Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Dy pamjet shqiptare të Milerit

Dy pamjet shqiptare të Milerit


Premiera e dytë e Milerit në teatrin shqiptar. Dyzet vite të shkuara Pirro Mani dhe personazhi i tij Edi Karbone, sot Albert Minga dhe Timo Flloko


Artur Miler ne kohen kur shkruante "Pamje nga ura"


Drama "Pamje nga ura" e Artur Milerit shfaqet për herë të parë në Teatrin Kombëtar më 23 nëntor, dhe vazhdon deri më 9 dhjetor. Shumë e dinë që gati dyzet vjet të shkuara e vuri në skenë regjisori me një kontribut unikal në teatrin shqiptar, Piro Mani. Por themi premierë, sepse shfaqet në një kohë tjetër të largët dhe me një staf krejt të ri nga ai i pari. Regjisor është Albert Minga, regjisor me përvojë më së shumti televizive dhe kinematografike. Në rolet kryesore interpretojnë Timo Flloko (Edi Karbone, interpretuar nga Mani dikur), Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, Indrit Çobani. "Pamje nga ura" është premierë edhe për sezonin e vjeshtës në Teatrin Kombëtar, megjithëse është duke dalë nëntori. Deri tani kjo skenë është mbajtur me repertorin e shfaqjeve të sezonit të kaluar, me teatrin e të rinjve dhe privatët. Program pak i menduar nga drejtoria e TK.

Paraprakisht, në këtë kontekst, pavarësisht se çfarë na rezervon premiera e Mingës, mbetet të themi është një ngjarje vënia në skenë e "Pamje nga ura" dhe futja në repertor e një emri si Miller. Trupa shqiptare del sot në një konferencë për shtyp për të bërë prezantimin e rastit. Për Fllokon duhet të jetë përgjegjësi më vete, jo vetëm se jetojnë akoma disa njerëz të teatrit që e kanë parë dikur Edi Karbonen e Piro Manit, për të cilin thonë se ka qenë i shkëlqyer, por edhe sepse vetë Flloko do donte të mos zhgënjente kënd pas interpretimit të fundit dhe shumë të mirë që pati në teatër, në dramën "Për një fjalë goje" të Natali Sarrotit, përkrah Ndriçim Xhepës.

Ky u quajt rikthim i Fllokos në teatër.

"Pamje ngaura" e Millerit është një vepër e vështirë për kontekstet palimpsest që mbart, sa politike aq edhe të marrëdhënies së njeriut me veten. Dramaturgu amerikan e shkroi në vitin 1950. Miller e kishte shkruar fillimisht si skenar filmi që nuk u realizua, bashkë me regjisorin e famshëm Elia Kazan. Në thelb ajo ishte një histori e vërtetë për botën e rëndomtë të njeriut emigrant në Nju Jork, Edi Karbones, i cili për shkak të ca reaksioneve të çuditshme që i provokon jeta e pasigurtë në Amerikë, rrezikon disa nga gjërat më të domosdoshme që njeriu ka në jetë: fqinjësinë e mirë, miqësinë dhe familjen. Shfaqja e këtyre reaksioneve është barra më e rëndë që duhet të mbajë aktori që interpreton Karbonen. Drama u shkrua në një kohë kur Lufta e Ftohtë kish pak që kishte filluar, dhe komunizmi po shihej tashmë si kërcënim nga politika amerikane, ndërsa autori i saj, Miler, ishte një intelektual me bindje komuniste. Edhe kjo ishte arsye që ia lehtësoi dikur Manit vënien në skenë të veprës, në teatrin "Andon Zako Çajupi" të Korçës ku ishte emëruar regjisor i sapokthyer nga studimet në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë. Atje kishte interpretuar Edi Karbonen, personazh që ka një ndërgjegje po aq të ndërlikuar edhe për seksualitetin. Me këtë antihero të Nju Jorkut në pokën e pasluftës së Dytë Botërore, Mani udhëhiqte trupën në skenë njëherësh si aktor dhe regjisor. Në një intervistë të viteve të fundit Piro Mani, sot 75- vjeçar që jeton në Nju Jork, shprehte një peng për ndërprerjen e vrullit të "Pamje nga ura". U vu në skenën e Korçës 50 herë dhe pas më pas pati një turne nëpër Shqipëri. U kritikua nga burokratët e qytetit të tij të lindjes, dhe ishte Ramiz Alia që e lejoi të rishfaqej. Siç kujton Mani, shfaqja e kësaj vepre të Milerit u ndërpre kur herën e fundit spektator i saj ishte Enver Hoxha. Ky kishtefolur me gjuhën që kritikët e teatrit kishin folur dikur për dramën. Pra e kish quajtur "një dramë frojdiste". "Operuesi" i botës së ëndrrave dhe nënvetëdijes njerëzore, ishte nga të shumtët që do të ndalohej në Shqipëri deri në vitin 1990.


