Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Rikthim nga humnera, dokumentar kushtuar Drita Çomos

Rikthim nga humnera, dokumentar kushtuar Drita Çomos

ALMA MILE

“Eja në prehër moj të të marr/dhe të ta heq atë mërzi/ na pret të gjithëve një gur mbi varr/ pak dashuri, pak xhelozi..”. Ky motiv e ndoqi deri sa mbylli sytë në shtratin e ftohtë të Spitalit Onkologjik. Ishte 16 vjeçe kur mësoi se jeta e saj do të qe e shkurtër. Sikur të mos mjaftonte dhimbja e pafaj qysh fëmijë... “Dritë në humnerë”, titullohet dokumentari me regji të Namik Ajazit, kushtuar Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës, e cila vdiq në moshë fare të re nga kanceri. Filmi shfaqet sot në Kinema “Millenium” në orën 18.00. Në 38 minuta, vjen në mënyrë të ngjeshur e gjithë jeta e vajzës, e cila u shua e vetme në spitalin Onkologjik, pasi kishte vuajtur braktisjen dhe shenjosjen për hir se ishte e bija e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos, të dënuar nga pushteti komunist. Dokumentari shoqërohet nga një kolonë zanore të krijuar enkas për filmin, kompozuar nga Adi Hila, që i shton edhe më shumë dramacitetin filmit. “Këtë film ua dedikoj të gjithë fëmijëve të elitës shqiptare, që u dënuan pa faj, në emër të luftës së klasave”, - thotë regjisori Ajazi. Ngasja e parë për të kishte qenë libri i botuar disa vite më parë, me kujtimet dhe poezi të Drita Çomos. Një libër tronditës, shoqëruar nga një parathënie rrëqethëse nga Ismail Kadare. Kur i kishte thënë së ëmës, Liri Belishovës, se do të bënte një film për të bijën, ajo u lumturua shumë dhe nuk vonoi t’i rrëfente përjetimin e saj dhe t’i tregonte çdo kujtim që i kishte mbetur prej vajzës. “Ajo ruan çdo gjë me fanatizëm. Fotografitë e saj i kishte të ruajtura nëpër dosje me emrin përkatës: “Fëmijëria”, “Adoleshenca”, “Spitali”... dhe gjithnjë ishte në merak mos i ngatërroja”, - thotë Ajazi. Kamera shkon në të gjitha vendet ku u end ajo qysh fëmijë, në kohën kur e ëma ishte e internuar dhe i ati në burg. Tek dajat në Elbasan, Lezhë, Cërrik, për të përfunduar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Është ndërtuar në formë retrospektive, nga spitali, në spital, ku si material bazë është përdorur ditari i vajzës dhe poezitë e saj të përmbledhura në librin “Dritë që vjen nga humnera”. Shënimi i fundit në ditarin e saj mban datën 9 shkurt, ndërsa ajo vdiq në 19 shkurt të vitit 1981. Aty ajo rrëfen edhe për dashurinë e saj platonike, të parealizuar me “G”, i cili mësohet se nuk e braktisi deri në momentet e fundit. “Jeta e saj ka shumë momente të bukura, të dhimbshme, të cilat më është dashur t’i krasis për t’i dhënë dinamikë filmit dhe për të ofruar materialin e nevojshëm”, - thotë Ajazi. Nuk mungojnë rrëfimet në gojën e së ëmës, të njerëzve të afërm, apo shoqes së ngushtë të shkollës, Rajmonda Bulkut, apo ndonjë mjeku që i shërbeu. Të gjithë dëshmojnë se ajo ishte një vajzë fisnike, nxënëse e shkëlqyer, inteligjente, kokulur, e hijshme, që i bënte të gjithë për vete me një vështrim. Ndërtohet jeta e këputur në mes e vajzës, e cila jetoi nën dhunën psikologjike të përgjimit. Në Cërrik, ku ajo jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, në një shtëpi ku ishte nën vëzhgim 24 orë në 24 dhe sipas dëshmive, në arkivat e Ministrisë së Brendshme ruhen plot 10 dosje me përgjimet, që i bëheshin çdo ditë familjes së saj. Regjisori Ajazi thotë se nuk ka qenë e thjeshtë të realizoje dokumentarin, në kushtet e mungesës së materialeve arkivore. Madje, ka qenë e vështirë edhe kthimi pas në kohë. Momentet më delikate, Drita Çomo i kaloi në spitalin Onkologjik të Tiranës, i cili sot ka ndryshuar tërësisht nga çka qenë në vitet ’70-’80.



