Mire Se Na keni Ardhur Ne Kinemaja Shqiptare Ketu Ku Arti Ka Shtepine

"KINEMAJA SHQIPTARE" eshte vendi me i bukur per te kaluar kohen e lire se bashku me familjen tuaj. I pershtatshem per te gjitha moshat dhe efektiv per brezin e ri per te njohur se kush ka qene Shqiperia e dikurshme pasqyruar ne menyre te shkelqyer ne filmat e Kinostudios Shqiperia e Re. Na vizitoni....argetim pa fund!

lunedì 4 maggio 2009

Qirjako Sava: - "Një jetë me humorin, në skenë dhe jashtë saj"

Qirjako Sava: - "Një jetë me humorin, në skenë dhe jashtë saj"



Ai nuk ta jep aspak përshtypjen për vitet që ka mbi shpatulla që në vështrimin e parë dhe aq më tepër, kur ulesh dhe bisedon shtruar. Akoma edhe sot ka lëvizjet e një aktori që luan me shpirt. Është larguar vetëm tre vjeç nga Borshi ku lindi, por njeh edhe “ gurët e sokakut aty”. Në çdo përgjigje, ai e fillon frazën me shprehjen “unë dhe shokët e mi”. Sepse sipas tij, në kohën e tyre shfaqja ishte një sukses i përbashkët, siç bashkarisht diskutonin për çdo gjë që lidhej me estradën. Ai ka provuar të bëjë edhe gazetashitësin, edhe boksierin, edhe futbollistin dhe kur ëndërr kishte teatrin, shkëlqeu në estradë.Nuk e shkëput asnjëherë nga goja të vëllanë e madh, aktorin tjetër që nuk jeton më, Pirron, prej të cilit ka mësuar shumë, por me të cilin çuditërisht nuk luajti kurrë në të njëjtën skenë. Kujton plot respekt regjisorin Kujtim Spahivogli, që sipas tij, më parë se të të vlerësonte si artist, të peshonte si njeri me personalitet. Po ashtu, ai dëshiron të flasë edhe për Kadri Roshin e Sulejman Pitarkën dhe për të gjithë kolegët e estradave të tjera, me të cilët ka kaluar një jetë të tërë. Ka një memorie për ta patur zili dhe përmes nostalgjisë, nuk harron të të tregojë se përpos faktit që bënin humor në skenë, po aq të qeshur dhe spektakolarë kanë qenë edhe në jetën e përditshme. Nuk dëshiron të zgjatet shumë në krahasimin e nivelit të estradës së kohës së tij dhe asaj të sotmes, por dëshiron të pohojë se punonin shumë dhe nuk kishin zili për njëri tjetrin. Ai u bë aktor falë talentit dhe përkushtimit, por edhe kur ja kishte arritur që të ishte profesionist, nuk ngurroi të vazhdonte filialin, sepse sipas tij “shkolla të kompleton si artist”. Ja çfarë ka treguar aktori Qirjako Sava në intervistën ekskluzive për gazetën:

-Të gjithë e fillojnë me vendin e lindjes. Kështu edhe Qiriako Sava?

-Padyshim që është kështu. Sepse, ja më thuaj ti mua, do të kishte sot Qiriako pa Borshin e vitit 1934?

-Në fakt unë ju dija vlonjat safi?
-Vetëm tre vjet ndenja në Borsh, por do ti që i njoh edhe gurët e sokakut aty. Sepse ngaqë babai im merrej me tregti, në vitin 1937 erdhëm dhe u ngulëm në Vlorë.

-Ku vazhduat edhe shkollën...
-Po. Vazhdonim shkollën dhe në ato vite më është zgjuar dëshira për teatër. Më së shumti në vitin 1943. Nuk e harroj kurrë, sepse përveç dëshirës për teatër, ai vit më është fiksuar edhe si viti që nguliti respektin për tim vëlla, Pirron, që u bë aktor i madh por që fatkeqësisht tani nuk jeton më. Ashtu si fëmijët e tjerë, edhe ne donim të ndiqnim filmat që jepeshin në atë kohë në kinemanë e vetme të qytetit. Lekët që na jenin ata të shtëpisë i bënim vetëm bileta. Mirëpo aq shumë u dhamë pas kinemasë, saqë arriti një kohë që nisëm të mungonim edhe në shtëpi, në orët që babai ishte i lirë nga tregtia që bënte. Një ditë, ai pyet time më se ku ishin fëmijët pasi e kishte marrë malli që të na shihte. Dhe ajo i tregoi për kinemanë dhe obsesionin tonë për filmat. Na pret një ditë dhe sapo hymë në shtëpi, na kërkoi që ti tregonim se çfarë filmash shikonim. M’a kërkoi mua të parit dhe unë fillova me “ i holli dhe i trashi”. Pasi mbarova së treguari unë, ju drejtua vëllait, për ti treguar të njëjtin film. Pirrua ja tregoi aq me hollësi dhe mjeshtëri, sa të gjithë u habitëm dhe babai, pasi na pyeti se si ishim edhe me shkollën, na dyfishoi lekët që ti kishim për në kinema.