Elsa Demo
21-11-2007 marre nga Shekulli
Flloko: Ndihem pak si ujku në çark

"Pamje nga ura" e Milerit, premiera në Teatrin Kombëtar. Një ngjarje që shënon disa rikthime




Timo Flloko ne dramen "Per nje fjale goje" te Natali Sarrotit


Disa arrijnë të kalojnë në bregun tjetër, disa mbeten në mes të urës. Edi Karbone nuk i shkoi deri në fund. Jo sepse ishte emigrant, jo sepse ligjet amerikane ishin të rrepta asokohe, jo sepse duhet të mbijetonte. Ishte çështje pasioni, marrëzie. Kjo ndodh tek "Pamje nga ura", drama e Artur Milerit, premiera e nesërme në skenën e Teatrit Kombëtar. E përkthyer nga Gjergj Peçi, nën regjinë e Albert Mingës, skenografi të Agim Zajmit, ajo është një nga veprat më të suksesshme të dramaturgut amerikan Arthur Miller. Ngjarja na çon në Bruklin, atje ku emigrantët italianë luftojnë për të ngritur të ardhmen që atdheu nuk ua dha. Konteksti i dramës, kontradikta mes integrimit dhe ruajtjes së identitetit, janë për organizatorët të dhëna që megjithëse bëjnë fjalë për një realitet amerikan të viteve '50, kanë ç't'i thonë shqiptarëve që Amerikën e gjetën në brigjet italiane. Për herë të parë u vu në një skenë shqiptare në vitin 1963 nga regjisori Pirro Mani i cili interpretone Edi Karbonen, rol që 44 vjet më pas kemi për ta parë nga aktori Timo Flloko. Në role të tjera janë Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, Indrit Çobani dhe Holta Gixhari. Sipas regjisorit Albert Minga, bëhet fjalë për variantin e riparë të Millerit dhe jo atë të shfaqur në skenën e Korçës. "Pamje nga ura" shënon dy rikthime, atë të vetë pjesës pas vënies nga Mani dhe rikthimin në teatër të regjisorit Albert Minga, i njohur si kineast. Ndonëse Minga pranon që nuk është ndarë për asnjë moment nga teatri, pasi ka xhiruar shumicën e pjesëve, që shfaqen në Televizionin Publik Shqiptar, "Pamje nga ura" është një sprovë për të. Përpara një sfide ndihet edhe aktori Timo Flloko që sot ndihet si personazhi i tij, Edi Karbone. "Çdo lojë është një ndeshje. Nuk mund të thuhet se luaj në fushën e kundërshtarit, por ndihem pak si "ujku në çark". Skena e teatrit është një përgjegjësi e madhe", - thotë Flloko.

Ata që e kanë parë, ende e kujtojnë veprën e Milerit me regjinë e Pirro Manit në vitin 1963. Kësaj here ç'pamje do të shohim nga Ura e Bruklinit?