Drita Çomo, Kënga e fundit e mjellmës


Një violinë e trishtuar e shoqëroi jetën e saj qysh se lindi, deri në vetminë dhe terrin e përjetshëm. E gjithë qenia e saj ishte një simfoni mirësie dhe dhimbjeje, që ngrihet nga fundi errësirës, për të na treguar për një kohë që nuk duhet të kthehet më. “Dritë në humnerë” titullohet dokumentari, i shfaqur mbrëmë në Kinema “Millenium”, kushtuar Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës e Maqo Çomos, të dënuar nga regjimi komunist si “armiq të popullit”. Salla e kinemasë nuk mund të nxinte numrin e madh të shikuesve që kishin ardhur, jo thjesht për të parë, por më së shumti për të respektuar atë vajzë të re, të këputur nga jeta vetëm 23 vjeç. Atë vajzë që vdiq e vetme në një dhomë spitali, pa pasur pranë, të paktën nënën. Me regji të Namik Ajazit dhe skenar të Petrit Rukës, dokumentari na kthen pas në atë muaj të ftohtë dimri, kur Drita shkroi faqen e fundit të ditarit, për të treguar më pas 23 vitet e jetës së saj. Përmes pamjeve arkivore të të gjitha vendeve ku u end jetime me prindër të gjallë, si në Lezhë, Elbasan, Cërrik e Tiranë dhe fotografive, që e ëma i ruan me fanatizëm, u ndërtua jeta e Dritës. Rrëfimi kronologjik i jetës, lexuar nga Alfred Trebicka, gërshetohej nga fletët e ditarit të saj, lexuar nga Manjola Lloja, e cila u vesh në petkat e vajzës. Por flasin edhe ata që e njohin. E para është e ëma, Liria, e cila me buzë të dridhur tregon për fëmijërinë e Dritës, natyrën e saj të brishtë e të heshtur, rininë e saj, jetën e cunguar në përgjim dhe fundin e pakthim, në të cilin ajo nuk mundi t’i gjendej pranë, sepse nuk lejohej nga diktatura e proletariatit. Ajo është e mbajtur, kurajoze, me një kujtesë të shkëlqyer kujton kalvarin që ajo dhe familja e saj jetoi, por, ajo “nënëzeza”, e ka të pamundur të mos përlotet kur i kujtohet hera e fundit kur e pa të bijën. Gjithashtu tregojnë dy dajat e saj dhe i vëllai Petriti, bashkëvuajtës në atë rrugëtim të shkurtër. Por janë edhe shoqet e shkollës e infermieret e spitalit ato që tregojnë për botën e saj të bukur, për drojën që kishte t’u fliste njerëzve, sepse nuk donte që t’u shkaktonte probleme. Jeta e Drita Çomos e përmbledhur në 40 minuta u përcoll me përlotje nga shikuesit, më së shumti në mbylljen e saj nën refrenin e këngës “Eja në prehër të të marr”, kënduar nga Erion Korini dhe përpunuar nga Adi Hila, i cili kishte realizuar gjithë kolonën zanore të dokumentarit. A.M


Dashuria për “G”
Në ditën e fundit të jetës ajo foli me “G”. I foli atij vetëm për sëmundjen e saj, pa mundur t’i thoshte asnjë gjë tjetër. Kujtimi për “G”, dashurinë e saj të parealizuar, ishte mesazhi i fundit nga Drita Çomo. Njerëzit që i qëndruan pranë ditëve të fundit, i vëllai dhe infermieret e Onkologjikut, tregojnë për dashurinë e saj për një djalë, gjithashtu me biografi “të keqe”, i cili i kërkoi të martoheshin. Por ajo, duke e ditur se do të vdiste nuk pranoi dhe dashuria për “G” mbeti vetëm në ditar dhe vargje poezish.

Rajmonda Bulku
Kujtimi i fundit që Rajmonda Bulku ka nga ish-shoqja e saj e shkollës, është pamja e saj, e mbështetur pas belit me të cilën po punonte lulishten përpara pallatit. “Drita ishte një vajzë ë shkëlqyer. Ishte e pamundur të mos i afroheshe asaj, të mos e doje. Ajo kishte një natyrë ndjellëse”, - tregon Bulku, një nga shoqet e gjimnazit, në Cërrik. Bulku tregon se të vetmet momente të lumtura, kur vështrimet përreth nuk e gjykonin ishin në aksion dhe në zbor. Në jetën e përditshme, ajo nguronte t’u fliste njerëzve, sepse nuk donte t’u krijonte atyre probleme.

