Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Teatri Shkodran - Gjurmë dhe gjurmime për një traditë...

Teatri Shkodran - Gjurmë dhe gjurmime për një traditë...

I kushtohet lëvizjes teatrore amatore e profesioniste 1879-1990 në qytetin e Shkodrës


Mosha e lëvizjes teatrore
Mosha e lëvizjes teatrore në qytetin e Shkodrës është e papërcaktuar ende edhe sot e kësaj dite. Në këtë papërcaktueshmëri, të parat që të vijnë në mendje janë një numër jo i vogël pyetjesh në një rrafsh sa real aq ireal, krahasimet (një pjesë u ngjajnë gjymtyrëve të gjymtyar), dëshmitë okulare me një besueshmëri mjegullnaje, spektatorë të vonuar, kronika që s'u shkruan apo u shkruan dhe u varrosën si thesare, ditarë të mbetur që ende s'guxojnë të dalin nga arkivat familjare, dëshmitarë brezash që ende jetojnë e që historia kërkon fjalën e ndershme prej identiteti të tyre, regjistrat, fletët e të cilëve janë zverdhur nga koha e nga korrozioni...

Të gjitha këto po të ishin "gjallë" do të formonin një enciklopedi aq të dëshiruar. S'do të kishim nevojë të kërkonim e të hidhnim dritë, aty ku mungojnë e kanë humbur gjurmët. E gjurmët që njohim datojnë informacion të pakët në një vit a në një shekull...Po më pas?! ... Heshtje ... Heshtje që s'na pëlqen. E për ta "thyer" këtë heshtje sadopak, gjatë hulumtimeve tona mblodhëm ca thërrime nga kjo lamije si argumente edhe më të plota për të vertetuar edhe më thellësisht ekzistencën e kësaj lëvizjeje amatore teatrore si më e moçmja. Po kërkojmë zanafillën e saj. Edhe para themelimit të seminarit katolik që pushoi së jetuari më 4.6.1856; ka të dhëna (besoj që do të dokumentohen më vonë) se ka ekzistuar një seminar dioqezan i udhëhequr nga kleri katolik shekullar shkodran, ku janë dhënë për herë të parë një numër i vogël shfajqesh në gjuhën shqipe, tematika e të cilave nuk del jashtë mureve të seminarit. Më pas, aty nga viti 1865, ku hapësira e seminarit iu besua jezuitëve, u shfaq drama "Çifuti bredhës" (në gjuhën italiane).
Kronika e dokumentimit pasurohet më tej dhe më bindshëm, kur shfaqja teatrore të flet me zërin e gjuhës shqipe. Në arkivin personal të studiuesit Gjush Sheldia lexojmë: "Nga libri "Shqipnija" e Dedë Pasit, vll.I (1874-1914), kreu i parë, fq.37, rreshtat 7-14 gjindet shkrue sa vijon: "...të më lejohet me shënue se për këtë qëllim, qysh më 20.2.1879, vit i dytë i Institutit, filloi çfaqja, në një salon të Kolegjës, me paraqitjen e një farse (lojë gazit) të P. Çezarit, në gjuhën shqipe, - që pati - si thotë ditari, - nji jehonë të jashtëzakonëshme."
