Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Teatri që flet më shumë në televizion

Prej rreth 25 vjetësh, çdo të mërkurë në mbrëmje në ekranin e TVSH-së ka zënë vend rubrika "Teatri në Ekran". Veprat kanë filluar të filmohen që në vitet '60 dhe ende vazhdojnë. Në proces regjistrimi "Trojanet".


Prej pothuajse 25 vjetësh, publiku shqiptar që humbet shfaqjet në teatër ka një tjetër alternativë për t'i parë: televizionin. Janë me dhjetëra pjesët që janë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqen në ekranin e TVSH-së, si "Epoka para Gjyqit", "Cuca e maleve", "Tokë e përgjakur", "Arturo Ui", "Nata e dymbëdhjetë", e për të mbërritur deri në ato të ditëve të sotme.



Pjesët e para teatrale u regjistruan në vitet 60-70, atëherë filloi edhe transmetimi i tyre në televizion. Fillimisht nuk transmetohej sipas një programi të caktuar, do të duhej të vinin vitet '80 që teatri të zinte një mbrëmje në javë në ekranin e TVSH-së, së pari e premtja dhe më pas (ashtu siç vazhdon të jetë edhe sot) e mërkura. Çdo të mërkurë një pjesë ndryshe.

Dhe për të mbajtur një rubrikë të tillë TVSH nuk e ka pasur të vështirë. Në arkivë numëron një numër të madh veprash, pothuajse gjithçka që është vënë në skenë që nga vitet '60.



Regjisori Ilir Bega thotë se ideja e teatrit në televizion u dha nga drejtuesit e shtetit. "U pa si domosdoshmëri që publiku shqiptar, krahas filmave dhe gjinive të tjera të artit dramatik, të ndiqte edhe dramën",- thotë Iliri. Askush nuk e kishte idenë se kjo do të mbijetonte për kaq kohë.

Bega ka rreth 25 vjet që kujdeset për këtë rubrikë. Ai jo vetëm zgjedh pjesët që do të transmetohen por edhe i filmon ato.

Para pak kohësh ka përfunduar regjistrimin e komedisë "Puthja" në Korçë dhe aktualisht është në procesin e regjistrimit të dramës "Trojanet".

Puna nis pa shkuar në skenën e teatrit. Përcaktohet gjithçka që do të regjistrohet në letër dhe më pas nis filmimi.



Prania e regjisorit të pjesës nuk është një domosdoshmëri që duhet përmbushur. "Shpesh herë regjinë e bëjnë aktorët që kanë qenë më pranë regjisorit",- thotë ai.

Shumë gjera ndryshojnë, por jo deri në atë pikë sa të prishin konceptin regjisorial. Më shumë punohet në anën teknike, ndryshohet ndriçimi vendosen mikrofona.
Për regjisorin Bega teatri i filmuar e përcjell më shumë mesazhin sesa ai që luhet në skenë. "Teatri në televizion shpreh më shumë.

Regjisori ka mundësi të luajë me planet. Publiku në sallë nuk mund të shohë çdo detaj të aktorëve. Nëpërmjet këtyre planeve, regjisori e jep më mirë mesazhin e personazhit. Në një pjesë apo periudhë të monologut vetëm një fjali është më kryesorja, gjë që në televizor regjisori e jep nëpërmjet planit portret",- shpjegon ai.

Më tej regjisori radhit edhe arsye të tjera: "Në një shfaqje live aktorit i duhet të sforcohet (të bërtasë) për të hedhur batutën deri të spektatori i fundit, ndërsa në TV nuk ndodh një gjë e tillë".


Pasi përmend gjithë këto anë pozitive të teatrit të filmuar, Bega shton se kjo është arsyeja pse salla e teatrit mbushet përgjysmë. "Televizioni e ka bërë dembel publikun. Publiku nuk po e ndiqte më në sallë. Të tjera emocione ka ekrani të tjera emocione merr kur e sheh një shfaqje direkt",- tregon Bega.

