Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Fatmir Xhelili, aktori i përmasave kombëtare!

Fatmir Xhelili, aktori i përmasave kombëtare!



Ndërsa pi kafen çdo mëngjes në barin pranë Teatrit Bylis, ai vetëm fizikisht është aty, bashkë me ne, sepse mendja kushedi se ku i punon. Ndoshta tek projektet që ka vazhdimisht në kokë. Kur i kërkuam një intervistë për të ndërtuar një profil të tijin, për Fieri.com, atë nuk e mbante vendi. Më fal, - tha, por sot nxitoj, a e lemë për nesër?! Kështu tha dhe u largua për tu takuar pak më vonë.

Të nesërmen erdhi, u ul në tavolinë dhe nxorri nga çanta një zarf me foto të teatrit në vite. E ndërsa fotoreporteri ynë, Arben Alliaj nisi ta fotografonte duke bërë atë ritualin e tij të shkrepjeve, ai nisi të flasë me një thjeshtësi që të çliron nga emocionet e këtyre rasteve. Ky është Fatmir Xhelili, tashmë aktor i përmasave kombëtare.

"Unë kam lindur në Selenicë në 23 Dhjetor 1951, - nis të tregojë ai, sikur po recitonte ndonjë monolog. Babai, Hamiti punonte në minierë dhe nga Ruzhdia, fshati i tij i origjinës kishte ikur qëi vogël. Nëna, Besija ishte po nga Mallakastra nga fshati Vreshtas, Cakran.

Në Selenicë familja ime nuk qëndroi gjatë dhe në vitin 1955 u vendosëm në Fier ku kalova fëmijërinë dhe rininë.

Padyshim i dashur Fatmir askush nuk hyn në fushën e artit pa patur talent?

Tani besoj se talenti im ka qenë i trashëguar nga familja. Vetë babai recitonte dhe tregonte shumë bukur dhe ne gjashtë fëmijët e tij e dëgjonim gjithmonë me ëndje. Edhe sot më ka mbetur në mendje një poezi e tij të cilën në kujtim të babait që vdiq në vitin 2003 e recitova në edicionin e këtij viti te Miss DEA. Më kujtohet një episod që ka ndodhur në vitin 1980 në Selenicë. Kishim shkuar me estradën për turne. Me shokët u futëm në një kafe dhe mua më bëri përshtypje një plak që më vështronte me vëmendje. E ftova në tavolinë dhe e pyeta se, përse më shikonte ashtu?! Mos të shëmbëllej me dikë i thashë? Po, më tha ai, por është larg si kohë. Megjithëse më shëmbëllen me një shokun tim, Hamitin, të cilin ne e thërrisnim Bilbil, këndonte bukur Hamiti…. Gjithashtu edhe nga familja e nënës kemi trashëguar humorin. Dajat tregonin bukur histori të ndryshme sidomos në dasma dhe gosti familjare. Kështu kjo gjë mund të shihet edhe tek ne si fëmijë sepse, nga të gjashtë, katër jemi marrë me teatër. Psh: vëllai Petriti është themelues i Teatrit të Kukullave, ndërsa vëllai tjetër Meti është Pedagog i regjizurës në Akademi.

Hera e parë nuk harrohet kurrë. Ju si e kujtoni atë?

Shkëndijat e para tek unë i “ndezi” mësuesja ime e letërsisë, zonja e nderuar Vjollca Omari. Ajo e spikati talentin tim dhe më jepte gjithmonë poezi për të recituar ku më nxiste duke më vlerësuar gjithmonë me notën dhjetë. Kjo gjë mua më dha sigurinë e parë dhe më bëri të kuptoj se kisha diçka në vetvete. Gjithashtu mësuese Vjollca më angazhoi edhe me grupin teatral të shkollës. Mbaj mend se në dramën “Toka Jonë” unë kam luajtuar rolin e Tuç Makut, dhe role të tjera në estradë.

