, ai “kontrollon” veprat që konkurrojnë për t’u shfaqur në skenë. Sipas tij, këtë teatër e pret një proces i gjatë ndryshimesh që nis me statusin e tij. Për sezonin ku kemi hyrë, deputeti artdashës deklaron dy premierat e vetme deri në fund të sezonit veror dhe që janë “Franku V” dhe “Allegretto Albania”. Ka pikëpyetje për regjisorin anglez që do të punojë për “Makbethin” dhe pjesa tjetër është riciklim shfaqjesh që tashmë e kanë ezauruar takimin me publikun.

Si anëtar i bordit të Teatrit Kombëtar, si e vlerësoni situatën që po kalon teatri?
Shumë gjëra janë në ndryshim e sipër. Prej qershorit të shkuar, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit edhe kultura e arti ka detyrimet e veta. Në këto kushte, teatri ka nevojë të riformatojë marrëdhëniet me publikun dhe me misionin që ka. Nuk mund të pretendojmë që të fillojë sot ridimensionimi apo një fazë e re menaxhimi. Teatri duhet të mbështetet po aq në traditë e cila u shkatërrua, duke lënë pasojat e veta në produksionet artistike, skenike. Sot me shumë mundim arrijmë të nxjerrim një vepër cilësore, që të pretendojmë të jetë e suksesshme dhe jetëgjatë.


Përse ndodh kjo?
Përgjithësisht veprat që vijnë janë spontane, me tema jo të përshtatshme. Nuk pretendojmë tema dite. Koha ecën dhe në këtë aspekt, një vepër që është aktuale sot, pas 5-6 muajsh gjykohet ndryshe dhe nuk mund të mbetet në repertorin zinxhir, atë tradicional. E vështirë që një vepër ta kthesh edhe pas dy vjetësh. Sigurisht që ka të tilla, sidomos nga autorë të huaj, por sa në lidhje me dramaturgjinë kombëtare, është e vështirë.


A ka gjë në dorë bordi të ndërmarrë ndryshime, apo qoftë të hedhë ide?
Bordi nuk është vendimmarrës, por këshillimor. Anëtarët e tij janë njerëz që kanë kontribuar në artin skenik dhe ekziston vullneti që gjithçka të shtrohet në mënyrë konstruktive. Shpesh gjatë mbledhjeve ngrihen edhe çështje financiare, mbi të cilat bordi nuk ka kompetenca, pasi ato janë kompetencë e MTKRS-së. Momentalisht ushtrojmë kontroll mbi veprat që ngjiten në skenë në mënyrë që ato të jenë sa më dinjitoze, larg banaliteteve dhe me këtë nuk kuptoj thjesht fjalën, por edhe idetë regjisoriale, lojën e aktorëve. Pa dashur të përmend emra konkretë, kemi kthyer mbrapsht vepra pasi i kemi konsideruar të papërshtatshme. Në këtë drejtim them se është bërë një punë e mirë. Regjisorët janë paraqitur me platforma, kanë mbrojtur idetë e tyre… Dhe misioni i bordit në këtë moment ky është, të përzgjedhë vepra ku të gjithë elementet të jenë në harmoni.


Mendoni më mirë që të ishte vendimmarrës?
Vendmimarrës bordi mund të bëhet vetëm kur teatri të ketë një status të qartë. Po të jetë vendimmarrës, bordi do të ndërhyjë edhe në çështjet financiare. Në kushtet e varësisë do të ketë përplasje me ministrinë.


Mbledhja e sotme (djeshme) e bordit për ç’qëllim ishte?
U diskutua mbi veprën fituese të konkursit për Dramën Shqipe, të shpallur nga Ministria e Kulturës. Bëhet fjalë për “Allegretto Albania”, të Stefan Çapalikut. Ka një gjuhë të pasur, dialog të zhdërvjellët, ka elementë humori therës. Tema që trajtohet është shumë e ndjeshme, pasi të flasësh në vitin 2008 për gjakmarrjen, është e dhimbshme. Mendoj që edhe regjisori, Altin Basha, që ka marrë përsipër veprën, ka për të sjellë diçka të mirë.


Po flitet dendur për reformë në teatër, ç’duhet të kuptojmë me të?
Së pari, duhet të përcaktohet mirë statusi i institucionit, në mënyrë që të jetë më i pavarur, të vetvendosë. Mund të marrim shembullin e vitit 1993, kur 90% e biletave iu la teatrit dhe ky vetëmenaxhim krijoi hapësira për të rritur kërkesat, për të mos u varur nga buxheti i shtetit, për të lidhur kontrata, për të marrë aktorë e regjisorë me emër, për të ndërtuar skenografi e kostumografi më të kushtueshme e cilësore. Dhe kjo nuk i rëndon buxhetit të shtetit. Por këto janë çështje që zgjidhen ligjërisht. Momentalisht po punohet për amendamentet e Ligjit “Për artin skenik”. Në ministri janë ngritur grupe pune. Është kontaktuar edhe me bordin dhe kemi zhvilluar mbledhje mbi këtë çështje.


