Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

giovedì 26 febbraio 2009

“Gjuetari i Balonave”, filmi ngjall kureshtje në Tiranë

Kureshtja e publikut u mpreh sapo u fol se libri “Gjuetari i balonave” do të bëhej film. Bestselleri i afgano-amerikanit Khaleid Hosseini pushtoi lexuesin e mbarë botës. Filmi që ngjalli komente të shumta, prej katër ditësh ka mbërritur në Tiranë. Ai po shfaqet në kinema “Imperial” dhe kanë qenë të shumtë ata që kanë nxituar të ulen në ekranin e madh. Ndërkohë, realizimi i regjisorit Marc Forster ka kaluar nëpër komentet e publikut të disa vendeve të botës. Sipas të dhënave nga kinema “Imperial”, interesimi i publikut kryeqytetas është shfaqur që sapo u fol se do të vinte në këtë kinema. Ndonëse titulli është përshtatur në “The kite runner”, të gjithë ata që telefononin interesoheshin për “Gjuetarin e balonave”. Pritshmëria ishte krijuar nga suksesi i madh që pati te lexuesi shqiptar libri i përkthyer i Khaleid Hossein dhe i botuar nga “OMSCA-1”. Një rrëfim për miqësinë e dy fëmijëve afganë, duke i vendosur në sfond kulturën krejtësisht të panjohur të këtij vendi, u bë subjekti më i diskutuar. Një ngjarje e rrëfyer nga një mjek, që për herë të parë provonte të bënte shkrimtarin. Në forumet e ndryshme të kinemasë komentet janë të shumta. Sigurisht që diskutimi vërtitet në krahasimin mes librit dhe filmit. Kështu ka ndodhur edhe në Tiranë. Punonjësit e kinemasë shprehen se pasi dalin nga kinemaja, shikuesit fillojnë të bëjnë komentet e para. “Libri është më i mirë se filmi”, “ky personazh nuk është siç e ka përshkruar autori”...të tjera do të ketë për aq sa filmi do të vazhdojë të shfaqet në “Imperial”. Në fund të fundit kjo është e kuptueshme. “Heronjtë e tyre” kanë marrë një fytyrë universale. Ata vijnë përmes interpretimit të Khalid Abdalla, Homayoun Ershadi, Zekiria Ebrahibi, Ahmad Khan Mahmidzada, etj. Dikush edhe nuk është pajtuar me Amirin, Hasanin apo Babën, që regjisori Marc Forster ka dhënë në ekranin e madh. Ata kishin krijuar një tjetër përfytyrim. Këto debate janë të pashmangshme për filmat që ngrihen mbi subjekte librash. Letërsia dhe kinemaja janë të dyja forma arti, por që komunikojnë ndryshe. Ndërsa mes rreshtave të librit, imagjinata e lexuesit “bredh” lirisht, kinemaja, përmes fotografive të mëdha komunikon me shqisat e të parit. Gjithçka të vjen e gatshme. Detajet e përshkruara hollësishëm nga shkrimtari të bëjnë pjesëtar kur Amiri ndjehet xheloz për dashurinë e të atit, i pafuqishëm të përballet me Hasanin dhe fajtor për tradhtitë e tij. Ekrani i madh të dikton një ritëm tjetër, ku ti nuk mund të ndalosh të reflektosh pa humbur skenën pasardhëse. Por një film jo domosdoshmërish duhet të jetë besnik i një libri. Ndërsa ata që ulen në karriget e kinemasë duhet t’i harrojnë për pak rreshtat e Khaleid Hosseini e të shohin personazhet e Forster, i cili qëndron pas sukseseve të aktorëve të Hollivudit.
Ndalimi
E ndërsa publiku diskuton mbi detajet e filmit dhe të librit, të një Afganistani që njohu ferrin pas një periudhe shkëlqimi, detaje tërësisht të panjohura të kësaj kulture, filmi nuk është lejuar të shfaqet në kinematë e Afganistanit. Vendimi u mor nga “Afghan Film”, institucioni shtetëror i censurës. Sipas këtij enti, filmi në fjalë do të nxiste dhunën racore ne vend, prandaj dhe nuk mund të transmetohet. Këto komunitete janë të ndjeshme dhe fanatik në pasqyrimin që i bëhet shoqërisë së tyre. Historia e miqësisë dhe tradhtive mes dy djelmoshave, njëri pashtun dhe tjetri hazara, përmban edhe skena te ashtuquajtura të papranueshme nga kultura islamike. E tillë është ajo e përdhunimit të Hasanit nga Asefi. Përpara se filmi të xhirohej, dy protagonistët e rinj të tij iu nënshtruan masave të sigurimit nga frika e ndonjë tentative për vrasje nga ana e talebanëve.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)

Nessun commento:

Posta un commento