Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

venerdì 27 febbraio 2009

Portokalli 30\11\08 Polici

Portokalli 30\11\08 Polici

Portokalli 30\11\08 vandam sula

Portokalli 30\11\08

West Side Family - Në Krahët e Tua Do Jem

Në krahët e tua Do Jem

Ngrihesh fillon ecen
kur gjunjet ty s'te mbajn
ti qan e brenda vetes
qesh per te mos u par
hey je derrmuar ti tani po zvarritesh
por ke kemb te forta
ke filluar qe te rritesh
furtun ke para vetes
por mbahesh perseri
ti se di se c'do te thote
por ke rrugen ne marrezi
ne mes mbaron gjithcka
si nje film qe sapo pritet
ky film po vazhdon
dhe ty s'te fshijn me vitet
te shtrengoj fort te prek te puth
ti je ti
une rrugen prap vazhdoj
por kam lote ne syt e mi
me dhem zemra qe s'te kam
po shpirt une ty te kam
c'do dite prap me ty lind
dhe aq larg teje qe une jam
me ler te jem ti
nese neser s'do te jesh
me ler te shoh ne sy
nese sy nuk do te kesh
me merr me jep force
ne rrugen time te di
gjithe rruget e zemres time
ecin me cojn te ti

Ne krahet e tua do jem
kur me force mos te kem
do te vi e do te mbaj shpirt
gjersa dhimbja te shkoj tej
syt e tu do te jem
erresire mos te ndjesh
do te flas me zerin tend
te kam jete te kam perjete
krahet e tua do jem
perqafimin do ndjesh
do jetoj me frymen tende
sa dhe fundi frike te ket
dhe ne enderra me vjen
per c'do nate shpirti ndjen
doren tende ne trupin tim
perkedhel e merr me flet
per jeten tone
ne krahet e tua do jem

Flet te bardha shoh ne librin e jetes time
si nje shpirt i burgosur qe mban frymen me kujtime
me ndodh te jem pa ty
neper turma i harruar
nje njeri qe nuk jam me
por dikur kam ekszistuar
jete kam nga buza jote me ty prane
une e ti ishim dikur
perjetsisht te pa ndare
kur qeshje qeshje dhe afroheshe prane meje
flisje humbisja ne puthje me dehje
rrembeje qenjen time gjithcka
ishim dikur
do te jemi prap bashke kur
mos thuaj kurr
fati gjithmon ecen
per ku jo nuk e di
por di qe rruget e zemres time me cojn tek ti
(lyrics found @ alb-lyrics.net)

giovedì 26 febbraio 2009

Kinema e Shqipërisë

Kinema e Shqipërisë

“Kinematografia është arma më e fuqishme.” Thënia, edhe pse i vishet Mussolinit i cili e shkroi me gërma sa dy bojë njeriu në dekorin ceremonial të inaugurimit të Cinecittà-së më 1936, nuk është e tija. E pat thënë Lenini, e pat përsëritur Stalini në studiot e Moskfilmit e në dhjetra vepra, dhe e shqiptoi edhe diktatori shqiptar Enver Hoxha, kur më 1952 inauguronte në Tiranë atelietë dhe laboratorët e Kinostudios.

Nga Roland Sejko

Diel, 29 Qershor 2008 08:18:00

“Kinematografia është arma më e fuqishme.” Thënia, edhe pse i vishet Mussolinit i cili e shkroi me gërma sa dy bojë njeriu në dekorin ceremonial të inaugurimit të Cinecittà-së më 1936, nuk është e tija. E pat thënë Lenini, e pat përsëritur Stalini në studiot e Moskfilmit e në dhjetra vepra, dhe e shqiptoi edhe diktatori shqiptar Enver Hoxha, kur më 1952 inauguronte në Tiranë atelietë dhe laboratorët e Kinostudios.

Në më pak se dyzet vjet, ajo Kinostudio, si armë ideologjike e Partisë së vetme dhe kreut të saj Enver Hoxha, do të nxirrte rreth një mijë kinoditarë e dokumentarë dhe mëse 200 filma artistikë: shumë, tepër, për një popullsi që gjatë së njëjtës periudhë trefishohej, por mbetej gjithmonë e vogël në numër: në fund të viteve ’80 shqiptarët janë vetëm tre milionë.

Nga ato 200 e disa filma, pak janë për tu shpëtuar: pjesa më e madhe janë produkte të arsyes për të cilën kanë lindur, propagandë politike dhe ideologjike e regjimit. Ashtu si filmat e Bashkimit Sovjetik nga ku u mor bashkë me teknikën edhe retorika, sillen skematikisht qark personazhesh e ngjarjesh që kanë në qendër heroin pozitiv, mishërimin letrar e kinematografik të njeriut të ri, projekti doktrinar i regjimit i përbërë nga një përzierje prej dozash të barabarta komunizmi të pastër dhe shqiptarizmi të kulluar. Kinemaja, ashtu si letërsia, teatri, muzika, baleti, është ndërtuar si vegël për realizimin e këtij projekti doktrinar, është një nga armët e partisë, madje “arma më e fuqishme në edukimin e masave”.

Por gjenden, mes atyre mijëra kilometrash film të shkuar dëm, edhe filma të veçantë,orvatje të pak autorëve të talentuar “për të bërë kinema” edhe në kushtet e pamundura të censurës ideologjike të kinemasë së propagandës, kategori kjo e fundit ku u bëjnë shoqëri me mijëra filma të tjerë të prodhuar nga regjimet totalitare në Itali, Gjermani, BRSS, apo vende të tjera të Lindjes. Si aty, edhe në Shqipëri, ato pak filma që dalin nga rreshti, janë pjesë e produktit kulturor të vendit që i ka prodhuar.

Është meritë e Festivalit të Gjenovas që i sjell publikut italian disa prej këtyre filmave të prodhuar gjatë regjimit, ku shfaqen krah titujve të kinemasë së re shqiptare të pas viteve ‘90. Këta të fundit janë në një pjesë të madhe të njohur për publikun e huaj pasi kanë bërë disa herë xhiron e festivaleve të botës ku kanë marrë edhe çmime të rëndësishëm.

Edhe pse përzgjedhja e filmave përfaqësues të periudhës së regjimit përbën një ekran të çjerrë për mungesën e disa titujve të rëndësishëm, filmat e djeshëm e të sotëm, parë në të njëjtin kontekst, janë në gjendje të tregojnë se i përkasin së njëjtës kinematografi shqiptare, të bashkuar jo vetëm nga gjuha dhe kombësia e autorëve, por edhe nga dimensionet stilistike dhe temat që marrin përsipër të zhvillojnë.

Janë tema ku kritikë të ndryshëm të kinemasë kanë kuturisur edhe të gjejnë një emërues të përbashkët me kinematografitë e tjera të rajonit, duke mbërritur të flasin për një “kinema ballkanike”. Për shumë vetë përcaktimi mund të duket po aq i pakuptimtë sa ç’është për të tjerë e papranueshme të flitet për një “kulturë ballkanike”: vendet e rajonit, të ndarë nga barriera gjuhësore e hasmëri etnike, nuk janë dalluar në këmbime kulturore edhe pse jetojnë prej shekujsh përbri njëri-tjetrit. Por sipas ndonjë studiuesi, është pikërisht mentaliteti i përbashkët që rrjedh nga bashkëndarja e së njëjtës hapësirë socio-kulturore, historia e turbullt, skajshmëria përballë Europës, një farë orientalizmi specifik, e të tjerë elementë të përbashkët që gjenerojnë tipare të përbashkëta në tematikë dhe në konsistencë stilistike.

Edhe pa ndihmën e analizës teorike, është lehtësisht e dallueshme që tematikat e filmave shqiptarë kryqëzohen shpesh me ato të kinematografive të tjera të rajonit, veçanërisht kur zgjedhin të paraqesin aspekte të historisë së përbashkët: të gjitha kinematografitë në Ballkan kanë prodhuar filma që kanë pasqyruar tema të së shkuarës së vet osmane, (jugosllavi “Atentati i Selanikut, 1961, Z. Mitroviq, rumuni “Fajkoi”, 1965, M. Dragan, ndërsa mes shqiptarëve “Skënderbeu”, S.Yutkevic 1952, “Balada e Kurbinit”, K.Çashku, 1989, “Liri a vdekje”, K. Ibro, I. Muçaj, 1979, etj.)

Ndonëse këndvështrimi historik është i ndryshëm dhe shpesh me përplasje (një ilustrim i përgjithshëm i kësaj teme më vete është filmi grek Vështrimi i Uliksit i Angelopuloist) është për tu vënë re që janë pikërisht filmat që trajtojnë temat e përballjes së vendeve të Ballkanit me perandoritë e mëdha, çaste kur vihet në diskutim ndërgjegja kombëtare, ato që janë përzgjedhur për tu bërë filma epikë e gati “colossals” për nga dimensionet. Asnjë film shqiptar i deritanishëm nuk i afrohet dot për nga përmasat “Skënderbeut”, “Nëntori i dytë” përbën një rast më vete investimi të jashtëzakonshëm në kinematografinë e regjimit, ndërsa edhe filmi i fundit i Fatmir Koçit, “Koha e Kometës”, që i vendos ngjarjetpikërisht në momentin traumatik dhe çoroditjen identitare pas shpërbërjes së perandorisë osmane po reklamohet para se të shfaqet si “filmi me buxhetin më të lartë në historinë e kinematografisë shqiptare”.

Mes temave të tjera të përbashkëta, ndër vendet komuniste të rajonit, do të ishte e gjatë lista e filmave që i kushtohen idealizimit të rezistencës antifashiste dhe glorifikimit të marrjes së pushtetit nga komunistët. Në kinematografinë shqiptare të viteve të fundit, vihet re edhe një interes për tema deri dje thuajse ekskluzivisht “sllave” si pasqyrimi i jetës së romëve (Kusturica docet), të shndërruar në protagonistë në Mao Ce Dunin e Besnik Bishës, i pranishëm në Gjenovë.

Kinemaja shqiptare është edhe kjo, regjimi, dhe ballkanike. Por nëse ka një temë të përbashkët që identifikon kinemanë e rajonit me atë shqiptare, por që njëkohësisht edhe e veçon këtë të fundit për specifikën e vet, është tema e jetës së fshatit.

Fshati është një komunitet i veçantë ku ushqehen traditat, ku patriarkati është i paprekur, ku “emri i mirë” ruhet nga thashethemet, dhe ku puna e rëndë, në fushë a në shtëpi, është përditshmëri. Të tërë këto dimensione të jetës së fshatit janë në thuajse gjithë kinemanë ballkanike (ndër kryeveprat malazezi “Jovan Lukina” i Z. Nikolic, apo bullgari “Briri i Dhisë” i M. Andonovit).

Ndër filmat e shfaqur në Gjenovë janë dy filma të dekanit të kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti, “Përrallë nga e Kaluara” 1989, dhe “Gjoleka djali i Abazit” 2006, që përmbledhin temën, por edhe elementë të tjerë dallues të kinematografisë shqiptare.

Anagnosti është pjesë e atij grupi të regjisorëve të rëndësishëm shqiptarë si V. Gjika, P. Milkani, H. Hakani, K. Dhamo, V. Prifti, K. Çashku e të tjerë të formuar në shkollat dinjitoze kinematografike të BRSS-së, Hungarisë apo Çekosllovakisë. Bashkëkursant i Tarkovskijt në VIKG të Moskës, Anagnosti njihet gjerësisht si regjisori më i rëndësishëm shqiptar. “Për të mos u transformuar, për të ruajtur një dinjitet artistik, jam përpjekur me sa mundesha të mos merresha me filma që trajtojnë temën e aktualitetit” thotë Anagnosti në një intervistë. “Sepse temat e aktualitetit, të fusnin brenda koniunkturës, ndaj u përpoqa të zgjedh sa më shumë tema të luftës, të jetës së njerëzve në fshat, në vitet para ardhjes së komunizmit.”

“Përrallë nga e kaluara” është njëri prej këtyre filmave. Është përshtatje e një komedie të një autori të rëndësishëm shqiptar të fillimshekullit, Çajupi, dhe rrëfen historinë e një familjeje fshatare në një fshat mes malesh ku burrat e kalojnë kohën me kafe e muhabete, ndërsa gratë punojnë në arë e në shtëpi. E për të pasur një kafshë pune që ta ndihmojë në punët e rënda, e ëma e një katërmbëdhjetëvjeçari nuk duron të bëhet vjehërr kur t’i vijë koha, por kërkon e merr për nuse të djalit një njëzetvjeçare.

Është për tu vënë re që filmi si përshtatje e një vepre letrare, është konstante karakteristike e kinemasë shqiptare. Autori më i përshtatur mbetet gjithnjë Kadareja (Ballë për Ballë, Të Paftuarit, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Koha e Kometës), dhe Agolli (Krevati i Perandorit, Komisari Memo, Njeriu me Top, Njeriu i Mirë,) por janë me dhjetëra filmat shqiptarë që lindin pasi kanë jetuar më parë si libër: vetëmmes atyre pak që paraqiten në Gjenovë, përveç Përrallës, janë përshtatje edhe Lulëkuqet mbi Mure i Anagnostit, edhe Koncert në Vitin ’36 i Kumbaros edhe Parullat i Xhuvanit.

Duke iu kthyer “Përrallës” vëzhgues të ndryshëm kanë veçuar praninë e fëmijëve si element karakteristik të kinemasë së Anagnostit. Edhe pse lehtësisht e dallueshme, çka i bën të veçantë fëmijët në filmat e autorit nuk është thjesht elementi formal i pranisë, por konteksti ku ata vendosen.

Fëmijët janë të pranishëm në një numër të madh filmash të prodhuar gjatë regjimit. I gjen si heronj të vegjël në “Debatik”, “Shtigje lufte”, “Tomka dhe shokët e tij”, i gjen spiunë të gatshëm për të luftuar armikun e klasës në “Pas gjurmëve”, pa vese si në “Mimoza Llastica”, të kalitur e luftarakë në “Një gjeneral kapet rob”, “Guximtarët”, e në shumë filma të tjerë. “Specialiste” e paarritshme e këtyre soj fëmijëve në kinemanë shqiptare mbetet Xhanfize Keko me filmat e saj të shumtë me protagonistë fëmijët heronj të stereotipizuar. Anagnosti, nga ana e vet, u heq dimensionin sterotipik heroik, e i pasqyron thuajse gjithmonë si viktima të pafajshme në mes të një shoqërie të egër të rriturish. Ky kontekst, i jep një dimension universal punës së Anagnostit. Ashtu si në “Fëmijërinë e Ivanit” të Tarkovskijt apo në neorealistët “Vjedhës biçikletash” e “Gjermania, viti zero”, janë viktima të ngjarjeve të luftës dhe të një fëmijërie të rrënuar protagonistët e “Lulëkuqe mbi Mure”. Është viktimë e një shoqërie patriarkale e të dhunshme edhe “Gjoleka, djali i Abazit”, edhe edhe Gjinoja i “Përrallës”.