Një informacion më të plotë për këtë shfaqje gjejmë në shkrimin: "Shtrirja e lëvizjes teatrore amatore në Shkodër (1879-1930)" me autor Gjon Karma, Artist i merituar (rev."Skena dhe ekrani", 4/1983). Lexojmë: "Mako" vepër e Çezarit, përkthyer e përshtatur sipas zakoneve të vendit. Shfaqja u dha më 20.2.1879. Shfaqja e dytë (nuk i dihet titulli) u dha më 1880 nçë Kolegjin Saverian". Ndërsa në arkivin personal të studiuesit Sheldia përmendet edhe një shfaqje tjetër, por dy vjet më vonë: "...në shkurt 1882 u çfaq drama "I biri i çifutit" përkëthim i Pashko Barit, prift shkodran. Prej librit përkujtimuer "Kolegja Saverjane rrotull 50 vjetve" dhe nga vërtetimet gojore t'ish nxansvet të shkollës, del se aktorët ma të parë që çfaqen qenë: Gjon Midha, Bep Muzhani, Cin Pema, Filip Parruca etj. etj. Çfaqja asht dhanë në fruer, me rastin e karnevaleve; kët zakon e vijuenë deri vonë e vonë tui fillue t'ejten e majme, të diellën dhe t'marten e karnavaleve".
Një shfaqje tjetër, e cila është edhe e treta, e gjejmë të pasqyruar në materialet e dy studiuesve, ndonëse data ka ndryshimin e një dite. Dhe shfaqja është "Nata e Këshndellave" të leonardo de Martinos, më 24.12.1880. Drama u shfaq në gjuhën shqipe nga nxënësit e Shkollës popullore (kështu thirrej në atë kohë shkolla e mbajtur nga françeskanët).
Lidhur me këtë shfaqje, në librin "Arpa e një italo-shqiptari", fq.309-328, Venedik, Shtyp. e Sprirancës, viti 1881; gjejmë të pasqyruar: "...Nata e Këshndellave-Nieri Hy-shpëtimtari i vërtetë i popujve. Dram barituer, çfaqë nga fëmijt e shkollave popullore, n'kapelen e fretënve të vegjël, në Shkodër, natën e Krishtlindjes të 1880.
fq.311 - Shëtitja e barijve në Betlem.
fq.316 - Hyemja në kasollë (shpellë).
fq.321 - Dhurata e barijve.
Kjo dramë shejtë, tui ndrrue shka mund të shndrrohej - emna, fjalë e mbaresa që i përkasin seksit femnuer-kje paraqitë edhe ka me mujtë me u përsëritë ndonjë herë tjetër ndër kremtet e ardhëshme të këshndellave - nga nxanëset e motrave Stigmatine të Shkodërs.
Përshtypja që bani n'at popullsi, kjo, sikur ma pershkruente i miri at epruer i hospicit qendror me fjalët që vijojnë:
"Fort i dashtuni jem A.Leonard (Troshan)
Drama e përshpirtshme që ju keni përpunue për shpellën, dolli mrekullisht mirë. Sa populli! Shum njerëzimi! Shum u panë tui qamë nga njomsija e asajë skene t'ambël e të kandshme! Në kishën e hospicit tonë kje çfaqë në mëngjezin e Këshndellave, përpara agimit; tek motrat kahë mbramja e të njajtës ditë. Për të kënaqë sa ma tepër dëshirën e mirë të këtyre krishtenve të mirë, u desht përsëritë ditën e parë të vitit dhe ditën e Epifanisë. Gjithëshka qoftë për lavdin...etj.etj...
(Letra mban datën 8 janar 1881 dhe nënshkruhet nga A.Gjampero nga Bergamo)."
Mbetet aktualisht më i besueshëm mendimi që shfaqja e parë u dha më 20 shkurt të vitit 1879 dhe titullohej "Mako". Kjo lojë gazi paraqitet në gjuhën shqipe dhe interpretohet nga aktorë amatorë shkodranë. Megjithë gjurmimet tona, ende nuk kemi qartësuar një problem: emri i P. Çezarit nuk është i shënuar asgjëkundi në listën e mësuesve të Kolegjit Saverian. (Mendimi ynë i bashkëngjitet studiuesit Gj. Sheldi)

