Në krizën e Amerikës së viteve '30, ajo duhet ta lërë mënjanë delikatesën si femër. I duhet të punojë rëndë. Të shpëtojë familjen. Madje nuk ka kohë as të ëndërrojë. Kjo është Cecilia, personazhi që regjisori Woody Allen e bëri të famshëm për të gjitha kohërat. Si personazhi kryesor i filmit "The purple rose of Cairo"(Trëndafili i purpurt i Kajros), Cecilia do t'i mbijetonte konkurrencës së Hollivudit. Filmi, i realizuar në vitin 1985 nga Allen, është cilësuar nga kritika si një ndër prodhimet model të kinematografisë botërore. Suksesi i hershëm i regjisorit Woody Allen do të shfaqet të enjten në mbrëmje, ora 19.00 në Shkollën e Filmit dhe Multimedias, Marubi. Ky film është në serinë e prodhimeve kinematografike të suksesshme nga vende të ndryshme të botës që sillen për publikun çdo të enjte. Ndonëse në vitet e mëvonshme Allen ka realizuar shumë filma të tjerë të suksesshëm, "The purple rose of Cairo" vazhdon të ruhet në kujtesë si një nga prodhimet më të mira të Hollivudit. Fituesi i disa çmimeve Oscar, ka sjellë një kompleksitet mesazhesh në këtë film
Personazhi
E interpretuar nga aktorja Mia Farrow, Sesilia jeton në dy botë. Ajo është një e re që i duhet të bëjë gjithçka. Jeton në një lagje periferike të Nju Xhersit. Në krizën e rëndë ekonomike të Amerikës së viteve 1930, i duhet të përballojë një punë të dyfishtë. Nga puna në lavanderi i duhet të shkojë të punojë edhe si pastruese për të mbajtur familjen e saj. Peshën e ditëve të vështira ia shton edhe më burri i saj abuzues. Ai është një i papunë që vjen vërdallë për të ngecur në ndonjë pijetore. Ndërsa ato pak lekë që ajo i fiton me mundim, i shpenzon për të përmbushur kënaqësitë e tij në lojëra të ndryshme. Rutina e përditshme dhe sjellja kafshërore e burrit të saj, e shtyjnë Sesilian që të bëhet frekuentuese e një prej kinemave modeste të Nju Xhersit. Aty ajo gjen strehë në imagjinatën e një bote ndryshe, ku gjen bukuri dhe përkujdesje, shampanjë e poezi. Imagjinata e saj shkon deri aty, sa ajo fantazon sikur po përjeton një histori të bukur me një nga personazhet më tërheqëse të filmit "The purple rose of Cairo". Por pas kësaj ajo kthehej në jetën e mundimshme. Ndërsa një ditë, i tërhequr nga besnikëria e Sesilias, personazhi kryesor del nga ekrani, zbret në sallë, e kap për dore atë dhe të dy bashkë dalin të kalojnë një natë romantike. Kjo sjell reagimin e spektatorëve, por edhe të vet aktorit të vërtetë që shqetësohet për karrierën e tij. Por e gjithë kjo kishte ndodhur në imagjinatën e saj. Pasi kthehet në realitet, Sesilia vazhdon ta ngushëllojë veten duke vazhduar të zërë një cep të kësaj kinemaje. Po në atë vit që u shfaq për herë të parë, "The purple rose of Cairo" u vlerësua me çmimin e filmit më të mirë të Akademisë Britanike. Ndërsa kritika e cilësoi si "një film që i bën homazh kinemasë, por njëkohësisht është edhe një refleksion ndaj jetës". ol.li balkanweb.com
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)

Nessun commento:
Posta un commento