Bashkë me fshatin, Gjoleka dhe Përralla, sjellin te shikuesi edhe temën e folklorit dhe traditave të jetës shqiptare, ku një vend të veçantë e zë dasma. Nusja protagoniste e Përrallës është e pranishme në shumë filma shqiptarë (në “Malet me blerim mbuluar” të Anagnostit, trazimi që sjell në një dasëm ardhja e një grupi partizanësh përmbledh në një skenë të paharrueshme ndrydhjen e së resë ndërsa gratë që i bëjnë shoqëri janë ulur përmbys të përgjojnë nga të çarat e dyshemesë ç’ndodh në dhomën poshtë, kurse ajo, e mbuluar, duarmbledhur, qëndron e braktisur më këmbë). Tema e nuses, e paraqitur në kontekste “revolucionare” në të tjerë filma shqiptarë (“Dollia e dasmës sime”, “Nusja”), por sidomos në shumë filma të rajonit (ku është bërë trademark i Kusturicës) mund t’i shtojë peshë teorisë së bashkëndarjes së temave në kinemanë e Ballkanit.

Fshati i paraluftës, me një jetë të ndërtuar nga rite dhe vlera të dhunshme por të mirëpërcaktuara, është i njëjti që përçudnohet në vitet e kolektivizimit dhe që shumë regjisorë e bëjnë temë të tyren dhe e glorifikojnë. Beni që ecën vetë në filmin e XH. Kekos, 1975, është “njeriu i ri” i ardhshëm (Do kthehem prapë, thotë në fund) që kur të rritet do ta lerë qytetin për të revolucionarizuar fshatin ashtu siç bëjnë protagonistët e “Zonjës nga qyteti”, P. Milkani, 1976. Filmat me temën e fshatit socialist, i ngjajnë kaq shumë të ashtuquajturve “Heimat films”, zhanri në modë sidomos në Austri në fund të viteve që idealizon jetën e fshatit, ndërtohet mbi tone sentimentalë, mban njerëzit lidhur me parimet e miqësisë, dashurisë, etj, etj. Me ndryshimin që te filmat shqiptarë, vendin e romantizmit e zë revolucionarizimi i fshatit. Janë filma aq propagandistikë, saqë zhdukin edhe heroin negativ, antagonist i domosdoshëm i metodës së realizmit socialist, dhe e ndërtojnë konfliktin mbi luftën kundër paragjykimit dhe konvertimin e pashmangshëm të “të rrezikuarit”. Shpesh filma të tillë janë ndërtuar si komedi dhe Zonjës nga qyteti, në luftën kundër paragjykimeve, ibëjnë shoqëri edhe filma si “Kapedani” apo “Çifti i lumtur”.

Në ndërtimin skematik të filmave të realizmit socialist, protagonist, apo në hije por gjithnjë i pranishëm mbetet gjithnjë heroi pozitiv, i pasqyruar thuajse rregullisht nga një anëtar partie, shpesh sekretar partie, ndërsa në filmat me temën e luftës është komisari. Të dy këta heronj pozitivë të para e pas luftës janë mishërime të të tërë vlerave të stereotipizuara të njeriut të ri, të glorifikuar deri në heroizëm aq sa mund të vdesin vetëm në krye të detyrës si në “Horizonte të hapura” apo, gjatë luftës, vetëm në betejë. (Filmi i Anagnostit “Vëllezër dhe Shokë” është ndër të paktët filma të censuruar në Shqipëri për arsyen se komisari vdes nga tuberkulozi, sëmundje e papranueshme për heronjtë). Nga filmat e panumërt që glorifikojnë epopenë e luftës partizane, edhe filma interesantë në elementët stilistikë si “Yjet e netëve të gjata” të V. Gjikës, apo “Shtigje lufte” i P. Milkanit, vuajnë retorikën në ndërtimin e personazheve.

E inflacionuar deri në maksimum nga numri i filmave dhe stereotipizimi, tema e luftës braktiset thuajse krejtësisht nga brezi i ri i kineastëve të pas viteve ’90. I vetmi që e merr përsipër është Gjergj Xhuvani, i cili me “I dashur armik” i bën “njerëzorë” si partizanët mitologjikë ashtu edhe të këqijtë e dikurshëm.

Xhuvani, bashkë me Fatmir Koçin, Artan Minarollin, Edmon Budinën, e ndonjë tjetër, janë “veteranët e rinj” të kinemasë shqiptare, që ndonjë kritik e ka quajtur “nouvelle vague” e kinematografisë shqiptare. Përcaktimi, padyshim i tepruar, kërkon ndoshta të përmbledhë një tendencë në mos stilistike, të paktën gjeneracionale, më të freskët në vizion edhe në trajtimin tematik, qoftë ky i jetës në diktaturë (“Parrullat”, “Natë pa hënë”) qoftë edhe në temat e reja të çoroditjes e të emigracionit me të cilat merret “Tirana, Viti Zero” apo “Letra ere”. Autorët e mësipërm kanë patur rastin të recensohen nga kritikët më të mirë në festivalet e shumta ku kanë marrë pjesë e ku janë nderuar me çmime dinjitozë.

Stilistikisht, kinemaja shqiptare e djeshme është e influencuar vizualisht nga shkollat e ndryshme të lindjes, si nga imobiliteti rus i kameras në filmat e Anagnostit, nga stili tabloistik i Paradjanovit, ashtu edhe nga kamera dinamike dhe skenat e përpunuara me shumë kujdes të autorëve çekë si Miklos Jancso. Përveç vizualitetit, influenca e Jancsos dallohet edhe në simbolizmin që karakterizon sidomos punët e Çashkut.

Një pjesë e regjisorëve shqiptarë kanë deklaruar pas viteve ’90 se ka qenë sidoqoftë neorealizmi italian ai te i cili janë përpjekur të frymëzohen në pasqyrim. Ndërsa në filmat e djeshëm elementë të neorealizmit gjehen më shumë në qasjen narrative sesa vizuale, influenca e rrymës italiane dallohet qartë në filmin e Koçit “Tirana, Viti Zero” i cili merr hua më shumë se titullin nga kryevepra e Rossellinit. Në punën e autorëve të tjerë shqiptarë të viteve të fundit, vërehen influenca të kinemasë së Kusturicës si në “Letra ere” të Budinës, tek i cili po aq dallohet në disa skena onirike homazhi ndaj Fellinit.

Mungojnë në përzgjedhjen e Gjenovës, disa nga emrat përfaqësues të kinemasë së djeshme e të sotme. Përveç ndonjë filmi të veteranëve V.Gjika, P.Milkani, V. Prifti apo R.Ljarja, regjisor mjaft interesant përveçse aktor i njohur, mungon mbi të gjithë Kujtim Çashku. Në vend të një “Koncert në vitin ‘36” që nuk i thotë thuajse asgjë publikut italian, do të kishte qenë interesant për kritikën e huaj “Balada e Kurbinit”, ndër të paktët shembuj të kinematografisë shqiptare që përpiqet të shprehë nëpërmjet metaforave jo dhe aq të fshehta një akuzë nën zë mbi pushtetin, ndërsa “Kolonel Bunker”, 1997, do të ishte po aq interesant pasi ende përbën një ndër të paktat vepra të kinematografisë shqiptare të sotme që merret seriozisht me të shkuarën komuniste, çmendurinë e një diktature, dhe pasojat e saj në jetën e njerëzve.

Kolonel Bunker është njëkohësisht edhe i vetmi film shqiptar që ka arritur deri tani të shpërndahet në kinematë e huaja me daljen nëFrancë më 1998. Ndërsa në Itali, duhet ende të thyhet, pas mëse 55vjetësh, rekordi i filmit Skënderbeu, i pari dhe i fundit filmshqiptar që është shpërndarë në kinematë italiane.

Artikulli është shkruar për festivalin e Filmit në Gjenovë. Një version italisht është botuar në katalogun e Genova Film Festival.

http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/27836/2008-06-29.html

Indiferentët

Gjatë ditëve të Vitit të Ri njerëzit kishin rast të ndiqnin në TV filma shqiptarë të viteve të fundit. Dje Qendra Kombëtare Kinematografike priti projektet filmike të 2009-s. Nga idetë në dosje tek ekrani është rrugë e gjatë për të cilën kërkohet para, para, para.
Buxheti i QKK ka të ngjarë të kapë së shpejti shifrën 2.5 miliardë lekë (të vjetra), rritje e ndjeshme, por cilësia e filmave, përkundrazi shënon ulje.


Autorët e këtij forumi janë ftuar të flasin për çfarë po u thotë shqiptarëve kinemaja e sotme shqiptare. Përse konkurrenca e regjisorëve është një gjoja konkurrencë, një gjoja konfrontim pikëvështrimesh të botës shqiptare. Përse ai bord burrash, financon për së dyti kineastë që sapo e kanë hedhur dështimin mënjanë si hallvë e ftohtë. Çfarë po i thotë kinemaja shqiptare publikut të huaj. Përse nuk po hyn dot në asnjë festival të kategorisë A.


Përse atje ku përfaqësohet kinemaja e gjithë shteteve të botës, në kategorinë e filmit të huaj për Oscar, Shqipëria shkon me xhirimin e një historie mbi komunizmin çek dhe në gjuhën çeke. Ndërsa polakët kanë treguar "Katinin", italianët "Gomorrën", si është e mundur që ky vend i vogël sa heroik aq dhe martir, Shqipëria pra, e dëshmon historinë me skeçe kinematografike.


Çfarë ka ndodhur me ndjeshmërinë e atyre që merren me përkthimin e jetës në imazh? Nëse do të pretendonim të shihnim një ditë - skena tronditëse si në pyllin e Katinit - një film historik fjala vjen, për të pushkatuarit apo të vrarët në grup, për të ekzekutuarit nga gjyqi special, apo gjyqi i deputetëve, krime publike në sy të shqiptarëve, a nuk duhet të jemi dyshues edhe për nivelin e njohjes që kanë për historinë e atdheut regjisorët tanë?
I dashur lexues, u desh dy javë - dy javë janë shumë për konceptin e kohës së një të përditshmeje - që nga zërat e thirrur për të dhënë mendimet e tyre mbi gjendjen e kinemasë, të mblidhen këta autorë.


Shumë kanë refuzuar, të tjerë as denjuan. Shtypi i kulturës ka mëkate për distancën që ka krijuar me mendimin e specializuar kritik a më mirë të themi për moskultivimin e penës kritike mbi çështje të estetikës dhe arteve.


Duhej ta kishte bërë këtë punë kohë përpara, krahas shkrimeve për shembje çatish, për kursimin e naftës për kaldajat e teatrove, për ministrat turistë të kulturës, për emërime të të paaftëve, për këshilltarët dhe borde servilë që kanë në dorë të firmosin buxhete, për mungesën e transparencës dhe bllokimin e dyerve të informimit.


Po të rinjtë? Ishte një nga pyetjet që iu drejtua të ftuarve në forum. Çdo të bëhet me të rinjtë e kinemasë? Gjëja më e trishtueshme ishte refuzimi i vetë të rinjve për të folur.


Dikush pret përgjigje nga QKK dhe do t'i prishte numrat me duart e veta, të tjerë mendojnë se punët e artit nuk janë për fletushkat e përditshme. Të tjerë nuk janë përballur me mendimet e shkruara, pra me veten.


Dëshira për të mos folur ndahet nga indiferenca me një fije. Pasojat e të jetuarit në një klimë të tillë, janë dukur dhe duken, tek dy breza kineastësh. Prandaj ka arsye të shqetësojë shumë indiferenca e atyre që po vijnë në kinema.
http://www.shekulli.com.al/2009/01/indiferentet.html

Ballkani në ekranin e madh të Brukselit

Ballkani në ekranin e madh të Brukselit

Sot (21-23 prill) nisin në kryeqendrën e Evropës, Ditët e Filmit Ballkanik. Kinemaja shqiptare prezantohet me "Parullat" e Xhuvanit dhe "Gjoleka, djali i Abazit" i Anagnostit

Alma Mile

Hene, 21 Prill 2008 08:31:00

Sot (21-23 prill) nisin në kryeqendrën e Evropës, Ditët e Filmit Ballkanik. Kinemaja shqiptare prezantohet me "Parullat" e Xhuvanit dhe "Gjoleka, djali i Abazit" i Anagnostit

Tre ditë me kinemanë ballkanike në Bruksel. Sot (21-23 prill) nisin në kryeqendrën e Evropës, Ditët e Filmit Ballkanik. Janë 8 filma, që kanë bërë bujë në vendet e tyre. Vijnë pikërisht nga Serbia, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia. Kinemaja shqiptare prezantohe me dy nga filmat më të mirë të dekadës së fundit. Bëhet fjalë për filmin "Parullat" të Gjergj Xhuvanit dhe "Gjoleka, djali i Abazit" me regji të Dhimitër Anagnostit. Sipas organizatorëve ky aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian, nderon kinemanë e këtij rajoni evropian, duke shfaqur disa nga prodhimet më të mira të kinemasë bashkëkohore. Për këtë qëllim janë përzgjedhur "Armin" nga Kroacia, prodhim i vitit 2007 me regji të Ognjen Sviličić, filmi serb "Huddersfield" me regji të Ivan Živković, gjithashtu prodhim i një viti më parë, filmi maqedon "Les Ombres" ("Hijet") i regjisorit Milčo Mančevski, 2007, "Gjoleka, djali i Abazit" me regji të Dhimitër Anagnostit, 2006, "Grbavica – Sarajevo, mon amour" ("Grbavica – Sarajevo, dashuria ime) me regji të Jasmila Žbanić, Bosnje-Hercegovinë 2006, "Songe d'une nuit d'hiver", ("Ëndërr e një nate dimri") i regjisorit Goran Paskaljeviç, Serbi 2004, "Tout est gratuity" ("Gjithçka është falas"), Antonio Nuić, Kroaci 2006 dhe "Parrullat" e Gjergj Xhuvanit. Ky i fundit është edhe filmi më i "vjetër" i aktivitetit, prodhim i vitit 2001.