Shoqerite teatrore
Në lëvizjen teatrore Shkodra ka një traditë të pasur, të lakmueshme e rrezatuese. Kështu, në hapësirën kohore, deri në themelimin e teatrit profesionist, lindën dhe shfaqën portretin e tyre artistik amator shumë shoqëri, si: "Shkolla Fretnore" (1861), Kolegji Saverian (1905) me grupet deputuese:
"Seminari papnuer", "Kongregacioni i Zonjës Nunciatë", "Oratoria e Zemrës së Krishtit", "Rrethi bamirës i Sh'Jozefit", "Orfanotrofi i zemrës së Krishtit"; e më vonë shoqëritë: "Leka", "Iliria" (1931), Shkolla e Motrave Stigmatine (1878), Shoqëria "Rozafat" (18.02.1918), "Shoqëritë: "Mustafa pasha" me kryetar Ibrahim Gjyrezin e "Vaso Pasha" me kryetar Hilë Mosin, të cilat u shkrinë dhe morën emrin "Vllaznia" (1919-1935); "Gëzimorja" (Shirokë, 1922), "Populli" më vonë u quajt "Shkodra" (1923), "Grupi i Gjon Krajnit" (1923), "Atmja e lirë" (1932), "Djelmnia Antoniane" (1933) në përbërje të cilës më vonë: "Rrethi i Don Boskos" e "Scuola Cantorum" (1935); "Malet tona" (1934), "Grupi shkodranë" (1936), "Besa" (1937), "Komuniteti bamirës musliman" (1938), "Karnavalet" (1861, ndoshta dhe më parë), si dhe shoqëritë ndihmëtare e punëtore etj. Ky aktivitet i gjërë u zhvilluan ndër shtatë lokale teatrore që u ngritën herë pas here: Saloni i Kolegjit Saverian kishte 450 vende, i shkollës së Françeskanëve me 300 vende, i shkollës Stigmatine me 250 vende, saloni i shkollës së Parrucës (ndërtuar për kinema-teatër nga ushtritë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore) me 400 vende, saloni i shoqërisë "Bogdani" me 350 vende, saloni i shoqërisë "Vllaznia" me 400 vende. Më 23 nëntor 1919 u krijua shoqëria "Bogdani". Për 20 vjet u bë feneri i lëvizjes teatrore në Shkodër dhe njëkohësisht bërthama kryesore e aktorëve profesionistë të teatrit "Migjeni".