Vetëm 8 vjet pasi Arthur Milleri e shkroi këtë vepër, u vu në skenën e Teatrit të Korçës nga regjisori i madh Pirro Mani, i cili përveçse realizoi regjinë, luajti vetë në këtë pjesë. Unë nuk e kam parë këtë shfaqje. Disa miq, kolegë të brezit tim e kanë parë dhe tregojnë për ndikimin e madh që kjo vepër ka pasur tek spektatori. Është një nga ato shfaqjet që kthehen në legjendë. E kanë luajtur shumë aktorë të tjerë të mëdhenj dhe kurora e Edi Karbones i ka mbetur aktorit të madh Ralf Vallone, i cili e luajti edhe në teatër edhe në film. Është kampion i këtij roli. Por është luajtur edhe nga aktorë të tjerë, deri tek Michele Placido. Është një ridimensionim i një historie tragjike që vjen përmes penës së një autori shumë të madh, siç është Milleri.

Ku konkretisht qëndron aktualiteti i saj për publikun tonë?

"Pamje nga ura" është një vepër dramatikisht e fuqishme, aktuale. Tregon problemet e emigracionit, korrent edhe tani në shek. XXI. Një problem për të gjitha vendet e Lindjes. Shqiptarët e sotme janë italianët e shekullit të shkuar, që shkuan në Amerikë dhe i varën shpresat tek Statuja e Lirisë, për të arritur ëndrrën amerikane. Kjo ndodh edhe sot. Fenomene tragjike që shohim tek "Pamje nga ura" i ndeshim gjithë ditës. Nuk i shohim të reflektuara në art, por dëgjojmë ngjarje tronditëse që lidhen herë- herë me emigracionin, jo vetëm në Amerikë, por kudo.

Ç'mendoni për personazhin tuaj, Edi Karbonen?

Edi Karbone është një figurë mjaft komplekse, me një frakturë emocionale tronditëse. Një figurë realiste që ndeshet me problemet sociale në Amerikë. Vihet re kontradikta e ligjit federal amerikan, që nuk i pranon emigrantët dhe të një ligji të pashkruar të komunitetit italian, i cili rreket të ruajë identitetin dhe të ndeshet me vështirësitë eventuale që shfaqen atje. Për njëfarë kohe Edi mundohet t'i përballojë mirë këto përplasje. Por ngec në një çengel, ku mbetet i varur në ndërgjegjen e tij. Është dashuria e paarsyeshme ndaj mbesës së gruas, Ketrinës. Kjo e shkatërron, e varros Karbonen si personalitet.

Ju ka hyrë në punë përvoja amerikane që keni pasur vitet e fundit?

I njoh zonat në të cilat zhvillohet vepra. E njoh Bruklinin, i njoh lagjet, për të cilat flitet, i kam shkelur, njoh koncepin amerikan të jetesës dhe në një mënyrë më shqisore natyrën e veçantë të emigrantëve, në këtë rast edhe të emigrantëve italianë. Kam takuar shumë syresh në Amerikë dhe ata ruajnë një koloristikë, të veçantë të gjuhës, që herë-herë jam munduar ta fus edhe në vepër, në karakterizimin e Karbones. Kështu që përvoja është personale në një farë mënyre. Kur flitet për momente dhe vende të caktuara, mua më konfigurohet vizioni real i këtyre gjërave dhe i atyre lagjeve, toponimeve, emrave, që unë i kam parë dhe kjo i jep ngjyrë.

Ky është për ju roli i dytë i rëndësishëm në teatër brenda dy viteve.

Gjithnjë e kam dashur teatrin, pasi ai është laboratori i mjeshtërisë së aktorit. Aktori i vërtetë duket në teatër. Teatri është i bukur sepse është një art i brishtë. Lind brenda natës dhe vdes dhe një shfaqje nuk i ngjan tjetrës. Në net të ndryshme aktori nxjerr në pah vlera që nuk i ka shfaqur më parë. Ndihen këto lëvizje si toka,që duhet të zënë mirë vend, sidomos natën e parë, ndaj edhe premiera është një moment sa festiv, por edhe aspak i lehtë.