Për organizatorët, "Ditët e Kinemasë ballkanike" nuk pretendojnë të prezantojnë në mënyrë të shterueshme prodhimtarinë kinematografike të Ballkanit perëndimor, por tentontë dhurojë një pamje të pasurisë së kinemasë së këtij rajoni. Gjithashtu këto prodhime ndihmojnë të shohësh me një sy tjetër zhvillimet në rajon dhe pse jo të rrëzosh edhe klishe. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë prezantuar më parë në disa festivale ndërkombëtare, mes të cilëve ai i Berlinit, Selanikut, Romës, Kanës, apo Sofies dhe regjisorët e tyre janë nderuar me çmime. Por nuk është thjesht kjo arsye e seleksionimit të këtyre filmave. Sipas organizatorëve, ky brez krijuesish të Evropës Juglindore ka zgjedhur zhanre dhe mjete të ndryshme shprehëse për të përshkruar zhvillimet sociale, politike dhe kulturore të rajonit. "Një përzierje e sarkazmës dhe humorit, pesimizmit dhe optimizmit, është karakteristika kryesore e kësaj kinemaje". Në këtë linjë janë edhe filmat shqiptarë, ku absurdi i komunizmit tregohet me nota humori tek parullat e po kështu traditat patriarkale tek filmi i Anagnostit. "Grbavica – Sarajeva, dashuria ime" tregon për marrëdhënien mes një nëne dhe vajzës së saj, "Hijet" protagonisti tenton të flasë me vdekjen, ndërsa tek "Ëndërr e një nate vere" shpaloset një fabul dritë-hijesh, mbi mungesën e komunikimit.


Ditët e filmit hapen sot me prodhimin kroat "Armin", ndërsa filmi i Anagnostit, ku interpretojnë aktorët Artur Gorishti, Roza Anagnosti, Enxhi Agushi, etj., do të shfaqet nesët në orën 18.00. "Parullat" e Gjergj Xhuvanit, ku interpretojnë Luiza Xhuvani, Artur Gorishti, Birçe Hasko, Robert Ndrenika, Niko Kanxheri, etj., shfaqet ditën e fundit në orën 15.30. Filmat do të projektohen në gjuhën origjinale dheanglisht e frëngjisht. Ky aktivitet, që organizohet në Flagey, Bruksel, organizohet nga Komisioni Evropian (Drejtoria e përgjithshme për zgjerimin e KE-së) në bashkëpunim me Balkan Trafik Festival.

http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/24240/2008-04-21.html

Absurdi shqiptar në Pragë

Absurdi shqiptar në Pragë

Kinemaja shqiptare u shfaq përgjatë një jave në qendër të Pragës. Koçi, Xhuvani, Qosja përcjellin realitetin shqiptar

Alma Mile

Diel, 19 Gusht 2007 10:20:00
E kanë lënë pa titull. Ia kanë lënë në dorë publikut çek, t'i vendosë një ç'të dojë. Aty është Shqipëria dhe Kosova. Aty është jeta dhe vdekja. Marrëzitë e fundshekullit të kaluar. Është arti i ditës. Gjithçka e përcjellë përmes filmit dhe videoprojeksioneve. Përgjatë një jave, në një nga qendrat më të njohura të artit bashkëkohor, në Pragë, u shfaqën filma dhe video të realizuara në Shqipëri dhe Kosovë. Në mënyrë të përsëritur për publikun çek, por edhe atë huaj, që frekuenton rregullisht Experimental Area Roxy/NOD u shfaqën filma të njohur shqiptarë. Bëhet fjalë për"Tirana Viti 0" me regji të Fatmir Koçit. Një prodhim shqiptaro-francez i vitit 2001, ku interpretojnë Rajmonda Bulku, Ermela Teli, Lulzim Zeqja, etj. Për të vijuar me një tjetër film, po aq të njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Është filmi i regjisorit Gjergj Xhuvani, "Parullat". Gjithashtu një prodhim shqiptaro-francez, ku interpretojnë aktorët Luiza Xhuvani, Artur Gorishti, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, etj. Dy filma që përcjellin dy epoka të ndryshme në Shqipëri, të dyja tërësisht absurde. Çmendurinë komuniste dhe atë postkomuniste të vitit 1997. Realitetin e pasluftës në Kosovë e përcolli filmi i regjisorit kosovar Isa Qosja, "Kukumi". Një vit më parëky film fitoi kupën e edicionit të 12-të të Festivalit të Filmit Shqiptar. Krahas këtyre tre filmave, që përbëjnë edhe disa prej prodhimeve më të mira të viteve të fundit në Shqipëri e Kosovë, në ditën e hapjes së kësaj jave, në 9 gusht u shfaqën një seri videosh dhe instalacionesh nga artistët kosovarë Jakup Ferri, Alban Muja, Driton Hajredini, Fitim Shala a Flaka Haliti. Gjatë javës së artit shqiptar, të titulluar "Pa titull", e cila u mbyll në datën 15 gusht, u zhvilluan edhe seminare e biseda me artistë.

Java shqiptare e kuruar nga Petrit Hoxha u parapri nga ditët e filmit dhe videos meksikane, për të vijuar më tej me atë gjermane e angleze. Të gjitha përgjatë një muaji (1-29 gusht) nën titullin "Return to the art dead". Kjo seri aktivitetesh u organizua nga Eastern Alliance Culture, një program që ka për synim promovimin e artit që zhvillohet kryesisht në vendet e Evropës Lindore. Në përbërje të saj ka artistë nga Çekia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Bjellorusia e Kosova. Dhe zgjodhën pikërisht Experimental Area Roxy/NOD, në një ngandërtesat më të famshme të Pragës, mjaft e rrahur nga artistë nga e gjithë bota. Për çekët adresa "Dlouha 33" është gati legjendare. Një kënd i famshëm për kinematë dhe sallat e dancit. Keqdashja e regjimit komunist e çoi ndërtesën drejt shkatërrimit. Por pavarësisht gjendjes së mjeruar, vendi, atmosfera magjike prekën anëtarët e Fondacionit "Linhart", një grup entuziast i drejtuar nga arkitekti Jan Mayer. Pas një pune energjike, në vitin 1992 mori jetë Qendra Eksperimentale Roxy.

Falë arkitekturës dhe historisë së ndërtesës, Praga dhe Republika Çeke kanë një vend ku njerëzit nga e gjithë bota me interesa nga më të ndryshmet artistike, takohen çdo ditë. Në vitin 2002 ndërtesa u përmbyt dhe historia u përsërit. Qendrau ngrit sërish me ndihmën e vullnetarëve dhe mbështetjen e këshillit të qytetit.

Experimental Area Roxy/NOD ofron koncerte, performanca, ekspozita, teatër, filma dhe seminare mes artistësh. Një vend kozmopolitan arti mu në qendër të Pragës.

http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/14611/2007-08-19.html

Regjisorët shqiptarë nënçmojnë intelektin e publikut

Kinemaja e sotme shqiptare bën një gabim fillestar kur tenton të thotë shumë duke thënë pak ose aspak. Nuk ka filma me porosi të qartë, mungojnë filma që zbavisin dhe temat e shtjelluara nga regjisorët shqiptarë në shumicën e rasteve nënçmojnë intelektin e publikut.


Edhe publikut të huaj kinemaja shqiptare nuk i thotë shumë, e them këtë, nëse merret parasysh niveli i interesimit që publiku i huaj ka për tregimet nga Shqipëria dhe Kosova.
Në këtë aspekt, "Tirana, Viti Zero" bën përjashtim dhe prandaj jam i mendimit se ky është filmi më i mirë shqiptar.


Janë disa faktorët që e mbajnë kinemanë shqiptare në suaza lokale dhe nuk i krijojnë mundësojnë e depërtimit në festivale të rëndësishme dhe një nga këta faktorë, në mos po kryesori, është niveli i ulët artistik.


Skenaret në shumicën e rasteve janë të dobëta dhe nuk burojnë nga realiteti, gjë që mendoj se do të duhej parimisht të ishte kështu po ta krahasojmë veten me shtetet në rajon dhe sukseset e tyre, Rumania, Bosnjë dhe Hercegovina dhe në vitet e fundit Turqia.


Mungesa e kineastëve shqiptarë në forume të rëndësishme evropiane për bashkëprodhim të filmave si në festivalet e Roterdamit, Berlinit, Selanikut etj., bën që kinemaja shqiptare të mbetet pa vlerësim kritik në fazat fillestare të projekteve, sikurse edhe pa fonde të nevojshme për realizim të tyre.


Unë nuk kam dijeni të mjaftueshme sa i përket politikave të Qendrës Kombëtare Kinematografike, por mendoj se QKK nuk do të duhej të finacojë ekskluzivisht filma shqiptarë, por të jetë e hapur për ko-produksione të mundshme, sepse edhe ajo i ndihmon mbetjes në suaza lokale.


Në këtë panoramë të kinemasë shqiptare ka shumë pak kineastë, dhe e aq më pak kritikë të mirëfilltë filmi. Andaj ne shpesh jemi në huti se cili është film i mirë e cili dështim.


Të rinjtë duhet t'i ekspozohen kinemasë në forma të ndryshme. Kinema nuk janë vetëm blockbuster-at hollivudianë apo dokumentarët e stërvjetëruar nga Explorer. Duhet përmirësuar edukimi dhe duhen provuar mënyra alternative të shfaqjes së filmave.


Dua t'ju përmend një rast të mirë që është përvoja e Dokufest-it në Prizren. Ka një projekti i titulluar "Doku t'hanën" ku çdo të hëne shfaqen dokumentarët kreativë për nxënësit e shkollave të mesme të pasuara me debate rreth filmave.


Duhen organizuar punëtori për studentë të akademive të filmit me autorë të njohur dhe nuk duhet frikësuar nga ta. Nuk kushtojnë shumë dhe dobia është e madhe. Studentët të organizojnë një festival të filmit studentor si mënyra më e mirë për njohjen me punët e kolegëve të tyre. Vetëm kështu mund të tejkalohet hendeku në të cilën ndodhemi tani dhe mund të krijohen parakushtet për daljen në skenë të plejadave të ardhshme të kineastëve.


Drejtor Artistik i Festivalit Ndërkombëtar në Prizren

http://www.shekulli.com.al/2009/01/regjisoret-shqiptare-nencmojne-intelektin-e-publikut.html

Kinemaja shqiptare: Çfarë zhgënjimi!

Kinemaja shqiptare: Çfarë zhgënjimi!

“Koha e Kometës” me regji të Fatmir Koçit i la vendin “Batmanit” me postera gjigantë në kinema “Millenium” në Tiranë. Me gjithë bujën që bëri me emrin e Kadaresë, në “Vitin e mbrapshtë” të të cilit u bazua Koçi, numri i shikuesve nuk ishte ai që pritej.

Alma Mile

Merkure, 22 Tetor 2008 09:10:00
Filmat shqiptarë rezultojnë pak të shikuar në kinema. Ndikon tematika, koha e shfaqjes dhe publiciteti

“Koha e Kometës” me regji të Fatmir Koçit i la vendin “Batmanit” me postera gjigantë në kinema “Millenium” në Tiranë. Me gjithë bujën që bëri me emrin e Kadaresë, në “Vitin e mbrapshtë” të të cilit u bazua Koçi, numri i shikuesve nuk ishte ai që pritej. Deri tani është ndjekur nga 2100 spektatorë, dhe pritet që bilanci të mbyllet pas projeksioneve në Elbasan dhe Korçë. Nuk u pëlqye, nuk u kuptua apo nuk pati publicitet, apo të gjitha bashkë?

Ecuria e një filmi në ekranin e madh kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm. Ka ndodhur që filma që kanë mbushur arkat e fitimeve në kinematë e huaja, të mos jenë “shitur” në Shqipëri. Por kur vjen fjala tek filmat shqiptarë, pritshmëria është deri diku e njohur. Statistikat e ftohta tregojnë se një film shqiptar ndiqet sa gjysma e shikuesve të një filmi të huaj mesatar, për të mos thënë i dobët. Ndoshta sepse tematika është disi “e rëndë”, apo edhe për shkak të cilësisë.

Edhe dy filmat e tjerë shqiptarë të shfaqur gjatë këtij viti “Trishtimi i znj. Shnajder” i Pirro Milkanit dhe “Sekretet” e Spartak Pecanit, nuk kanë kapur aspak shifra të kënaqshme shikueshmërie. Por duhet thënë që mes këtyre të treve, më i ndjekuri ka qenë filmi i Milkanit me 5600 shikues, ndërsa ai i Pecanit me zor i ka kapur 1200 shikues.

Sipas zëdhënëses së Kinema “Millenium” në Tiranë, ku këto prodhime janë shfaqur, Rovena Rrozhani, në ndjekjen e një filmi luajnë rol shumë faktorë, si tematika, publiciteti, koha kur shfaqet, etj. Për “Trishtimin e znj. Shnajder”, Rrozhani thotë se është punuar shumë me publicitetin.

Përgjatë 2 vjetëve që filmi qëndroi në postproduksion, regjisori Milkani i bëri një fushatë të gjatë promocioni në median e shkruar dhe atë vizive. Ftoi gjatë ditëve të shfaqjes aktorin Michele Placido, vizita e të cilit “përmbysi” nivelin e shikueshmërisë. Ndërsa diskutohej mbyllja e ciklit të shfaqjeve, numri i spektatorëve u dyfishua. Futi në lojë edhe një farë llotarie, së cilës nuk iu mor vesh fundi, por që gjithsesi pati një lloj efekti pozitiv.

Duket se edhe koha e shfaqjes paska efektin e vet. Rrozhani thotë se pranvera dhe vjeshta janë periudhat më të mira për kinemanë dhe “Trishtimi…” u shfaq nga 29 shkurti deri në 15 mars. Por më së shumti publiku është i prirur të shohë një romancë dashurie, se sa një dramë. Si në rastin e filmit të Pecanit, i cili e vendoste ngjarjen e vet në një spital psikiatrik. Një temë, “mohimi” i së cilës vjen që nga subkoshienca.

