Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Veli Rada: “Të risjellim në vëmendje këngën e vërtetë”

Veli Rada: “Të risjellim në vëmendje këngën e vërtetë”


Një koncert me këngë dhe humor tipik shkodran. Nuk jemi në Shkodrën e luleve dhe këngëve, por në Tiranën me shodranë të vendosur këtu, të cilët kulturën e trashëguar nga vendlindja e kanë përçuar në mënyra të ndryshme në kryeqytet. Këtë herë Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” i kushton një hapësirë të veçantë në sallën “Odeon” koncertit “Nata e bukur e këngës shkodrane”, në datë 9 mars. Vetëm pak ditë para fillimit të këtij spektakli, ku kënga dhe humori do të ndërthuren dhe mbështesin njëri- tjetrin, ne i morëm një intervistë regjisorit të saj, humoristit të njohur Veli Rada, i cili është drejtor i Kulturës pranë QNK.

Vini këtë herë me regjinë e një koncerti të tipit “sofër shkodrane”. Cila ishte ideja eparë për të bërë një spektakël të këtij lloji?
Në fakt, ne nuk e kemi quajtur sofra shkodrane, por “Nata e bukur e këngës qytetare shkodrane”. Shkodra është një qytet me tradita të mëdha, por në veçanti kënga shkodrane është kënga që pëlqehet në të gjitha trevat e Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit. Ne kemi nisur një cikël, që është kënga qytetare e gjithë trevave shqiptare. Menduam ta nisim me Shkodrën, për vetë këngëtarët e shquar që ajo ka, kompozitorët e mëdhenj Prenk Jakova, Tonin Arapin, Pjetër Gacin, Palok Kurtin etj, që kanë dhënë jetën e tyre për këtë këngë. Ky nuk do të jetë thjesht një koncert me një panel këngëtarësh, prandaj ne do t’i japim spektatorit edhe titujt e këngëve që do të këndohen. Do të jenë këngëtarët e shquar shkodranë, si Bik Ndoi, Fadile Papajani, Nahile Hoxha, Avni Mula, Mefarete Laza, Bujar Qamili, Bashkim Alibali, Mukadez Çanga etj. Ky grup këngëtarësh do të alternohen me të rinjtë, si Frederik Ndoci, Rosela Gjylbegu, Luis Ejlli, si për të treguar trashëgiminë nga brezi në brez. Kemi menduar që e gjithë salla të këndojë e të vallëzojë me ne, të alternohet humori...

Meqë jemi tek humori, cilat pjesë keni zgjedhur?

Kemi bërë një përzgjedhje për t’ia përshtatur këngës që këndohet. Çdo këngë shkodrane ka një histori dhe prandaj ato janë këngë me shpirt. Psh, kënga “Për mu paska kenë ky kismet”, tregon për një këngëtar që kishte dashur një vajzë dhe qëllon të shkojë pikërisht në dasmën e saj. Kur shikon që ajo që po martohej ishte vajza që dashuronte, i sajon këtë këngë “Për mu paska kenë ky kismet/ me kenë ti e tjetër kuj”. Janë këngë me shumë ngjyrë, ku mbizotëron edhe ana epike dhe lirike, por gjithmonë e krahasuar me lulen: është gjithmonë një trëndafil, një karajfil. Një nga grimcat humoristike bazohet në histori të tilla. Psh, një djalë i ri dashuronte një vajzë dhe i shkon një kompozitori shkodran të njohur, që dinte të bënte këngë për dashurinë. Kompozitori i thotë “Hajde pas nja dhjetë ditësh”, shkon ky dhe ai prapë s’e kishte bërë. U bë një muaj dhe i thotë djali që kam mbetur me kitarën në dorë për t’i kënduar vajzës serenatë tëk shtëpia. Ik more djalë, i tha, është zemra jote tuj ra, jo unë. Nuk kishte çfarë t’i bënte këngës ai. Ne kemi zgjedhur situate, për ta bërë ndryshe këtë spektakël, jo si gjithë të tjerët: këngë- humor- balet. Nuk do të mungojnë edhe mrekullitë e bejteve shkodrane apo grimca nga aktori më i madh i humorit shkodran Tano Banushit.