Todi Bozo: “Furtuna”, filmi që rrezikonte marrëdhëniet Shqipëri-BS më 1959

Fatmira Nikolli

Ishte viti 1959. Në Tiranë, një grup xhirimi ruso-shqiptar, kishte filluar xhirimet e filmit "Furtuna". Në fillim, askush nuk e dinte se "Furtuna" do të shkaktonte një furtunë të lehtë mes grupit, mbase edhe më tej, nëse situata nuk do të ishte kapur shpejt. Qe një skenë e vogël, që shkaktoi pakënaqësi dhe mosmarrëveshje. Një djalë që gjuante me llastiqe ushtarët italianë. Ato llastiqe do të ishin një mollë sherri mes grupit rus e atij shqiptar të xhirimit. Për ato llastiqe, ish-ministri i Arsimit dhe Kulturës në atë kohë, Manush Myftiu, do t'i tërhiqte veshin Todi Bozos, duke i thënë se nuk do të prisheshin me sovjetikët për hatrin e llastiqeve tuaja. Kjo është vetëm një pjesë e kujtimeve të kineastit shqiptar, Todi Bozo në 75- vjetorin e lindjes. Ai ka marrë pjesë në realizimin e shumë filmave nga Kinostudioja "Shqipëria e Re" si, "Debatiku", "Detyrë e posaçme", "Vitet e para", "Oshtimë në bregdet", "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Plagë të vjetra" etj. Nga viti 1983 e deri në vitin 1991 xhiroi rreth 30 filma dokumentarë. Tashmë ai i risjell para nesh përmes kujtimeve, ngjarjet dhe të pathënat e viteve të Kinostudios "Shqipëria e Re".
Keni festuar 75-vjetorin e lindjes në një mënyrë tejet të veçantë, në një tavolinë rreth së cilës jeni mbledhur me miqtë për të kujtuar e për të qeshur ...
Kolegët kishin një ide për organizimin e këtij 75-vjetori, që të bënin një festë siç është bërë edhe herë të tjera. Por, unë nuk doja që të ishte një takim, shfaqje materialesh, një kokteil dhe kaq. Bisedova me organizatorët dhe ramë dakord që të bëhej ashtu si e mendoja unë. Domethënë doja të ishte një festë familjare, me familjen e kineastëve. Ne i gjendeshim njëri-tjetrit në gëzime dhe në hidhërime dhe gjithmonë e mbanim pranë njëri-tjetrin. Nuk i linim shokët dhe shoqet të thelloheshin në "gabime" e më pas të dënoheshin. Qëndrimi për periudha të gjata kohore nëpër udhëtime xhirimesh, na kanë afruar akoma më shumë. Kolektivi bëhej rreth 70 veta dhe jetonim së bashku për një muaj e gjysmë.
Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të bukura me kolegët?
Mbaj mend që ne kishim një ndriçues, që ishte një djalë i ri. Ai në ushtri i kishte rënë trombës. Në Razëm ku ishim ne për një film, kishte shumë vila. Në mëngjes, ai dilte në majë të kodrës dhe i binte trombës dhe e zgjonte grupin e xhirimit me trombë, sepse i binte shumë bukur. Në vend që të thërrisnim njëri-tjetrin, zgjohu, ai na zgjonte në një mënyrë mjaft të këndshme që na krijonte momente humori. I kalonim bashkë momentet e vështira por edhe të bukurat, sidomos kur pas punës mblidheshim në darkë të gjithë e çlodheshim. Kam 51 vite karrierë duke përfshirë edhe vitet e demokracisë. Një tjetër kujtim, xhironim në vitet e para në Kënetën e Maliqit dhe në mes të dimrit atje ishte shumë ftohtë. Një skenë filmi, tregonte që diga për shkak të fryrjes së Devollit çahet. Kishte mbi 1000 figurantë dhe këta hidhen e me trupat bëjnë barrikadë duke iu dhënë kohë shokëve që të bllokojnë të çarën. Qeveria, i siguronte figurantët edhe për t'i bërë propagandë vetes. Unë marr mikrofonin dhe që t'i nxis sepse ishte ftohtë, filloj të flas për heroizmin e punën, ndër të tjera iu them: "Edhe ne jemi gati të vijmë aty e të futemi me ju në ujë". Mirëpo pastaj, u kujtova se po të shkonim edhe ne atje, kush do xhirojë. Dhe iu them: "Do të vinim edhe ne, megjithëse nuk mund të lëvizim që këtu se duhet të xhirojmë". Njerëzit nuk vinin si figurantë jo vetëm se jepeshin urdhra, se një kooperativist merrte 30 lekë në ditë, ndërsa me grupin e xhirimit, merrte 150 lekë. Filmi u prit me entuziazëm, edhe pse ishin filma politikë, trajtonte probleme të mëdha shoqërore.
Je keni bashkëpunuar edhe me rusët për realizimin e një filmi. Si ishte të bashkëpunoje me ta dhe, a keni pasur mosmarrëveshje?
Filmi i parë i imi si drejtor i filmit, ka qenë "Furtuna", ku unë kam pasur edhe një rol të vogël. Më parë ishte bërë filmi "Skënderbeu", po ai nuk kishte kineastë profesionistë shqiptarë, ndërsa për filmin "Furtuna", ne dhe rusët hymë si bashkëpunëtorë të barabartë. Kishte regjisorët Kristaq Dhamo dhe Yuri Ozerov, kishte piktor, drejtor etj, edhe shqiptarë, edhe rusë. Filmi i kushtohej luftës së popullit tonë kundër okupatorëve fashistë e nazistë, kolaboracionistë etj. Nuk kishim shumë probleme me ta se të dyja ideologjitë ishin një, si e jona, si e Bashkimit Sovjetik. "Furtuna" u realizua në vitin 1959 dhe atëherë ne kishim marrëdhënie të mira me rusët. Megjithatë, ne e patëm një konflikt me ta, e që ishte mjaft interesant. Ne nuk e zgjidhëm dot mes nesh dhe puna vajti deri tek Ambasada ruse dhe tek Manush Myftiu, i cili ishte anëtar i Byrosë politike dhe ministër i Arsimit dhe