Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Vitore Nino, ikja e heshtur e artistes

VITORE NINO, IKJA E HESHTUR E ARTISTES

“Artisja e merituar” Vitore Nino, u nda nga jeta javën e kaluar dhe u përcoll për në banesën e fundit në heshtjen e medias, por me dashurinë e famlijarëve, kolegëve dhe miqve të saj të dashur.

Para disa ditësh u nda nga jeta një aktore e shquar e teatrit “Migjeni”, një themeluese e këtij teatri, me një karrierë të gjatë mbi 40 –vjeçare, Vitore Nino (Ujka). Ajo ishte nga aktoret e para që u ngjit në skenë në teatrin amator, që në vitin 1946, e u nda prej andej nga fundi i viteve 80-të. Me një karrierë të gjatë e të suksesshme Vitore Nino mbahet mend nga spektatori shkodran për larminë e roleve, për bukurinë skenike e mbi të gjitha për talentin e saj. Ndërsa spektatori shqiptar i ekranit e mban mend në komedinë e famshme “Çifti i lumtur”, ku Vitore Nino luan rolin e hallës. Nino ishte një aktore që, së bashku me aktorë të tjerë të shquar të tetarit “Migjeni” krijuan një profil kolektiv, të veçantë dhe që të gjithë së bashku ishin nga shtyllat e teatrit shqiptar. Janë pjesë të mëdha, komedi e drama nga më të arrirat e dramaturgjisë kombëtare e asaj të huaj, të cilat konkurruan denjësisht në rang kombëtar, dhe mbetën si modele të artit tonë skenik.
Ikja e aktores së shquar Vitore Nino ishte një humbje për artin tonë, një dhimbje për kolegët, familjarët e miqtë e saj. Ajo mbetet një krenari e qytetit të Shkodrës, mbetet një aktore që do të kujtohet brez pas brezi për kontributin dhe talentin e saj.