Atëherë, çfarë kërkohet nga “reformatorët”, pasi gjithmonë reforma është parë si çështje drejtorësh, hiqet njëri, vjen tjetri.
Në takimet që kemi pasur në TK nuk është diskutuar për emra konkretë, për aktorë e drejtues. Na u kërkua mendimi se si mund t’i japim një frymëmarrje të re teatrit, si duhet të mbështetet përmes ligjit aktiviteti, krijimtaria. E shoh hap pozitiv thithjen e mendimive, jo vetëm në TK, por edhe nga regjisorë dhe aktorë të lirë. Nga ana e ministrisë pritet një debat i hapur që këto mendime të jenë bazë e amendimeve të ligjit skenik. Mendoj se në bazë të reformës nuk është aktori e aq më pak drejtori. Sigurisht një drejtor, një menaxher i mirë është pjesë e zbatimit të ligjit. Aftësia e tij është që brenda kornizave të ligjit të bëjë maksimalen. Që ligji të jetë i zbatueshëm për të krijuar mundësi në gjithë sektorët e teatrit, duhet të stimulojë krijuesit, të mbështesë artistët e rinj e të nxisë shpirtin e konkurrencës. Aktualisht ndodhemi në udhëkryq. Ka përpjekje për më mirë, por ka nevojë për shumë bashkëpunim, por që nuk po e kapim dot kohën).


Miratohet projekti i Basha-Çapalikut

Bordi i Teatrit Kombëtar në mbledhjen e radhës së djeshme diskutoi veprën “Allegretto Albania” të Stefan Çapalikut, fituese e konkursit të Dramës Shqipe e cila do të vihet në skenë nga regjisori Altin Basha. Ishte premtim i ministrit Ylli Pango dhe është nga rastet e rralla që Ministria e Kulturës jep “direktiva” në këtë drejtim. Bordi ka kërkuar detaje edhe për platformën regjisoriale të “Makbethit” që pretendohet të sillet nga anglezi Ian Woolbridge. Për anëtarët e bordit kjo është vepër madhe, e njohur nga publiku, prandaj kërkojnë më shumë transparencë për projektin.

Vetëm dy premiera

Ardhja e regjisorit anglez nuk është e sigurtë dhe regjisori grek mendon t’i çojë “Trojanet”) në skenën e Butrintit. Pra deri në qershor kur mbyllet sezoni teatror, në skenën e TK ka vetëm dy premiera, “Franku V” me regji të Arben Kumbaros dhe “Allegretto Albania” me regji të Altin Bashës. Si rrallë herë TK do ta mbyllë sezonin me dy premiera. Nga një garë për sa më shumë premiera në kohën e Kiço Londos, kemi kaluar tek prodhimi minimal. Do të ishim të kënaqur sikur këto dy premiera të ishin të qëlluara dhe të shfaqeshin sa më shumë. Pak e saktë.

Kalendari i fundjavës

Teatri Kombëtar
Në sallën “Kadri Roshi”, po shfaqet monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, ku interpreton aktori Mirush Kabashi. Dje, Kabashi dha shfaqjen e tij të 100. “Apologjia” vazhdon sot dhe nesër.


Në skenën e vogël, një tjetër monodramë. Bëhet fjalë për “Mënyrat e Zonjushe Margaritës”, me regji të Kiço Londos, nën interpretimin e aktores Luiza Xhuvani.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit
Fundjava do të jetë sërish e heshtur për TKOB-in. Gjatë kësaj jave u dha koncerti “E lashta Çamëri”, ndërsa dje, një koncert me muzikë të Dvorak i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, me solist violinçelistin Renato Ripo.


Galeria Kombëtare e Arteve
Vijon të ekspozohet “Ëorld Press Photo” dhe personalja e piktorit Mentor Shehu. Janë 43 punë, piktura në vaj e vizatime, që autori i ka realizuar gjatë viteve 2003-2006. Ekspozita rri hapur deri më 6 mars.


Akademia e Arteve
Skena e Akademisë së Arteve vazhdon të mos ketë asnjë shfaqje. E gjithë veprimtaria është kufizur në ndonjë aktivitet të rrallë studentësh.




Alma Mile (Shekulli)

Nessun commento:

Posta un commento