Kulturës. Sovjetikët donin që në film të fusnin edhe një skenë që ne nuk donim. Në çetën partizane ishte edhe një fëmijë 12-vjeçar. Ky fëmijë u gjuante italianëve me llastiqe. Mirëpo ne nuk ishim dakort me këtë pjesën, sepse lufta jonë kishte qenë e madhe e serioze. Shumë njerëz kishin vdekur. Skena e fëmijës, dukej si karagjozllëk, dhe ishte degradim i luftës heroike të partizanëve. Filluam të ziheshim me ta. Në këtë drejtim, ngulte këmbë bashkëskenaristi rus. Ai quhej Piervensev dhe ishte deputet në Bashkimin Sovjetik dhe si natyrë qe shumë prepotent e arrogant. Ne nuk binim dakord dhe grupi shqiptar tha që ne nuk e xhirojmë. Ata vajtën në Ambsadën Sovjetik e kjo e fundit komunikon me Manush Myftiun, i cili na thirri në zyrë ne. Isha unë, Fatmir Gjata dhe Kristaq Dhamo. Ne i shpjeguam ministrit si qe puna. Ai na tha: "Ne nuk do të prishemi me sovjetikët për hatrin e llastiqeve tuaja". E kështu pjesa u vu në film, edhe pse nuk deshëm. Pala ruse e motivonte këtë pjesë, atë të fëmijës kurajoz që luftonte me atë që kishte mundësi, që të kishte spektatorë fëmijë.
A u tregua i egër me ju Manush Myftiu?
Ai në përgjithësi ishte i egër. Por në këtë rast, filmi rrezikonte marrëdhëniet diplomatike me sovjetikët. Ndaj skena duhej të rrinte në film. Sigurisht, urdhri qe urdhër dhe duhej zbatuar. Më pas u pajtuam se s'kishim ç'të bënim. Më pas, bashkëskenaristi rus filloi të mburrej.
Më pas erdhi filmi "Debatiku". Si i mbani mend xhirimet e tij?
Ishte një film që kishte fëmijë, por ne i kemi pasur gjithnjë të talentuar. Më kujtohet një detaj. Kishim një fëmijë që në film quhej Coli, por që në jetën e përditshme dhe në film ishte shumë harrakat. Ai kishte një episod, ku do të bënte garë mes breshkave. Kishte vënë fillimin, dhe fundin e garës, mirëpo breshkat, njëra merrte majtas e tjetra djathtas. Ishte e vështirë të xhiroje breshkat ashtu si e donte Coli. Fëmijët i bindeshin skenarit. Një nga këta fëmijët ishte Roland Trebicka. Mbaj mend që ishte një fëmijë i edukuar dhe me një qëndrim prej aristokrati. Coli, sot është bërë biznesmen.
Cili ka qenë filmi që ju ka lodhur më shumë?
Filmi është produkt i një grupi bashkëmendimtarësh, dhe nëse grupi nuk ka mendime që të përputhen, ata nuk bashkohen, ose në do të bëhet me zor, puna nuk do të ketë rezultat. Jam munduar të bashkëpunoj me njerëz që na përputheshin mendimet. "Oshëtimë në bregdet" që një film që fliste për një familje peshkatari. Një pjesë e episodeve xhiroheshin në det, dhe teknika nuk ishte ajo e sotmja. Kamerat ishin të rënda e po ashtu mjetet e ndriçimit. Filmin "Detyrë e posaçme" e xhironim në Vlorë tek ura e Drashovicës e xhironim natën. Ditën, meqenëse nuk kishte filluar plazhi, grupi i xhirimit ishte vendosur në kabina dhe shkonim në plazh. Pinim kafe në një hotel të vogël tek plazhi i Ujit të Ftohtë. Aty në verandën e tij mbi ujë, vinin e pinin kafe edhe anëtarët e Byrosë Politike që pushonin në vilat e Vlorës. Aty ishte edhe Manush Myftiu, i cili kur na sheh të shtrirë në rërë, na thërret të na takonte. "Për çfarë ju ka dërguar shteti, për të bërë plazh?", - më tha gjithë nerva. - Jo, i them unë, për të xhiruar. "Po ku e xhironi ju?- më thotë, - këtu në plazh duke ndenjur gjithë ditën?". - Jo, i them unë, xhirojmë natën. "Ou, - thotë ai, - natën xhirokeni ju. Po ku?". - Tek pylli i urës së Drashovicës, thashë unë. Ai më tha se do të vinte në darkë dhe në fakt erdhi e na pa. Problemi ishte se xhirimet bëheshin natën dhe nuk kishte ndriçim sepse nuk kishte linjë në pyll, ndaj punonim me gjenerator. Na kishte ikur në qytet ndriçuesi. U shpërndamë në qytet në lokale duke e kërkuar dhe e gjetëm në një lokal të bërë tapë. Ai nuk punonte dot atë natë, e pikërisht atë natë kur do vinte të na shihte ministri dhe anëtari i Byrosë Politike. Morëm dikë tjetër, se nuk kishim ç'të bënim.
Në fillim të librit tuaj keni shkruar se, atë ia kushtoni gruas tuaj, Luljetës...
Mund të duket si barcaletë, por ne jemi dashur shumë. Kemi festuar 45-vjetorin e martesës. Ata që na njohin, e dinë se ne nuk ndahemi kurrë, as në udhëtime e as këtu. Jemi si dy shokë të pandarë. Nuk ka ndodhur që në këto 45 vite të jemi zënë e inatosur më njëri-tjetrin.
Si ka lindur kjo dashuri kaq e madhe mes jush?
Jemi njohur me ndërmjetësi, jo me shkes, por dikush u bë shkak që ne të njiheshim. Pas njohjes sonë, kaluam disa kohë duke u takuar pa e bërë fejesën e të tjerat menjëherë, megjithëse ishte viti 1964 dhe ramë në dashuri. Familjet tona e pritën mirë bashkimin tonë, se vëllai im i madh dhe babai i saj njiheshin dhe ishin shumë miq. Ajo është gruaja dhe shoqja ime. Kemi përballuar momente të vështira në jetën tonë. Kur nëna ime vdiq, ajo kërkoi Luljetën, edhe pse pranë kishte të gjithë fëmijët. I puthi dorën dhe i tha faleminderit që më ke shërbyer për 18 vite. I puthi duart asaj dhe vdiq.