Por ecuria ime do të kishte qenë ndryshe nqse do të vazhdoja shkollën e mesme, psh. Gjimnazin, i cili zhvillonte një jetë të pasur artistike, sepse në vitin 1965, kur mbarova shkollën 8 vjeçare, babai për arsye ekonomike që dihen tashmë më futi në punë. Fillimisht punova në fabrikën e tullave e më pas në PTT. Këtu qëndrova dy vjet (1968-1970), si postier, gjë që më ndihmoi shumë në njohjen e karaktereve dhe të dialekteve, sepse Fieri kishte një specifikë të veçantë si qytet multikrahinor. Më pas gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak pata fatin që të shkoja në një repart në Tiranë, i cili zhvillonte shumë aktivitete artistike. Aty vinin për të punuar si regjizorë me trupën teatrale të ushtarëve aktorë të teatrit kombëtar si: Prokop Mima, Vasian Lami, të cilët punuan shumë me mua. Aty unë bëra kursin e aktorit, ku mësova disiplinën artistike, teknikën e të shprehurit, mënyrën e interpretimit, etj. Në vitin 1972 u riktheva në Fier dhe nisa të merresha përsëri me teatër si amator me asamblin e ndërmarrjes ku punoja, Tecit.

Në këto vite kam punuar me regjizorë të tillë si: Dervish Biba, Drita Agolli, Pjetër Gjoka. Ky i fundit më angazhoi në vitin 1974 në Dramën “Vite të paharruara” ku luaja rolin e mësuesit. Me këtë rol nisa angazhimin e rregullt me teatrin Bylis por vetëm në vitin 1988 nisa punën si aktor profesionist.

Si amator me se u morrët këto vite?

Në vitin 1974 si elektriçist më transferuan në Ballsh në Tecin e Uzinës së përpunimit të thellë të naftës siç quhej atëherë. Në këtë qytet qëndrova 20 vjet midis viteve 1974-994. Për 14 vjet mora pjesë si amator në të gjitha premierat e Teatrit të Estradës në Fier dhe në të gjitha shfaqjet e Pallatit të Kulturës Ballsh. Megjithëse angazhohesha atje, i jam mirënjohës Pëllumb Kullës i cili asnjëherë nuk më la pa më angazhuar me teatrin Bylis. Ballshi ishtë një shkollë për mua sepse meqënëse kisha patur një përvojë në Fier, punoja si regjizor me amatorët. Kështu isha njëkohësisht edhe nxënës por edhe mësues.

Po për kolegët. Çmund të thoni për marrëdhëniet që keni patur me ta?

Kam dëgjuar shpesh që njerëzit mbajnë mëri njëri me tjetrin, këtë nuk e kuptoj dhe nuk i jap dot përgjigje. Në art gjithmonë ka xhelozi artistike dhe hera-herës kjo i fut njerëzit në kontraditë shpesh edhe në konflikt vlerash. Tek unë kjo nuk ka ndodhur, sepse më ka munguar egoja negative. Jam përpjekur të shoh gjithmonë anën positive të gjërave. Teatri është punë kolektive ku pa harmoni te të gjithë aktorëve nuk mund të kesh sukses.

Kam patur fatin e madh të punoj me emra të mëdhenj si Luftar Paja, Fuat Boçi, Pëllumb Kulla që për mua ka qenë një fat i madh. Më vjen ndër mend një rast vite më parë kur me druajtje i thosha Pëllumb Kullës që të vinte një ditë në Ballsh kur isha regjizor atje, për të parë provën gjenerale të një shfaqjeje që organizonim me amatorët. Dhe ai Pëllumbi i madh nuk nguroi dhe erdhi menjëherë për të dhënë ndihmën e tij të çmuar.

Përpara disa vitesh ju u vlerësuat me Urdhërin Naim Frashëri të artë. Çpërfaqëson ai për ty?

Këtë titull e kam marrë në vitin 2006 nga Presidenti i atëhershëm Z.Alfred Mojsiu. Dekorata mu dhurua gjatë natës së fundit të Festivalit Kombëtar të aktrimit Apollon, në një sallë të mbushur plot me aktorë, regjizorë, njerëz të artit dhe kulturës. Për mua ishte një mbrëmje e bukur sepse ky urdhër është një vlerësim i madh për mua, të cilin e mora nga publiku, kolegët, dhe kritika. Por kënaqësia më e madhe për mua ishte kur kjo gjë u publikua në media. Njerëzit, të njohur dhe të panjohur më ndalnin në rrugë dhe më uronin.

E kam ndjerë veten të lumtur sepse kuptova që kisha bërë diçka në jetë. Ndërkohë marrja e këtij vlerësimi u shndërrua në një përgjegjësi të madhe për mua dhe më motivoi që të rris angazhimin tim si aktor I dramës, për ti dhuruar publikut figura të nivelit të lartë artistik.