-Po pas vizitave në kinema?
-Fillova të luaja teatër që kur isha 12 vjeç. Me një grup pionerësh të asaj kohe, kemi shkuar deri në Berat për të dhënë shfaqje. Dua të tregoj se nga natyra kam qenë shumë i shkathët.

-Këtë veti nuk e keni humbur edhe sot e kësaj dite...
-Po, është e vërtetë por në atë kohë recitoja, shihja gazeta, ndihmoja në kryqin e kuq, më pas luajta futboll, bëra boks edhe me ish-kampionin durrsak Ilmi Reka, kam luajtur me të rinjtë e Flamurtarit, derisa u ngula tek estrada.

-Si u ngulët?
-Përpara se të ngulesha aty, ëndrra ime ishte teatri. Dhe në fakt me teatër e kam nisur karrierën time. Vetëm kur isha 17 vjeç, së bashku me Evgjeni Shtrepin dhe Stefan Pemën, kemi marrë pjesë me grupin amator në Olimpiadën e parë nacionale të teatrove në Tiranë, në vitin 1951. Kishim regjisor të madhin Kadri Roshi dhe që të tre u nderuam me diploma. Nuk harroj as titullin e pjesës, “ Nën gështenjat e Pragës”. Atëherë të gjitha pjesët ishin sovjetike, sepse shkrimtarët tanë akoma nuk ishin afirmuar. Një vit më vonë, në Durrës shkuam me një pjesë me 1 akt të Makarenkos dhe më 1953 me “Një ditë pushim” të Valentin Kadajevit dhe morëm çmimin e dytë. Në vitet ’54-’56 isha ushtar dhe nuk ju ndava aktiviteteve artistike. Në vitin 1955 u krijua Estrada Profesioniste e Vlorës dhe profesionist u bë së pari vëllai im, Pirrua. Në vitin 1959, ai shkoi të ndiqte shkollën dhe pas një përvoje të madhe nëpër skena të shumta, më thirrën dhe më çuan mua profesionist në vend të Pirros. Por dua të të kujtoj se edhe kur Pirrua u kthye nga studimet dhe për shumë vite ne bënim pjesë në të njëtën trupë, çuditërisht, nuk luajtëm asnjëherë së bashku. Me këtë rast duat të përmend regjisorin e parë që më ngriti në skenën profesioniste, Nazmi Bunjakun dhe aktorin me përvojë Vangjel Panozaqi, të cilin e zëvëndësova në rolin tim të parë në një vepër skenike. Por ajo që më rriti më shumë vlerat si aktor, ishte një takim i estradave profesioniste në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1963. Shfaqja jonë lidhej me numrat e saj përmes konferencierit dhe këtë rol e bëra unë. Duket e realizova shumë mirë sepse në përfundim të takimit, më kërkuan të bëja edhe konferencierin e shfaqjes përfundimtare, me numrat më të mirë të të gjitha estradave të vendit. Por këtu dua të përmend edhe shokët e shoqet e mia si Myqerem Ferra, Evgjeni Shtrepi, Leka Kruta, Meliha Ferra, Vangjel Panozaqi, pa të cilët unë nuk do të isha ky që jam sot.

-E shikoj që pas çdo përgjigje ke dëshirë të përmendësh kolegët, ndaj bëjmë një marrëveshje. Mos i përmend më, sepse po u kujtoj lexuesve që kur thua dhe përmend një arritje, ju i përmendni të gjithë ata.
-Kam dëshirë ta theksosh këtë fakt: çdo arritje e jona ishte kolektive. Ishim aq të pastër me njëri-tjetrin, sa edhe kur nuk ecte dicka nuk ja thyenim zemrën njëri-tjetrit por një fjalë unë e një fjalë dikush, e bënim materialin të pëlqyer. Pastaj dua të të them se kemi punuar shumë. Jo vetëm në skenë por edhe në skenat natyrale, fshat më fshat e kudo ku kemi qenë nuk jemi ndarë për asnjë çast.