Kujtime te regjisorit Andrea Skanjeti
Endrrën e tij të fëmijërisë për teatrin e zhvilloi dhe e realizoi duke punuar për të më se një gjysëm shekulli si regjisor e shkrimtar, duke i falur një jetë teatrit, një jetë Artisti i Popullit, Andrea Skanjeti. Bilanci artistik: 190 drama, 86 komedi, 53 farsa, 16 melodrama, 7 opereta, 7 bocete, 4 monologë, 3 skeçe, 1 argëtim poetiko-muzikor, 1 idil e 1 vodevil.
Dhe kujtimet e tij...
- Vitore Nino (Ujka), Artiste e merituar
"Eshtë një ndër aktoret që përvetësonte menjëherë të dhënat regjisoriale dhe e studionte rolin e saj në thellësi. Këto të dhëna i mishëronte duke i zhvilluar me krijime të reja sipas natyrës së personazhit që interpretonte. Që nga "Portreti" (1946) dhe gjatë periudhës së 30 e më shumë viteve ndër shfaqjet që mori pjesë u dallua për një realizëm sa më të natyrshëm të rolit. Këto i përgatiste me dashuri dhe ishte e lidhur ngushtë me teatrin sa ajo nuk u shkoq nga ai as kur doli në pension."
- Ndrekë Prela, Artiste e Merituar
"I pajisur me një kujtesë fort të zhvilluar. Tekstin e zotëronte menjëherë dhe çdo të dhënë regjisoriale. Rolet që iu besuan i interpretoi në mënyrë të shkëlqyer. Flet gjuhën spanjisht e italisht." - Ndoc Vasija
"Një nga themeluesit e shoqërisë "Bogdani", sekretari i kryesisë. Si komediograf në bashkëpunim të ngushtë me dramaturgun Zef M.Harapin qenë furnizuesit kryesorë të kësaj shoqërie me drama, komedi, përkthime e adpatime. Më konkretisht: në vitin 1921 përpunoi dhe përshtati komedinë "Dy gungaçat", e cila u shfaq më 6.2.1921. Më pas në vitet 1927, 1936, 1939, 1942...gjithësejt 11 herë. Interpreton në dramë: "Çilc për çilc" punuar nga Zef M.Harapi dhe vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 16.2.1915. Viti 1920 shënon për historinë e teatrit amator shkodran pikën kulminante të sasisë së shfaqjeve. Dalin në skenë të gjitha gjinitë teatrore: drama, melodrama, komedia, komedia, loja e gazit, vodevili, boceti e monologu. Ndoc Vasinë e shohim si regjisor në këto pjesë: "Batakçija i rrejtun" (komedi), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 3.12.1920; "Çorba e Nastradinit" (vodevil), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 3, 6.2.1921; "Rikardi Kumblebery" (dramë), vënë në skenë nga Shoqëria "Bogdani", më, 28,29.3.1921; "Mjeshtër Tofli" (komedi), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 3.12.1921; "Shkup e Shkodër" (komedi), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 3.3.1922; "Dy majmuna në një raft" (lojë gazi), vënë në skenë nga Shoqëria "Bogdani", më 3.3.1922, 28.11.1922, 21.4.1924, 25.12.1932; "Ciko Pistolja" ose "Spitali i të marrëve" (komedi), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 20.2.1923; "Mihajl Shliva, lugat" (lojë gazi), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 20.2.1923; "Dy zotni pa pantallona" (komedi), vënë në skenë nga Shoqëria "Bogdani" më, 9.2.1923; "Adalgjizi" (dramë), vënë në skenë nga Kongregacioni Marjan më 25.12.1924; "Duka i Narfolkut" (dramë), vënë në skenë nga Shoqëria "Bogdani", viti 1931.
Në bashkëpunim me Gjon Pentalinë kanë vënë këto pjesë: "Ferdinand Kortez" (dramë), vënë në skenë nga Kolegji Saverian e Uratorja, më, 15, 17, 20.2.1920; "Sejani" (dramë), vënë në skenë nga Kolegji Saverian e Kongregacioni i Zojës Anunciatë", më 8.12.1920; "Bylbyli" (komedi) vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 3, 8.2.1921; "Zotnija i dispruem" (lojë gazit), vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 15.2.1931.
Në bashkëpunim me Ndoc Dedën kanë vënë këto pjesë: "Ciko Pistolja" ose "Spitali i të marrëve" (komedi), vënë në skenë nga Shoqëria Antoniane, më, 20.2.1944; "Kasheta e koprracit" (komedi), vënë në skenë nga Shoqëria "Bogdani", më, 8.10.1923; vënë në skenë nga Shoqëria Antoniane, më, 25.4.1943; "Gjokë Pulaci" (komedi), vënë në skenë nga Shkolla e "Kangtorëve", më, 3.5.1942.