"Eduart" në Prishtinë

Filmi shumë i lakuar grek që flet për historinë e vërtetë të Eduartit, një shqiptar i penduar për krimin që ka bërë, shfaqet në Prishtinë. Vepra e regjisores Angeliki Antoniou është ftuar të përshëndesë Festivalin e pestë Ndërkombëtar të Teatrit dhe Filmi studentor "Skena up" që po mbahet më 20-27 nëntor në kryeqytetin e Kosovës.

Filmi shfaqet sot në orën 09:30 në Kinostudio dhe më pas do të mbahet një konferencë për shtyp. Në rolin kryesor interpreton Eshref Durmishi, aktori i ri nga Kosova pjesëmarrës aktiv në skenën e teatrit të këtij Festivali. Menjëherë pas Kosovës, "Eduart" që ka nisur një tur pjesëmarrjesh nëpër botë në festivale të rëndësishme të kinemasë, shfaqet për herë të parë në Tiranë në ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër.


Alma Mile (Shekulli)
22-11-2007
“Pamje nga ura” rikthehet në Teatrin Kombëtar

"Pamje nga ura" rikthehet sërish për publikun e kryeqytetit. E konsideruar si shfaqja më e suksesshme për vitin 2007, kjo dramë është shfaqja e parë që çel vitin 2008 në Teatrin Kombëtar. Nisur nga kërkesat e shumta, është vendosur që pjesa të rivihet në datat 17,18,19 dhe 20 janar, në orën 19:00. Që nga premiera e 23 nëntorit, "Pamje nga ura" u shfaq për katër javë me radhë në TK. Gjatë gjithë kohës biletat rezervoheshin ditë më parë dhe salla ishte plot. Për këtë arsye, ata që nuk mundën ta shihnin para ndërrimit të viteve, do të kenë mundësi gjatë këtyre ditëve. Pas disa kohe pushim, Timo Flloko do të kthehet sërish nën lëkurën e Edi Karbones, një italiani emigrant, një figurë mjaft komplekse, brenda të cilit përplasen emocione tronditëse. Për Timo Fllokon ishte një tjetër sfidë në vazhdën e roleve mjaft të ngarkuar psikologjikisht që ai ka luajtur. Në krah të tij është Yllka Mujo, që këtë herë i prezantohet publikut si Bea, gruaja e Karbones, e gatshme t'u hapë derën kushërinjve të saj që mbërrijnë në lagjet e Bruklin dhe personazhet e tjerë, si Ketrin, mbesa e Beas rritur jetime, vjen nën interpretimin e aktores së re Holta Gixhari. Pasioni i Edi Karbones, të cilin ai vazhdimisht mundohet ta ndrydhë, do ta çojë atë drejt shkatërrimit. Fatos Sela, Bujar Asqeriu dhe Indrit Çobani plotësojnë kuadrin e personazheve të tjerë të kësaj shfaqjeje, të sjellë në skenë me regji të Albert Mingës dhe skenografi të Agim Zajmit. Përgjatë një muaji të shfaqur në "Teatrin Kombëtar" gjatë vitit 2007, për këtë dramë janë shitur më shumë se 5000 bileta dhe ende ka kërkesa. Në fakt, nga publiku që iu drejtua Teatrit Kombëtar për të parë dramën, por edhe nga pikëpamja artistike, "Pamje nga ura" u cilësua si një shfaqje që ktheu vëmendjen e publikut drejt teatrit. Madje, bëri që të vihen në diskutim edhe vlerat artistike që përzgjidhen në kalendarin artistik të institucionit për t'u ngjitur në skenë. Sipas të dhënave nga Teatri Kombëtar, kanë filluar interesimet për prenotimin e biletave gjatë këtyre ditëve që pjesa do të rivihet sërish. Por drama "Pamje nga ura" nuk do të prekë vetëm publikun e kryeqytetit. Pasi të mbarojë rivënia e saj në TK, është vendosur që me dramën të bëhet një turne në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ashtu si 40 vjet më parë, kur kjo shfaqje u vu me regji të Piro Manit, duket se suksesi po përsëritet.
Krahasimet me Millerin



Që nga koha e komedisë "Pallati 176" Teatri Kombëtar nuk ka parë tjetër sukses për nga numri i shfaqjeve dhe i spektatorëve si ky me "Pamje nga ura" i Arthur Millerit. Çfarë ka ndodhur?