Në kohët kur në botë teatri po kërkon forma nga më të ndryshmet për të komunikuar me publikun, teatri shqiptar ende vazhdon të shfaqet nëpërmjet TV-së. Regjisori Bega thotë se një dukuri e tillë nuk ndodh vetëm në Shqipëri.

Janë të shumtë vendet që filmojnë teatrin. Këtë gjë e vërteton me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin Ndërkombëtar të teatrove të Filmuar. Në vitin 1994 pjesa "Kush e solli Doruntinën" konkurron ne festivalin që atë vit mbahej në Romë.

"Nesë edhe vitin e ardhshëm ky festival do të realizohej në Romë do të kishim marrë pjesë sërish, por fatkeqësisht u organizua diku tjetër dhe ne i humbem kontaktet",- tregon Bega.
Megjithëse regjistrimi i shfaqjeve e ka një të mirë. Ka bërë të mundur që të ngelet përjetë puna e të gjithë atyre aktorëve që janë ngjitur në atë skenë për më shumë se 50 vjet. Emra të njohur të skenës si Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, etj


Regjistrimi i "Trojaneve" ndërpritet prej të ftohtit
Pjesa e fundit që regjisori Ilir Bega po regjistron është drama "Trojanet" e Euripidit. Një proces që ende nuk ka përfunduar. Ka qenë një mosmarreveshje mes Teatrit dhe ekipit xhirues që ka shtyrë punën për më vonë.


Regjistrimet për Trojanët nisën ditët e para të janarit. Në të njëjtën kohë që përgatitej për regjistrim kjo pjesë përgatitej edhe për t'u rishfaqur në skenën e TK. Procesi i punës u ngadalësua për moshën e thyer të aktores Margarita Xhepa. Fillimisht ishte ajo që nuk mund të përballonte ngarkesën e regjistrimit dhe të shfaqjes. Më tej puna u ndërpre për shkak të të ftohtit në sallë.


"Veshjet e aktoreve janë shumë të holla dhe ishte e pamundur të punoje në të ftohtë",- thotë regjisori Bega. TK u premtoi që do të ndizte kaldajat por këtë premtim nuk e mbajti. Ky institucion nuk mund të shpenzonte naftë të tepërt për të ngrohur ambientet në të cilët punojnë aktorët e tij. Në të tilla kushte u pa e udhës që regjistrimi të shtyhej për më vonë, atëherë kur të ngrohej koha dhe puna të mos varej nga kaldajat.

--------------------------------------------------------

"Kësulëkuqja" në Teatrin e Kukullave

Teatri Kombëtar për Fëmijë nis sezonin e tij për 2009-ën me pjesën "Kësulëkuqja". Historia e vajzës që shkon të vizitojë gjyshen e sëmurë që jeton në pyll do të shfaqet në datat 7 dhe 8 shkurt.


Teatri i kukullave ka përgatitur tashmë edhe pjesët që do të luhen për gjatë gjithë muajit shkurt. Përveç "Kësulëkuqes" fëmijët do të kenë mundësinë të ndjekin edhe të tjera përralla si "Magjistari Ozit", "Mbretëria e vetëmlojës" dhe "Arushi që nuk donte muzikën". Çdo të shtunë ka vetëm një shfaqje ne orën 11:00, ndërsa të dielave realizohen dy shfaqje, në 10:30 dhe 11:30.

Mbyllet ekspozita e Projekt 5,6
Sot është dita e fundit e ekspozitës së të diplomuarve të 2008-ës në fotografi. Ish- studentët e kursit Projekt 5.6 për gjashtë ditë me radhe ekspozuan punë e tyre në galerinë e qendrës kulturore Lindart. Fotot e ekspozuara janë punimet e diplomave te tyre. Nëpermjet objektivit te aparatit fotografik studentët kanë fiksuar pjesë të ndryshme të realitetit shqiptar.

Nessun commento:

Posta un commento