Por zëdhënësja e “Milleniumit” thotë se “Sekretet”e Pecanit çaluan edhe në publicitet, duke nisur që nga posteri i zymtë, të cilin u është dashur ta kthejnë mbrapsht e të fusin në të edhe imazhin e aktorit Ndriçim Xhepa, që pavarësisht rolit e bën më të “shitshëm” filmin. Ndërsa në promovimin dhe premierën e filmit munguan aktorët Xhepa e Petrovci, që do t’i kishin tërhequr pak më shumë publik në kinema. “Sekreteve” u duhej të “vuanin” edhe faktin e shfaqjes menjëherë pas filmit të Milkanit.

Filmi më i fundit, i cili ende nuk e ka mbushur ciklin e shfaqjeve në rrjetin e kinemave, “Koha e Kometës” e nisi me bujë të madhe. Fakti që është ekranizim i një romani të Ismail Kadaresë ngjalli kureshtjen e njerëzve e më tej ndoshta mospëlqimin e shumë të tjerëve, të cilët panë se filmi dhe “Viti i mbrapshtë” ishin shumë larg.

Nga ç’mësohet, publiciteti i këtyre prodhimeve është bërë në mënyrë individuale kryesisht nga regjisorët e filmave, të cilët kur vjen momenti i premierës, ngrenë duart për mungesë fondesh. Posterat dhe e gjithë fushata publicitare kushton. Po kaq edhe koha e qëndrimit në kinema me një numër minimal shikuesish. “Nëse numri i shikuesit zbret në 100 apo 150, atëherë jemi të detyuar që ta ndalojmë shfaqjen e tij.

Ndoshta do të ishte mirë që Qendra Kombëtare Kinematografike të subvenciononte shfaqjet, apo të mbështeste fushatën publicitare të tyre”, - thotë Rrozhani. Në të vërtetë, viteve të fundit QKK-ja të jep përshtypjen e një bankomati, ku tërhiqen lekë dhe as që bëhet fjalë për politika. Hidhen para, por nuk dihet si shfrytëzohen. Shkelen kufij afatesh, prodhimet me zor mbërrijnë tek publiku, për të mos folur më tej për cilësinë.



http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/34524/2008-10-22.html

“Splendor”: na ishte njëherë kinemaja

“Splendor”: na ishte njëherë kinemaja

Nuk është “Kinema parajsa” edhe pse një vit e ndan prej veprës së mrekullueshme të Tornatores. Por është një film për zakone të bukura që moda moderne po i fshin pa mëshirë.

Re.ku

Enjte, 27 Nentor 2008 09:01:00

Nuk është “Kinema parajsa” edhe pse një vit e ndan prej veprës së mrekullueshme të Tornatores. Por është një film për zakone të bukura që moda moderne po i fshin pa mëshirë. “Splendor”-in Ettore Scola ia kushton kinemasë. Mbi atë emër, regjisori ka ndërtuar historinë e Jordanit (Marcello Mastroianni) dhe të së shoqes së tij Shantalit (Marina Vlady) të zotët e një kinemaje në Itali. Me pak fjalë, është një film për kinemanë dhe filmat që shfaqen në ekran. Por njerëzit nuk shkojnë më në kinema.

Filmi ka marrë pjesë në Festivalin e Kanës 1989, shfaqet sonte në orën 19.00 në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias Marubi. Zgjat 110 minuta.

Scola është një nga regjisorët e rëndësishëm të epokës së kinemasë italiane që shtrihet në vitet ’70-’90. Është autor i “Shumë jemi dashur” (1974), “Natën e mirë zonja dhe zotërinj” (1976), “Të shëmtuar, të ndryrë dhe të këqinj” (1976), “Një ditë e veçantë” (1977), “Vallëzimi” (1983), “Romanët” (2003) etj.


http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/36757/2008-11-27.html

Ylli Pepo: Eshtë koha për telenovela shqiptare

Ylli Pepo: Eshtë koha për telenovela shqiptare

• Fatet e njerëzve e rikthejnë sërish në sheshxhirim.

ANILA MEMA

Mëngjesi e dreka e gjen në terren, në pub-et e Tiranës, në lokale, në rrugë, biblioteka, e kudo interesohet për të fokusuar një ngjarje, një episod, qoftë edhe një seri. Ndërsa pasditja veç studiove të TVSH-së, nuk ndodhet kurrkund tjetër. Janë kohë të vrullshme për të, intensive dhe nëse të duhet, vështirë ta kapësh. Celular nuk mban. Mëngjesin herët telefonojeni në shtëpi, veçse para orës nëntë. Më pas rituali i ditës fillon e mbaron me xhirime. Regjisori i njohur Ylli Pepo, do të rikthejë sërish në ekranin shqiptar telenovelën shqiptare. Mos kujtoni se është fjala për “Njerëz dhe fate”?! Jo! Tani pas shtatë vitesh, një tjetër serial tërësisht shqiptar po merr jetë. Titulli paraprak është “Dhimbje dashurie”, por deri në përfundim nuk i dihet. Eshtë dhjetë orë xhirim, ose dhjetë seri. Do transmetohet në TVSH, pse jo në ndonjë tjetër ekran. Ka kohë për t’u vendosur. Eshtë seriali i dytë shqiptar që realizohet nga i njëjti regjisor, Ylli Pepo, me të njëjtin staf që xhiroi edhe “Njerëz dhe fate”, me drejtor fotografie Astrit Omerin, me producent Arben Lamin, drejtor të zërit, Kristaq Kriston, me regjisore të dytë Eli Bicin, e bazuar mbi skenarin e dramaturgut të vjetër dhe të njohur Bashkim Kozelin. Me montazhin po punon Andon Beqari, ku në fund do të ketë edhe një përmbledhje një orë e gjysmë, që do të promovohet në “Millenium 2”. Por duhet të prisni vjeshtën të ndiqni telenovelën e dytë shqiptare, kështu tregon regjisori Ylli Pepo, sipas të cilit ka ardhur koha për telenovela shqiptare.

Telenovelat shqiptare janë të palëvrueshme në tregun tonë, në një kohë që shikueshmëria e atyre të huaja që shfaqen në ekranet shqiptare kap shifra të larta. Pse nuk xhirohen të tillë filma në Shqipëri?
E vërteta është se unë akoma nuk e kuptoj pse nuk bëhen telenovela këtu tek ne. Pas telenovelës së parë, “Njerëz dhe fate” kolegë të mi apo institucione që merrem me prodhimin e filmit nuk e kanë stimuluar këtë gjë. Njerëzit janë të mbërthyer pas telenovelave dhe këtë e vërteton dhe shikueshmëria e lartë e telenovelave të huaja. Kjo është një gjini që ashtu si “Big Brother”, apo spektaklet e “Miss Albanisë”, ka zënë një nga vendet kryesore, për të mos thënë vendit kryesor në televizionet tona. Edhe Zambia apo Vietnami, prodhojnë pafund telenovela, përveç Shqipërisë, mos të përmend rreth e rrotull nesh vendet që realizojnë telenovela. Këtë pikëpyetje e kam pasur gjithnjë të them të drejtën dhe nuk di t’i jap përgjigje!

A është koha për të bërë telenovela sot dhe sa arrin kostoja e një telenovele, në krahasim me filmat artistikë, çfarë diference kanë?
Ky lloj filmi në Shqipëri nuk është i kushtueshëm, është shumë më pak i kushtueshëm se filmat artistikë. Do të thosha se telenovelat bëhen me ¼ e një kostos që arrin një film i zakonshëm. Dhe kjo është fare e vërtetë. Me 150 milionë lekë mund të bësh të tillë filma serial. Pa diskutim tani është koha për të bërë telenovela, sepse nuk janë aq të shtrenjta sa ç’duken! Përfitimi është më i madh nëse do t’i krahasojmë me prodhimet e huaja që blejmë nga jashtë. Telenovelat nga jashtë blihen lirë, ndoshta ky është një shkaqet dhe spaciot e televizioneve mbushen me ato që vijnë me çmim të lirë, por pronarët e televizioneve harrojnë se një telenovelë shqiptare mund të prodhohet dhe jepet herë pas here më shumë se një telenovele e huaj. Publiku ka vërtetuar që edhe me filmat e vjetër shqiptarë është akoma i pasionuar dhe i ndjek. Kjo gjë do të ndodhë më tepër me telenovelat shqiptare që trajtojnë tematika nga jeta e sotme, jeta shqiptare dhe jam i sigurt që kanë një shikueshmëri më të lartë se filmat për të cilët njerëzit kanë nostalgji. Telenovela konsumohet është ushqim i përditshëm. Telenovela konsumohet është ushqim i përditshëm dhe këtu mund të themi se ka një ndryshim nga filmat artistik. Telenovela zakonisht buron nga ngjarje të ditës që merren si të thuash një ngritje në art e përditshmërisë sonë, kurse në filmat artistikë trajtohen edhe ngjarje nga e kaluara, nga historia, në përgjithësi filmi është memoria e kombit.

Nga eksperienca juaj e parë me realizimin e telenovelës “Njerëz dhe fate”, si priten prodhime të tilla artistike në vend?
Mendoj se priten shumë mirë. Pavarësisht se tani është shtuar larmia e programeve, televizionet po ashtu janë zgjeruar, konkurrenca padyshim do të jetë më e madhe kësaj here, por niveli shpresoj është më i lartë se sa hera e parë kur realizuam “Njerëz dhe fate”. Për realizimin e saj ka pasur edhe probleme si një produksion i parë. Por kësaj radhe të metat e konstatuara sigurisht korrigjohen në një punë të dytë. Teknologjia është e njëjtë për të dyja! Unë mund të bëja një krahasim nga fusha e sportit. Një film është një garë 100 metërshe ku dalin sprintorët kurse një film serial, telenovela është njësoj si të bësh garën e maratonës.

Çfarë do të presim nga seria e parë e këtij seriali dhe kur do të kemi mundësinë ta shohim?
Aktualisht, ju keni ardhur në një kohë pune intensive për ne. Jemi në kulmin e punës ku pothuajse kemi xhiruar gjysmën e filmit, gjysmën në terren konkrete, si në pub-e, lokale, rrugë, studio piktorësh, biblioteka etj., ndërsa gjysma tjetër po xhirohen në studiot e radio-televizionit. Filmi do të bëhet gati shpejt, por mendohet që do jepet nga vjeshta kur dhe shikuesit janë më të shumtë para ekranit. Në serinë e parë do të fillojë me prezantimin e personazheve që do t’i shohim në një kohë, gjatë kapërcimit të dy epokave, në kohën kur ndaheshim nga diktatura, komunizmi me kohën kur fillon demokracia. Ka qenë një kohë vërtet shumë intensive, shumë e vrullshme dhe ne po përpiqemi që serinë e parë ta sjellim ashtu siç ka qenë. Me atë ngjyrë, me atë kolor, me atë intensitet që e kanë jetuar shqiptarët atë kohë.

U fol kohë më parë që do xhiroheshin seritë e reja të “Njerëz dhe fate”. Ç’po ndodh me të?
Ne kemi mbaruar 20 seritë. Ruzhdi Pulaha ka shkruar 10 seritë e reja që janë dorëzuar si projekt në drejtorinë e projekteve në RTSH dhe ne presim që të aprovohen, miratohen, për të vazhduar ato seri që vërtetë patën një impakt shumë të mirë te shikuesit shqiptarë.


“Lidhëset e këpucëve” Regjisori Ylli Pepo aktualisht ka në proces dy filma dokumentar. I pari titullohet “Lidhëset e këpucëve” me skenar të Ahmet Shqarrit dhe flet për sportistët tanë të vjetër. “Ne i kemi marrë ata në vendet ku jetojnë sot dhe tregojnë historitë e jetës së tyre, që janë vërtet emocionuese për këdo, pasi janë anë të dy medaljeve: të famës por të një jete të mbyllur dhe të rëndë jashtë stadiumeve. Në qendër është një nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë të të gjitha kohërave që ka luajtur me ekipin e Romës, i cili vjen dhe tregon mbi jetën dhe mbi mënyrën se si ka hyrë në rrugën e sukseseve në atë kohë, kur Italia ishte kampione bote”, tregon Pepo. Etnografja norvegjeze Filmi i dytë dokumentar me të cilin regjisori Ylli Pepo po punon aktualisht është me skenar të gazetares veterane, Suzana Zyrakja, që bën fjalë për një figurë shumë të njohur humaniste norvegjeze, Berit Becker, një etnografe me shumë peshë në Norvegji, e cila ka punuar dhe ka bërë kërkim në malësitë e Shqipërisë dhe veçanërisht në Kosovë. “Në mënyrë të veçantë është angazhuar për të drejtat e njeriut, si një nga themelueset e komitetit shqiptar të Helsinkit. Pikërisht për këtë figurë të njohur, flasin bashkëkohës të saj, njohës të saj, që nga akademikë norvegjezë deri te personalitete të jetës shqiptare, me të cilët ajo pati bashkëpunuar”, tregon regjisori

“Romantikët” e Kinostudios shqiptare

“Romantikët” e Kinostudios shqiptare
Histori dashurie që në kohën kur u shfaqën në kinematë e vendit u kthyen në kolona zanore të të rinjve . Romancë brenda kufijve të asaj deri ku duhet të shkonte dashuria në një film.
“Unë e dua Erën”, një “love story” e viteve para ‘90, së bashku me “Në çdo stinë”, “Përrallë nga e kaluara” etj. Ja ato filma që përkufizonin kronikën rozë të kinematografisë shqiptare .

Unë e dua Erën

Regjisor: Albert Minga
Aktorë: Mevlan Shanaj, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani
“Unë e dua Erën” është pa dyshim një prej historive të dashurisë më të ndjera në kinematografinë shqiptare të viteve ‘80-‘90. Protagonistë janë Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani në një histori dashurie të përzier me ndjenja të thella, por të dyzuara pasi bëhet fjalë për një situatë të ndërlikuar në një opinion që godet me gjithë forcën e mundshme. Ajo është shtatzënë nga i fejuari i saj, me të cilin është ndarë dhe është njohur me personazhin kryesor (Ndriçim Xhepa). Të dy ndiejnë për njëri-tjetrin, por në mes tyre qëndron e shkuara “e njollosur” që i ndiqte si hije nga pas.