***
Vitorja u lind në Shkodër, në mesin e viteve 20, kur teatri amator i shoqërive kulturore ishte në kulmet e tij. Shkodra, me shoqëritë kulturore, me teatrin amator ato vite, ishte ndër qytetet pararojë të artit tonë skenik, pasi aty, në atë qytet, u dha edhe shfaqja e parë teatrale në fund të shek XIX. Kjo atmosferë arti, me shfaqje e një rini të kulturuar, ndikoi shumë në karrierën e vajzës së re shkodrane me plot ëndrra. Pas luftës, ajo së bashku me vajza e djem të tjerë, aktorë të talentuar të artit amator, krijuan me regjisorin e madh Andrea Skanjeti teatrin diletant të shtëpisë së kulturës, me të cilën vunë në skenë disa pjesë. Vitorja shkëlqeu që në shfaqjen e parë në vitin 1946. Pjesa “Portreti” e vënë në skenë nga Skanjeti, bëri të mundur të shpërfaqet talenti i Vitores dhe vajzave të tjera. Kjo bërthamë e teatrit diletant bëri që në vitin 1949, katër vjet pas krijimit të Teatrit Popullor në Tiranë, të krijohej teatri profesionist “Migjeni”. Së bashku me 25 pjesëtarë të tjerë, mes të cilëve edhe Vitore Nino, Ida Kraja, Çezarina Çiftja, Aneta Nikaj etj nisi udhën e tij teatri profesionist që mblidhi rreth tij artistët më të talentuar të kohës. Në karrierën e saj të gjatë janë afro 80 role në skenën e teatrin “Migjeni” dhe mbi 7 role edhe në filmin artistik. Pa u ndalur më gjatë në analizën e tyre do të veçonim nga krijimtaria e gjatë rolet e Vitores në pjesët “Portreti” (1946), “Çështja ruse” (1947), “Ata që nuk shfaqen” (1948), “Ishulli i paqes” (1949), “Përmbysja” (1950), “Votra e huaj” (1959), “Nora (1960), “Përkolgjinajt” (1963), “Cuca e maleve” (1967), “Çifti i lumtur” (1974), etj. Ndërsa në filmin artistik Vitore Nino ka interpretuar që në filmin “Komisari i dritës një rol të vogël e më pas edhe në filmat “Çifti i lumtur”, në rolin e hallës, “Ditët që sollën pranverë” (1978), “Qortimet e vjeshtes” (1981), “Dora e ngrohtë” (1983), “Dasma e shtyrë” (1985), etj.
Veprimtaria skenike e Vitores është e larmishme, nga role të vegjë, në role të fuqishëm karakteri, nga komedia e gëzueshme tek dramat e lotët e thellë. Një aktore me vlera si Vitore Nino ka qenë fat për teatrin “Migjeni”, pasi ajo ka kompletuar më si miri atë tablo të bukur të aktorëve shkodranë, të cilët të gjithë së bashku i ngjajnë një kurore plot yje ku secili prej tyre ka vendin e merituar e të domosdoshëm.
Vitet e fundit Vitorja, ashtu si shumë shkodranë të tjerë, e la Shkodrën, qytetin e saj dhe familjarisht u shpërngul në Tiranë. Në një moshë të thyer, Vitorja la pas qytetin e ëndrrave të saj, la pas skenën, miqtë kolegët e vjetër e të rinj, la pas kujtime të cilat i mbetën një peng në udhëtimin e saj drejt Tiranës. Personalisht e kam takuar këtë verë në kafe “Lux”, duke pritur djalin, në mos gaboj. Bisedova me të, dhe në fjalët e saj ndihej ai trishtimi për Shkodrën, por humori dhe sytë e qeshur të saj e bënin më të gjallë dhe i jepnin forca e kurajë. Lamë një intervistë për të bërë bashkë, të cilën nuk e bëmë kurrë, për arsyet e saj objektive, në pritje të një telefonate që nuk erdhi kurrë. Këto rreshta janë për një aktore të madhe, për një figurë të shquar të teatrit shqiptar, e cila meriton më shumë se një shkrim.
Për familjarët, miqtë e kolegët e saj, mungesa e Vitores është dhimbje, për artin është humbje. Unë i përkas atij brezi të ri që u rrit me artin e pavdekshëm të këtyre aktorëve dhe them me krenari se e kam takuar, kam biseduar me Vitoren, këtë aktore që sot prehet e qetë, pas një jete të trazuar, por që la pas art, magji, la pas emrin e saj të nderuar e të pavdekshëm.


Role:
Teatri
:
“Portreti” (1946)
“Çështja ruse” (1947)
“Ata që nuk shfaqen” (1948)
“Ishulli i paqes” (1949)
“Përmbysja” (1950)
“Votra e huaj” (1959)
“Nora (1960)
“Përkolgjinajt” (1963)
“Cuca e maleve” (1967)
“Çifti i lumtur” (1974)
“Baca e Gjetajve” (1981)
“Çështja e Blertës” (1984), etj.


Filmi:
“Komisari i dritës” (1966)
"Çifti i lumtur” (1975)
“Ditët që sollën pranverë” (1978)
“Qortimet e vjeshtës” (1981)
“Dora e ngrohtë” (1983)
“Dasma e shtyrë” (1985)
“Rikonstruksioni” (1989)etj.


Andrea Skanjeti: “Eshtë një ndër aktoret që përvetësonte menjëherë të dhënat regjisoriale dhe e studionte rolin e saj në thellësi. Këto të dhëna i mishëronte duke i zhvilluar me krijime të reja sipas natyrës së personazhit që interpretonte. Që nga “Portreti” (1946) dhe gjatë periudhës së 30 e më shumë viteve ndër shfaqjet që mori pjesë u dallua për një realizëm sa më të natyrshëm të rolit. Këto i përgatiste me dashuri dhe ishte e lidhur ngushtë me teatrin sa ajo nuk u shkoq nga ai as kur doli në pension.”


Flori Slatina

Nessun commento:

Posta un commento