Sipas sondazhit për shikueshmërinë e dramës "Pamje nga ura" të Arthur Millerit, arsye e parë pse publiku e ka mbushur sallën plot që nga premiera e 23 nëntorit, del Milleri dhe teksti i tij dramatik. "Nuk ka bërë vaki të shiten dhe porositen bileta dhjetë ditë para shfaqjes" thonë në biletari dhe në zyrën e marketingut të Teatrit Kombëtar. "Që nga koha e komedisë "Pallati 176" nuk ka pasur shfaqje më të shitur, për 15 herë salla është mbushur plot". Ky nivel shikueshmërie shtyu drejtorinë e teatrit të bënte një sondazh mbi pyetjen përse vini të shihni "Pamje nga ura". Është emri i Millerit ai që e ka sjellë publikun në teatër, është emri i Fllokos, pastaj është shfaqja nga një natë në tjetrën me komponentët e saj.

Tri netët e para është ndjekur me ftesa dhe në vazhdim 500 vendet kanë qenë zënë. Krahasimi me "Pallati 176" bëhet jo pse drama e Millerit ka arritur atë numër shfaqjesh, por se për gati një muaj e gjysmë, që është një kohë rekord, është konsumuar numri i detyrueshëm i shfaqjeve, pra 15. Vazhdon këto dy fundjava dhe më vonë ka për të nisur një turne për teatrot e vendit. Argumentet e sondazhit për shfaqjen që ka bërë zhvendosje të paparashikura në kalendarin e sezonit 2007-2008, janë racionale, paçka se sondazhi nuk na lë të kuptojmë se për çfarë publiku bëhet fjalë, për të njëjtin që shkon fundjavave në teatër edhe për Millerin edhe për komedi si "Ne të gjithë këndonim "Margaritën"?


Krahasimi jep rezultate të papritura dhe me vlerë kur përdoret si metodë e cila ballafaqon dy sfera që kanë cilësi apo të dhëna të ngjashme e të përafërta. Në rastin tonë, nuk mund t'i hysh krahasimit, qoftë edhe duke u nisur nga shifra spektatorësh, të "Pamje nga ura" e Arthur Millerit dhe "Pallati 176" e Adelina Balashit, edhe kjo komedi e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar më 1986.

Miller nuk paska sferë tjetër krahasimi veçse me një vepër që logjikisht s'mund të krahasohet. Për aq sa të zotët e punës e marrin në konsideratë, nuk na mbetet veçse ta krahasojmë sistemin qendror të teatrit tonë me gjendjen e makinës që kur është e pabalancuar ose ikën prapa ose fiket fare.

Pra ky teatër ka 22 vjet që nuk prodhon vepër të shikueshme që do të thotë se ka po kaq vite që nuk vijnë autorë të denjë si Miller, po të shpjegoheshim me gjuhën e sondazhit. Në harkun kohor të 22 viteve janë vënë në skenë vepra edhe më të forta se "Pamje nga ura" e cila përtej qasjeve sociologjike, psikologjike, sentimentale, është një realizim ku ia vlen të ndalesh. Së pari për të kuptuar se çfarë kërkon publiku ynë që njëlloj e mbush sallën për vepra të mira dhe vepra të dobëta, që edhe kur nuk i pëlqen nuk e ka zakon të çohet nga vendi (kjo lexohet si shenjë e një publiku me kulturë).

Së dyti për të kuptuar gjendjen e Teatrit Kombëtar që edhe kur ka në dorë vepër, autor, aktorë me emër nuk jep dot sot më shumë nga çka dhënë, madje jep më pak se në ditët më të lavdishme kur përveç dramës së realizmit socialist dhe teatrit të indoktrinuar, nga repertori botëror arrinte të shfrytëzonte pothuajse krejt një autor si Shekspiri me "Othellon", "Hamletin", "Mbretin Lir", "Natën e 12-të", "Romeon dhe Xhulietën", "Zbutjen e kryeneçes", "Rikardin e tretë", "Dy zotërinjtë nga Verona".