martedì 24 marzo 2009

Rreth kinematografise shqiptare nje group ne Facebook

Ne Networkun me te madhe shqiptare u krijua një grupe ku te diskutohet mbi historinë , mbresat dhe kujtimet .... për filmat vizatimor , dokumentaret , pjesët e humorit dhe teatrit tone... dhe filmave te kinostudio Shqipëria e re...Mirëpresim çdo person te ndihmoje ne përhapjen e artit shqiptare dhe ne fb...

linku eshte

http://www.facebook.com/group.php?gid=62508101855&ref=nf

domenica 22 marzo 2009

TEATRI SHQIPTARE

Prania e ndertimeve te teatrove antike monumentale arkitektonike , në qendrat ilire si Apolloni, Butrint, Bylis (Hekal), Nikoia (Klos), Orik Foinika (Finiq), Sofratikë (pranë Gjirokastrës), Dyrahu (Durësi), flasin për praninë e aktiviteteve teatrore gjatë antikitetit duke patur influenca të teatrit të antikitetit grek, me të cilin këto qendra mbajtën lidhje për shumë kohë. Apollonia, padyshim, është një nga qendrat më me zë të kohës. Në shkallët e teatrit zinin vend 7000 vetë. Po ne odeonin e Apollonise zhvilloheshin shfaqje letraro-muzikore (shekulli II para erës së re).
Gjatë periudhës së mesjetës, kemi përsëri aktivitete shoqërore me natyrë teatrore të akterit folklorik.
Drama dhe levizja teatrore rinisi ne kuadrin e levizjes se Rilindjes kombetare Më 1874 Koto Hoxhi organizoi shfaqjen e pare teatrale me subject nga Dasma e Lunxherise me trupen e nxënësve te shkollës normale “Ta Zografia” të Qesaratit. Më 1899, u dha nga një grup shkollor në Korçë, vepra e Shekspirit, “Otello”..
Në vitin 1875, Sami Frashëri (1850-1904), botoi në turqisht dramën me subjekt shqiptar “Besa”. Kjo vepër u botua në shqip më 1901. Pas kësaj, më 1880, Leonard de Marlino (1830-1923), shkroi “Nata e Këshëndellave”. Më 1882, Pashk Babi shkroi “Biri i Çifutit”, Françesk Anton Santori shkroi “Ermira”, Gjergj Fishta “Shën Françeska e Azisit”, më 1909.
Po ne kuadrin e luftes per pavaresi ne vitin 1902, Fan S.Noli shkroi “Izraelite dhe Filistine”, Kristo Floqi, më 1912, shkroi “Fe e Kombësi”. Po kështu, kemi shkrime dramaturgjike, Shtjefën Gjini, Mihal Grameno, për të ardhur tek Andon Z.Çajupi, me “Burri i Dheut”, “14 vjeç Dhëndër”, “Pas Vdekjes”.
Në vitet e para të shekullit XX, krijohen shoqëri apo klube, që zhvillonin aktivitete teatrore, si Klubi “Labëria”, më 8 Shtator 1902, Klubi “Bashkimi” në Delvinë, më 1909, Shoqëria e grave “Ylli i Mëngjesit”. Do të vinë më vonë autore si Haki Stërmilli, më 1921, me veprat “Dashuri dhe Besnikëri”, “Agimi i Lumnueshem”, “Dibrania e Mjerueme”; Foqion Postoli, me “Lulja e Kujtimit”; Kristo Floqi me “Karl Topia”, etj.
Duhet nënvizuar aktiviteti i gjeniut te skenave evropiane Aleksandër Moisiu (1879-1935). Pavarësisht, se aktiviteti i tij teatror i përket në pjesën më të madhe skenave gjermane, është fakt i pamohueshëm, që ai trashëgonte nga origjina e vet shqiptare, virtutet më të mira, si forca e temperamentit, zëri i tij i artë, inteligjenca e tij, plastika e tij e mrekullueshme. Ndër krijimet e tij më të spikatura, janë: “Hamleti”, kufoma e gjallë; Franc Mori tek “Cubat” e Shilerit; “Fausti” i Gëtes; “Edipi Mbret”, etj., etj.
Në fushën e regjisë, në këto vite spikat regjizori i parë protagonist, Sokrat Miho, i cili kishte mbaruar Akademinë Dramatike Muzikore në Paris. Filluan aktivitetin aktore te tille te shquar si Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Zef Jubani, Mihal Popi, Vangjel Grabocka, Dhorka Sheri, Dhimitër Trajçe, Gaqi Vishi, etj., të cilët më pas, do të ishin pionierët e parë të teatrove profesioniste në Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë e gjetkë.
Gjatë viteve 1941-1945, periudhë e Luftës II Botërore, në Shqipëri u dallua më tepër, ai që quhej teatri partizan.. Ky lloj teatri, në fillimet e veta, pati një natyrë improvizimi, pra, pa një tekst me bazë dramaturgjike. Më vonë, dhe pikërisht, më 1943, në Prill, kemi melodramën “Vëllavrasja” të Zihni Sakos dhe më vonë, “Kryengritja Shqiptare” e A. Banushit, apo “Margarita Tutulani” e A. Çaçit.
Në qytete, në këtë kohë, kemi aktivitete nga grupe amatore, si “Shkendija” në Tiranë, apo grupi i Gjirokastrës, Durrësit. Episodi i anullimit të dramës “Vilhelm Tel” përgatitur nga profesor Aleks Buda dhe skenografi te Andon Kuqalit, ku spikatën aktorët e rinj, Naim Frashëri dhe Sandër Prosi(dy korifej te ardheshem te teatrit ) perben nje moment te rendesishem ne historine e teatrit te asaj kohes., Karakteristikë e kësaj periudhe, është edhe “Teatri i burgut”, me një protagonist si Besim Levonja që më vonë, do të bëhej shumë i njohur, me pjesët “Sabaudin Gabrani”, “Peza Heroike”. Përfaqësues tjetër i teatrit të burgut ishte Gjikë Kuqali.
Pas 24 Maj 1944 teatri partizan mori formën e një organizimi më të plotë.U hodhën bazat e teatrit Popullor (sot, Teatri Kombëtar .Pas çlirimit, këto grupe të formacioneve partizane, do të shndërroheshin ne teatrot e para profesioniste të vendit tonë, si në Tiranë, Shkodër, Korçë, Durrës dhe më vonë, në Vlorë, Elbasan, etj.
Teatri pas luftës, ashtu si edhe letersia, u zhvillua ne kornizen e metodes relaizmit socialist. Megjithate u krijuan vepra me vlera te medha kombetare dhe artistike dhe u interpretuan me mjeshteri te larte skenike Hopin më të madh e kemi pas viteve ’60, kur mberritën nga jashtë kuadrot e parë, me të vërtetë profesionistë, si regjizorë dhe aktorë, si: Piro Mani, Andrea Malo, Esat Oktrova, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Zina Andri, Drita Agolli, Pandi Stillu, Andon Pano, Misto Zito dhe aktorët: Kadri Roshi, Lazër Filipi.
Gjatë kësaj periudhe, lindën dramaturgët e parë profesionistë, si: Spiro Çomora, Kol Jakova, Besim Lëvonja, Sulejman Pitarka, Dionis Bubani, Fadil Paçrami, Loni Papa, Teodor Laço, Fadil Kraja, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli.
Hapja e shkollës së parë për përgatitjen e aktorëve, që në fillim u quajt “Shkolla e Lartë për Aktorë Aleksandër Moisiu” dhe më vonë, “Fakulteti Skenik pranë Akademisë së Arteve”, hapi një epoke të re në interpretimin teatror. Gërshetimi i eksperiencës së aktorëve me përvojë, me aktore te rinj , që sapo kishin mbaruar shkollën si edhe krijimi veprave (drama apo komedi) me nivel te larte , sollen me vone dhe deri ne ditete sotme krijimin e nje shkolle origjinale Shqiptare te interpretimi teatror qe qendron me dinjitet ne mes te shkollave Evropiane te vendeve te tjera
Gjatë këtyre viteve, krahas dramaturgjisë kombetare e cila mori një hov sasior dhe cilësor ku mund të përmenden: vepra si “Toka Jonë”, “Prefekti”, “Familja e Peshkatarit”, “Cuca e Maleve”, “Shi në Plazh”, “Karnavalet e Korçës, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Fijet e Natës”, “Këneta”, “Shtëpia në Bulevard”, “Mbi Gërmadha”, “Fisheku në Pajë”, “Njollat e Murrme”, “Zonja nga Qyteti” “ Fytyra e Dyte” etj u vunë në skenë edhe kryevepra të letërsisë botërore, si “Hamleti”, “Otello”, “Intrigë e Dashuri”, “Shumë Zhurmë për Asgjë”, “Arturo Ui”, “Nata e 12”, “Zbutja e Kryeneces” “Revizori ”, “Martesa”, et., etj.

