Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Gëzim Kame: Mungesa e kritikës rrit antivlerat e teatrit

Gëzim Kame: Mungesa e kritikës rrit antivlerat e teatrit


Regjisori i njohur i teatrit Gëzim Kame ka një periudhë 35-vjeçare që merret me skenën. Ky njeri edhe në fundin e karrierës së tij vazhdon të krijojë për teatrin. Diku në një mjedis në periferi të kryeqytetit ai ka ngritur një teatër veror të titulluar “Teatri Park Kame”. Është optimist për të ardhmen e tij dhe nuk e fsheh dhimbjen për gjendjen e teatrit shqiptar sot. Krijuesi i teatrit privat të parë në vendin tonë si dhe fitues i disa çmimeve si regjisori më i mirë nëpër festivale të ndryshme teatrore gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot” na tregon për punën e tij si dhe projektet për të ardhmen.

Si ju lindi ideja për ta krijuar këtë teatër veror?


Ideja është e kollajshme për mua ka pak rëndësi për fillimet e saja. Unë kam pasur dëshirë dhe kam luftuar që kur instuticionalizova teatrin e parë “Publimedia”, kam pasur dëshirë që çdo teatër të ketë infrastrukturën e tij. Sigurisht që një ndërtim të tillë nuk mund ta bësh dot vetëm dhe unë erdha në këtë mjedis për të ndërtuar një shtëpizë të vogël por pastaj kur pashë këtë terren të bukur më lindi ideja për të ndërtuar këtë teatër veror. Kështu ide pas ideje kjo u ndërtua dhe nga ideja e një shtëpie të vogël u krijua një kompleks teatri park por që ka edhe biznesin mbrapa dhe mund të them se jam lidhur ngushtë me këtë mjedis.

Kanë filluar të realizohen shfaqjet e para në këtë teatër?


Shfaqjet e para akoma nuk kanë janë realizuar në këtë teatër sepse akoma është shpejt sepse edhe vitin akoma nuk e ka mbushur vitin por janë zhvilluar disa koncerte. Është zhvilluar koncerti i orkestrës sinfonike të Leçes së Barit me 60 orkestrues, është vënë trio koncertale me muzikë dhome violin dhe violinçel grupe italiane, pastaj janë bërë tre koncerte nga këngëtari Frederik Ndoci dhe në të ardhmen do ta zgjerojmë shumë aktivitetin.

Miqtë tuaj janë të pranishëm në këtë teatër?

Pa dyshim, kjo është një nga kënaqësitë që kam pasur që të kisha rreth vetes miqtë dhe kolegët e mi ose më mirë të isha unë diku pranë tyre dhe shanci e solli që ata të vijnë pranë meje. Ata vijnë me kënaqësi dhe sigurisht sipas kushteve sepse ky teatër është pak larg.

Z. Gëzim Kame si regjisor. Cilat janë disa nga angazhimet tuaja lidhur me këtë fushë?

Në kuadër të punëve të mia nga mesi i muajit prill deri në fund të muajit maj kam bërë një shfaqje të titulluar “Kali i karrocës” në Shkup në bashkëpunim me teatrin Kombëtar. Pra ishte një gërshetim i punës mes aktorëve shqiptarë dhe atyre nga Shkupi. Kjo shfaqje u dha në 29 maj në Shkup dhe në datën 8 dhe 9 qershor në Teatrin Kombëtar dhe presim që me fillimin e sezonit të ri të rishfaqet përsëri në Shkup. Mendoj se ky bashkëpunim tregoi se kur bashkëpunojnë dy grupe aktorësh profesionistë ,dy shkolla rezultati është se ata japin shumë rezultat qoftë për sa i përket asaj diference në dialekt e mentalitet etje. Unë them që një trupë e mirë profesioniste e zhduk këtë gjë dhe krijon një trupë të mirëfilltë dhe unike në të gjitha palët. Gjithashtu shpresoj që ne fund të shatorit të kemi një vepër në Teatrin Kombëtar “Një tavolinë për gjashtë veta” është një vepër angleze ku do të marrin pjesë aktorët si Roland Trebicka , Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku edhe disa aktorë të tjerë të rinj, ky është një nga projektet që kam në dorë së shpejti në Teatrin Kombëtar. Përpos kësaj kam disa projekte të tjera që edhe këto presin financimin e tyre këtu në teatrin veror. Është një dëshirë e shumë kohëve përpara për të bërë poezitë e Lorkës me aktorë, këngëtarë, instrumentistë, balerinë dhe gjithashtu kam një plan që veprat ,poezitë lirike të Lasgush Poradecit t’i realizoj me aktorë e këngëtarë. Gjithashtu në të ardhmen kam projekt për spektakle shumë më të gjera të jenë në formën e një show, takime ndërkombëtare ku pretendohet të bëhet festivali i teatrit Ballkanik, një temë që tashmë e kam vendosur takime me poetë nga vende të ndryshme të Ballkanit.