Në bashkëpunim me Shuk Radojën kanë vënë në skenë pjesë: "Detektivi" (komedi), vënë në skenë nga Shoqëria "Bogdani", më, 28.11.1931.
Në bashkëpunim me Tef Krroqin kanë vënë këtë pjesë: "Këpucët e Kasem Agës (lojë gazi), vënë në skenë nga Don Bosko. Ndoci, në fillim, ishte mësues në Kolegjin Saverian dhe më vonë në shkollën shtetërore "Skënderbeg", gjithë duke u dhënë pas teatrit si shkrimtar e regjisor. Në vitin 1929 largohet nga Shkodra dhe bëhet redaktor i gazetës "Shekulli i ri" i Durrësit, pas 6 muajsh në Tiranë në "Gazetën e re", "Besa", "Drita" etj., ku shquhet si humorist."
- Ndoc Mëshkalla
"Për një frymëmarrje të rregullt dhe të shtruar kam parasysh aktorin Ndoc Mëshkalla, që nga dilentatizmi arriti të bëhet aktor profesionist ndër më të dalluarit në atë kohë në teatrin popullor të Tiranës. Megjithëse me mushkëri të prekura, ai diti të ushtrojë frymëmarrje aq mirë sa të realizojë me sukses role kryesore me tekst të gjatë. Ai ishte shumë i aftë në qeshje dhe në qarje në mënyrë të plotë artistike. Qeshja e tij e kumbueshme, me ngjyra të ndryshme sipas rasteve të natyrës, ndezte të gjithë fytyrën e tij, ku pasqyrohej aq qartas brendia shpirtërore. Me lehtësinë më të madhe kur duhej shpërthente në lotë rrëkajë. Aktori Ndoc Mëshkalla ishte autodidakt shumë inteligjent, nuk kishte shumë shkollë, por shkollën dhe edukatën e mori në skenë. Me thjeshtësinë e pasionin e tij të madh për teatër e prirjen spontane të zhvilluan mua më ka mësuar shumë. Ai, kur vishej, me kostumin e rolit dhe kryente makjazhin, të cilin mundohej gjithmonë ta bënte vetë gjatë kohës që i kishte mbetur për të dalë në skenë, e shfrytëzonte duke përgatitur replikat dhe duke hyrë në jetën e personazhit. Ai në ato momente nuk ishte më Ndoc Mëshkalla, por personazhi i veprës që interpretonte.
Interpretoi: "Trimnija në provë" (lojë gazit), regjisorë: Gjon Qeraxhija e Gjon Pentalija, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 3,8.12.1920; 4.2.1921; "Besa" e S.Frashërit, regjisorë: Kristo Floqi e Karl Gurakuqi, vënë në skenë nga Shoqëria "Vllaznia", më, 27, 28.11.1919; 26.11.1921; "Shërbëtori i dy zotnive" i Goldonit, regjisorë: H.Mosi, Gj.Pentalija e K.Kakarriqi, vënë në skenë nga Shoqëria "Vllaznia", më, 1936; "Lejleku në Shkodër" (lojë gazit), punuar nga A.Xanoni e Z.Harapi, regjisor: Tush kakarriqi, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 16.1.1929; vënë në skenë nga Shoqata "Leka", më, 16.1.1931; "Ferdinadn Kortez" (dramë), regjisorë: Nd.Vasia, Gj.Pentalia, vënë në skenë nga Kolegji Saverian e Uratorja, më, 15, 17, 20.2.1920; "Shkolla e katundit" (lojë gazit), punoi A.Xanoni, regjisor: Gj.Pentalia, vënë në skenë nga Uratorja, më 15, 17.2.1920; "Batakçija i rrejtun" (komedi), regjisor: Nd.Vasia, T.Kakarriqi, vënë në skenë nga Shoqëria "Leka", më, 17.1.1932; "Fluturoi dysheku" (lojë gazit), punoi A. Xanoni, regjisorë: Gj.Pentalia e T.Kakarriqi, vënë në skenë nga Shoqëria "Leka", më, 12.2.1931; "Shkup e Shkodër" (komedi), regjisor: Nd.Vasia, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 3.3.1922; "Gjin Bue Shpata" (dramë), regjisorë" Filip Fishta e Gjush Sheldia, vënë në skenë nga Shoqëria "Shkodra", më 1924; "Djemnit hajna" (dramë), vënë në skenë nga Kongregacioni Marjan, më, 28.2.1924; "Nata e shtojzovalleve" (komedi), regjisor: A.Skanjeti, vënë në skenë nga Shoqëria "Populli", më, 27.9.1924; "KOnt Kaciku" (vodevil), regjisor: T.Kakarriqi, vënë në skenë nga Shoqëria "Leka", më 12.2.1931; "Veshët me piru" (komedi), regjisor: Gj.Pentalia, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më, 12.2.1931; rrethi Don Bosko, më, 7.5.1935; "Ali pashë Tepelena dhe Suljotët", autori A.Skanjeti, vënë në skenë nga Shoqëria "Vllaznia", më, 27,28.11.1936; "Princi Stromokos" ose "Nji atentat në Lodërtunë" (komedi), regjisor: A.Skanjeti, vënë në skenë nga Shoqëria "Vllaznia", më, 1941.