Ne krijimtarine skenike nje vend te vecante ze edhe levrimi I komedise baziuar ne humorin e holle tradicional te popullit shqiptar. Ne periudhe e pare te hereshme te komedise dallohen vepra te mrekullueshme edhe ne ditet tona si “14 vjec dhender “ dhe “Pas Vdekjes “ te A.Z. Cajupit .Pas viteve 1945, krahas teatrit zhvillim te vrullshem mori teatri varietese (I nohur si Estrada) duke krijuar trupa me akter rajonal dhe kombetar ne te gjitha qytetet kryesore te Shqiperise. Pavaresisht nga tendenciozitet I theksuar klasor I varietese, interpretimi ne humor arriti vlera te larta me aktore si Tano Banushi, Skender Sallaku, dhe deri ne dite tona me Koco Devole, Agim Llakaj, etj
Ne persosjen e veprave skemnike Shqipetare nje rol te vecante luajti edhe skenografia duke filluar me Vangjush Mion (1891-1957) Rok Daberdakun, Ismail Hidrin. Vitet 60 sollen edhe skenografet e pare profesionisre si Agim Zajmi, Hysen Devoli, Shaban Hysa etj.

Vitet ’90, ndikuan edhe në fushën e teatrit si ne në organizimin e vet, edhe në drejtim të metodës së shkrimit të dramaturgjisë. U bene perpjekje nga autorë të rinj per te sjelle nga dramaturgjia kontemporane botërore edhe alternative të reja apo rryma moderne teatrale si teatri absurd.Aktualish vihen re tendenca positive ne drejtim te reformimit organizativ dhe artistic te teatrit qe shpesh demtojne edhe traditen.Pavaresisht kesaj teartri tradicional klasik vazhdon te shafqet me sukses nga trupa e teartri kombetar dhe ato trupa te reja private

Andon Qesari
Artsit i Merituar
Aktor regjisor prane Teatrit Kombetar
Pedagog prane Akademise se Arteve