Çdo aktor mbart gjatë karrierës së tij mbresa të shumta. Do të ishte interesante të na tregonit diçka?

Fillimisht unë kam qenë i pafat sepse kam punuar larg Fierit dhe teatrit të tij. Për 14 vjet qysh nga viti 1974 e deri në vitin 1988 unë bëja çdo ditë 50 km rrugë Ballsh-Fier e kthim për të marrë pjesë në çdo premierë artistike që zhvillonte Teatri Bylis. Sa e sa herë më ndiqte ndjenja e ankthit që a do të arrija në kohë të kapja orarin e shfaqjes.

Për vitet kur punoja dhe banoja në Ballsh dëshiroj të tregoj diçka që më ka ndodhur me regjizorin e atëhershëm të estradës Roland Roshi. Pasi më nisi disa telegrame që të paraqitesha në teatër dhe unë nuk ju përgjigja ai kërkoi ndihmën e Pëllumb Kullës. Pëllumbi e dëgjoi me vëmendje Rolandin, qeshi dhe i tha që të më dërgonte edhe një telegram tjetër ku në fund të tij të vendoste emrin e Pëllumbit. Ashtu u bë dhe unë pasi mora telegramin u nisa menjëherë drejt Fierit. Duke pritur Pëllumbin në hollin e teatrit më afrohet Rolandi duke qeshur dhe më thotë: Bëre mirë që erdhe.

Të gjithë këtë e tregova se kjo ndodhi ka një domethënie të madhe për mua, sepse nuk diçka e zakonshme që të angazhonte për një premierë një autoritet I tillë si Pëllumb Kulla. Ndërkohë që të tjera mbresa të një kohe tjetër janë edhe ato që lidhen me edicionin e Festivalit Kombëtar të aktrimit Apolon 2006. Ne trupa e Teatrit Bylis u paraqitëm me dramën: “I burgosuri i katit të pesëmbëdhjetë”. Të nesërmen e shfaqjes më ftoi për kafe Guljelm Radoja dhe sapo u ulëm në tavolinë ai mu drejtua me zë të lartë: Bravo, të lumtë.

Me rolin tënd dje i ke dhënë leksion të gjithë aktorëve. Ndërsa Prof. Adriatik Kallulli në konferencën për shtyp midis të tjerave u shpreh: Fatmiri ishe një pikturë në skenë që nga çdo anë të shihje dukej shumë bukur…

Tashmë si aktor ju keni luajtur shumë role. Cilët janë më të dashurit për ju?

Është shumë e vështirë për aktorin që ti ndajë rolet e tij, aq më tepër kur janë shumë. Duke u mbështetur tek publiku mund të veçoj midis tyre ato të: Anglezit tek skeçi “Këpucët Angleze”, Kryetarin e bashkisë tek skeçi tjetër “Servet beu jep zgjidhje”, rolin e Përgjegjësit tek “Farat e sharqirit”, të cilin e përmend edhe Pëllumb Kulla tek libri I tij “Teatri kjo lojë magjepëse”, apo rolin e Arixhiut tek komedia e Koço Devoles “Me trap drejt Europës”. Ndërsa role të mëdha për mua janë: ai I Avokatit tek drama “Pazari” me regjizor Dhimitër Orgockën, apo ai I Bushit tek komedia e Ilir Bezhanit “Në portën e përrallave”.

Ndërkohë një tjetër rol që më ka mbetur në mendje është edhe ai I Plakut tek Komedia e Leka Bungos “Sa mirë bëri që vdiq”. Më ka mbetur në mendje fakti* sepse këtë pjesë skenike e vumë në skenë në vitin 1997. Jashtë bëhej luftë dhe dëgjoheshi krisma kurse ne jepnim shfaqje për publikun ky është Teatri me magjinë e tij.

Së fundmi! Çfarë projektesh keni për të ardhmen?

Ndjej se kam shumë për të bërë në të ardhmen. Kam akoma energji, passion, dëshirë por edhe përgjegjësi ndaj spektatorit. Më intrigon Çehovi për të cilin kam dëshirë të vë një dramë në skenë. Por nuk e di? Më mirë t’ja lemë kohës. Ju do të vini përsëri në teatër. Do të bisedojmë përsëri thotë mjeshtri Xhelili dhe pasi pagon kafet kërkon leje dhe ngrihet për të shkuar në provat e premierës së re.




Ilirian Gjika (Historian)

Nessun commento:

Posta un commento