Në çdo stinë

Regjisor: Viktor Gjika
Skenarist: Viktor Gjika, Bashkim Hoxha
Aktorë: Arben Imami, Anisa Markarian, Pavlina Leka, Tomor Nushi
Filmi "Në çdo stinë" është prodhuar nga Kinostudio "Shqipëria Sot" në vitin 1980. Një romancë tjetër në fondin e artë të filmit shqiptar. Zana (Anisa Markarian) dhe Bardhyli (Arben Imami)janë dy studentë që dashurohen. Përmes amplitudave shpirtërore të dashurisë së tyre filmi zbulon ëndrrat dëshirat dhe preferencat e tyre. Me karakteret që kanë pak a shumë të njëjtën moshë por edhe ndryshime midis njëri-tjetrit filmi jep portretin e studentit të ri.


Malet me blerim mbuluar

Skenari: Dhimitër Anagnosti
Regjisor: Dhimitër Anagnosti
Kompozitor: Robert Radoja
Aktorë: Yllka Mujo, Mevlan Shanaj
Filmi ka në qendër një histori dashurie mes partizanëve. Ishte kohë lufte dhe partizania e re Lilo Labja (Yllka Mujo) dashurohet me Jahon (Mevlan Shanaj). Ajo që ka mbetur refren nga ky film është thirrja e Jahos “O Lilo Labja moreeee”. Ngjarja zhvillohet në vitin ’43 kur Kabo, Jaho si dhe Peliceli, një mjek italian dhe Zeneli i vogël, mbajnë në një vig Lilo Laben, drejt spitalit partizan. Jaho tregon gjatë rrugës dobësi të veçantë për Lilon


Flutura në kabinën time

Regjisor: Vladimir Prifti
Aktorë: Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Tinka Kurti,
Reshat Arbana
“Flutura në kabinën time” mund të cilësohet një “love story” me fund jo të lumtur e para viteve ’90. Në vitin kur u shfaq në kinema kjo histori u kthye në një kolonë zanore të bisedave të të rinjve. Tom Melgushi (Ndriçim Xhepa) është një shofer i ri problematik dhe i kritikuar gjithnjë nga eprorët dhe familjarët. Ai krijon lidhje të shpejta që s’kanë shumë rëndësi për të dhe nuk shqetësohet kur lëndon ndjenjat e të tjerëve. Por gjithçka ndryshon në momentin që në kamionin e tij hipën Flutura, mësuesja e fshatit. Në sytë e Tomës ndizet një fije shprese për një lidhje të qëndrueshme me një njeri që ai e respekton.


Përrallë nga e kaluara

Regjisor: Dhimitër Anagnosti
Skenari: Dhimitër Anagnosti, Anton-Zako Çajupi
Aktorë: Elvira Diamanti, Xhevdet Ferri, Hajrie Rondo, Robert Ndrenika
Në qendër të kësaj komedie është historia e dashurisë së Marigosë (Elvira Diamanti) me trimin (Xhevdet Ferri), të cilët për shkak të kohës, në të cilën jetojnë. Marigonë 20-vjeçare e martojnë me djalin e një familjeje të pasur për kohën, të cilin ajo sigurisht nuk e dashuron. Por përveç këtij fakti ekziston dhe një problem tjetër që do të shërbejë për ta bërë situatën mjaft komike. Dhëndri
është vetëm 14 vjeç. Sidoqoftë fundi është i lumtur, Marigoja martohet me trimin e saj, i cili hedh gurë nga mali.


“Çifti i lumtur”

Regjisor: Piro Milkani
Skenari: Kiço Blushi, Piro Milkani, Bik Pepa
Kompozitor: Agim Krajka
Aktorë: Marie Qyrsaqi, Bik Pepa, Tinka Kurti
Një komedi për jetën e viteve ‘70. Dy të rinj, që vijnë nga besime të ndryshme fetare, vendosin të martohen me njëri tjetrin. dhe ua bëjnë të njohur dashurinë prindërve të tyre. Në takimin midis dy baballarëve, i ati i djalit, i rrethuar nga gruaja dhe halla krijon gjithfarë situatash komike pasi nuk e fsheh dot se nuk e do vajzën që vjen nga “një fe tjetër”. Por më në fund dorëzohet.


“I teti në bronx”

Regjisor: Viktor Gjika
Interpretojnë: Mevlan Shanaj, Sandër Prosi, Vangjush Furxhiu, Piro Mani, Yllka Mujo etj.
Një histori dashurie që lind si një rreze drite në kohë lufte. Por një histori, e cila do të kalojë peripeci të shumta. Bëhet fjalë për partizanin e interpretuar nga “Mevlan Shanaj”, i cili plagoset dhe kur shkon në shtëpinë e një doktori të njohur për t’u mjekuar njihet me vajzën e tij (Yllka Mujo). Lind një simpati reciproke mes dy të rinjve, por ajo është e fejuar me një biznesmen që siç rezulton më vonë bashkëpunonte me forcat armike. Atëherë dy të rinjtë vendosin të dalin së bashku në mal.


Vdekja e kalit

Regjisor: Saimir Kumbaro
Skenari: Nexhati Tafa
Aktorë: Timo Flloko, Rajmonda Bulku
Një romancë tragjike, që përveç emocioneve solli një risi në filmin shqiptar. Skenat erotike në film sot cilësohen mëse të zakonshme, por në kohën kur filmi u shfaq në kinema, s’flitej veçse për to. Personazhet kryesore interpretohen nga Timo Flloko dhe Rajmonda Bulku. Agroni (Timo Flloko) arrestohet sepse kishte shpëtuar një kalë nga ekzekutimi që po u bëhej atyre në atë kohë. Ndërkohë që ai është në burg, bashkëshortes së tij i kërkojnë që të divorcohet, por ajo nuk pranon. Atë e detyrojnë të abortojë fëmijën që mban në bark dhe gjatë këtij procesi vdes. Një histori dashurie e vdekjeje.


Edhe ashtu edhe kështu

Regjisor: Bujar Kapexhiu
Skenari: Bujar Kapexhiu
Një histori dashurie sa argëtuese aq dhe e pamundur. Kjo histori vjen si limonadë e freskët në një situatë absurde e komike njëkohësisht. Teoriku Apostol Sako shkruan artikuj dhe jep leksione mbi dashurinë e lirë të rinisë në një kohë kur një konflikt i madh ndodh në familjen tij. E bija, Alma, studente e inxhinierisë, dashuron një këngëtar, Andi Bega, atëherë kur i ati do ta martojë me një diplomat. Konflikti zgjidhet përmes situatave komike dhe fundi është i lumtur.


Duaje emrin tënd

Regjisor: Ibrahim Muço, Kristaq Mitro
Skenari: Nasi Lera
Muzika: Thoma Simaku.
Aktorë: Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa
Jona, Arseni dhe Agroni janë tre të sapodiplomuar që po përpiqen të gjejnë vendin e tyre në jetën që secili ka ëndërruar për veten. Bashkangjitur kësaj, ekziston një histori e dashurie që në fillim shfaqet e fortë mes Agronit dhe Jonës, por me kalimin e kohës del se ai do zgjedhë karrierën e tij para saj. Nga ana tjetër është Arseni që gjithnjë e ka dashuruar Jonën, por ka zgjedhur të heshtë. Përmes lidhjeve shoqërore dhe dashurisë së tyre, filmi hyn në botët e tyre shpirtërore dhe psikologjike duke zbuluar kështu konceptet e tyre dhe vlerat morale.



Blendina Cara (T.O)

Anzhelin Zholi plan per tu tërhequr nga bota kinematografike

LOS ANGELES– Me gjashtë fëmijë për t’u kujdesur, Anzhelinë Zholi planifikon tërheqjen për ca kohë nga bota kinematografike. Aktorja më e pëlqyer për momentin e Hollivud, e bëri të ditur këtë vendim të sajin për BBC. Ajo tregoi planin për tërheqjen e saj nga kinemaja për arsyen e thjeshtë, të ketë më shumë kohë për t’u kujdesur për fëmijët e saj. “Nuk e kam në plan të luaj gjatë nëpër filma. Jam gati të largohem nga aktrimi, pasi unë do të bëhem edhe gjyshe një ditë”, tha Zholi në intervistën për BBC.
Zholi dhe Brad Pit janë vlerësuar si cifti më i bukur i Hollivudit dhe si martesa më jetëgjatë në botën e yjeve. Ata kanë së bashku 3 fëmije bilogjikë dhe 3 të tjerë të adoptuar. Në përgjigje të pyetjes se kur do të bëjë ndërprerjen, 33 vjecarja tha se nuk do të japë garanci rreth kohës se kur do ta bëjë këtë.
Por, sipas saj largimi nga kinemaja mund të jetë 1 vit, ose 3 vjet. “Më pëlqen të qëndroj në shtëpi për shumë ditë”, thotë ajo.
Zholi nuk është e vetmja aktore që preferon të tërhiqet nga kinemaja dhe ti kushtohet diçkaje tjetër që në moshë të re. Ndoshta ajo do ndjekë pas Joaquin Phoenix 34 vjec që la aktirimin për të bërë muzike apo Sean Penn 48 vjec.

(d.b/Reuters/BalkanWeb)

OPINION/ Teatri në një shoqëri liberal-demokratike!

Nga Dr. Përparim Kabo
Nuk e fsheh dëshirën për një provokim pozitiv jashtë dilemës, por brenda arsyetimit, kur kurajoj të shtroj pyetjen, është teatri që krijon lirinë apo është liria që e krijon teatrin?!