Kinematografia Shqiptare

Kinematografia hyri në Shqipëri në vitet 1911-12. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para të kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë private pas Luftës I Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat.
Filmat e parë u bënë nga të huajt; ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë.
Tana, filmi i parë ShqiptarMenjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare. Në një vend me përqindje të lartë të analfabetizmit në vitet ‘40-’50, shteti i dha rëndësi shtimit të numrit të sallave dhe aparateve lëvizës, si dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e Europës Lindore, Franca e Italia.
Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). Përvoja e parë në fushën e filmit artistik që bashkëprodhimi shqiptaro-sovietik Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës). Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë Fëmijët e saj, film i shkurtër, punë diplome (1957, regj. H. Hakani), dhe Tana (1958, regj. K. Dhamo).
Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga Lufta kundë pushtuesve fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.
Në vitet ’70, me shkurtimin drastik të importit, si rezultat i politikës së izolimit të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës,u shenua një rritje të ndjeshme të prodhimit, nga 5-6 filma artsitikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 në vitet ’80. U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regj. Xh. Keko, (ndër filmat e saj përmendim Beni ecën vetë, 1975); kinokomedia e parë Kapedani (1972, regj. F. Hoshafi e M. Fejzo); u bënë filma historikë e muzikorë; po zhanri më i pëlqyer mbeti filmi dramatik. Krahas të tjerëve bënë filma një brez i ri regjisorësh, R. Ljarja, S. Kumbaro, I. Muçaj, K. Mitro, E. Mysliu. Nisi prodhimin e filmave artistikë edhe TV Shqiptar ( Udha e shkronjave, 1978, regj. V. Prifti).
Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si Ballë për ballë (1979, regj. K. Çashku e P. Milkani), Dora e ngrohtë (1983, regj. K. Çashku), Agimet e stinës së madhe (1981, regj. A. Minga), Kohë e largët (1983, regj. S. Pecani), Tela për violinë (1987, regj. B. Kapexhiu), etj. Në vitet ‘70-’80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në vit, dhe pati tipare të thella propagandistike, po edhe kulturore; lindi filmi vizatimor shqiptar me filmin Zana dhe Miri (1975, realizues V. Droboniku e T. Vaso), i cili arriti deri në 16 filma në vit.
Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, që fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike. Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare. Në fund të viteve ’80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar.
Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella.Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio, dhe filmat tani prodhohen kryesisht nga shtëpi filmike private (kryesisht regjisorë të kinostudios së mëparshme) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të ngritur në mesin e viteve ’90, dhe me producentë të huaj. QKK është qendër e re e administrimit të filmit në Shqipëri, që ka dhënë tashmë rezultatet e para; aktualisht prodhimi kinematografik kryhet në bazë të Ligjit për Kinematografinë, mjaft i diskutuar nga kineastët.
Shkollimi i kineastëve shqiptarë nisi në vitet ’50 në vendet e Europës Lindore; më pas, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u bë më jashtë vendit, por brenda vendit, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, ose me specializime në Kinostudio.
Kritika dhe studimet për kinemanë u zhvilluan disi krahas rritjes së prodhimit, kryesisht nga vetë kineastët apo nga gazetarë. Revistë e posaçme ka qenë në vitet ’80 Skena dhe Ekrani, e cila pushoi së botuari në fillim të viteve ’90. Në Qendrën e Studimeve të Artit të Akademisë së Shkencave historia e kinemasë shqiptare studiohet në një departament të veçantë.
Deri në fillim të viteve ’90 kineastët kanë qenë të organizuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; më pas ata u veçuan dhe formuan Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë.
Arkivi Shtetëror i Filmit, dikur departament i Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitet ’90 u bë institucion më vete. Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit.
Që prej vitit 1976 në Shqipëri janë organizuar Festivale Kombëtare të Filmit, në fillim një herë në dy vjet për të gjithë filmat, e më pas në mënyrë alternative, një vit për filmin artistik, e një vit për filmin dokumentar e vizatimor. Në vitet ’90 festivalet janë organizuar një herë në pesë vjet. I fundit, Festivali XI – prill 2000, mblodhi gjithë prodhimin e pesë vjetëve, 10 filma artistikë, 27 dokumentarë, 14 vizatimorë. Në prodhimin e viteve ’90 vazhdon të ndjehet tipari i thellë social, preokupimi i artistëve për problemet e shoqërisë, në veçanti të lidhura me dukuritë e reja të periudhës së tranzicionit. Një numër filmash kanë stigmatizuar totalitarizmin. Në këtë festival, për herë të parë u shfaqën prodhime të kineastëve shqiptarë nga trevat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në dy festivalet e fundit (1995, 2000), përveç çmimeve të tjera, u dhanë edhe çmime të karierës, të cilat u fituan nga regjisorët Dh. Anagnosti e K. Dhamo, e nga aktorët K. Roshi e S. Pitarka.

Sandër Prosi dhe Ndrek Luca në filmin "Udha e Shkronjave"Sot kinemaja shqiptare përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut. Përveç rënies së prodhimit ne sasi edhe rrjeti i sallave të kinemave ka zbritur ndjeshem, dhe vetëm kohët e fundit jane bere dhe po bëhen përpjekje për ngritje sallash të reja bashkëkohore si kinemaja “MILLENIUM” ne Tirane dhe një tjeter ne Elbasan. Nga ana tjetër, forcat krijuese janë të shumta dhe entuziaste, të çliruara nga trysnia etatiste, totalitare, dhe ekonomike e përqendruar, si dhe me iniciativë private përherë në rritje. Mund te thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar në kushte të caktuara, dhe së ardhmes në ndërtim e sipër.

Kinematografia shqiptare, në krizë apo në fund?