-Në këtë kuadër, mund të bëjmë një bilanc të veprave që keni vënë në skenë?
-Nuk mund të ma marrësh si mburrje kur të them se në vitin 1968 kam filluar edhe filialin e ILA, sepse shkolla të kompleton. Unë, përveçse aktor kamë bërë edhe regjisorin, siç e kanë bërë këtë gjë pothuajse të gjithë kolegët. Në këtë kuadër do të thosha se kam vënë në skenë 23 premiera, nga të cilat do të përmendja atë të parën, që e kam vënë në skenë në vitin 1972, “Zgjidh e merr” dhe për të cilën po të tregoj se u dha për publikun plot 46 herë dhe të gjitha herët salla ishte plot. Dhe mos harro se punoja me aktorë si Gaq Vishi që kishte bërë humor që më 1929-ën. Po në këtë kuadër, dua të të them se në estradën tonë praktikonim një mënyrë të vëni në skenë të veprave që silleshin rreth një boshti të caktuar. Kështu mund të përmend shfaqjet Familja e gëzuar, U takuam në udhëtim, Dy shokët, Çan anija shqiptare, Banorët e pallatit tim. Kishim lajtmotiv në atë kohë thënien e madhe të Majakovskit “në mëngjez shikojmë gazetën, në darkë jemi në art”, ngaqë atë që shikonim në jetë e ngrinim menjëherë në skenë. Dhe pastaj mos harro se punonin për ne penat e mëdha Vangjel Pici e Flamur Laro dhe me regjinë, veçanërisht Myqerem Ferra. Po në këtë kuadër, dua të kujtoj se premierën e parë si trupë drame profesioniste, kemi vënë në skenë në vitin 1962 “Fundosja e Skuadronit” të Kornejcukut, me regjizor të paharruarin Kujtim Spahivogli. Për të cilin dua të theksoj se përpara se të të vlerësonte si artist, të vlerësonte si njeri dhe personalitet. Kur kam dhënë këtë shfaqje, kam marrë përgëzime nga vetë Sulejman Pitarka e Naim Frashëri.

-Mesa di unë, ju përveç estradës në skenë, ishit vetë si trupë një estradë jete. A është e vërtetë?

-E di ku do të dalësh dhe me këtë rast po të tregoj vetëm një histori që na ndodhi dikur në Drashovicë. Shkuam për të dhënë shfaqje atje dhe meqë isha si biçim përgjegjësi, i them përpara shfaqjes kryetarit të kooperativës: Meqë nuk jemi larg nga Vlora, na ndihmon dot me një makinë të kooperativës që kur të mbarojmë shfaqjen të ikim për në qytet, që edhe të flemë në shtëpitë tona edhe barrë të mos u bëhemi banorëve. Ai pranoi me kënaqësi. Mirëpo për dreq, ne kishim një skeç, “Dy kaposhët” titullohej, ku bënim shaka me një kryetarë kooperative dhe një drejtor SMT-je. Ishte një skeç i goditur, ku të dy hiqeshin si gjela deti dhe nuk i hapnin rrugë njëri-tjetrit. Gjatë shfaqjes, shikuesit u shkrinë së qeshuri por më e keqja erdhi më mbrapa. Kryetari i kishte dhënë urdhër shoferit që do të na çonte në qytet që të mos e bënte absolutisht këtë gjë. Ne që nuk kishim kuptuar asgjë, morëm plaçkat, hipëm në makinë dhe po prisnim. Prit gjysëm ore hic, prit një orë hiç. Vjen shoferi dhe na thotë se kishte marrë urdhër nga kryetari që të mos na çonte në Vlorë. Zbres unë dhe gjej kryetarin në një klub. I kujtova se kishim biseduar që të na çonte në qytet, kur më kthehet ai mua: Juve t`ju çoj në qytet unë, juve që më telendisët përpara fshatarëve. Bëj ti mbush mëndjen se nuk e kishim me atë, por më kot. Atëherë vjen Leka Kruta, merr një shishe raki në banak dhe mbush gotat. Kryetari i skenës nuk është ky kryetari ynë dhe u deshën disa dolli të tilla që të vinim në qytet.

-Mund të bëni një ballafaqim midis aktrimit në kohën tuaj dhe atij të sotëm?
-Nuk do të më pëlqente ta bëja një gjë të tillë. Sepse këtë e bëjnë specialistët dhe spektatorët. Vetëm dua të të them se kemi punuar shpirtërisht, kemi ngritur në art dukurinë negative përmes humorit që mbarte me vete edhe edukimin. Nuk kemi qenë vulgarë dhe nuk zgërdhiheshim për ti bërë spektatorët të qeshnin.

-Ç`bën sot Qiriako Sava?
-Kam një biznes të vogël dhe merrem me të.

-Faleminderit!
-Faleminderit juve që kujtoheni edhe për ne pleqtë, por që kemi bërë dicka për këtë qytet që na rriti.


Sot

Nessun commento:

Posta un commento