Problemi ngërthen një numër të madh çështjesh dhe problematikash, raportesh dhe dukurish, interesash dhe parimesh morale, por tek e fundit, kjo tërësi mund të strukturohet në një raport krucial;
Individi dhe liria, a mund të takohen pa artin dhe në veçanti pa teatrin si një art i gjallë antropomoral, që ndryshe nga artet e tjerë, ai ngrihet dhe mbaron në çdo performim përballë spektatorëve; të cilët takohen me të për t’u shndërruar nga njerëz në qytetarë, nga subjekte individuale në individ apo person si institucion?!
Ndryshe nga artet e tjera, qysh në gjenezë teatri dhe dramaturgjia si shpirti i saj, me mendim dhe ndjenjë, me historicizëm dhe me doktrinë morale, lindi si kozmogoni me të dy elementët; gnosologjinë dhe ontologjinë.
Si i tillë, qysh në agun e vet, teatri u krijua si një filozofi njerëzore që komunikon me botëkuptimin spontan të njeriut, me psikologjinë dhe të gjithë veprimtarinë e tij aplikative, me jetën dhe ëndërrimin njerëzor.
Teatri u zhvillua më tej, si një filozofi lëvizëse dhe ndërgjegje universale që e kishte të hipotekuar fatin dhe rrugëtimin nga vetja e për veten dhe të regjsitruar tek memoria dhe ndërgjegjja e njeriut, e njerëzimit.
Teatri u profilizua si avokati i parë dhe i patjetërsueshëm i shoqërisë civile.
Kjo filozofi qysh në krye të herës, shtroi dhe zgjidhi raportin më fondamental, atë të jetës me vdekjen, të cilin e ka hulumtuar përmes virtytit dhe optimizmit nga njëra anë, dhe vesit dhe dëshpërimit të thellë nga ana tjetër.
Edhe në anatominë mitike të muzave, martesa e Zeusit me Kujtesën si krye-muzë, lindi 9 bijat, muzat; ku e para qe muzika, pas saj vinte historia dhe më tej komedia, tragjedia dhe diku nga fundi i listës, pantomima.
Në këtë këndvështrim, ajo çka u thirr qysh në antikitet si e drejta natyrore, që do të thotë; të drejtat e njeriut si të patjetërsueshme, nuk mund të lindnin nga traktatet politike dhe nga kushtetutat. Fillimisht ato lindën nga ai musht dramatik siç edhe ishin tragjeditë dhe komeditë e antikitet heleno-romak, të paramëkuara nga përroi pellazg me dhurimin multikulturorë të pelazgomitikës, larg ksenofobisë, përjashtimit dhe izolimit antiliri.
Ky frymëzim i të parëve tanë të agut të mugëtirave, duke qenë se krijoi një botë mitike tredimensionale: qiell, tokë dhe nëntokë mbi baza krejt antropologjike, dhe duke qenë se ata nuk pranonin kurrsesi rilindjen e shpirtit pas vdekjes (këtë e gjejmë për herë të parë tek helenët me mitin e Dionisit, rilindja e tij nga zemra me ndihmën e Zeusit), si dhe duke qenë se të vdekurit, pellazgët i varrosnin ndërsa helenët i digjnin, etj; pikërisht ata krijuan një botë pa frikë dhe pa krijuesin e parë. Në këtë kuptim, gjithçka në universin e tyre shpirtëror grishte nga liria dhe shihte nga e ardhmja. Pas këtij vizatimi të trashë, të ngrehinës ekzistenciale qysh nga guri prehistorik i qoshes, për raportin teatrim-shoqëri, kemi të drejtë dhe drejtpeshimin për të dhënë një përgjigje.
Raporti teatrim-liri është raporti i parë ekzistencial me jetë universale i cili nuk humbet, por se në rrugëtimin historik, riformulohet në kohë të ndryshme dhe në sisteme të ndryshëm, ekonomik, politik, fetar dhe shoqëror.
Ja përse edhe në vitin 2008, në skenat tona teatrore erdhën si prurës urtësie Seneka dhe Euripidi.
I pari kumtoi leksion-urdhrin,”mëso të jetosh” me kushtin aksiomatik që të kujton logaritmet e matematikës së lartë në matricën e jetës, që formulohej “gjënë e fundit mendoje në fillim”. Të paktën dy kumte derivojnë nga ky formulim. Jeto me mendim dhe zgjidhja në mendim deri në skajin e fundëm duhet të të paraprijë për të parashijuar të ardhmen. E gjithë kjo aforizëm lidhet me shqetësimin e tij, aq aktual edhe sot në shoqëritë moderne se:
“Jeta ndahet në tre kohë: e kaluara, e tashme dhe e ardhme. Nga këto të tria e tashmja është e shkurtër, e ardhmja e dyshimtë, e kaluara e sigurt” (Seneka vepra Dialogje, botimi shqip faqe 30, shtëpia botuese Plejad)
E gjithë kjo hapësirë dhe kohë jetësohet nga lëvizja njerëzore dhe brenda saj nga një teatralizëm njerëzor që krijon të gjitha format e filozofisë së mendimit. Patologjitë inherente mund të sigmatizohen nga ligji dhe dhuna, por qëllimi më i lartë, jeta kërkon të ruhet njeriu duke u ribërë.
Vetëm arti dhe në veçanti teatri e kurojnë njeriun me “ushqime dhe terapi bio” për ta mbajtur të shëndetshëm si qytetar, sepse ajo që shqetëson sot shoqërinë, për atë që quhet njeriu i tregut si produkt i globalizmit financiar, ku motivi pa skrupuj është transaksioni fitimprurës si vetëfitim dhe ku solidariteti njerëzor apo morali koheziv shihet më përçmim si i vjetruar; janë parathënë nga teatri edhe kur ai ka qarë në drama apo tragjedi edhe, kur ka qeshur në komedi apo në sarkazmat therëse.
Flitet sot për dështime bankash dhe kredi të këqija, për vjedhje dhe abuzime me pasuritë dhe sigurimet e njerëzve për pleqërinë e thellë, diskutohet e nëmet për keqadministrime me fondet publike dhe pasuritë kombëtare. Abuzimet kanë kapur drejtuesit dhe menaxhuesit e bankave. Por me njeriun ka ndodhur ajo që mund të thirret pa mëdyshje “patologjia e absurdit për të blerë pavdekësinë me pasurinë e pafund”.
Kjo e ka deformuar shoqërinë, jo thjesht përmes polarizimit ekstrem ekonomik, por njëherësh, është goditur një genom njerëzor social, etik dhe human, kuptimi mbi jetën dhe të drejtën për ta jetuar atë. Por mendimi filozofik i teatrit njerëzor kishte paralajmëruar: “Kush ka dëshiruar shumë gjëra me ambicie ka përbuzur me mendjemadhësi, kush ka fituar pa rregull e pa u ndalur, ka mashtruar me pabesi, kush ka vjedhur me lakmi, ka prishur pa hesap, pikërisht ky njeri ka frikë nga kujtimet e tij.”(Seneka po aty.)
Euripidi erdhi fillimisht me Medean e suksesshme të regjisorit të ri Mikel Kalemi me dy kumte principiale: -Mbretërit nuk mund të dhurojnë moral, sepse si njerëz janë meskinë. (Le të kujtojmë fjalët e mbretit ‘e dua atdheun, por më shumë se atdheun dua fëmijët e mijë’. Sa mbretër të sotëm do të strukte në karrigen e teatrit kjo thënie që me “bisturi mendimi” dhe kurajë civile i bën autopsinë çdo lloj nepotizmi). Ndërsa kumti i dytë është ai mbi anatominë e vdekjes, për të kuptuar më mirë kryepasurinë, Jetën.
“…Antikiteti duket sikur njëherë e mire e voli frytin e tragjizmit dhe e vuri të vinte si musht universal, që të ziente pijen e veçantë të dhimbjes njerëzore dhe kupën e saj çdo njëri nga ne, në të gjitha kohërat, ta pinte me pika të vogla, për të mos u helmuar, për të mos helmuar të gjallët, dhe për të mos futur në damarë një helm më të fortë, vdekjen universale…e gjithë kjo për të na paralajmëruar; “Mos! Nuk duhet të shkojmë deri këtu”! Ndaj njerëz mos e vrisni jetën! (Tingull, faqe 169, P.Kabo botimi shqip, shtëpia botuese Plejad). Këta kumte universale na kanë bindur përmes teatrit se “E vërteta mbështetet në ide dhe jo në justifikime”. Këto tipare dhe atribute nuk i ka politika, as religjioni apo forma të tjera të mendimit teorik, apo jo i tillë. Ato justifikojnë autoritetin e tyre, ndërsa arti dhe teatri në veçanti, e kuptojnë dhe e mëtojnë kryekumtin se “vlerat nuk janë autoritet, por janë sovranitet”, pasi e para është imponim ndaj edhe përjashtim, e dyta është marrëdhënie, pra gjithëpranim, pasi megjithëse jemi të ndryshëm jemi ta barabartë si njerëz. Ky ka qenë dhe mbetet kushti universal i demokracisë dhe lirisë njerëzore. Euripidi mbërriti së fundit edhe me “Trojanet”, një anatomi njerëzore ku universaliteti femëror jepet si materie omblikale e jetës dhe vlerave, e dinjitetit dhe vazhdimit të ekzistencës.
Por edhe si një analizë e saktë historike që mënjanon ato marifete të logografëve dhe mitografëve të kohës së sundimtarit Pisistrat, të cilët duke shkruar poemat e mëdha homerike derdhën brenda tyre fjalë si etnonime toponime, antroponime apo oronime të pa thëna nga Homeri, por as edhe nga tragjedianët e mëdhenj, duke manipuluar kështu me atë që quhet në shkencë, Greqia( lexo pellazgjia) përpara Helenëve. Vura re që Euripidi fliste për Akej, Danajë dhe nuk e përdorte fjalën Helen, ndërsa grek përdorej vetëm 3 herë, gjë që tregon se është shtuar më vonë nga kalemxhinjtë. Por në vend që të pritej në takim nga shtetarët, “Euripidi dhe Seneka”, “Trojanet dhe Ekuba”, u pritën Ana Oksa (Hoxha, goca e Qazimit nga Kruja) dhe Adriano Galiani, administratori i deleguar i AC Milan.
Keq, s’ka më keq!! E përpos këtij xhestimi publik, lexon të nesërmen në gazete, se kështu filloi edhe fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Gjithë kjo më frigon më shumë se sa zëri i Myezinit në xhamin e Het’hem Beut, i cili më vinte në vesh njëherësh me monologun e dëlirësisë njerëzore të Andromakës brilante të Luiza Xhuvanit! Kjo është shoqëria e lirisë ku jetojmë sot!? Kjo është liberal-demokracia që ka ardhur tek ne si sistem, por ende nuk ka mbërritur si ndërgjegje qytetare dhe si edukatë antropo-civile?! Karabinaja demokratike është vetëm korniza e institucioneve të linjës që duhet dhe paguhen për t’i shërbyer kulturës. Por në këtë raport, bashkëveprimi mes tyre vjen i çalë, jo si Efesi i zjarrit, por me një javashllëk kuptimor, për rolin dhe misionin që ka në një shoqëri të hapur të lirisë ky raport, e cila shoqëri; ndryshon vërtet duke ju larguar dogmave, por që nuk mund të bëjë pa vlerat.
Këtë themel në shoqëri e ndërton përjetimi shpirtëror përmes artit dhe me atelien e vet krijuese e veçoritë në komunikim, teatri është në vijën e parë të kurimit të njeriut dhe shoqërisë.
Termi “shoqëri në tranzicion” ka kuptim për sistemin politik dhe legjislacionin, por nuk ka kuptim për moralin dhe vlerat civile. Një “laissez faire” i tillë me njeriun, me vlerat e tij humane dhe me parimet themelore të dinjitetit njerëzor, janë vrastare për shoqërinë dhe mirëfunksionimin e saj. Teatri ynë i nderuar Kombëtar, trupa fisnike e aktorëve, këtyre personaliteteve të shoqërisë civile, si dhe ekipi i krijuesve dhe realizuesve (dramaturgë, regjisorë, skenografë, kostumografë, kompozitorë, etj, etj);
me krijimet e tyre dhe me vëniet në skenë, kanë treguar se nuk janë në pozita transitive, ku si në një lojë pa kufi gjërat janë të papërcaktuara, me qëllimin ambigue për të mos mbajtur përgjegjësi.
Tetari kujdeset për veten me misionin për të ruajtur shoqërinë!
Kjo është e shkruar në ajrin e demokracisë institucionale. Ai që nuk e kupton, jeton për fatkeqësi të vet në një kohë pa kohë. Ndaj nëse ajo që quhet “shoqëria jonë demokratike e pas viteve 90-të”, në politikë tingëlloi shpesh amatore, në shoqëri zhurmoi anarkike, sepse kuptimi mbi iniciativën e lirë dhe kapitalizmin rezultoi në humbje parash dhe grabitje tokash, aq sa edhe sot të gjithë po paguajmë për t’u riparuar sado pak me politika të kujdesit social këto marrëzi kolektive, pra me dy fjalë kjo liri-anarki po na koston; një shkujdesje apo shthurje e tillë, në teatër nuk ndodhi. Ai erdhi qysh në krye të herës me Fridrih Dyrremant me “Kthimi i Damës Plak”, që në një simbiozë metafore riktheu në skenë edhe viktimat e diktaturës, të cilët për pak ëndërrim të lirë si ‘njolla të murrme’ pësuan kalvarin e burgut dhe skenën e teatrit e ndërruan me makinën qepëse në një rrobaqepësi industriale, si edhe ndodhi me çiftin teatror Luarasi. Në këta 18 vite tek skena më dhoga e këtij tempulli, erdhën dhe bujtën Hipseni, Çehovi, Sebastiani, Molieri, De Filipo, Williams, Miller, Wilde, nga drurët e moçëm e të rrallë të pyllit të dramaturgjisë, por edhe bashkëkohorë britanikë, amerikanë, francezë, grekë, kroatë, hungarez, apo nga shkolla të tjera. Kanë ardhur më shumë dinjitet dhe profesionalizëm edhe vepra të autorëve shqiptarë që kanë goditur me kurajë plagë, si korrupsionin, ikjen masive, braktisjen e njerëzve të moshës së tretë, gjakmarrjen, dinjitetin njerëzor etj. Ky kontribut i Teatrit Kombëtar ka vlerë shumëplanësore.
Ka treguar me art dhe përjetim estetik e ndjenjësor, pra me anën tjetër të dikotomisë së ndërgjegjes, po aq e rëndësishme sa ajo e para, substanca konceptuare (idetë e emetuara); se sistemet mund të transitojnë në rrugën e progresit dhe kjo është një sfidë me kosto, sociale dhe ekonomike. Por kurrsesi, nuk mund të pranohet se vlerat universale të njeriut si qytetar, në këtë vorbull do të duhet të shihen si transitive apo të përthyeshme me qëllimin e mbrapsht dhe helmin e fshehur, që të kemi një shoqëri pa vlera. Dramaturgjia e luajtur i ka shërbyer një principi krucial të demokracisë dhe lirisë, atij të “ruajtjes së marrëveshjes me të vërtetën” në çdo rrethanë dhe në të gjitha situatat. Ky dialogim dhe kjo bashkëjetesë, nuk ka qenë e lehtë, sepse është fakt dhe ne jemi dëshmitarë, që edhe teatri si godinë, si repertor dhe si mekanizëm; u sulmua, për t’u kafshuar dhe për t’i injektuar patogjenin e humbjes së identitetit: Duke propozuar që si ngrehinë nga institucion të bëhej qiraxhi në godinat që gërvishtin qiellin, ku në ballkonet teshat e nderura për t’u tharë nga kujdesi i rrezeve të diellit do të bashkëshoqëroheshin me ajrin dhe afishet teatrore. U tentua (o zot dështuan), ta përçudnonin duke vënë në skenë skeçe mjerane dhe komediçka, ku e gjithë davaja qe, që të thuheshin hapur ndoca fjalë të ndyra apo bajate dhe e gjithë kjo të “shitej si liri mendimi” dhe shprehje e modernizmit. Tek e fundit, jo për nga rëndësia; një repertor i tillë vlerash që lartcekëm, ruajti me shumë kujdes, me fisnikëri dhe jo me mbipagesë, komunitetin civil të shoqërisë, pa të cilin rendi civil bie, ndërsa kohezioni antroposocial i shoqërisë është i rrezikuar, sepse nuk ka model referimi. Pa edukimin që vjen nga teatri dhe arti në përgjithësi, do të ndodhte komercializimi i vlerave civile qytetare dhe shndërrimi i masës njerëzore në masë tregu; ku tipari themelor është loja pa skrupuj në tregun e transaksionit. Për ndriçim më të qartë dhe jo për erudicion mendjeshitës, më duhet të nënvizoj, një tezë teorike se; nëse atdheu barazohet me tregun, atëherë edhe qytetari barazohet me operatorin e tregut, dhe si i tillë parimet e tij janë konkurrenca, fitimi, mbifitimi, falimentimi, informaliteti, evazioni, shmangia nga ligji dhe të gjitha pasojat që rrjedhin nga kjo mënyrë të sjelli. Njeriun dhe shoqërinë e shpëtojnë nga këto patologji bashkëkohore pikërisht sistemet imunitare të vlerave dhe, i tillë është teatri i dramës si një art antropologjik edhe për së gjalli. (aktori shihet dhe dëgjohet në skenë).
Duhet kuptuar thellësisht dhe qartazi se ka një dallim të thellë demarkativ mes shoqërive totalitare dhe atyre të hapura të liberal-demokracisë. Tek të parat individi nuk ekziston. Ai është i nulifikuar tek shoqëria e ideologjizuar, ndërsa kjo është e identifikuar me sistemin, e më tej, ky i fundit me udhëheqjen, në krye të së cilës qëndron udhëheqësi i pagabueshëm dhe largpamës. A nuk u godit direkt teatri dhe dishepujt e tij nga urdhër-vlerësimi i diktatorit në komunizëm tek ne!?
Ndërsa në shoqërinë e lirisë, individi është institucion, së paku për tri arsye të qenësishme, sepse ka të drejtë të mendojë me kokën e vet, sepse është i lirë të shprehet, sepse ka të drejtë të vetëmbrohet. Por individin tonë të tillë mund ta rimodulojë më mirë se politika, apo OJF-të, arti dhe në veçanti teatri me personazhet e tij dramatikë, por gjithë po aq edhe për faktin se përjetimi në teatër, është jo individual si në letërsi; apo në numër të vogël si në artet pamore. Ai realizohet në një grup kolektiv, ku pas shfaqjes secili ka më shumë energji pozitive për ta ndryshuar veten, më shumë ngarkesë njerëzore për të bashkëpunuar për progres në komunitet. Një përfundim i tillë nuk është kartë propagandistike. Po ravijëzoj shkurt dhe shkoqur disa fakte historike. Presidenti i parë i SHBA-ve, George Washinton, nga profesioni ishte drupunues (per koincidencë si Josifi i ati i Jezusit). Ai shkoi një mbrëmje në teatër, pastaj shkoi sërish të nesërmen dhe kështu me radhë, saqë filloi pas punës së lodhshme të shkonte atje në tempull, çdo natë. Në këtë kuptim thënies se Amerika lindi nga kinemaja, kemi të drejtë t’i bëjmë një riformulim logjik: “Ajo modernia po, por themelet e Amerikës i hodhi një mëndje që u shkollua tek “Universiteti i Teatrit”. Ja dhe një fakt tjetër. Pas luftës së Parë Botërore, gjendja në Wien ishte mizerje, aq sa vajzat e familjeve të mesme kishin filluar të prostituonin me pagesë. Kur një kalë policie u plagos në rrugë dhe e vranë që të mos vuante, për pak minuta mishi i tij u mor nga njerëzit për t’u ngrënë, sa i mbeti vetëm skeleti. Por pikërisht në atë kohë dhe në ato rrethana, u sigurua që teatri i dramës të funksiononte jo gjithë javën, por jo më pak se dy herë në javë. Çdo vit botohet një sondazh i titulluar “sa e pastër është pastërtia”, ku listohen nga lart poshtë vendet me pak ose aspak korrupsion dhe deri tek më të korruptuarit.
Në 4 vendet fare pak të korruptuara që janë Norvegjia, Finlanda, Singapori dhe Suedia, më ka bërë përshtypje Finlanda; një vend i vogël dhe me pak popullsi, por që ka 80 teatro. Së fundi inauguroi një godinë teatri ku në ceremoni ishin të ftuar personalitete të rëndësishëm nga gjithë bota. Pas kësaj ekspozeje do të dëshiroja të sugjeroja krejt modestisht. Teatri ynë i dramës dhe përgjithësisht zinxhiri teatror së bashku me trupat, produktin dhe kujtesën e arkivuar, do të duhet të shndërrohen nga institucione nën patronazhin e shtetit, në autoritete autonome si asete të pa tjetërsueshmne të shoqërisë dhe si të tillë, ato janë edhe sovranitete të vlerave të shoqërisë civile. Ky ndryshim i thellë ka mekanizmin vet të konceptimit realizmit dhe bashkëpunimit në forma të tjera edhe me spektatorin.
Në thelb e gjithë kjo është sfidë kulturore që i kapërcen jo vetëm hapësirat teatrore dhe dimensionet e festivaleve të derisotëm, shumë të trumbetuar dhe pak ose aspak të akredituar, por njëherësh; hidhet hapi i bashkëpunimit e riidentifikimit përtej kufijve tanë shtetëror.
Sfida e parë është anëtarësimi në Lidhjen Europiane të Teatrove. Një punë e nisur para 3 vjetëve, por e pa bitisur. Ky anëtarësim ku shteti merr përsipër vetëm fee-n vjetore, ofron bashkëpunime shumëplanëshe, në forma të tilla; si bashkëprodhime, festivale të licencuara, bashkim buxhetesh, specializime, investime strukturore dhe për kujtesë dixhitale, e deri tek arkivat dhe bibliotekat, botimet e specializuara si profile të spikatura, albume, studime estetiko-teatrore, antologji teatrore, DVD të performimit teatror, etj etj, pra ndihmon institucionalisht për të përdorur si pasuri shoqërore të gjithë valencat e komunikimit që ofron teatri. Si një medium me vlera shumëplanësore dhe universale, gjetja për të e këtij vendstrehimi që është pjesë e integrimit tonë europian dhe që kontrollohet nga Këshilli i Europës, do të ndihmojë vetë teatrin të shkundet nga plogështia, të vendosi realisht hierarkinë e vlerave dhe kontributeve e bashkëshoqëruar kjo edhe me bonuset e përligjura në pagesa. Do krijohet mundësia për repertore të paramenduara dhe planifikuara në një hark kohor 2, 3 apo edhe 4-vjeçar, do të sjellë module të provuara se si drejtohen, menaxhohen apo kooperohen këta lloj institucionesh. Ne më në fund do të arrijmë edhe të kemi një festival jo panair, por të institucionalizuar dhe të akredituar me njohje edhe në tregun europian, ku pjesa më e mirë vendase, të shkojë në Festivalin Europian të Teatrove që zhvillohet periodikisht.
Së fundi do të dëshiroj të them pa lënduar kërrkënd, se teatri dhe produkti i tij duhet të shndërrohen në pasuri shpirtërore publike. Kjo është sfidë emancipimi, por edhe një kulturë e re menaxhimi dhe administrimi. Aktualisht në shumë vende të Perëndimit, fillimisht në SHBA, por pas tyre dhe gjetiu me bollëk, arti si performim dhe jo thjesht si studim formal, është futur edhe në kurrikulat shkollore që nga arsimi elementar, në shkollat e mesme dhe në universitete. Kjo sepse arti qysh nga lashtësia, mënjanon autoritarizmin, pasi prodhon dy ndjenja të thela dhe antropoformuse, entuziazmin dhe simpatinë.
Personazhet mund të jenë të ndryshëm si themi ne shkurt; pozitive apo negative, të së mirës dhe të së keqes, por ata janë të barabartë si personazhe, nuk janë përjashtues sepse pranojnë të performojnë së bashku. Këtu arti teatror dallueshëm spikat. E gjithë kjo formë bashkëjetese dhe bashkëpunimi, ku qëllim është kurimi i njeriut përmes vlerave; shpreh thelbin e demokracisë liberale moderne që formulohet në parimin; “Të gjithëpërfshirë në mundësinë reale të vetëndryshimit”