Është një gjendje që nuk dihet se cili poërcaktor do t’i vinte më shumë për shtat. Kinematografia shqiptare ka kohë në gjendje apatie dhe gjumi. Edhe ato filma të paktë që prodhohen në vit, janë më ësë shumti bashkëprodhime me kineastë dhe studio të huaja. Dikur me një rendiment prodhimi filmash nga më të lartët në Europë, me një model pune të tillë që vetëm shkolla ruse e kinemasë e kishte karakteristikë. Sot, një godinë gërmadhë që prej vitesh ekzistn nën nonsens. Flasim për godinë, pasi asgjë nga mënyra dhe ritmet e punës së dikurshme të kësaj qendre prodhimi filmash nuk ka mbetur.Asgjë, as në muret e rëna nga koha të godinës madhështore, që sot si një plakë e vjetër rri kërrusur gati të bjerë. Kthehemi në retrospektivë: Filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” mban datën e prodhimit vitin 1958, si një produkt i Kinostudios Shqipëria e Re, ndërsa para tij filmi “Skënderbeu”, i folur shqip dhe i prodhuar në Shqipëri në vitin 1953, i pari bashkëpunim shqiptaro-sovjetik në kinematografi. Ky është edhe filmi i parë që përfaqësoi vendin tonë dhe Rusinë në Festivalin e Kanës, ku u nominua me tre ccmime për regjisorin dhe realizimin e skenave masive të luftës, nga të cilat fitoi dy. Flasim për shekullin e kaluar. Sot gjendemi në nivel më të lartë zhvillimi dhe lirie kinematografike, por kemi bërë hapa prapa në lidhje me përfaqëismin e kinemasë sonë në botë. Filmi shqiptar ose nuk arrin fare të hyjë në tregun e filmit evropian, ose mbetet vetëm në nivelin e përfaqësimit në festivale të vogla ballkanike, ku më e madhe është jehona e pjesëmarrjes sesa niveli me të cilin bëhet kjo pjesëmarrje. Kinemaja në krizën e përpjekjeve për të dalë nga gjendja vetëvrasëse, por edhe për sa akoma? Fondet e munguara janë gjithnjë shkak për të justifikuar mungesën e angazhimit për të arritur prodhimtari të lartë dhe rrjedhimisht, cilësi më të mirë.

Pak histori si kujtesë

Kinostudio Shqipëria e Re u themelua në vitin 1952. Realizimi i parë i saj është bashkëprodhimi shqiptaro-rus filmi "Skënderbeu". Ky është i pari realizim "kolosal" i prodhuar nga kjo studio kinematografike. Në vitin 1957 prodhohet filmi i parë i një regjisori shqiptar, Hysen Hakani. Prodhimet në masë fillojnë rreth viteve '70, periudhë që korenspondon uljen e numrit të filmave të importuar. Në vitet '80 Kinostudio "Shqipëria e Re" prodhon rreth 14-15 filma në vit, tematikat janë nga më të ndryshmet. Ndryshimi i sistemit politik dhe kriza ekonomike e viteve '90 sjell transformimin e saj në "Albafilm" dhe në vitin 1996 edhe kjo e fundit mbyll ekzistencën e saj. "Shqipëria e Re" lë në trashëgim rreth 200 filma, kuptohet një pjesë të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, filma për nga teknika në krahasim me Hollyëoodin të dobët, por në krahasim me vendet përreth të kënaqshëm. Por ajo lë në trashëgim edhe një sasi të konsiderueshme filmash dhe aktorësh, që kanë qenë pjesë e jetës kulturore te shumë breza shqiptarësh. Kinematografia në Shqipëri u zhvillua mbas vitit '45, ndërkohë që si shfaqje e parë filmike njihet ajo e piktorit Kol Idromenos në vitin 1912. Filmi më i vjetër me temë shqiptare i xhiruar nga të huajt, është "Albania ribelle", xhiruar nga shoqëria italiane "Cines" e Torinos, në vitin 1909. Në vitin 1946 u ngrit ndërmarrja e parë kinematografike shqiptare. Gjatë viteve '70- '80-'90 prodhimi kinematografik shqiptar numëronte në vit, 14 filma artistikë, 40 dokumentarë dhe kronikalë, 16 filma vizatimorë të teknikave të ndryshme. Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-12. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para te kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativën private pas Luftës I Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat. Filmat e parë u bënë nga të huajt,ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Pas viteve '90, prodhimi i filmit shqiptar ka shënuar rënie të ndjeshme. "Tana" është film i parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë. Prodhim i Kinostudios "Shqipëria e re", realizuar në vitin '1958. Subjekti i filmit, me temë nga jeta shoqërore e fshatit, është realizuar me skenar të Fatmir Gjatës, mbështetur në novelën e tij me të njëjtin titull. Regjisor është Kristaq Dhamo. "Qeshim se nuk qajmë dot" është filmi i parë artistik me metrazh të shkurtër, me regjisor Viktor Stratobërdha, me skenar të Dionis Bubanit. U shfaq për herë të parë pas 43 vjetësh, në vitin 1999, për shkak se regjisori Stratobërdha u dënua nga regjimi komunist. “Beni ecen vete", film artistik për fëmijë me regjisore Xhanfise Keko (Artiste e Popullit), prodhim i vitit 1975, ka fituar çmimin e posaçëm në festivalin për fëmijë të Salernos në Itali në vitin 1979. "Zana dhe Miri", është filmi i parë vizatimor i prodhuar në vitin 1975. Më pas, filloi prodhimi i filmave me teknikën e vizatimit dhe më vonë i filmave me teknikën e kombinuar me sende reale.

Gazeta SOT