"Pamje nga ura" ia detyron një pjesë të mirë të suksesit tregut të varfër teatror a më saktë mungesës së teatrit tjetër kund skenës së vetme ku bëhet teatër, skenë që imponon të njëjtën shije. Spektatori ynë shkon me frikë në teatër, nuk është i sigurtë nëse shfaqja është realizuar qoftë në një nivel të pranueshëm. Ndërsa kërkimet, eksperimentimet, alternativat mbeten jashtë realitetit tonë teatror.

Do ishte e trishtueshme të krenoheshim në këtë mjerim me një sukses si i "Pamjes nga ura". Do ishte jo realist ai që do krenohej me një sukses si ky në Tiranën kulturore që për muaj të tërë të vitit shndërrohet në një fshat të madh, ndërsa teatri në një vatër kulture. Nuk është e natyrshme, nuk është e sinqertë, nuk i takon artit dhe as artistit të punojë dhe të krenohet me një ditë të vitit për 364 të tjera.

Përtej arsyeve jashtëteatrore "Pamje nga ura" ka meritën e asaj që vepra është, e vlerave për të cilat ka hyrë në repertorin e dramaturgjisë botërore. Për aq sa është sjellë në skenë nga regjisori Albert Minga, Amerika e viteve 50, emigranti, njeriu në rrjedha të panjohura të vetes etj, është një film me aktorë teatri. Amerika si gjysmë shekulli para në Tiranën e viteve dymijë. Skenat familjare, veshjet, interpretimi, fotografohen gati me një realizëm telenovelash, deri aty saqë aktorët të na mbushin mendjen se po hanë supë, se supjera jo vetëm që është prej porcelani si në jetë, po është plot me supë; aktorët arrijnë një ngopje mekanike të konfliktit psikologjik prandaj bëjnë gjeste shumë (Timo Flloko, Yllka Mujo, Olta Gixhari) shpenzojnë energji të panevojshme me duar dhe me zë; gjysma e skenografisë është jofunksionale (shkallët në të majtë që u deshën vetëm pesë minuta të shfaqjes dyorëshe, se ç'të sjellin në mend ato shkallë diçka nga shtëpitë e lyera me gëlqere tek "Zonja nga qyteti"); një foto e Marilyn Monroe si për të na kujtuar se Miller e pati grua, është varur në sfond e pajustifikuar, njëlloj si poçi i bardhë i neonit dhe shtylla elektrike e rrugicës nën urë (!) apo licenca e "avokatit dimër" me pallto të errët, shall të bardhë dhe çantë pune; është miksturë mallëngjyese muzika nga filmat "Once upon a time in America" e kompozitorit Ennio Morricone dhe nga "La bataglia di Algeri" e Morricone-Pontecorvos, sa ç'është naive që një ngjarjeje që ndodh në Amerikë t'i vësh për kolonë zanore muzikën aq popullore të një filmi për Amerikën.

Të gjitha këto për të cilat zgjedhja e fundit i ka takuar regjisorit Minga, trupa e aktorëve sado e shkëlqyer qoftë nuk mund t'i mbulojë dot. Në teatrin tonë ndodh që të gjitha meritat t'i marrë aktori, ekzekutuesi, ndërsa roli i regjisorit, krijuesit të ideve, sikur të ishte punëtor skene, zhvishet nga përgjegjësitë, nga meritat dhe jo meritat. Teatri Kombëtar ka mbi 30 aktorë rrogëtarë dhe asnjë regjisor permanent.


"Pamje nga ura" është tip i suksesit që më shumë se për kënaqësinë që i jep publikut është moment i rëndësishëm i cili i vlen Teatrit Kombëtar për të qëndruar dhe për të parë nga do t'ia mbajë: të fshihet pas gishtit të biletave të shituara apo të gjejë forcë që paralelisht veprave dramaturgjike si kjo e Millerit, të mjekojë plagët e vjetra të hapura.


Elsa Demo (Shekulli)

Nessun commento:

Posta un commento