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Artistët shqiptarë, klandestinë në Itali

BARI- Zbarkojnë në perëndim të mbrëmjes së sotme, me gomone dhe pikërisht para hyrjes monumentale të Fiera del Levante. Shqiptarë dhe klandestinë, por skafistë të artit. Quhen Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj. Mbërrijnë nga Vlora në Bari për të marrë pjesë në Bienalen e artistëve të rinj dhe kanë zgjedhur këtë rrugë për prezantim. Në vend që të transportojnë në gomonen e tyre drogë, armë ose hallexhinj në kërkim të një shprese, dy "artistët klandestinë" do të sjellin një ngarkesë misterioze në bazë të së cilës është arti. Vullnetarisht kanë vendosur ta mbajnë të fshehtë përmbajtjen e performancës së tyre artistike. Kështu, asnjë nuk e njeh "ngarkesën" e tyre, një nga 1200 veprat që këto ditë, deri në 30 maj janë të ekspozuara në pavijonet e Fiera bareze, si emblemë të kreativitetit ndërkombëtar rinor. Janë ëndrra të një gjenerate të tërë, që varion nga 18 deri në 30 vjeç. Artistët që shpalosin këto ditë idetë e tyre vijnë nga 46 vende të botës dhe çdonjëri prej tyre paraqet një interpretim origjinal të këndvështrimit të jetës dhe të shprehjes artistike. Të bën përshtypje fakti që të gjithë pa përjashtime, e ngarkojnë shprehjen e tyre artistike të ndikuar nga rrënjët e origjinës. Është një fotograf që tregon historinë e Jordanisë së "tij", janë kroatët që në pak shkrepje na përziejnë në realitetin e një fshati në kufi mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Janë pastaj italianët që portretizojnë stereotipin italian të bukurisë femërore. Duket se tema e Bienales është mbi të gjitha ajo e rrënjëve, e origjinës së gjithsecilit nga ne dhe e luftës për të mundur kufijtë. Nuk është vetëm "kairos" (shprehje greke që nënkupton momentin kur ndryshimi është i mundshëm) fjala kyç e takimit të madh puljez me kreativitetin, sepse te ndryshimi, te mundësitë e rilindjes arrihet edhe duke transmetuar identitetin e gjithsecilit e duke i bërë të dialogojnë. Në këtë kuptim, provokimi i artit "skafist" që mbërrin në Bari me gomone është simbol i "rrënjëve" të përdorura për komunikim dhe për të denoncuar praninë e kufijve të bezdisur, të mureve dhe të mundësive të munguara që duhet të kalojë akoma qenia njerëzore. Në ftohtësinë dhe në të panjohurën që personifikon ky udhëtim i dy artistëve shqiptarë që shfaqen në Bari si klandestinë, sjellin një mesazh të rëndësishëm. Atë se si arti mund të prishë planet e atyre që ngrenë muret. Arti si dialog, si rroba të lagura nga uji dhe dëshira për të hyrë në një tjetër vend, si një vepër e krijueshmërisë (qoftë pikturë, poezi apo një filmim) nuk arrin të bëjë të komunikueshëm të pakomunikueshmen, është e qartë se nuk do të ishte nevoja të pikturoje, shkruaje apo të bëje poezi. Prania e artistëve të rinj nga Ballkani në Bienalen "Puglia 2008" është tepër e madhe. Nga Shqipëria dhe Greqia, kanë mbërritur (por me tragete dhe avionë) shumë grupe të tjera, si balerinët e grupit "58+3 Dance Company", themeluar në vitin në Athinë nga Elisavet Pliakostathi. Kjo kompani interpreton në Greqi, Gjermani dhe Itali me koreografi mbi tematika të lidhura me konceptim modern mbi njerëzimin. Qëllimi i tyre kryesor është të kontribuojnë në komunikimin ndërkulturor, me dëshirën për të mbërritur një botë më krijuese dhe për një kuptueshmëri mes ndryshimeve. Pjesëtarët e grupit quhen Arjan Sykney, Jonida Onuzi, Zela Erald, Teta Endri. Do të performojnë të premten, më 30 maj, ora 20.30, në pavijonin 7. Është edhe kompania teatrore e Kled Kapexhiut, një regjisor i ri i teatrit shqiptar, pjesa e të cilit do të ngjitet në skenë më 29 maj, ora 21:30. Më në fund kinemaja: Irvin Muçaj, Dalina Jashari, Dorina Kulla, janë artistë të rinj të përzgjedhur dhe të gjithë flasin për vendin e tyre. Kufij, mure, rrënjë...

(GazetaShqiptare/Balkanweb)

“Gjuetari i Balonave”, filmi ngjall kureshtje në Tiranë

Kureshtja e publikut u mpreh sapo u fol se libri “Gjuetari i balonave” do të bëhej film. Bestselleri i afgano-amerikanit Khaleid Hosseini pushtoi lexuesin e mbarë botës. Filmi që ngjalli komente të shumta, prej katër ditësh ka mbërritur në Tiranë. Ai po shfaqet në kinema “Imperial” dhe kanë qenë të shumtë ata që kanë nxituar të ulen në ekranin e madh. Ndërkohë, realizimi i regjisorit Marc Forster ka kaluar nëpër komentet e publikut të disa vendeve të botës. Sipas të dhënave nga kinema “Imperial”, interesimi i publikut kryeqytetas është shfaqur që sapo u fol se do të vinte në këtë kinema. Ndonëse titulli është përshtatur në “The kite runner”, të gjithë ata që telefononin interesoheshin për “Gjuetarin e balonave”. Pritshmëria ishte krijuar nga suksesi i madh që pati te lexuesi shqiptar libri i përkthyer i Khaleid Hossein dhe i botuar nga “OMSCA-1”. Një rrëfim për miqësinë e dy fëmijëve afganë, duke i vendosur në sfond kulturën krejtësisht të panjohur të këtij vendi, u bë subjekti më i diskutuar. Një ngjarje e rrëfyer nga një mjek, që për herë të parë provonte të bënte shkrimtarin. Në forumet e ndryshme të kinemasë komentet janë të shumta. Sigurisht që diskutimi vërtitet në krahasimin mes librit dhe filmit. Kështu ka ndodhur edhe në Tiranë. Punonjësit e kinemasë shprehen se pasi dalin nga kinemaja, shikuesit fillojnë të bëjnë komentet e para. “Libri është më i mirë se filmi”, “ky personazh nuk është siç e ka përshkruar autori”...të tjera do të ketë për aq sa filmi do të vazhdojë të shfaqet në “Imperial”. Në fund të fundit kjo është e kuptueshme. “Heronjtë e tyre” kanë marrë një fytyrë universale. Ata vijnë përmes interpretimit të Khalid Abdalla, Homayoun Ershadi, Zekiria Ebrahibi, Ahmad Khan Mahmidzada, etj. Dikush edhe nuk është pajtuar me Amirin, Hasanin apo Babën, që regjisori Marc Forster ka dhënë në ekranin e madh. Ata kishin krijuar një tjetër përfytyrim. Këto debate janë të pashmangshme për filmat që ngrihen mbi subjekte librash. Letërsia dhe kinemaja janë të dyja forma arti, por që komunikojnë ndryshe. Ndërsa mes rreshtave të librit, imagjinata e lexuesit “bredh” lirisht, kinemaja, përmes fotografive të mëdha komunikon me shqisat e të parit. Gjithçka të vjen e gatshme. Detajet e përshkruara hollësishëm nga shkrimtari të bëjnë pjesëtar kur Amiri ndjehet xheloz për dashurinë e të atit, i pafuqishëm të përballet me Hasanin dhe fajtor për tradhtitë e tij. Ekrani i madh të dikton një ritëm tjetër, ku ti nuk mund të ndalosh të reflektosh pa humbur skenën pasardhëse. Por një film jo domosdoshmërish duhet të jetë besnik i një libri. Ndërsa ata që ulen në karriget e kinemasë duhet t’i harrojnë për pak rreshtat e Khaleid Hosseini e të shohin personazhet e Forster, i cili qëndron pas sukseseve të aktorëve të Hollivudit.
Ndalimi
E ndërsa publiku diskuton mbi detajet e filmit dhe të librit, të një Afganistani që njohu ferrin pas një periudhe shkëlqimi, detaje tërësisht të panjohura të kësaj kulture, filmi nuk është lejuar të shfaqet në kinematë e Afganistanit. Vendimi u mor nga “Afghan Film”, institucioni shtetëror i censurës. Sipas këtij enti, filmi në fjalë do të nxiste dhunën racore ne vend, prandaj dhe nuk mund të transmetohet. Këto komunitete janë të ndjeshme dhe fanatik në pasqyrimin që i bëhet shoqërisë së tyre. Historia e miqësisë dhe tradhtive mes dy djelmoshave, njëri pashtun dhe tjetri hazara, përmban edhe skena te ashtuquajtura të papranueshme nga kultura islamike. E tillë është ajo e përdhunimit të Hasanit nga Asefi. Përpara se filmi të xhirohej, dy protagonistët e rinj të tij iu nënshtruan masave të sigurimit nga frika e ndonjë tentative për vrasje nga ana e talebanëve.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)

Filmi shqiptar shkon ne Beograd. "Koha e Kometes" merr pjesë në festivalin e filmit

TIRANE- Film i regjisorit Fatmir Koçi, “Koha e kometës", do të marrë pjesë në Festivalin e 37-të të Filmit në Beograd, ku konkurrojnë filma nga 9 vende të ndryshme të botës, ndër të cilët dhe filma që kandidojnë për çmime Oscar apo Golden Globe.
Festivali pritet të nisë në 20 Shkurt dhe konkurrimi i filmave do të zgjasë deri më 1 Mars.