Jeni një regjisor me karrierë të madhe artistike. Ç’mendim keni për gjendjen e teatrit sot?

Për mua është kriza më e thellë që ka prekur sot institucionin e teatrit në përgjithësi, edhe sot në Evropë teatri është në krizë por kjo është e dhimbshme. Të gjesh atë pjesë të jetës tënde që ka karrierë të gjatë që ka bërë rininë tënde dhe e shikon që nuk funksionojnë shumë gjëra. Unë ka qenë një nga iniciatorët e ligjit të teatrit kam luftuar shumë për të dhe jam penguar, por më në fund ky ligj është miratuar në parlament afro 6 vjet më parë dhe që nga ajo kohë ai mbahet në sirtar nga institucionet përkatëse për një amendament që mund t’i shtohet apo t’i hiqen dy amendamente por që në thelb ai nuk funksionon dhe për inerci nuk funksionon e gjithë jeta shqiptare. Pra për mua nuk ka absolutisht ndryshim nga para viteve 90 në organizimin e teatrit, pavarësisht se para viteve 90 puna ishte më serioze dhe më e organizuar sepse ishte shtet dhe punohej por kishte edhe shumë spektatorë. Ndërsa tani ndryshimi është se vihen shfaqje më pak. Pra aktorë që punojnë në shtet që kanë një rrogë bazë dhe që kanë një shpërblim minimal për një vepër të caktuar dhe kaq dhe nuk shikoj asnjë ndryshim në nivelin e teatrit. Ndërkohë që trupa teatrore private nuk funksionojnë fare dhe nëse ka ndonjë trupë private në përpjekje, kjo që bëhet është në mënyrë jo legale. Kjo d.m.th që miqtë e ndonjë ministri apo të ndonjë drejtori të kulturës që i marrin ndonjë para dhe shpeshherë është edhe për të qeshur se ku është dhënë kjo para për këtë shfaqje. Teatri nuk është i organizuar nuk është një bord i teatrit qendror i përbërë nga specialistët siç është në themel të ligjit të teatrit, që ka një buxhet të përcaktuar nga qeveria dhe që e përcakton këtë buxhet në mënyrën më të pastër profesionale. Pra në këtë aspekt unë dua të them se teatri privat pothuajse nuk ekziston.

Sipas jush, kjo mungesë e teatrit privat çfarë pasojash sjell?