Keni patur mbështetjen e duhur nga Qendra apo nga vetë artistët e kësaj nisme që do të mbulojë gjithë Shqipërinë?
Ne kemi patur fatin e madh që si organizatorë të këtij cikli, që do të nisë me këngën qytetare shkodrane, do të vazhdojë me këngën tiranase, përmetare, vlonjate, tropojane, korçare, dibrane e me rradhë, kosovare, e shqiptarëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë etj. Është një ide e Isa Alibalit, i cili ka një përvojë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, por edhe Mefarete Lazes, e cila është jo vetëm e apasionuar në këtë fushë, por një këngëtare mjaft e njohur e muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Kjo ide e jona fillimisht është mbështetur nga komuniteti i biznesmenëve shkodranë, që jetojnë në Tiranë dhe kjo natë e bukur e këngës shkodrane do të shërbejë edhe si një hap i parë për krijimin e shoqatës së shkodranëve në tiranë, që tani janë bërë shumë, ndoshta 30 mijë e më shumë. Kjo nismë e grupit tonë do të sjellë koncerte me këngë të traditës dhe aty ku nuk ka shumë këngëtarë do të bashkojmë dy qytete bashkë. Nuk do të regjistrihen në television, por do të ketë një speciale për çdo qytet dhe koncerti i fundit me numrat më të bukur të të gjitha qyteteve do të jepet në sallën e Odeonit dhe do të transmetohet nga Televizioni Shqiptar. Kjo punë mund të shkojë deri në fund të vitit, sepse janë shumë qytete. Projektet ne i kemi përfunduar dhe ia kemi dhënë MTKRS, me bindjen e plotë se do të na mbështesë nga ana financiare, pa harruar këtu edhe kontributin e bashkive të qyteteve përkatëse dhe bizneseve të tyre, që si zakonisht nuk janë kursyer për këngën dhe humorin, siç ndodhi edhe për Kreshnik Qaton, boksierin tonë që u shpall kampion i Europës.

Po nga ana e teknikës, a keni siguruar kushtet e nevojshme?
I gjithë koncerti do të jetë live. Kemi marrë masa që të kemi një foni dhe një ndriçim që kap vlerën prej 1 mlnlekëve. Do të ketë edhe një videoprojektor dhe dy kamera, që do të regjistrojnë gjithçka do të bëhet në sallë, për të patur pastaj diskun, i cili do të jetë dhurata e parë që do t’i bëhet shoqatës “Shkodra”. Orkestra do të drejtohet nga Ilir Zoga, i cili ëhstë një mjeshtër i përcjelljes së këngës shkodrane dhe Mefaretja ka punuar tashmë edhe me këngëtarët, për të patur të qartë edhe një renditje. Do ta nisim me Siderit Bejlerin me këngën “Malli për vendlindjen”, një këngë hymn për qytetin e Shkodrës e kompozitorit të paharruar Tish Dajia, pastaj Rosela Gjylbegu, një këngëtare e re, e cila bashkë me bukurinë femërore do të përcjellë edhe bukurinë e këngës shkodrane.

Cili është dallimi i kësaj muzike nga turbofolku dhe çfarë mendimi keni për këtë dukuri të re në muzikën e viteve të fundit?
Unë jam i mendimit, gjithashtu edhe z. Alibali dhe znj Mefarete Laze, që të përcjellim tek publiku dhe në mënyrë të veçantë tek rinia këngën e bukur qytetare shkodrane, jashtë atyre basardimeve që e rëndojnë dhe krijojnënëpër klube nate apo dasma. Kënga shqiptare e bukur ka treaditën e vet dhe kur ti i bën një orkestracion tjetër apo huazon, atëherë ajo e humbet kuptimin. Ky është edhe synimi kryesor: të përcjellim tek publiku bukurinë, madhështinë e këngës qytetare shkodrane.

Nessun commento:

Posta un commento