Filmi është mbështetur në novelën “Viti i mbrapshtë” i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare. Në të interpretojnë një aktorë të njohur si Blerim Destani, Luan Jahja, Xhevdet Ferri, Marsela Lusha, etj.

Filmi trajton temën e viteve të turbullta pas pavarësisë së Shqipërisë. Shestani, një djalosh nga Shqipëria juglindore, dashurohet në Agnesën, një vajzë të cilën babai e detyron të bëhet murgeshë.

Në produksionin e filmit ka marrë pjesë firma gjermane "Lara Enterprises", me producent boshnjak, ndërsa drejtor i fotografisë është irlandezi Donal Giljan. Filmi është xhiruar në Maqedoni dhe në të kanë interpretuar edhe aktore maqedonas si Naomi Valeska.

Filmi "Koha e kometës" u shfaq premierë më 23 gusht 2008 në Durrës në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, për t'u shfaqur më pas në Prishtinë, në 2-3 shtator 2008.
(s.g/BalkanWeb)

Kur aktoret e medhenj shqiptare flisnin kinezce

Nga Oliverta Lila Jehona e filmave të vjetër shqiptarë vazhdon të dëgjohet ende në Kinën e madhe. Dikur ata ishin dhuratë e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, e megjithatë të sukseshëm në një publik të gjerë.

Jehona e filmave të vjetër shqiptarë vazhdon të dëgjohet ende në Kinën e madhe. Dikur ata ishin dhuratë e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, e megjithatë të sukseshëm në një publik të gjerë. Madje aktorët e njohur, si Ndrek Luca, Englantina Kume apo Elida Cangonji, i sheh të flasin kinezçe. Në fakt janë zërat e dubluar të tyre. Ata janë figura të adhuruara, sidomos për më të vjetrit. Ndonëse sot Kina është një vend me një hov të madh zhvillimi, e cila me vendin tonë ka më shumë lidhje tregtare dhe pothuajse aspak artistike, kinezët vazhdojnë të ruajnë nostalgjinë e filmave shqiptarë. Së fundmi, me kërkesë të tyre, disa prej këtyre filmave janë nxjerrë nga arkivat për t'u shfaqur në televizionin më të madh kinez, CCTV 1. Kësaj i paraprin edhe një emision televiziv, i cili çdo të shtunë sjell "Nostalgjinë e filmave artistikë". Regjisori Ylli Pepo, i cili ka vetëm pak ditë që është kthyer nga Kina, tregon për këtë projekt. Vajtja e tij përkoi njëkohësisht me dy aktivitete. Pepo ishte i ftuar në emisionin "Nostalgjia e filmave artistikë", por njëkohësisht edhe për të realizuar një film dokumentar mbi Kinën e sotme, në vazhdim të filmit "Kina", të cilin ai e realizoi 33 vjet më parë. "Pas filmit "Kina", i pari film me ngjyra në Televizionin Shqiptar, 33 vjet më pas ne u ftuam të realizonim një film dokumentar për ndryshimet e Kinës së sotme. Gjithashtu, realizova edhe një intervistë të gjatë në Televizionin Qendror Kinez, në një emision të drejtuar nga gazetari i njohur, Jun Zhung Zhu për nostalgjinë e filmave shqiptarë. Publiku shfaqte një interes të madh ndaj tyre. Filma si "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Rrugë të bardha", "Toka Jonë", "Oshëtimë në bregdet", ishin nga filmat më të ndjekur në ato kohë në Kinë dhe kudo që të shkoje të kujtonin këto filma shqiptarë me të cilit ishin rritur e i kishin parë disa herë", - tregon Pepo. Të ftuara ishin edhe dy aktoret shqiptare, Elida Cangonji(për rolin e saj në filmin "Rrugë të bardha" me regji të Viktor Gjikës) dhe Eglantina Kume (në rolin kryesor në "Ngadhënjim mbi vdekjen", të regjisorëve Gëzim Erebara, i sapondarë nga jeta dhe Pirro Milkanit), për të folur për rolet e tyre. Për Pepon filmi shqiptar po përjeton një tjetër ringjallje në Kinën e sotme. Ndërsa suksesin që kanë këto filma te publiku kinez, Pepo e shpjegon jo vetëm me faktin se filmat shqiptarë dhe ata nga Koreja e Jugut ishin të vetmit filma të huaj që shfaqeshin në ato vite, por edhe për cilësinë e tyre artistike, "Filmi ynë i vjetër i bërë nga Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani etj, duke hequr mënjanë kufizimet ideore, nga pikëpamja artistike ishte një film i pëlqyeshëm për të huajt si dhe në Evropë. Mjafton të përmendim që "Lulëkuqet mbi mure" apo "Përralë nga e kaluara", kanë fituar çmime në festivale prestigjioze, siç është Salerno", - thekson Pepo.
Kinemaja sot
Kina e sotme është një vend i hapur ndaj zhvillimeve. Në kinemanë e saj shfaqen filma të ndryshëm të huaj, ndërsa artistët kinezë janë bërë të njohur deri edhe në botën e madhe të Hollivudit. Por ndërsa filmat e vjetër shqiptarë u ngjallin nostalgji, duket se prodhimet e reja kinematografike nuk njihen. "Pata idenë se tashmë publiku kinez nuk e njeh kinematografinë e re shqiptare. Por them se ata shfaqin interes nëse regjisorët dërgojnë filma në festivale, siç është ai i Siçuanit. Kjo është një punë që u takon regjisorëve dhe producentëve. Madje, transmetimi nëpër televizionet e mëdha i jep një njohje më të gjerë", - tregon Pepo. Filmi i tij, "Kina" është në listën e atyre që do të shfaqen këto kohë në televizionin ÇTV 1(China Central Television).
Dokumentari
Pas 33 vjetësh, regjisori Ylli Pepo rikthehet në Kinë. Tetë provincat që ai përshkruante në filmin e parë, "Kina" nuk ishin më ato. I ftuar për të realizuar një dokumentar për Kinën e sotme, regjisori Pepo tregon se Kina e sotme ishte një surprizë për të. "Sot Kina është një nga vendet më të zhvilluara të botës. Ishte një vend në zhvillim të plotë, edhe në pikëpamje të kulturës. Njerëzit kishin njohuri për të rejat më të fundit në botën e kulturës, filmit, aktorëve më të mëdhenj të Hollivudit, këto kohë kanë nxjerrë regjisorë dhe aktorë të njohur në Hollivud", - shprehet Pepo. Të gjitha këto ndryshime do të pasqyrohen në dokumentarin që po realizohet. Dokumentari është ende në fazat e para, por regjisori tregon se "gjatë 10 ditëve që ndenjëm në Kinë, xhiruam në një qytet në jug të vendit i quajtur Shenzhen, i cili 15-20 vjet më parë nuk ekzistonte fare, kurse sot ka rreth 10 mijë banorë dhe është një nga qytetet më të njohur për turizmin. Por pjesa më e madhe e xhirimeve i është kushtuar edhe përgatitjeve të mëdha që kinezët bëjnë për të pritur Lojrat Olimpike, që do të zhvillohen në 2008-ën në Pekin. "Atje po bëhej një punë e madhe për të pritur sportistët nga e gjithë bota dhe po ndërtoheshin stadiume të reja", - tregon Pepo. End pa hyrë në studion e montimit, Pepo mendon se titulli i këtij dokumetari do të jetë "Kina, rikthimi" ose "Kina, rizgjimi dhe ëndrra", gjë që i përshtatet më së miri periudhës që po kalonte shteti i Kinës. Sipas Pepos, dokumentari do të shfaqet në Shqipëri dhe do të marrë pjesë në disa nga festivalet ndërkombëtare evropiane.

(GazetaShqiptare/Balkanweb)

Jiri Menzel, fituesi i 'Oscar'-it "Çmimi në Shqipëri, si qershia mbi tortë"

DURRES- Jirí Menzel, djali i shkrimtarit dhe gazetarit Josef Menzel, i cili është fituesi çek i Çmimit të 'Gladiatorit të Artë' të Festivalit të parë Ndërkombëtar Veror të Filmit, që u zhvillua në qytetin bregdetar të Durrësit nga data 23 deri më 31 gusht 2008, deklaroi para se të largohej nga Shqipëria se ndjehet mjaft i kënaqur, që filmi i tij, "I shërbeva mbretit të Anglisë" u pëlqye nga audienca shqiptare. "Është një ndjenjë e mrekullueshme", - thotë Menzel, me thjeshtësinë dhe origjinalitetin e tij, kur shpreh dëshirën për të vizituar përsëri Shqipërinë, tek e cila shikon një potencial të madh për zhvillim. "E kam pranuar me kënaqësi ftesën e bërë nga ambasadorja çeke në Tiranë, E.S. Znj. Markéta Fialková për të vizituar Shqipërinë, pasi dëshiroj të shikoj më shumë nga ky vend i bukur", - tha Menzel.
Si e ndjeni veten në Shqipëri pas fitimit të 'Gladiatorit të Artë'?
Ishte një ndjenjë mjaft e këndshme. Kam përjetuar momente shumë të mira gjatë qëndrimit tim në qytetin e Durrësit dhe gjatë një ekskursioni në malin e Dajtit.
Çfarë do thotë ky çmim për ju?
Është si një qershi mbi tortë. Jam i lumtur kur filmi pëlqehet nga spektatorët. Në fakt ky film është menduar për publikun çek, por unë jam gjithmonë i gëzuar kur ai ka sukses edhe jashtë kufijve.
Çfarë dinit për Shqipërinë para se të merrnit këtë çmim?
Dija shumë pak për Shqipërinë, vetëm ato që lexoja në gazeta dhe që mësova nga historia. Kisha një ide komplet të ndryshme mbi Shqipërinë. Nga shokët shqiptarë të klasës kam qenë në një farë mënyre i informuar mbi historinë dhe situatën politike të Shqipërisë, çfarë po ndodhte në këtë vend gjatë gjysmës së dytë të viteve '90. Gjithë këto gjëra i dija, por e imagjinoja vendin më të varfër, që në realitet i tillë nuk është. Është e vërtetë që unë kam parë vetëm një pjesë të vogël të Shqipërisë, Tiranën dhe Durrësin, por ndërtimet e reja në këtë vend më habitën pa masë.
A mund të themi që Shqipëria do ju frymëzojë për filmin e ardhshëm?
Më pëlqen të bëj vetëm filma çekë.
Do dëshironit të vinit përsëri në Shqipëri?
Sigurisht. Kam rënë dakord me ambasadoren çeke në Tiranë, E.S. znj. Markéta Fialková për një gjë të tillë. E pranova ftesën e saj që të vizitoj edhe një herë Shqipërinë, sepse dëshiroj të shikoj më tepër nga Shqipëria, përveç këtyre dy qyteteve.
Si ia arritët të zgjidhnit këtë film, komponentët e të cilit ishin aq mirë të rregulluar?
Faleminderit. Para të gjithash është edhe libri aq i mirë, i cili është shkruar nga një prej shkrimtarëve më të mirë jo vetëm në Çeki, por edhe në Evropë, i njohuri Bohumil Hrabal. Libri është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Nga njëra anë ishte libri, i cili ishte tepër i mirë, nga ana tjetër kisha të drejtat e autorit, që më inkurajonte për ta realizuar filmin në një mënyrë sa më të mirë.
Jan Dít? është kamarieri i vogël guximtar, i cili bredh rreth e qark Evropës Qendrore. Ai është personazhi kryesor i filmit tuaj. Ju hëngri shumë kohë që ta krijonit këtë personazh?
Unë i zgjedh gjithmonë aktorët dhe aktoret në mënyrë të tillë që mos të kem nevojë të punoj shumë me ta. Kam luajtur me Dít?-n (Ivan Barney) në teatrot e Sofjes në Bullgari. E dija që do ishte më i përshtatshmi për këtë rol, pasi ai është një person me të vërtetë karizmatik. U mundova të gjeja në Çeki dhe Sllovaki një tjetër artist, që mund ta zëvendësonte, por asnjë nuk gjeta dot. Më është dashur të luftoj me producentët, të cilët e mbanin pak hundën lart. Sikur të kisha kërkuar për një aktor të tillë në SHBA, do ishte fare e lehtë, por filmi nuk do ishte aq i mirë. Kështu që vendosa pikërisht për këtë aktor dhe jam mjaft i kënaqur me të.
Pse vetëm veprat e shkrimtarit çek, Bohumil Hrabal?
Është e vërtetë që kam përdorur kryesisht punimet e Hrabal-it, por jo vetëm të tijat. Kam përdorur edhe veprat e shkrimtarëve të tjerë çekë, si p.sh. të Vladislav Van?ura. Është gjithmonë e rëndësishme të mbështetesh në një material shumë të mirë.
Duke qenë një nga legjendat e kinematografisë çeke, kur mendoni se një film ka një regjisurë të mirë?
Regjia është më e mira, kur nuk shihet; kur spektatorët vetëm shikojnë filmin dhe e harrojnë fare regjisorin; kur ata i harrojnë aktorët dhe skenën, dhe fokusohen vetëm tek filmi.
Si është Menzel në jetën normale?
I thjeshtë dhe i dashur. Luftoj shumë që t'i fsheh të metat e mia dhe të tjerët mos t'i shohin.
Çfarë mendoni për trendin e kinematografisë shqiptare?
Në qoftë se do zhvillohet si ndërtimet, që po përhapen në të gjithë Shqipërinë si kërpudhat, atëherë mund të them se kinematografia shqiptare po ecën në rrugën e duhur.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)