Mungesa e teatrit privat sjell shumë pasoja, sepse me këtë sistem që jemi ne do të thotë që nuk ka treg, nuk ka konkurrencë, s’ka hapësira sidomos për aktorët e rinj që kanë ngelur pa punë. Në fund të fundit organizimi i teatrit shtetëror ka një kuotë të caktuar aktorësh dhe asnjë nuk largohet pa dalë në pension. Aktorëve të rinj po i vyshket talenti sepse nuk janë të organizuar në punë. Ndërsa aktorët në shtet janë “rehat” në atë varfërinë e tyre dhe ushqehen me atë lugën e vogël të shtetit. Por puna e shtetit kështu është nëse nuk vë dorë shteti nëse nuk ka presion ndaj tij flas për një shtet që e kupton sa vlerë ka filmi apo teatri, nuk do të ketë zhvillim të tij. Dhe unë shoh që ka vite që është një ujë i ndenjur është një moçalishte një artin tonë në përgjithësi por unë flas më shumë për teatrin që më vjen keq që nuk ka zhvillim. Mungojnë turnetë nëpër rrethe, festivalet ndërkombëtare. Ndërkohë që vazhdojmë si para viteve 90 ku janë vetëm 3-4 festivale teatror në vit dhe aktorët vazhdojnë konkurrimin vetëm brenda këtyre festivaleve a thua se u mbytëm me talente dhe me numër të madh teatrosh. Por a jemi ne të zotë të konkurrojmë me vlerat evropiane qoftë edhe ato ballkanike dhe të marrim pjesë në këto festivale që janë shumë gjatë sezonit nga maji deri në fund të qershorit. Atëherë kur në Evropë fillon jeta artistike tek ne ajo mbyllet, kështu që jeta bohemit apo e artistëve në shkallë të ndryshme mungon tek ne. Atëherë çfarë zhvillimesh do të presësh nga teatri kur ai nuk komunikon si motrat veta në Evropë

Me këtë ju doni të thoni se një pjesë e fajit për gjendjen e teatrit sot e kanë edhe aktorët?

Pa dyshi duke filluar nga aktorët sindikatat që nga organizimi shtetëror në teatro ose bordet e tyre dhe mendoj që është mbytëse për teatrin aq më tepër kur janë shumë aktorë të rinj që u tretën nëpër rrethe dhe bëjnë punë të ndryshme për të mbijetuar. Ndërkohë që shikoj që Tirana po vete 1 milion banorë dhe ka një teatër kjo është katastrofike, kur duhet të kishte 20, 30,50 trupa dhe të kishte 20 apo 30 shfaqje në javë, këto gjëra i bën privati që i jep forcë por në këtë pikë në çalojmë dhe kjo është një nga arsyet që jam larguar nga mekanizmi i teatrit shtetëror dhe të administroj veten aty ku ndjehem më mirë.

Jeni një regjisor i njohur, ç’mendim keni për kritikën e nivelit të teatrit sot në vendin tonë?

Është një dukuri që kushdo që ka vënë një shfaqje në Teatrin Kombëtar sot ajo është pasqyruar nga gazetarët për vendin orën numrin e spektatorëve por ajo që i mungon është një kritikë një analizë e mirëfilltë profesionale dhe teatrit i mungon totalisht. Kjo sipas meje sjell çrregullime edhe tek spektatorët e teatrit që nuk dinë dhe nuk orientohen në vlerat dhe antivlerat e një shfaqje. Dhe kjo sjell një çrregullim dhe mungesa totale e kritikës në analizën e teatrit ka sjellë përgjithësisht antivlera dhe ka bërë që ajo të jetë më e fuqishme se ajo vlerë që ka teatri. Mungesa e analizës

Keni gjetur përkrahje nga institucionet shtetërore për teatrin tuaj veror?

Ministri Ylli Pango dhe ish-ministri Bujar Leskaj e kanë pëlqyer si ide dhe tani pritet që ministria e Kulturës ta vendosi në axhendën e saj dhe ta gjallërojë këtë mjedis që është interesant edhe nga vendi sepse në fund të muajit maj institucionet kulturore mbyllen ndërsa tani dikush ka hapur një kënd teatri veror ku do të ketë aktivitete të bukura. Mirë po financimet e këtyre bëhen nga shteti dhe nuk mund të marr përsipër që ta ndërtoj një shfaqje me financimet e mia është absurde, ndërkohë që unë vë në dispozicion mjedisin e këtij teatri pa asnjë lloj biznesi brenda.

Nessun commento:

Posta un commento