Teatri Profesionist, 24.11.1949
Teatri i Shkodrës, që mban emrin e poetit të shquar Migjeni, si një ndër teatrot më të mira të vendit tonë, ruan traditën më të shëndoshë të shoqërive teatrore. U aprovuan: Andrea Skanjeti (regjisor e drejtor), aktorët: Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin LAcaj, Vitore Ujka (Nino), Tef Krroqi; në administratë: Zef Jubani (llogaritar), Palok Kurti (sufler), Pjetër Deda (skenograf), Ejëll Gjusi (rrobaqepës), Lec Prendi (marangoz); aktorët gjysmëprofesionistë me një shpërblim mujor u aprovuan: Zef Jubani, Tinka Kurti, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia.

Teatri dramatik amator
Në vitin 1952, në Shtëpinë e Kulturës ekzistonin dy grupe teatrore me amatorë. Me këto grupe u vunë në skenë pjesët: "Zëvendësimi" (një akt), "Mysafir i shtrenjtë" (një akt), "Mbjell mirë, të korrish mirë" (një akt), "Familja e përbashkët" (një akt), "Mosmarrëveshja" (një akt). Gjithashtu u vu në skenë komedia "NJë pulë ka kënduar si gjel" të Ton Shoshit. Komedi e dobët. Përmban disa aspekte të jetës së malësorëve të Dukagjinit në periudhën 1940-'50 dhe merrej me zhvillimin e ndërgjegjes së këtyre njerëzve. Grupi teatror "Vasil Shanto" vuri në skenë dramën "Dashuri në agim" të A.Gallan. Interpretuan: Ndoc Çikliqi rolin e Stefanit e paraqiti me vërtetësi e sentiment. Violeta Pali në rolin e Varvarës e paraqiti mirë. Po ky grup vuri në skenë komedinë "Fanatikët" të Goldonit përkthyer e vënë në skenë nga A.Skanjeti. Premiera u dha në Tiranë, më 15 shkurt 1955. Interpretuan: F.Martini, Domenika Veli, Violeta Pali, Diamanta Pema, Ndoc Çikliqi, Rrok Ashta, Rrok Sheldia, Shyqyri Bakalli, Çesk Vuksani, Gjovalin Vjerdha.
Skenat u punuan nga Franc Ashiku. Me të punoi Çesk Vuksani. U vu në skenë komedia "Fejesa" (shkruar dhe vënë në skenë nga A.Skanjeti). Interpretuan: Ndoc Çikliqi, Kolec Tafrruku, Julka Kakarriqi, Veronika Prela, Domenika Veli, Rrok Sheldia, Rrok Dajçi, Ferdinand Bushati, Gjovalin Çarkaxhia, Gjina Paskali. Me grupin teator të Shtëpisë së Kulturës, regjisori Skanjeti vuri në skenë dramën "Koha e rinisë së baballarëve" të Boris Gorbatov. U dalluan Paulin Preka në rolin e Antonit për temperamentin e tij, Ana Ujka në rolin e vështirë të Natashës.
Ajo krijoi një moment mjaft emocional. Rrok Ashta në rolin e Stefanit, Rrok Dajçi në rolin e Ocarit, studenti Fahri Doraci në rolin e Jefimoikut, Kolë Jubani në rolin e Gjegas, Vera Prela në rolin e Dashës, Terezina Preka në rolin e Madamë Olupines, Domenika Veli në rolin e Mariuses etj. Skenografia Lec Fishta, i ndihmuar nga Franc Ashiku e Çesk Vuksani, kontribuoi rrobaqepësja Zina Ashta.

Estradat e para
Në vitin 1954 regjisori Skanjeti vë në skenë një numër estrade të titulluar "Estrada në penxhere", këngët ishin të Tonin Harapit e Deto Haxhit, orkestrën e drejtoi Zef Leka. pastaj vuri numrin tjetër të titulluar: "U çua njeri e tha". Përgatitja e pjesëve humoristike e letrare nga A.Skanjeti, zgjedhja e këngëve popullore nga deto Haxhi, kurse Zef Leka drejtoi orkestrën.
Në vitin 1955 regjisori Skanjeti vuri dy numra estrade përkatësisht: "E tashi do të dëgjoni" dhe "Estrada pa perçe". Kontribuan shkrimtarët: Tonin Miloti, Jonuz Dini, Ton Shoshi, Frano Gjelaj, Ludovik Pepa. Interpretuan aktorët diletantë (atëherë) Hasan Smaja, Tano Banushi, Paulin Preka, aktorët profesionistë: Adem Kastrati, Tinka Kurti, Prekë Lëkunda, Lec Ndreka, Pistol Soja etj. Orkestrina nën drejtimin e Tonin Zadejës. Në vitin 1958 u krijua estrada profesioniste. Regjisor: Paulin Sekuj. Veç talentit ishte dhe një punëtor i palodhur, një nuhatës dhe studiues konsekuent. Ishte njeri modest dhe i heshtur, që mendohet. Ndoshta pak i ngadalshëm, por sistematik në punë.

Nessun commento:

Posta un commento